E premte, 21.11.2025, 10:26 PM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Drejtësi me dy “krena”

E premte, 21.11.2025, 07:22 PM


DREJTËSI ME DY “KRENA”

NGA NDUE DEDAJ

Paraprakisht, ajo çka do të ceket në vijim nuk ka lidhje me personat konkretë nën hetim, në Tiranë, apo në Hagë, aq më pak me simpati për njërin a tjetrin, por për atë se çfarë është drejtësia dhe si duhet kuptuar ajo, në rastin e procedimit ligjor ndaj tyre.

Ligjërisht në burg dhe ligjërisht në detyrë?!

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi që kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj të mbetet në detyrën e tij, që nënkupton ushtrimin e saj deri në vitin 2027, ndërkohë që ai gjendet në qeli i arrestuar nga SPAK për korrupsion etj. Ky vendim e bëri zero dekretin e Presidentit për zgjedhje të parakohshme në kryeqytet, duke i thënë njëherësh jo dhe kreut të qeverisë e të mazhorancës që pas vendimit deklaroi se “nuk do t’i bihet murit me kokë”.

E megjithatë, gjykata më e fuqishme në vend, nuk e çon dot në zyrë kryebashkiakun, por mbase zyra shkon njëfarësoj tek ai, për ndonjë firmë, sa për të thënë se ai është zyrtarisht në detyrë. Thënë ndryshe, shkon mali te Muhameti, ngaqë ky i fundit nuk mund të shkojë te mali. Atëherë, cila është vlera e një vendimi të tillë? Apo veç në anën proceduriale? Kujt i hyn në punë një vendim që nuk gjen realisht zbatim? A u shërben ai qytetarëve të Tiranës, që presin punë nga Bashkia e tyre, të cilat nuk janë kryer si duhet edhe me kreun e saj në detyrë? Këshilli Bashkiak, që mblidhet këtë të premte, të dy krahët: pozitë dhe opozitë, kërkuan që kryetari në detyrë të jetë i pranishëm, çka nuk u mundësua nga SPAK.

Ku tjetër në Europë e Amerikë mund të ndodhë një precedent i tillë, që i njëjti individ të jetë ligjërisht në burg dhe ligjërisht në detyrë? A do të mund të ndodhte kjo gjë ta zemë me kryebashkiakun e Parisit, Londrës, Nju Jorkut etj. E pamundur për për atje, po që këtu shihet si gjë normale (!).

Edhe komandantë të UÇK-së, edhe jo të tillë?

Uesli Klark, ish-komandanti suprem i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës 1998-1999, dëshmon në Gjykatën Speciale në Hagë se UÇK nuk ka kryer spastrim etnik (nënkupto ndaj komunitetit serb në Kosovë) dhe se Thaçi nuk ishte drejtues ushtarak i UÇK-së, as të tjerët që po gjykohen me të nuk kishin detyra komanduese në luftë, se “komandanti” i Luftës së Kosovës ishte NATO dhe amerikanët, duke i çliruar kësisoj të marrurit të pandehur nga akuzat për shkak të funksioneve komanduese të paqena.

Është i treti funksionar i lartë amerikan, pas Xhejms Rubin dhe Kristofer Hill, që e bën këtë brenda një kohe të shkurtër, në të njëjtin tribunal, duke thënë se UÇK nuk ishte ushtri e organizuar, nuk kishte një zinxhir komandues, që të bien mbi të përgjegjësitë etj. Ata deklarojnë se Thaçi ishte drejtues politik (një si ministër i Jashtëm) dhe jo ushtarak, ai nuk kishte fuqi t’i lëvizte gjërat, nuk kishte kontroll mbi njerëz që kryenin krime, kurse Krasniqi ishte thjeshtë zëdhënës i këtij formacioni çlirimtar. Ndërkohë që të gjithë e kuptojnë se nuk mund të kishte dy ushtri paralele për çlirimin e Kosovës, NATO dhe UÇK, më e shumta kjo e dyta ishte një ndihmëse e të parës. Kjo sigurisht që nuk e ul aspak peshën historike të saj në luftën për liri dhe pavarësi të atdheut të vet, jo vetëm se ishte nismëtarja, por dhe për shkak të veprave heroike të pashembullta, si masakra e Reçakut, ajo e Mejës (Gjakovë), qendresa e familjes Jashari etj.

E para gjë që të vjen ndërmend, është pse kaq vonë kjo mbrojtje nga dëshmitarë të këtij kalibri? Pse duhej pritur pesë vjet për të dëgjuar deklarata të tilla pafajësie?

E dyta, kur të “zotët” e punës thonë se ata nuk kishin faj si komandantë, si është e mundur që një gjykatë e rëndësishme si ajo e Hagës (Dhomat e Specializuara) i akuzon si të tillë?

Sërish pyetja është, a do të ndodhte ndokund tjetër ky precedent, që dhe të jesh në burg ligjërisht dhe të jesh “hero” i protestave qytetare në Prishtinë dhe Tiranë?

*

Komenti ynë. Në botën e qytetëruar, siç na është bërë zakon të quajmë vendet e Perëndimit, drejtësia ka një standard, ndaj nuk mund të ndodhin precedentët si më sipër, atje ose je i pandehur, ose nuk je. Nese merresh i pandehur, do të të thotë se një gjykatë e ka miratuar këtë gjë dhe nëse një gjykatë më e lartë e quan të paligjshëm këtë pozitë tënden, ti nuk mund të rrish në qeli. Logjika ta do se, nëse kryebashkiaku i Tiranës do të ishte nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës, pas vendimit të Kushtetueses ai do të ishte në zyrë deri në dhënien e e vendimit të formës së prerë. Por ndryshon puna kur ke të bësh me SPAK, që është një prokurori speciale, që nuk është në “dorën” e Gjykatës Kushtetuese, por të amerikanëve, që e kanë krijuar.

Me të njëjtën logjikë, katër ish-drejtuesit shtetërorë të Kosovës mbahen në burgim nga një gjykatë speciale e ngritur me mandat për të gjykuar krimet e luftës në Kosovë dhe kur kjo gjë të ketë mbaruar, mbaron dhe misioni i Dhomave të Specializuara. Ashtu siç me ta fituar luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme do t’i këtë mbyllur dyert, për të vazhduar me prokurorinë e zakonshme të republikës.

Doemos që krijuesit e vërtetë të këtyre dy organeve, në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërkombëtarët, i kanë krijuar ato edhe me votën e vetë atyre që janë sot në burg dhe në këtë kuptim nuk i bien kujt “borxh”. Në parim nuk diskutohet veprimtaria e tyre në rrafshin juridik, pasi, do apo nuk do, vendimet e gjykatave merren të mirëqena, ama si qytetarë nuk mund të mos konstatosh handikapin që vërehet në këtë mes, për të mos thënë dy standarte, krahasuar me botën euro-atlantike.

Shqiptarët vërtetë e kanë simbolin kombëtar, shqiponjën, “me dy krena”, por nuk do ta donin dhe drejtësinë të tillë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Asllan Dibrani – Luani: Kriza politike në Kosovë Fritz Radovani: At Gegë Lumaj – kleriku i parë katolik i arrestuem nga komunistat! Kalosh Çeliku: Politika kur hyn edhe në poezi Idriz Zeqiraj: Fitorja e Pecit, akuzat shpifëse dhe blofi politik i PDK-së! Bashkim Saliasi: Kritika, arma që vret; buzëqeshja është ajo që të bën të lumtur në jetë Florim Zeqa: Zgjedhja e Bedri Hamzës dhe deklarata e Presidentes! Klajd Kapinova: Kardinali Gerhard Müller - Nuk mund të jemi katolikë të mirë dhe të jemi komunistë Prend Buzhala: Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, humbja e besimit dhe ikja e të rinjve Hasan Hoxha: Të pathënat për Fatos Nanon Florim Zeqa: Fillimisht Klinën, pastaj mbarë Kosovën! Shefqet Sulmina: Lufta e Trojës? Apo Lufta e Iiridës? Nue Oroshi: Kali qifteli, dredha e djallit dhe lotët e nënës shqiptare Përparim Hysi: ''Librat që kam lexuar'' në ''bibliotekat e vdekura'' Florim Zeqa: 'Fitorja' që nuk shihet as në horizont! Refik Hasani: 'Bota Serbe', një alarm për kombin shqiptar dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor Klajd Kapinova: Marksisti ekstremist dhe radikali islamik Zohran Mamdani ka shkelur Aktin Federal të Fushatës Zgjedhore Fritz Radovani: Data më e bukur e jetës! Florim Zeqa: LDK nuk ngritet me yryshnik të pushtetit! Idriz Zeqiraj: Cënimi i qëllimshëm i të drejtës së votimit të mërgimtarëve! Albert Zholi: Gëzim Tushi - Shtypi i shkruar mbetet një mënyrë e sigurt, e përgjegjëshme dhe më e qëndrueshme për të orientuar publikun

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx