Speciale
Aristotel Mici: Kryengritja e Fierit në optikën e Dr. Jakov Milajt
E premte, 31.10.2025, 06:57 PM
Botohet me rastin e 90 vjetorit
Kryengritja e Fierit në
optikën e Dr. Jakov Milajt
Monografi
Në
kujtim të fqinjësisë me familjen e Dr. Jakov Milajt në mbarim të viteve’50 të shekullit XX, kur
jetonim në Fermën “Çlirimi” të Fierit. - Autori
Nga
Aristotel Mici
Kryengritja e Fierit e 14 Gushtit
1935 tronditi themelet e mbretërisë zogiste, duke bërë bujë të madhe edhe ne
botën e jashtme. Shoqata ndërkombëtare “për mbrojtjen e të drejtave të njeriut” dërgoi kryetarin e saj në Tiranë për të parë në vend gjendjen dhe për të biseduar me
qeveritarët e këtushëm mbi të burgosurit e Fierit- (fl 58-59)- J. Milaj
* *
* * *
Regjimi qeveritar veproi
kundër kryengritësve me një ashpërsi çnjerëzore: Vetëm në burgjet e Fierit u
kaluan mbi 2000 persona si të pandehur, (kur qyteti i Fierit nuk i kalonte ende
4000 banorë). Versioni zyrtar i qeverisë i botuar në një deklaratë të dt. 17 shtator
1935 konfirmonte se numri i të arrestuarve ishte 539 vetë. Prej këtyre gjykata
e posaçme për faje politike dënoi 213 të pandehur, nga të cilët 53 me vdekje
dhe të tjerët me burgime te ndryshme. Po duhet thënë se në prag të ekzekutimit,
si rezultat i presionit të brendshëm, po sidomos edhe i atij ndërkombëtar,
shumë nga dënimet me vdekje u thyen me burgim të përjetshëm. (fl.61).
Kryengritja e Fierit në Optikën e Dr. Jakov Milajt
Refleksion
Kryengritja e Fierit më 14 gusht 1935 ishte një shpërthim i urrejtjes dhe zemërimit
popullor i mbledhur për gjatë viteve
kundër regjimit të Amet Zogut dhe njerëzve
të tij më të afërt. Sa do e vogël në dukje, ajo kryengritje qe një revolucion
në miniature, që tronditi shtetin dhe
pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. Revolta e saj prirej nga ide të njerëzve
përparimtarë, që nuk e pranonin formën orientale të qeverisjes me nëpunës turkoshak
të mykur, alla bejlurçin, siç i quante Fan Noli .
Për këtë rast, është për t’u
kujtuar se dy shekuj e ca vjet më parë,
më 1804, ish Presidenti Thomas Jefferson, si ideator i
republikanizmit amerikan, thoshte se në Europë, sundojnë princërit dhe
mbretërit, si një vazhdim i Mesjetës, kur nuk bëheshin zgjedhje demokratike1
Duke ngritur lart idenë e
Republikës, ky President bënte vërejtje për qeverisjet e atëhershme
europiane dhe deklaronte: “Qeveritë europiane janë monarkiste. Ato janë
mbështetur në parimin që një pakicë njerëzish kanë dhuntinë e shenjtë të
shtypin shumicën. Kurse sistemi republikan
amerikan nënkupton prishjen
përfundimtare të kodeve feudale e
të autoritarizmit mbretëror”[1]
Për ironi të fatit historik në
Shqipëri, në kundërshtim me idenë e republikanizmit demokratik të Thomas Jeffersonit, jo më 1804, po më 1924
rrëzohet qeveria e demokratike e Fan
Nolit, për t’u zëvendësuar me monarkinë gjysmë-orientale, për monarkun e së
cilës vetë përkrahësi i saj, Eqrem Bej Vlora, shkruan në kujtimet e tij se
mbreti në atë shkollë turke të Stambolit, të kohës së Sulltan Abdyl Hamitit, kishte mësuar sjellje dhe mënyra të foluri,
të cilat i kishin dhënë oborrit të Zogut
vulën e një Sulltani dalë mode.[2]
Pikërisht, për të krijuar një
qeverisje demokratike, disa intelektualë dhe persona me prirje europiane, krijuan më 1934 një shoqëri politike, që e emëruan
“Organizata e fshehtë”, e
cila arriti të krijonte dhe disa degë në krahina dhe qytete të ndryshme. Kjo
organizatë e kryesuar nga Ali Shefqet Shkupi, u përpoq të bënte atë lëvizje, e cila kulmoi me Kryengritjen e Fierit, dhe që shpërtheu më 14 gusht 1935. Lidhur me këtë
ngjarje, në vite në vazhdim do të dilnin
studiues të profileve të ndryshme, historianë, gazetarë
dhe shkrimtarë, që do të komentonin dhe
do të hidhnin dritë rreth qëllimeve dhe synimeve,
që kishte pasur kjo kryengritje. Nga
autorët shqiptarë, që kanë trajtuar këtë ngjarje në dekada të ndryshme po
përmendim firma si T.Zavalani, M.Belegu, H.Emiri, I.Gjika, N.Paku,
Y.Polovina .Si autorë të huaj janë shquar N. Smirnova dhe Brend Fisher. Po
burimet më të besueshme duhen kërkuar te të dhënat, që vijnë prej personave,
qe qenë aktivistë direkt, duke i vuajtur e përjetuar momentet dramatike të atyre ditëve
siç janë Dr. Jakov Milaj, Ramiz Omari, Xhevahir Spathari, Xhelal Staravecka .
* * *
Midis studimeve për Kryengritjen e Fieri, një vend
të veçantë zë monografia e Prof. Mentar Belegut. Pavarësisht nga prirja
partiake e kohës, kjo monografi na njeh me gjendjen kur
plasi kryengritja, me individët dhe grupet social-politike, që morën
pjesë në atë kryengritje. Sipas këtij studimi kuptojmë se Kryengritja e Fierit
ishte antizogiste, se ajo qe organizuar për përmbysjen e regjimit monarkik ; të
shmangte ndërhyrjen e imperializmit Italian në
Shqipëri, dhe të vendoste një regjimi republikan. Shkaku i kryengritjes
qe keqësimi i gjendjes ekonomike dhe
politike të vendit. Kryengritja u përgatit nga “Organizata e Fshehtë” antiqeveritare me
qendër në Tiranë. Në të merrnin pjesë ushtarakë si Ali Shevqet Shkupi, Riza Dibra,
Ali Fehmi Kosturi; po kishte komunistë si Hasan Reçi, Asim Vokshi, Mustafa Kaçaçi,
Riza Cerova. Po në organizatë morën
pjesë gjithashtu çifligarë të mëdhenj, edhe persona që kishin si qëllim të merrnin drejtimin e
lëvizjes për interesat e tyre ekonomike
dhe politike. Anëtarët e organizatës së fshehtë synonin ta përmbysnin monarkinë
me anë të ndonjë puçi ushtarak. Për mungesë të organizimit dhe të përgatitjes
ajo shpërtheu para kohe dhe u lokalizua vetëm në Fier, Mallakastër dhe në Skrapar.
Forcat kryengritëse të Fierit
dhe Mallakastrës më 14 gusht 1935 shpallën republikën në Fier dhe sulmuan garnizonin e xhandarmarisë në Lushnje. Aty
ndeshen në qëndresën e trupave qeveritare dhe u shpërndanë. Degët e tjera të
lëvizjes, që kishin premtuar se do të
merrnin pjesë në kryengritje nuk
patën as kohë as mundësi t’i vinin në
ndihmë kryengritësve. Kryengritja e Fierit u shtyp me egërsi nga forcat qeveritare. Disa prej drejtuesve të
saj u dënuan me vdekje. Gjithsesi ajo ngjarje pati jehonë
në opinionin publik përparimtar
brenda dhe jashtë vendit. Një gjykim i drejtë i autorit në këtë studim
është ideja se pushkatimet dhe
dënimet e ashpra, të gjyqit politik të Fierit prishën imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
* * *
Po për ta përshkruar sa më bindshëm
atmosferën e kohës për Kryengritjen e Fierit, do të ishte mirë të mbështeteshim edhe në materialin dorë-shkrimor të Dr.
Jakov Milajt, ish pjesëmarrës aktiv i asaj
ngjarjeje, i arrestuar dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, i falur pastaj nga
Mbreti, prej presionit ndërkombëtar, që
ushtruan indirekt fuqitë e mëdha. Ajo që unë po e quaj “dorë-shkrim” në fakt
është një fletore me 77 faqe, e shkruar me dorë, të cilën e kam ruajtur në rrethana të veçanta, nga një vend e nga një shtëpi në
tjetrën, për disa dekada.
Për të sqaruar se si më ka rënë
në dorë ky material dokumentar, po shënoj
për lexuesin se nga viti 1956 qesh transferuar në Fermën “Çlirimi”, ku tok me te ndjerin Kristaq Shtëmbari, themeluam shkollën unike, si quhej
atëherë shkolla shtatëvjeçare, në atë qendër
të madhe bujqësore. Atje më dhanë një apartament të vogël për strehim. Pikërisht
në të njëjtën godinë do të strehohej familjarisht edhe doktor Jakov Milaj, që vinte me detyrën e kryeveterinerit. Emrin e tij e
kisha dëgjuar në mjedise qytetare fierake, veç nuk e kisha parë si person. Po
gjatë leximit të gazetave dhe revistave për kohën e viteve’30 të shekullit të
kaluar, sidomos te “Përpjekja shqiptare”, “Arbëria”, “Bashkimi i Kombit” dhe “Bota e re”, organe shtypi këto, ku e kisha gjetur atëherë si emër Jakov Milajn. Emri i
tij dukej edhe krahas Branko Merxhanit,
të cilin ai e vlerësonte si korife të publikes shqiptare; po e kisha parë atë edhe
tok me firma të tjera me ide progresive,
siç ishin personalitete me emër në publicistikën e kohës si Vangjel Koça, Vedat Kokona, Nonda
Bulka, Petro Marko, Misto Treska dhe Migjeni; poezitë e këtij të fundit ai i adhuronte. Për më tepër, miqësia e tij me Migjenin do të vazhdonte edhe në Torino
të Italisë, ku do të ishin pranë njeri tjetrit, Jakovi si student, kurse Migjeni për t’u kuruar në
sanatoriumin e Torre-Peliçes. Në këtë qendër kurimi Jakov Milaj do t’i gjendej
Migjenit dhe më tepër, sidomos në mbarim të jetës, kur poeti do t’i jepte atij
amanetin e fundit si edhe dorëshkrime për veprën e vetë Vargjet e Lira, me porosinë që t’ia
dorëzonte të motrës Ollga Nikolla ( Luarasi), që ajo ta botonte.
Kështu, pra, Dr. Jakov Milaj
vinte në Fermën “Çlirimi” me detyrën e kryeveterinerit, dhe që për koincidencë
do të ishim fqinj .Ai emërohej në atë funksion, pasi kishte vuajtur burgun e regjimit zogist po edhe burgun e
sistemit komunist. Po pavarësisht nga vitet
e mundimeve në dy burgje, ai profesionalisht dhe moralisht qëndronte krenar dhe
me dinjitet.
Për mua ishte një rastësi e bukur ta kisha fqinj atë intelektual, se më
jepej mundësia të takohesha me një personalitet erudit si Dr.
Jakov Milaj. Herë pas here shkonim në
familje si fqinj të pritur nga gruaja e tij, një zonjë shumë fisnike, që me
respekt, natyrshëm e thërrisja, Zonja
Vasho, tek e cila nëna ime ndjehej gjithnjë e nderuar nga ajo, po edhe nga tre fëmijët aq të edukuar . Duke e
ditur se ai kish qenë pjesëmarrës në Kryengritje e Fierit, herë pas here, gjeja
mënyrën dhe e pyesja për kuriozitete rreth asaj ngjarje. Po një mbrëmje, pas
disa kohë fqinjësie, duke pirë kafe, Dr. Jakovi me shumë mirësi dhe etikë
qytetare, vuri mbi tavolinë, si surprizë,
një fletore mesatarisht të madhe, ku shkruheshin fjalët:
Kryengritja e Fierit
KUJTIME
Nga Jakov Milaj
Kujtoj se ma dha fletoren e
shkruar me një kaligrafi të qartë, (po në disa faqe të korrigjuar nga ai vetë).
Me sa kuptova ma dha për ta parë, dhe të
shuaja disa kuriozitete. E falënderova
për këtë dhe kur u ndamë, e mora atë fletoren me vete. Nisa ta lexoja qysh atë
natë, duke e nënvizuar. Në ndonjë paragraf leximi vështirësohej, se kishte korrigjime, ku duhej të dalloheshin mirë rregullime frazash, ose plotësime fjalish. Kuptohej
se fletorja ishte shkruar si kujtime për
vetë autorin dhe jo me qëllim që ta merrte dikush tjetër, dhe aq më pak, që ta
përhapte, a po ta komentonte. Si të thuash,
ma kish
dhënë si për të plotësuar disa
nga kuriozitetet sipas pyetjeve që kisha bërë
tek pinim kafe, ose çaj ndonjë
mbrëmje më parë . Mbas një kohe, kur u takuam, desha t’ia ktheja
fletoren. Po i ndjeri Jakov, i sjellur si gjithnjë, me modesti, më tha: ”Po unë
nuk ta dhashë që të ma ktheje, po ta mbaje si kujtim për Kryengritjen e Fierit.”
Atëherë e falënderova përsëri, duke i thënë se po e merrja atë fletore me shënime jo vetëm si kujtim, po
edhe si një dhuratë me vlerë dokumentare
për atë ngjarje historike të Fierit. Ashtu më
lindi ideja se në të ardhshmen mund ta kisha atë si bazë fillestare për
ndonjë shkrim rreth asaj revolte
popullore, që qe frymëzuar nga dëshira për demokraci dhe ide antizogiste .
Me modesti, dua ta them se e
ndjeva veten të vlerësuar, kur një autor
i shquar i publicistikës i viteve’30, të shekullit të kaluar, koleg me Branko Merxhanin, e Vangjel
Koçën, mik i ngushtë i Migjenit, të më
besonte mua, atëherë ende djalosh, dhe të më jepte, atë fletore, ku ishin
fokusuar shumë kujtime, fakte, episode, opinione dhe analiza karakteresh për atë ngjarje, që tronditi themelet e
mbretërisë Zogiste siç qe Kryengritja e Fierit e 14 gushtit 1935 .
* * *
Është me vend të them se ne përshtypjet
e mia Jakov Milaj ishte intelektual i ngritur, që dinte të fliste me takt me
gjithë njerëzit, jo vetëm me punonjësit e fushës së tij, qofshin ata kuadro a
po teknikë të zooveterinarisë, po edhe me studentë, që vinin nga Instituti i
Lartë Bujqësor për praktikë. Ballkoni i vogël përdhese i apartamentit të
shtëpisë së tij, shpesh kthehej në një qendër konsultimi me studentët.
Sa mirë e gjen kohën, doktor,
- i thashë një herë, kur e pashë të lodhur pas orarit zyrtar tek vazhdonte të
merrej dhe me punë didaktike dhe komente profesionale me studentët e veterinarisë.
-E kam kënaqësi,- më tha t’ju
shpjegoj studentëve të institutit, aq sa di dhe sa mundem . E ndjej edhe detyrim
moral, se kështu shtojmë kuadrot e larta të veterinarisë dhe të zooteknisë, se
pa këta specialistë nuk zhvillohet blegtoria, nuk rritet mirëqenia. Jo më kot
Naim Frashëri e ka titulluar poemën e tij të famshme “Bagëti e Bujqësia”,....
pra fjala e parë e titullit të poemës është “Bagëtia”, gjë që tregon se përveç anës
poetike, ka edhe atë të vlerës ekonomike .Po ndërkaq dua të shtoj se duke u dhënë
ndihmën time këtyre studentëve të pasionuar, më kujtohet edhe djali im, Agroni,
që sapo ka filluar teknikumin e veterinarisë në Shkodër. Atë çast e pyeta se a e
pëlqente djali atë shkollë?
- Ai e ka me shumë dëshirë, më
tha, dhe unë jam shumë i kënaqur që ai do të marrë profesionin tim.
Përgjithësisht doktori nuk
ishte njeri që hapej në motive personale nga e kaluara, po kur vinte puna te personi
i Migjenit fliste me admirim dhe përkushtim. “Milloshi, - më tha një herë, - nuk
gjeti një traditë aq realiste, ku të mbështetej
për pasqyrimin kritik të jetës, po me stilin e tij lakonik, dhe pasionin
krijues, ai bëri traditë, gjë që u duk tek vepra “Vargjet e lira”, po edhe në ato pak krijime
në novelistikë”. Po për artikujt e vetë publicistikë ai nuk fliste; Dr. Jakovi nuk komentonte as për librin e tij të llojit antropologjik “Raca Shqiptare”
dhe aq më pak për vepra në dorëshkrim,
si mund të ishte edhe “fletorja” me kujtime dhe analiza situatash dhe karakteresh
politike të Kryengritjes së Fierit, që më pat dhënë mua. Kështu, fjala vjen,
për këtë rast të maturisë së tij etike, ia vlen të tregoj një episod të ndodhur
me të. Qe fillim vjeshte dhe po shkoja në një udhë të drejtë, që më shpinte nga
qendra e Fermës “Çlirimi” në fshatin Radostinë, ku kishte pak familje, që s’po
i sillnin fëmijët në shkollë, se qe viti i parë, që kish filluar zbatimi i
detyrimit arsimor, pra jo vetëm për
filloren, po edhe për shkollën unike (shtatëvjeçare). Tek po ecja në këmbë, ndjeva
trokëllitjen e rrotave të një biroçi, që, kur mbërrijti pranë meje, ndali. Ktheva
kokën dhe pashë doktor Jakovin, i cili po më ftonte të hipja në kaloshin, duke
më thënë :
-Ke kuriozitet të shikosh
pularinë dhe gjithë fermën e shpendëve?
- Me kënaqësi, - i thashë, duke
menduar se ashtu shkurtoja rrugën, por edhe se do të shikoja një kulturë të re
në një shpendëtari të organizuar prej specialistësh me përvojë.
Dhe tek mora të hipja në
birotçe, m’u kujtua koteci i vogël i nënës time, që kishte sajuar, diku
jashtë pas në një kënd muri, me ca dërrasa të vjetra dhe e kish mbuluar me
letra katramaje, ku ajo mundohej të shtronte ndonjë pulë shqerake.
Kur kaloshini mori udhën, i thashë Jakovit se “dhe unë çoç di nga praktika e nëna
Linës rreth punëve me shpendët, se edhe
ajo ka sajuar një qymez ... .po ku koteci aq primitiv i nënës time e ku
pularia gjigande me mijëra krerë shpendësh!....”
Ajo që thua ti se pularia e
fermës është me përmasa të stërmëdha, në krahasim me kotecin e nënës tënde, është
e vërtetë, po me gjithë atë, nga ana profesionale, Nëna Lina, ka diçka që na e
kalon.
Dhe kur unë po e dëgjoja si me habi, Dr. Jakovi, tërhoqi pak frerin
e kalit, ndali karrocën dhe më tha: “Mos u çudit që them kështu, po e vërteta
është se në qymezin e saj Nëna Lina rrit krahas zogjve shqerakë edhe zogj pulë
deti, gjë që ne ende s’po e bëjmë dot. Pra të rrisim dhe ne kaposha deti .Mbase
nuk është e zorshme,.... po ja që edhe rritja e zogjve të pulës së detit i do ca shprehi mjeshtërie.
Zogjtë e pulës së detit duhen ushqyer me durim. Nuk rriten pa mundim”.
Ndër kaq, gjeta rastin e i
thashë se kisha filluar ta rilexoja “fletoren” e tij në dorëshkrim. Po ai nuk u
hap, tundi pak kryet dhe foli i qetë: ”Lexoje pa ngutje, po kije një gjë
parasysh se veprat në “dorëshkrim” u ngjajnë “sytheve të fjetur” atje në trungjet e drurëve,
që sipas botanikës mund të çelin ose jo, në mëvartësi të rrezeve të diellit.
Ja kështu ishte doktor Jakovi,
i çiltër, që nuk ngutej, shumë popullor, po kudo i sjellur dhe me kulturë, po
që nuk donte të binte në sy për vete, a po për veprën e tij.
* * * * *
E bëra këtë parantezë për të
rrëfyer se në ç’rrethana më ra në dorë
fletorja me kujtimet dhe analizat që i bën Dr. Jakov Milaj kryengritjes së Fierit dhe disa personazheve të asaj kohe, po edhe
të pohoj se mendimet dhe përshtypjet janë rrjedhojë direkt e fletores së
shkruar shumë vjet më parë dhe jo të
stisura më vonë .
Pikërisht nga faqet e
kësaj fletoreje po përpiqem të nxjerrë
fakte, detaje, që mund ta përshkruajmë sa më bindshëm të vërtetën rreth Kryengritjes
së Fierit më 1935, pra përmes optikës së Jakov Milajt.
