Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Brunello Cucinelli, një miliarder i dashuruar me librin
E hene, 03.11.2025, 06:55 PM
Brunello Cucinelli, një miliarder i dashuruar me librin, dhe miliarderët shqiptarë të dashuruar me paranë
Nga
Albert Vataj
Ka
diçka të habitshme, gati paradoksale, në mënyrën se si flasin disa prej
njerëzve më të pasur të botës për librat. Një nga shembujt më të sugjestionues
është Brunello Cucinelli, miliarderi italian i cili e ka ndërtuar perandorinë e
tij, jo vetëm mbi stilin e jetës italiane, por mbi një filozofi të tërësishme
humane, ku libri është bosht i formimit, i karakterit dhe i kulturës së shpirtit.
Nuk
të duhet shumë për ta kuptuar që kjo qasje është një elegancë e rrallë, libri
si aromë, si fëshfërimë, si përkëdhelje e shpirtit; libri si një shëtitje në
muzg, në parkun e Solomeos, aty ku mendimi qetësohet dhe zgjatet në horizontin
e reflektimit. Cucinelli i referohet Voltaire-it dhe Montesquieu-së jo për t’u
dukur, por sepse këta autorë e kanë formësuar vërtet. Ai beson se çdo libër i
mirë është “furnizimi më i mirë për udhëtimin njerëzor”, siç na e kujton
Montaigne. Dhe kur thotë se mjafton të mbash në dorë një libër që flet
drejtpërdrejt zemrës, është e qartë që ka përballë një kulturë leximi të
natyralizuar, të brendësuar, të vërtetë.
Por
këtu nis kontrasti.
Kur
e kthen vështrimin te miliarderët shqiptarë, përballesh me një boshllëk të dukshëm.
Jo me mungesë parash, jo me mungesë fuqie ekonomike, por me mungesë raporti me
librin, me dijen, me reflektimin, me kulturën si bazë e njeriut të plotë. Kjo
nuk është thjesht një vëzhgim i ashpër; është një realitet që të mbyt me
mungesën e tij. Miliarderët tanë, në pjesën dërrmuese, krijojnë përshtypjen se
janë bërë të pasur duke përdorur dijen vetëm si fjalëkalim për të hyrë në botën
e miliardave, por jo si orientim, jo si përgatitje, jo si udhërrëfyese morale
dhe intelektuale.
Kontrasti
midis Cucinellit dhe pasanikëve shqiptarë nuk është thjesht estetik, ai është
civilizues. Cucinelli ndërton një univers ku pasuria i nënshtrohet kulturës, ku
kapitali është instrument, jo qëllim, ku librat janë një lloj etike e
brendshme. Ndërsa te shumë të pasur shqiptarë libri shfaqet, nëse shfaqet, si
dekor, si ornament, si fasadë që herë-herë përdoret për të mbuluar boshllëkun e
një rritjeje pa kulturë.
Kjo
mospërputhje është më shqiptare se çdo tjetër. Ajo rrjedh nga një traditë e
brishtë leximi, nga një kulturë materiale që mbizotëron mendimin, nga një
shoqëri që ka vlerësuar më shumë shkathtësinë e rastësishme sesa formimin e
thellë, më shumë suksesin e shpejtë sesa mendimin afatgjatë.
Dhe
pikërisht këtu qëndron ndryshimi themelor, një shoqëri që prodhon pasuri pa
libër, prodhon pasanikë pa shtyllë; ndërsa një shoqëri që prodhon pasuri përmes
librit, prodhon njerëz që i japin kuptim pasurisë.
Cucinelli,
në rrëfimin e tij të qetë dhe plot mirësjellje, tregon se pasuria e madhe nuk
është në miliardat, por në raportin me dijen, me librin që të zbut, të thellon,
të fisnikëron. Kjo është një përvojë që, nëse do të kishte kush ta dëgjonte te
ne, do të ishte një pikënisje e shkëlqyer për t’i menduar ndryshe jo vetëm
miliarderët, por vetë idenë e pasurisë.










