E enjte, 06.11.2025, 10:56 PM (GMT)

Intervista » Entela

Entela Binjaku: Enxhi Rista për premierën e filmit “Kolltuku”

E enjte, 06.11.2025, 06:58 PM


Enxhi Rista për premierën e filmit “Kolltuku”: “Është sikur të kthehesh në shtëpi pas një udhëtimi të gjatë – ndjenja e rikthimit është kaq e fortë dhe e papërshkrueshme”!

Nga Entela Binjaku

Tani që kanë kaluar disa ditë nga premiera e "Kolltukut" në Tiranë, cilat janë ndjesitë e tua?

E. Rista: “Kane kaluar disa javë nga premiera e filmit “Kolltuku” e cila u mbajt në datën 22 tetor 2025 tek Kinema “Millennium”  në Tirane dhe shpesh rikujtoj çdo detaj të asaj nate. Ishte një mbrëmje që do ta mbaj mend për gjithë jetën. Ky film ka një rëndësi të veçantë për mua, pasi është kontakti im i parë me publikun shqiptar, pas një periudhe të gjatë studimi dhe jetese në Rumani. Kthehem në Shqipëri dhe prezantohem me këtë projekt dhe ndiej një ngarkesë emocionale të thellë.  Është sikur të kthehesh në shtëpi pas një udhëtimi të gjatë – ndjenja e rikthimit është kaq e fortë dhe e papërshkrueshme. Ky film është një hap i madh në jetën time, si në plan personal ashtu edhe në atë profesional. Për mua, “Kolltuku” nuk është vetëm një projekt filmik – është një mundësi për të shfaqur punën time dhe për të qenë pjesë e kinematografisë shqiptare.  Ky projekt më ka dhënë mundësinë të krijoj një lidhje të thellë me njerëzit dhe të ndaj me ta një pjesë të artit tim, një art që ka të bëjë me kujtimet, historitë dhe përjetimet që ende jetojnë brenda nesh, paranojen per jeten, frikerat per te ardhmen.  Në momentin kur pashë publikun që reagonte – që buzëqeshi, që ndjeu dhimbje, që përjetoi çdo skenë me aq intensitet – kuptova se ky film ishte një pasqyrë e jetëve tona, një mundësi për të rishikuar periudhat që kemi kaluar, kujtimet që mbajmë ende të gjalla dhe sfidat që vazhdojmë t’i përballojmë në jetën e përditshme”.

Çfarë mendon se do të ndodhë me filmin tani e tutje?

E. Rista: “Unë besoj se “Kolltuku” do të vazhdojë të lërë një ndikim të fortë edhe pas premierës. Ky film ka një mesazh të thellë dhe është i lidhur ngushtë me historinë dhe trashëgiminë e kombit tonë, ndaj jam e sigurt se ai do të rezonojë për një kohë të gjatë me shikuesit.  Një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të “Kolltukut”  tani është pjesëmarrja në festivaletndërkombëtarete filmit. Ne jemi aktualisht në procesin e aplikimit me këtë film për të shpërndarë historinë dhe mesazhin e tij më gjerë,  përtej kufijve të Shqipërisë. Besoj se pjesëmarrja në festivalet e filmit do të ofrojë mundësinë për ta njohur dhe vlerësuar këtë projekt të veçantë nga audienca ndërkombëtare, duke e vënë atë në qendër të një dialogu më të gjerë për artin dhe historinë shqiptare.  Ky është një hap i rëndësishëm për filmin dhe për kinemanë shqiptare në përgjithësi. Pjesëmarrja në këto festivale do të ndihmojë që filmi të njihet më shumë dhe do të krijojë mundësi për bashkëpunime të tjera, si dhe për të tërhequr vëmendjen e krijuesve dhe kritikëve nga e gjithë bota”.

A do të shfaqet për publikun shqiptar, duke qenë se filmi është një financim i QKK-së? Po në Rumani ka ndonjë plan?

E. Rista:  "Kolltuku” është një projekt që ka marrë mbështetje nga QKK-ja, dhe kjo mbështetje është shumë e rëndësishme për realizimin dhe shpërndarjen e tij. Falë financimit nga QKK, kemi pasur mundësinë të krijojmë një film që është ngushtë i lidhur me realitetin dhe kulturën shqiptare. Plani ynë është që filmi të jetë pjesë e festivaleve të filmit në Shqipëri, në këtë mënyrë duke mundësuar që ai të arrijë tek shikuesit shqiptarë dhe të hapë një dialog me ta mbi temat dhe mesazhin që ai përcjell. Për sa i përket Rumanisë, që është gjithashtu bashkëprodhues në këtë projekt përmes shtëpisë së postproduksionit *Chainsaw Europe*, jemi duke punuar për të krijuar mundësi për ta sjellë *Kolltukun* edhe në festivale në Rumani. Besojmë që ky film ka një dimension universale dhe mund të kapë dhe emocionojë edhe audiencën rumune. Dëshira ime është të mund të shfaqim filmin edhe me një premierë në Bukuresht, për të sjellë historinë dhe mesazhin e tij atje. Pjesëmarrja në festivale ndërkombëtare mund të ofrojë gjithashtu mundësi të mëdha për ekspozimin e filmit dhe për të krijuar mundësi të reja shpërndarjeje, si në Rumani, ashtu edhe në shtetet e tjera të Europës dhe më gjerë. Ky është një hap i rëndësishëm për filmin dhe për të pasur një audiencë sa më të gjerë, duke u bërë pjesë e një dialogu ndërkombëtar dhe duke kontribuar në njohjen e kinematografisë shqiptare në botë”.

Si janë gjendur artistët rumunë në këtë bashkëprodhim?

E. Rista: “Duke pasur parasysh që 12 vitet e fundit kam jetuar dhe studiuar në Rumani, është natyrale që ndikimet për të shkruar dhe për të bërë regjinë në këtë projekt të vijnë edhe nga estetika dhe poetika e kinemasë rumune. Gjatë këtij procesi, kam pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga disa profesionistë të njohur të industrisë rumune, të cilët kanë luajtur një rol kyç në realizimin e filmit. Regjisori dhe producenti rumun, C?t?lin Mitulescu, së bashku me producenten Ruxandra Slotea, ishin të pranishëm dhe aktivë që nga fillimet e projektit. Ata më mbështetën vazhdimisht, duke ofruar feedback dhe këshilla të vlefshme, të cilat ndihmuan në zhvillimin e filmit dhe vizionit tim artistik.  Një tjetër bashkëpunim shumë i vlefshëm ka qenë me Viorel Sergovici, drejtori i fotografisë, një artist rumun i cili ka pranuar menjëherë të jetë pjesë e këtij projekti. Ai ka kontribuar me pasion dhe profesionalizëm në çdo fazë të filmit dhe ka pasur një ndikim të thellë jo vetëm në aspektet teknike, por edhe në shpirtin dhe emocionet që ai përcjell.  Një tjetër pjesë shumë e rëndësishme e këtij bashkëprodhimi ka qenë shtëpia e post-produksionit *Chainsaw Europe*, e cila ka siguruar të gjithë post-produksionin e filmit. *Chainsaw* ka luajtur një rol kyç në mundësimin e këtij projekti, duke siguruar montazhin, përpunimin e zërit, ngjyrat dhe gjithë procesin e pasurimit të filmit në aspektin vizual dhe auditiv. Viorel Chesaru, si pjesë e *Chainsaw*, ka mundësuar që ky bashkëprodhim të realizohet me një nivel të lartë profesional dhe me standarde ndërkombëtare.  Për sa i përket montazhit, Mircea L?c?tu? ka qenë montazhieri i këtij filmi dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ai ka arritur të kuptojë dhe të montojë një film në një gjuhë të panjohur për të, siç është shqipja, duke kapur çdo nuancë të tij dhe duke krijuar një rrëfim të koherent dhe emocional që tërheq shikuesin. Pasioni dhe angazhimi i tij janë të dukshme në çdo skenë, dhe ai ka sjellë një shikim të jashtëzakonshëm në procesin e montazhit, duke i dhënë filmit një ritëm që e mban shikuesin të angazhuar deri në fund. Një tjetër kontribues kyç  ka qenë  Alexandru Dumitru, i cili ka realizuar sound design-in e filmit.  Alexandru ka sjellë një dimension tjetër të rëndësishëm për këtë projekt, duke përdorur tinguj dhe muzikë për të theksuar emocionet dhe atmosferën e secilës skenë. Ai ka kuptuar thelbin e çdo momenti dhe ka krijuar një dizajn të zërit që ka shtuar një shtresë tjetër në përvojën e shikuesit, duke i dhënë një ndjesi më të thellë çdo skene. Ky bashkëprodhim mes Shqipërisë dhe Rumanisë është një shembull i shkëlqyer i mundësive që krijohen kur dy industri të ndryshme bashkohen për të krijuar diçka të përbashkët. Ky lloj bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e kinematografisë shqiptare dhe për rritjen e shkëmbimit kulturor midis dy vendeve. Besoj se ky është vetëm fillimi i një lidhjeje të fortë ndërkombëtare që do të ofrojë mundësi të reja për krijuesit shqiptarë dhe për filmin shqiptar në të ardhmen”.

Si hyre në kontakt me këtë ekip të filmit?

E. Rista:  “Filmi “Kolltuku” është një prodhim i realizuar nga Erafilm Production, me producentë  Sabina Kodra dhe  menaxher produksioni Robert Budina. Bashkëproducentë janë “Hija Film”, përmes  Irdit Sako  dhe, ndërkombëtarisht, nga Chainsaw Europe dhe Roses Film Production nga Rumania. Sabina dhe Robert ishin të parët që besuan në idenë time dhe ishin të pranishëm që në fazën e parë të projektit, kur ky ishte ende vetëm një koncept. Të punosh me Sabinen  dhe Robertin  është një shkollë në vetvete. Dashuria e tyre për filmin reflektohet në çdo moment të procesit të krijimit, dhe profesionalizmi i tyre është i jashtëzakonshëm. Ata e trajtuan këtë projekt me shumë përkushtim dhe pasion, edhe pse ishte një film me metrazh të shkurtër. Gjithmonë kanë besuar në idenë time dhe kanë qenë aty për të ofruar mbështetje në çdo fazë të realizimit të filmit, duke bërë që kjo eksperiencë të jetë një mundësi e shkëlqyer për të mësuar dhe për t’u rritur si kineast Për sa i përket skenarit, Doruntina Basha nga Kosova ishte script doktor ne kete projekt dhe  ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme, duke më ndihmuar në zhvillimin dhe rafinimin e skenarit në çdo fazë të tij. Një pjesë e madhe e ekipit, si shqiptar ashtu edhe rumun, përfshin profesionistë me të cilët kam pasur kënaqësinë të punoj më parë në projekte të tjera dhe kisha dëshirë t'i kisha pjesë të këtij filmi. Kasti i aktorëve u realizua me ndihmën e Suela Bakos dhe përfshin aktorë të talentuar si Zamira Kita, Naun Shundi, Niko Kanxheri, Romir Zalla, Desada Xhihani dhe  Margent Caushi. Ky është gjithashtu filmi i fundit i Naun Shundi, i cili humbi betejën me një sëmundje të rëndë disa muaj pas përfundimit të xhirimeve. Nauni ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe një aktor i mrekullueshem, dhe humbja e tij na ka lenduar shume”.

Si mendoni se mund të ndihmohen të rinjtë që dëshirojnë të prodhojnë filma dhe të jetojnë me këtë art?

E. Rista: “Për të rinjtë që nisin rrugën e kinematografisë, ekzistojnë mundësi financimi për projektet e tyre. “Qendra Kombëtare e Kinematografisë” është një mbështetje shumë e madhe për ata që duan të realizojnë projekte filmike. Po ashtu, ka shumë programe dhe nisma që ofrojnë financim, si festivale të filmit që kanë dhe programe pitching-u, ku mund të financohen skenarët në fazat përkatëse të zhvillimit. Është shumë e rëndësishme që një kineast të jetë i vetëdijshëm për rrugën që ka nisur dhe për sfidat që mund të hasë gjatë saj. Me ambicie dhe pasion, është e mundur të arrish sukses, pavarësisht se ndonjëherë gjërat nuk shkojnë gjithmonë sipas planeve që i bëjmë. E rëndësishme është të mos dorëzohemi dhe të vazhdojmë përpara, sepse ndonëse është e vështirë të jetosh nga ky lloj arti, nuk është e pamundur”.

Cilat janë planet e tua të afërta?

E. Rista: “Për momentin, një nga objektivat kryesore është promovimi i filmit nëpër festivale ndërkombëtare dhe kombëtare.  Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar punën time dhe për të krijuar lidhje me profesionistë të industrisë që mund të ndihmojnë në zhvillimin e karrierës sime si kineast. Në të njëjtën kohë, jam duke punuar me skenarin e një filmi me metrazh të gjatë, si dhe me një skenar të një filmi të animuar. Këto projekte janë një hap tjetër në karrierën time dhe do të kenë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të punës sime si regjisore dhe kineaste”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx