E marte, 04.11.2025, 04:33 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Brunello Cucinelli, një miliarder i dashuruar me librin

E hene, 03.11.2025, 06:55 PM


Brunello Cucinelli, një miliarder i dashuruar me librin, dhe miliarderët shqiptarë të dashuruar me paranë

Nga Albert Vataj

Ka diçka të habitshme, gati paradoksale, në mënyrën se si flasin disa prej njerëzve më të pasur të botës për librat. Një nga shembujt më të sugjestionues është Brunello Cucinelli, miliarderi italian i cili e ka ndërtuar perandorinë e tij, jo vetëm mbi stilin e jetës italiane, por mbi një filozofi të tërësishme humane, ku libri është bosht i formimit, i karakterit dhe i kulturës së shpirtit.

Nuk të duhet shumë për ta kuptuar që kjo qasje është një elegancë e rrallë, libri si aromë, si fëshfërimë, si përkëdhelje e shpirtit; libri si një shëtitje në muzg, në parkun e Solomeos, aty ku mendimi qetësohet dhe zgjatet në horizontin e reflektimit. Cucinelli i referohet Voltaire-it dhe Montesquieu-së jo për t’u dukur, por sepse këta autorë e kanë formësuar vërtet. Ai beson se çdo libër i mirë është “furnizimi më i mirë për udhëtimin njerëzor”, siç na e kujton Montaigne. Dhe kur thotë se mjafton të mbash në dorë një libër që flet drejtpërdrejt zemrës, është e qartë që ka përballë një kulturë leximi të natyralizuar, të brendësuar, të vërtetë.

Por këtu nis kontrasti.

Kur e kthen vështrimin te miliarderët shqiptarë, përballesh me një boshllëk të dukshëm. Jo me mungesë parash, jo me mungesë fuqie ekonomike, por me mungesë raporti me librin, me dijen, me reflektimin, me kulturën si bazë e njeriut të plotë. Kjo nuk është thjesht një vëzhgim i ashpër; është një realitet që të mbyt me mungesën e tij. Miliarderët tanë, në pjesën dërrmuese, krijojnë përshtypjen se janë bërë të pasur duke përdorur dijen vetëm si fjalëkalim për të hyrë në botën e miliardave, por jo si orientim, jo si përgatitje, jo si udhërrëfyese morale dhe intelektuale.

Kontrasti midis Cucinellit dhe pasanikëve shqiptarë nuk është thjesht estetik, ai është civilizues. Cucinelli ndërton një univers ku pasuria i nënshtrohet kulturës, ku kapitali është instrument, jo qëllim, ku librat janë një lloj etike e brendshme. Ndërsa te shumë të pasur shqiptarë libri shfaqet, nëse shfaqet, si dekor, si ornament, si fasadë që herë-herë përdoret për të mbuluar boshllëkun e një rritjeje pa kulturë.

Kjo mospërputhje është më shqiptare se çdo tjetër. Ajo rrjedh nga një traditë e brishtë leximi, nga një kulturë materiale që mbizotëron mendimin, nga një shoqëri që ka vlerësuar më shumë shkathtësinë e rastësishme sesa formimin e thellë, më shumë suksesin e shpejtë sesa mendimin afatgjatë.

Dhe pikërisht këtu qëndron ndryshimi themelor, një shoqëri që prodhon pasuri pa libër, prodhon pasanikë pa shtyllë; ndërsa një shoqëri që prodhon pasuri përmes librit, prodhon njerëz që i japin kuptim pasurisë.

Cucinelli, në rrëfimin e tij të qetë dhe plot mirësjellje, tregon se pasuria e madhe nuk është në miliardat, por në raportin me dijen, me librin që të zbut, të thellon, të fisnikëron. Kjo është një përvojë që, nëse do të kishte kush ta dëgjonte te ne, do të ishte një pikënisje e shkëlqyer për t’i menduar ndryshe jo vetëm miliarderët, por vetë idenë e pasurisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Atje ku shkojmë me përulje e pendim, e lutemi: "Paçin dritë e diell!" Albert Vataj: “Gazeta e Sportit”, sot kremton 100-vjetorin e kurorëzimit në Shkodrën e mbretërimit të fjalës dhe shpirtit të garës Albert Vataj: Prenk Jakova dhe Gjoni Athanas, kur muzika dhe historia bashkohen në një himn për Skënderbeun Albert Vataj: Nexho Shabani, njeriu i mirë dhe komiku i lindur Albert Vataj: At Shtjefën Gjeçovi dhe Imzot Pjetër Bogdani, kthehen nga përjetësia dhe vijnë në shtatore, në Zym të Hasit Albert Vataj: Roza Anagnosti, rrezatuesja e një Epoke të Artë Albert Vataj: Morea, një rrëfim për kujtesën e një toke arbërore Albert Vataj: Marie Tuci, shërbestarja që 'Jetën ia dhuroi Zotit' Albert Vataj: Kur ndahemi përgjithmonë me nënat, humbim shumë më shumë se shenjtërinë e tyre Albert Vataj: Gruaja, ajo që mëkon dhe mbron me shpirtin e saj hyjnor, dashurinë dhe jetën Albert Vataj: Ernest Troshani (Simoni), një shenjtor që ecën mes nesh Albert Vataj: Sot, Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë Albert Vataj: Fundi i një legjende Albert Vataj: Maria Corina Machado, një misionare e demokracisë në diktaturën e Maduros Albert Vataj: Fitorja që u shndërrua në një zgjim kombëtar Albert Vataj: Duhet të duhemi… Albert Vataj: Një copëz Shqipëri në kryeqytetin e botës, Parisi nderon Ismail Kadarenë Albert Vataj: Liqeni i Shkodrës, një arterie jetike e jetës, tregtisë dhe shpirtit njerëzor Albert Vataj: Jane Goodall, gruaja që shembi kufijtë e ngurtë mes njeriut dhe pjesës tjetër të krijesave Albert Vataj: A është në vullnetin tuaj të zgjidhni, nëse do të jeni dritë apo zjarr?

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx