E hene, 17.11.2025, 04:01 AM (GMT)

Kulturë

Mehmet Kraja: 'Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik'

E diele, 16.11.2025, 06:57 PM


Fjalë përshëndetëse për konferencën shkencore mbarëkombëtare “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”

Nga Mehmet Kraja - Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Të nderuar miq!

Duke qenë shumë kohë i lidhur ngushtë më aktivitetet kulturore në Kosovë, kam pasur rastin të njoh nga afër një gjeneratën e parë dhe të dytë të krijuesve muzikorë, kompozitorë, muzikologë dhe etnomuzikologë, në përgjithësi njerëz të muzikës, qoftë përmes paraqitjeve publike, ose përmes aktiviteteve të institucioneve të kulturës, por veçmas përmes medies, ku kam punuar për një kohë të gjatë. Duke qenë komunikimi me muzikën “një rrugë e vështirë drejt njohjes” dhe duke qenë se kultura e përgjithshme nuk ndihmon aq shumë për një komunikim profesional, ne që punonim në medien e shkruar në Kosovë, mbetem duke kërkuar dhe duke nxitur profesionistët e muzikës të shkruanin për këtë fushë të krijimtarisë artistike, të krijimtarisë themelore ose të asaj ripërtritëse, reprodukuese. Ta zëmë, gazetari Jusuf Gërvalla nuk pranonte të shkruante i vetëm artikuj muzikorë në “Rilindje” për “Akordet e Kosovës” ose për “Skenën Muzikore të Prishtinës”, prandaj u kërkua kompozitori Rafet Rudi që t’i shkruante artikujt bashkë me të. Atëherë dhe shumë vite më vonë, iu jepja hapësirë të konsiderueshme në suplementet e kulturës të “Rilindjes” dhe më vonë të “Kohës ditore” muzikologut dhe etnomuzikologut Engjëll Berisha dhe Rexhep Munishi, pastaj kompozitorit Akil Koci etj. Shkrimet e tyre nuk shtonin tirazhin, këtë e dinim të gjithë, por krijonin prestigj dhe i jepnin dinjitet gazetës.

Duke njohur jetën kulturore në Prishtinë, atëbotë kam takuar Lorenc Antonin në Radio-Prishtinë, kam njohur dhe kam takuar Rexho Mulliqin dhe Mark Kaçinarin në Teatër, këtë të fundit edhe përmes korit “Collegium Cantorum”, më pas Fahri Beqirin përmes “Ramiz Sadikut”, ose disa prej tyre si ligjërues në degën e muzikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës (Vinçenc Gjini, Zeqiria Ballata, Rauf Dhomi etj.) dhe më vonë të Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve.

Në vitet ’90, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, puna institucionale e muzikës u ndërpre dhe bashkë me këtë u ndërpre edhe një ndërrim normal i gjeneratave të kompozitorëve në Kosovë. Disa prej tyre, si Gjon Gjevelekal dhe Ehat Musa do ta vazhdojnë veprimtarinë e tyre në Francë, Bashkim Shehu në Kroaci e Baki Jashari në Slloveni, por me një lidhje jo shumë kohezive me Kosovën, mbase për shkak se gjuha universale e muzikës jep mundësi për tejkalimin e kufizimeve hapësinore.

Së fundi, koha dhe rrethanat e bënë të veten dhe rikthimi i institucioneve të muzikës pas vitit 2000 shënon një epokë të re në muzikën e Kosovës, jo vetëm me një gjeneratë të re artistësh, por më shumë se kaq, me një zhvillim bashkëkohor, i cili çon drejt arritjeve të reja, në radhë të parë drejt integrimit në një tërësi të vetme të muzikës shqiptare. Kosova hyn në shekullin XXI me emra të njohur të muzikës që krijojnë vazhdimësi, si Zeqiria Ballata, Rauf Dhomi, Rafet Rudi, Valton Beqiri, por edhe emra të rinj: Trimor Dhomi, Dafina Zeqiri, Donika Rudi, Liburn Jupolli, Drinor Zymberi, Ardian Halimi, Kreshnik Aliçkaj etj.

Në fund, më lejoni që në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës t’i uroj Akademisë së Shqipërisë për organizmin e kësaj konference, ndërsa juve pjesëmarrës – ligjërime të mbara!

Ju faleminderit



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx