Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (5)
E premte, 07.11.2025, 07:00 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
NËNËMADHJA ZARIFE SADIKU - JATAKJA E DEVOTSHME E MULLA
IDRIZ GJILANIT (5)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në odën e tyre, Mulla
Idrizi nuk ishte një i arratisur që fshihej prej pushtuesit, por një bir i
shtëpisë, një vëlla dhe një djalë për të cilin u tregua kujdes me besnikëri të
plotë. Zarifja dhe rejat e saj nuk u kursyen në asgjë. E ushqyen, e ruajtën, e
mbajtën të fortë me fjalën dhe besën, duke e trajtuar me dashuri të njëjtë
sikur të ishte gjaku i tyre. Kjo përkujdesje nuk buronte nga frika apo nga
zakoni i thjeshtë i mikpritjes shqiptare, por nga bindja e thellë se ishin duke
i shërbyer një kauzë të madhe, se po mbronin jo vetëm një njeri, por vetë
idealin e lirisë.
Figura e nënë Zarifes
dhe rejave të saj është dëshmi se rezistenca shqiptare nuk ishte vetëm në mal
me pushkë, por edhe në pragun e shtëpisë, në sofrën e gruas shqiptare, e cila
me devotshmëri u bë strehë dhe mburojë e luftëtarëve. Përmes sakrificës së
tyre, ato treguan se çështja kombëtare ishte më e madhe se çdo rrezik
individual, më e shtrenjtë se çdo pasuri, madje edhe më e rëndësishme se vet jeta.
Prandaj, kur përkujtojmë historinë e qëndresës, duhet të kthejmë sytë edhe kah këto figura të heshtura, që me besë e me devotshmëri u shndërruan në gurë themeli të rezistencës kombëtare. Zarife Sadiku dhe rejat e saja, Ajeteja e Bahtija, përfaqësojnë atë dimension të lavdishëm ku femra shqiptare nuk ishte vetëm nënë e luftëtarëve, por edhe shoqe e idealit dhe gardiane e lirisë, duke e mbrojtur me jetën e saj birin e kombit si të ishte biri i vet.
Me të drejtë prof. dr.
Muhamet Pirraku thekson se madhështia e figurës dhe veprës së Mulla Idriz
Gjilanit në historinë kombëtare shqiptare nuk do të mund të kishte lulëzuar e
mbijetuar pa përkujdesjen e një hallke të pazëvendësueshme- jatakun. Pikërisht
kjo rrjetë e fshehtë e mbështetjes, që mishërohej në vëllezërit Sylë, Salih,
Rrahim, Ramiz dhe Avdi Sadiku nga Gjyrisheci i Dardanës, së bashku me gratë e
tyre të ndershme dhe të pathyeshme, kishte në krye një figurë monumentale –
Nënëmadhën Zarife.
Kjo familje, me
sakrificë të përbashkët e të palodhur, krijoi një mburojë të padukshme për
jetën dhe veprimtarinë e Mulla Idrizit. Ajo nuk e pa atë si një të arratisur që
kërkonte strehë, por si pjesëtar të vetin, si bir të shtëpisë dhe si
përfaqësues të një ideali të shenjtë që i tejkalonte kufijtë e familjes dhe të
vendlindjes. Përkujdesja e tyre, ushqimi, mbrojtja, vigjilenca e përhershme dhe
mbi të gjitha heshtja e pathyeshme përbënin themelet mbi të cilat Mulla Idrizi
mundi të vepronte dhe të shkruante kapitujt e tij të lavdishëm në historinë e
kombit shqiptar.
Sakrifica e kësaj
familjeje nuk matet me standardet e zakonshme të historisë. Ajo shtrihet përtej
shembujve të zakonshëm të solidaritetit, sepse këtu nuk bëhej fjalë për një akt
të vetëm trimërie, por për një jetë të tërë të shndërruar në mision. Çdo ditë e
tyre ishte një përballje e heshtur me rrezikun, çdo natë një ankth i përhershëm
se dera mund të shkelet nga pushtuesi. Megjithatë, ata nuk u lëkundën
asnjëherë. Përkundrazi, besa e tyre, trimëria e grave dhe mençuria e Nënëmadhes
Zarife krijuan një aleancë të pathyeshme që u bë shembull i rrallë i
përkushtimit familjar ndaj kauzës kombëtare.
Jo rastësisht, Pirraku
pohon se është e vështirë, madje e pamundur, të gjendet në historinë e
njerëzimit një shembull i ngjashëm i një sakrifice kaq të gjithanshme dhe të
përbashkët. Në këtë rast, historia nuk na paraqet thjesht një individ heroik,
por një familje të tërë të shndërruar në institucion të rezistencës, ku burrat
dhe gratë, të rinjtë e të moshuarit, bashkoheshin në një qëllim të vetëm,
mbrojtjen e jetës dhe të veprës së një njeriu që përfaqësonte idealin e lirisë
së një kombi të tërë.
Në këtë mënyrë, familja
Sadiku e Gjyrishecit, me Nënëmadhën Zarife në ballë, nuk është thjesht një
kapitull në historinë e Kosovës, por një monument i gjallë i sakrificës njerëzore,
një dëshmi e pavdekshme se dashuria për lirinë dhe për kombin mund të shkojë
përtej kufijve të përmasave njerëzore.
Kur organet e ndjekjes më në fund arritën ta zbulojnë se Mulla Idrizi po strehohej në shtëpinë e kësaj familjeje, dhe kur ushtarë e policë erdhën duke e rrethuar shtëpinë me synimin për ta arrestuar, ndodhi një nga ato çaste që historia i përjetëson si shembuj të pavdekshëm të trimërisë dhe besës shqiptare. Në atë moment vendimtar, nuk ishte një burrë me armë në dorë që dha kushtrimin e rezistencës, por një grua, një nënë e madhe e shtëpisë, e cila me qetësi dhe vendosmëri të hekurt iu drejtua hoxhës me fjalë që do të mbeteshin përjetë në kujtesën kombëtare: “Hoxhë, kalle luftën e mos u dorëzo. Mos të dhimbsen as fëmijët e mi, as unë, sepse për vatan jepet edhe jeta.”
Këto fjalë, të thëna në
çastin më të rrezikshëm, nuk ishin thjesht një nxitje për rezistencë. Ato
përfaqësonin thelbin e kulturës së besës dhe sakrificës shqiptare. Nënë-lokja,
me shpirtin e saj të pathyeshëm, shprehu gatishmërinë që të sakrifikohej vetë
dhe të shihte edhe fëmijët e saj të binin, vetëm e vetëm që kauza e lirisë të
mos shuhej. Në to përqendrohet gjithë morali i një populli, më mirë vdekja me
nder sesa jeta me nënshtrim.
Në atë skenë dramatike,
shtëpia e rrethuar nuk ishte më vetëm një vatër familjare, por u shndërrua në
simbol të qëndresës kombëtare. Fjalët e saj i dhanë Mulla Idrizit jo vetëm
forcën për të qëndruar, por edhe bekimin moral që lufta e tij ishte e drejtë
dhe se pas tij qëndronte një popull i tërë, i gatshëm të sakrifikohej. Nuk
kishte më vend për dyshim apo lëkundje. Kur një nënë e thotë me gojën e saj se
fëmijët e saj mund të bien për atdhe, atëherë ajo i ka dhënë legjitimitetin më
të madh betejës për liri.
Ky akt i jashtëzakonshëm
tregon se heroizmi në historinë shqiptare nuk ishte i kufizuar vetëm te pushka
dhe beteja, por edhe te fjala e dhënë, te vendosmëria e gruas shqiptare që
dinte të bëhej mur i pathyeshëm i mbrojtjes së vlerave kombëtare. Në figurën e
kësaj nëne shfaqet qartë dimensioni i sakrificës së pastër, jo vetëm pranimi i
vdekjes, por edhe gatishmëria që e gjithë familja të bjerë, vetëm që kauza të
mbijetojë.
Në këtë mënyrë, fjala e
saj nuk ishte vetëm një thirrje për hoxhën, por një mesazh për brezat, se liria
nuk dhurohet, por fitohet me jetë të dhëna, me besë të pathyer dhe me vendime
të mëdha të marra në çaste të vogla, por vendimtare.
Në atë çast të mbushur
me ankth e vendosmëri, kur rrethimi i shtëpisë kishte shndërruar çdo
frymëmarrje në sfidë me vdekjen, fjala e Mulla Idrizit u ngrit si dritë dhe
qetësi mbi të gjithë. Me urtësinë e hollë që e kishte karakterizuar gjithmonë,
ai iu përgjigj nënës së madhe, duke i thënë: “Nuk i marr në qafë robët, oj
nënë, dhe mos u frikëso, se Zoti është i Madh. Një ditë ka për të dalë në dritë
burrëria, besa dhe sakrifica jote dhe e djemve të tu, deri edhe në
vetëmartirizim.”
Këto fjalë nuk ishin
vetëm një premtim për momentin, por një profeci e thellë që shpaloste bindjen
se asnjë sakrificë e bërë për atdhe nuk mbetet pa shpërblim. Ai e shihte përtej
çastit të errët, përtej dhunës dhe rrezikut, duke e vendosur jetën dhe flijimin
e kësaj familjeje në horizontin e madh të historisë. Në vizionin e tij,
burrëria dhe besa shqiptare nuk ishin thjesht vlera të përkohshme, por forca
që, pavarësisht dhunës së pushtuesit, do të ngriheshin një ditë si dritë mbi
kombin.
Mulla Idrizi, me këtë
përgjigje, shpaloste dy dimensione të qenies së tij: atë të burrit të mençur që
nuk donte të përfshinte të pafajshmit në barrën e vet të rrezikshme, dhe atë të
prijësit shpirtëror që dinte t’i jepte kuptim sakrificës. Ai i jepte nënës së
madhe jo vetëm kurajë për të përballuar rrezikun e çastit, por edhe dinjitetin
për ta parë veten dhe familjen e saj si pjesë të një sage të madhe kombëtare,
ku edhe martirizimi ishte një kurorë e lavdisë.
Në këto fjalë
përmblidhet filozofia e tij e qëndresës se liria nuk fitohet duke shkelur mbi
pafajësinë e të tjerëve, por duke u flijuar vetë, se sakrifica nuk është
humbje, por dritë që ndriçon të ardhmen dhe se besa shqiptare është më e fortë
se çdo pushtet, sepse ajo lidhet me Zotin dhe me gjakun e kombit.
Kështu, përgjigjja e
Mulla Idrizit mbetet si një testament moral, ku shpaloset e vërteta se burrëria
dhe besa, edhe kur fshihen nën errësirën e dhunës, do të dalin një ditë në
dritë si dëshmi e pavdekshme e sakrificës për liri.
Me një ton të qetë e
fjalë të buta, Mulla Idrizi iu drejtua Rrahim S. Sadikut me një mesazh që
bartte jo vetëm urtësi, por edhe një madhështi shpirtërore të pakrahasueshme:
“Një ditë Nëna që u lindi dhe u rriti Juve, malësorja që më pranoi për djalë
mbi të gjithë djemtë, e mbi të gjithë robët, ka për t’u ngritur mbi retë, në
historinë e kombit tonë…! Bëmat e mia janë një zero në krahasim me punën tuaj,
e tashti më lejo mua të vendos…! Dil dhe shtyje afatin, disi, deri sa t’i kryej
edhe ca punë, se e kam bërë hesap edhe fundin tim, por asnjë dokument nuk guxon
të bjerë në dorë…! Dil, dil…! Thuaju se tashti po dorëzohet…!”
Këto fjalë, të
mbështjella me mirënjohje dhe me një qartësi vizioni të rrallë, ishin më shumë
se një porosi e zakonshme. Në to përkufizohej një filozofi e tërë e sakrificës
dhe e nderimit. Ai ngrinte në piedestal figurën e nënës malësore – Zarifes – e
cila me shpirtin e saj të pathyeshëm kishte pranuar ta mbante në gjirin e
shtëpisë jo si mysafir, por si bir, duke e vendosur përmbi të gjithë djemtë e
vet. Ky akt i nënës shqiptare, sipas tij, do të shkruhej me shkronja të arta në
historinë e kombit, sepse nuk kishte lavdi më të madhe sesa sakrifica e nënës
për atdheun.
Me përulësi të thellë,
Mulla Idrizi e zvogëlonte vetveten duke e quajtur veprën e tij një “zero” në
krahasim me mundin dhe sakrificën e familjes Sadiku, e cila për vite të tëra
kishte rrezikuar gjithçka për ta mbrojtur. Ishte kjo përulësi që e bënte edhe
më madhështor: një burrë i vetëdijshëm për peshën e veprës së tij, por që
nderin dhe meritën ua atribuonte të tjerëve, si shenjë e thjeshtësisë dhe e
burrërisë së vërtetë.
Më tej, fjalët e tij shpalosin
një urtësi strategjike të jashtëzakonshme, kërkonte të shtyhej momenti i
dorëzimit, jo sepse kishte iluzione për shpëtimin e vet, por që të arrinte të
përfundonte disa punë të mbetura e të siguronte që asnjë dokument, asnjë dëshmi
e veprimtarisë së tij të mos binte në dorën e pushtuesit. Ky akt i fundit nuk
ishte për veten e tij, por për lëvizjen, për kombin, për idealin që i kalonte
kufijtë e jetës së tij personale.
Në fund, thirrja e tij
“Dil, dil… thuaju se tashti po dorëzohet…!” ishte një lojë e hollë taktike, një
maskim i qëllimshëm për të fituar kohë, për të ruajtur të fshehtat dhe për të
siguruar që amaneti i tij politik e kombëtar të mos komprometohej. Ishte fjala
e një njeriu që kishte llogaritur edhe fundin e vet, por që donte ta shndërronte
atë fund në një fillim të ri për kauzën e popullit.
Ky dialog mbetet një
testament i gjallë i burrërisë shqiptare, një përzierje e guximit, e përulësisë
dhe e mençurisë strategjike, ku çdo fjalë është gur themeli në ndërtesën e
lavdishme të historisë sonë kombëtare.
Dhe vërtet, Mulla Idriz
Gjilani, me gjithë madhështinë e tij, u flijua për Kosovën, duke u shndërruar në
një nga figurat më të ndritura të qëndresës kombëtare. Porse historia, me penën
e saj të drejtësisë dhe të kujtesës, nuk shkroi vetëm emrin e tij. Ajo nguli
thellë në faqet e veta edhe emrin e Nënës Zarife – asaj gruaje që me besnikëri,
guxim dhe sakrificë u bë mburojë e tij dhe e kauzës së lirisë.
Emri i saj nuk u
regjistrua thjesht në kronikat familjare, as vetëm në kujtimet e atyre që e
njohën. Ai u skalit në ndërgjegjen kombëtare, me shkronja të arta, si simbol i
nënës shqiptare që nuk kursen as jetën, as fëmijët, as të ardhmen e vet, kur
është në pyetje atdheu. Nëna Zarife nuk ishte vetëm një nënë, ajo u shndërrua
në një nënë të kombit, sepse guxoi të përqafojë dhe të mbrojë një bir të
lirisë, duke e vendosur atë përmbi frikën, mbi rrezikun dhe mbi jetën e vet.
Breza e breza do të
mburren me të- Nënëmadhen Zarife dhe me rejat e saja: Ajeten e Bahtijen duke i
kujtuar jo vetëm si figura të zakonshme të një kohe të shkuar, por si një
shembull të pavdekshëm të qëndresës, të besës dhe të dashurisë së pakushtëzuar
për kombin. Në to, historia shqiptare gjeti mishërimin e idealeve të saj më të
larta: nderin, sakrificën dhe pavdekësinë morale. Prandaj, kujtimi i tyre nuk
është vetëm një detyrim, por një krenari e përbashkët, një thesar shpirtëror që
do t’i frymëzojë brez pas brezi shqiptarët për ta dashur dhe për ta mbrojtur
atdheun.
Vijon