Duke rrëfyer dhe
dokumentuar materialet e “fletores” kam
synuar të shpreh episode dhe fakte, që pasqyrojnë me autenticitet gjykimin e një
intelektuali për ngjarjen, që na ka lënë në dorëshkrim. Prandaj librin po e
titullojmë “Kryengritjen e Fierit
në Optikën e Dr. Jakov Milajt”, i cili siç e kemi përmendur, ka qenë pjesëmarrës
direkt në atë ngjarje dhe i dënuar me burgim të përjetshëm .Për të ruajtur sa
më mirë atmosferën e kohës nuk e kemi prekur leksikun ligjërimor të
përdorur nga autori në fletore; prandaj fjalëve
të tilla, pak si arkaike, siç po përmendim disa syresh si gjindarmari, kontrabandier,
gjykimore, përfaqësonjës, abandonancë,
maqinë, u kemi ruajtur trajtën e
tyre si në origjinal. Po për paraqitjen e materialit nga ana shkrimore, kemi
pasur parasysh normën letrare të Kongresit të Drejtshkrimit.
Kapitulli i parë i fletores hapet
me personin e mbretit. Duke biseduar një ditë e pyeta autorin se pse e kish filluar analizën me
Ahmet Zogun?
E kam
filluar ashtu, sepse dihet,- m’u përgjegj,- se Kryengritja e Fierit ishte
antizogiste. Rrëzimi i Zogut nga froni ishte qëllimi kryesor i Lëvizjes së
Fierit. Së dyti, kjo lëvizje kërkonte edhe shkëputjen e Shqipërisë nga
influence e Italisë fashiste. Po ky qëllim nuk mund të arrihej me Ahmet Zogun në krye, i cili qysh në
fillimet e veta të qeverisjes i qe nënshtruar
politikës italiane.
Duke parë këto fjalë të Dr.
Jakovit, unë i thashë atij, një ditë, në se ai u mbahej ende këtyre mendimeve të shkruara në fletore, dhe
ai më sqaroi atëherë se vazhdon të ish
konsekuent për gjithë vërejtjet dhe
kritikat, që bënte, dhe më tha se “jo vetëm i kam jetuar ato ngjarje, po edhe
i kam vuajtur. “- dhe pastaj ai vazhdoi, - unë nuk i kam pas pëlqyer “hosanatë”, që i
kushtoheshin Ahmet Zogut, dhe as
panegjerismat, që zbukurojnë ikjen e mbretit gjysmë fshehur, duke lënë ushtrinë në mes të rrugës dhe duke abandonuar
popullin e revoltuar, që kërkonte armë për të përballuar pushtimin”.
Pak a shumë këto mendime të
shprehura me shkrim në këtë material do të formonin topikun, ose idenë kryesore
të gjithë faqeve të fletores të lëna
dorëshkrim nga i ndjeri Jakov Milaj, të shkruara prej tij disa dekada më parë .
Me qëllim që materiali i publikuar të jetë sa më i besueshëm për efekte
dokumentare, po përpiqem t’i jem sa më pran origjinalit.
Dhe konkretisht qysh në faqen
e parë të fletores shkruhet se “Lëvizja
e Fierit synonte rrëzimin e Zogut, shkëputjen e Shqipërisë nga influenca e huaj,
shpalljen e një republike demokratike të udhëhequr nga elementë përparimtarë. Për të realizuar këto
qëllime, më parë duhej të zhdukej nga skena politike Ahmet Zogu, se ky ishte armiku kryesor i popullit shqiptar dhe i
Shqipërisë. Po shënoj për këtë vetëm pesë fakte, që vërtetojnë më së miri se
ai ishte tradhtar i Atdheut, ishte njeriu që për para u shiti Shqipërinë italianëve .Ai, për sa kohë sundoi,
kishte një qëllim të vetëm: të grabiste sa më shumë për të siguruar jetë
luksoze . Dhe për të grabitur nuk u druajt nga asnjë poshtërsi. Ja pesë fakte
që njoh unë”:
1) Një nëpunës banke italian, Teruzzi,
para çlirimit, qe drejtor bankën në Sarandë dhe në Vlorë, që punonte edhe në
Bankën e Tiranës, në nëntor të vitit 1926 urdhërohet nga Baron Aloisi dhe nga një eksponent tjetër i ardhur
nga Italia, të qëndronte në zyrë pas mbarimit të orarit dhe të mbante sekretin
me të madh për sa do të ndodhte. Kur kishte mbetur vetëm, natën më të errët,
vjen aty me një maqinë eksponenti i Romës, dhe ngarkon bashkë me Teruzzin shumë pako me para flori dhe shkojnë së bashku në pallatin e presidentit
të republikës, tregon ai.- Këtu Teruzzi shkarkon pakot me flori dhe i
vendos me radhë në një zyrë të madhe, në
krye të së cilës ndodhej personalisht A. Zogu . Ishin rreth 200 000 napolona (afër
4 milion franga ar.). Teruzzi shkarkon arin, përshëndeti dhe lagohet. Mbetet në
zyrë Baron Aloisi dhe përfaqësonjësi tjetër i dërguar nga Italia. Të nesërmen
të gjitha angjensitë telegrafike të botës trumbetuan lajmin e nënshkrimit të Paktit të Tiranës.
“Mua më vinte turp,- më thoshte ky Italian, - që ai pakt hyri në fuqi, pasi unë ngarkova në
bankë dhe shkarkova te Amet Zogu 200 000
napolona flori” . (fl.1-2).- në fletore.
2) Për të mbajtur salltanetet,
më parë si president i republikës dhe më pas si mbret i Shqiptarëve, Zogu
merrte për çdo vit nga Italia një milion lireta, që me kursin e asaj kohe bënin
rreth 280 000 franga ari ose 14 000
napolona flori. Për shpenzimet personale në rangun e kryetarit të shtetit,
Zogut, nuk i mjaftonin ato që merrte nga arka e varfër financiare, 500,000 fr. ari,
për personin e tij, 200 000 fr. ari për nënën mbretëreshë, dhe nga 100 000 fr. ari
në vit për çdo princeshë dhe princ, si dhe të ardhurat nga çifligjet, pyjet dhe qyteti i Sarandës, që me aq bujari
ia dhuroi Parlamenti, pra s’i dilnin këto, po duhej të merrte edhe ryshfete
vjetore nga Italia .
3) Më 1938, edhe frangu
zviceran u çvlerësua si të gjitha kartëmonedhat e shteteve. Natyrisht të gjithë
pasanikët, që kishin depozita nëpër bankat e Zvicrës, pësuan dëme. Me këtë rast “Journal de Geneve” botoi një listë
të dëmeve, që pësoi kapitali i çdo shteti në përpjesëtim me sasitë që ishin
depozituar në bankat Zvicerane. Në kursin e saj kohe këto kishin
vleftë gati të barabartë me frangat shqiptare. Po e kujt ishte e gjithë kjo depozitë
monedhash shqiptare atje në bankat e Zvicrës? Sigurisht e Zogut dhe e Familjes mbretërore.
Të mos harrojmë se në këto kohë i gjithë buxheti vjetor i shtetit Shqiptar vërtitej rreth 15-20
milion franga ari .Pra Zogu nga grabitjet, rrogat e ryshfetet kishte grumbulluar
e dërguar në bankat e huaja rreth trefishin e të ardhurave vjetore të shtetit. Ky lajm
është i saktë; ( por pa zënë në gojë
Lartmadhërinë), dhe është botuar edhe në revistën ”Përpjekja
Shqiptare” të atij viti) (fq. 3 e fletores).
4) Dhe erdhi koha që Zogu të
dorëzonte “mallin” për të cilin kishte marrë kaparin që prej 14 vjetësh,
domethënë të dorëzonte Shqipërinë te
Italia. Po edhe në këto çaste dramatike të cilat do ta kishin hutuar çdo njeri,
sado pa skrupull, që të ishte, ai nuk e humbi toruan për paratë....Mendonte
thesarin e shtetit dhe nuk deshtë të
largohej nga Shqipëria, pa futur në valixhet e udhëtimit dhe ato pak franga, që
kishin mbetur në fundin e arkës qendrore të Ministrisë së Financave .
Lidhur
me zhvatjen e parave të thesarit nga Zogu në ditët e fundit të qëndrimit të tij
në Shqipëri, Jakov Milaj jep një tjetër
dëshmi interesante lidhur me natyrën e
tij lakmitare për para: Në orët e vigjiljes
së pushtimit, “mbreti rrinte i strukur në shtëpinë e Koço Kotës, për të
qenë i mbrojtur nga rreziqet. Në këtë shtëpi Zogu thirri drejtorin e Thesarit, Kel
Naraçin dhe detyroi atë që t’i dorëzonte 250 000 franga ari, që gjendeshin
në arkë. Kel Naraçi ma ka përshkruar
ankthin me të cilin ndodhej për të siguruar ndershmërinë e tij, duke i marrë sovranit një nënshkrim, me
të cilin të justifikonte në të ardhmen dorëzimin e parave të fundit, që ishin mbledhur nga
taksat. Më në fund edhe firma u vendos në proces verbalin e përpiluar nga Keli.
Është një akt historik, që duhet gjetur dhe botuar (f.3-e fletores))
5) Kam njohur një shtetas
italian të lindur dhe rritur në Shqipëri, me atin italian dhe me nënë
shqiptare. E quanin Zef Xanuto. Ky kishte një shok e mik të nguste fëmijërie
me kolonelin e aviacionit italian me mbiemrin Simini, i cili qe martuar me një
vajzë shkodrane. Pikërisht ky kolonel, Simini, do t’i tregonte ne konfidencë Xanutos
se “më 7 Prill 1939, skuadrilja ime kishte për detyrë që të fluturonte mbi
rrugën Tiranë-Elbasan-Korçë-Bilisht, për të shoqëruar dhe mbrojtur nga sulmet e
papritura të shqiptarëve karvanin e maqinave që transportonte Zogun, familjen mbretërore
dhe klikën e tij për në Greqi.” Ky qe shërbimi i fundit, për ato që mori ai nga
Italia. Këtë fakt, që sapo tregova ma ka thënë Zef Xanutua vetë,- pohon në shënimet
e veta Dr. Milaj (fq. 5-6 )
Mjaftojnë këto pesë rrëfime
për të provuar se sa përparimtar dhe patriot ka qenë Ahmet Zogu. – Kështu
e mbyll ai këtë paragraf.
Ndër kohë gjendja ekonomike e mbarë
vendit gjatë sundimit të A. Zogut vazhdon të rëndohej. Fshatarësia, e cila përbënte
shumicën e popullatës, jetonte në varfëri, sa nuk siguronte bukë e gojës, ndërsa
taksat sa vinin dhe shtoheshin, siç ishin taksat e “të tretës”, taksa e “të dhjetës”, vergjia[3],
xhelepi[4]
e të tjera (fq.8). Industri po thuajse nuk kishte, kurse
prodhimet e artizanatit të konkuruara nga mallrat e importit e kishin humbur
rëndësinë e dikurshme. Edhe midis punëtorëve, të cilët punonin nëpër ndërmarrje
të huaja, sidomos italiane, kishte pakënaqësira kundër pronarëve, po edhe nga
qeverisja e asaj kohe, që krijohej më shumë edhe nga diskriminacioni kombëtar. Për të
njëjtën punë dhe për të njëjtën aftësi
teknike, shqiptari shpërblehej shumë më pak se sa i huaji. Numrin e njerëzve të
pakënaqur e shtonin edhe tregtarët e vegjël, të cilët përpiqeshin të shisnin
mallrat e tyre nëpër fshatra, po këta nuk kishin fuqi blerëse, se edhe
prodhimi tyre qe fare i paktë (fletore.11)
.
Iluzioni i
reformës agrare
Në ato rrethana, për të dalë
nga vështirësitë ekonomike, nisi të flitej nga individë të ndryshëm për nevojën
e një reforme agrare. U duk sikur edhe
mbreti e shikonte për mirë këtë ide të reformës agrare dhe ngarkoi një profesor,
Lorenzani, për ta përgatitur dhe për ta parë pastaj me Mehdi Frashërin .Në të vërtetë në vitin,1930, Zogu e dekretoi reformën agrare, po ky akt qeveritar nuk pati
për qëllim që të ndihmonte bujarisht fshatarësinë e varfër pa tokë, as që të
çonte në rrugë të mbarë bujqësinë, e
cila shkonte nga viti në vit keqe më keq, por ajo synonte në dy pika të tjera: E
para, që të ngjallte te fshatarët shpresën për një të ardhme më të mirë, duke i bërë ata që të ëndërronin se nesër a
pasnesër do të kishin nga një copë truall të vetin dhe një kasolle ku të futnin
kokën; dhe kjo shpresë t’i largonte nga mendimi i ndonjë revolte të rrezikshme
.
Ideja e dytë, ishte që kjo
reformë t’u qëndronte mbi kokë si shpata e Damokleut[5]
çifligarëve, sidomos atyre që ishin
shfaqur si kundërshtarë që në vitet e para pas “Triumfit të Legalitetit”.[6]
Pra, mendohej se nga frika e reformës, këta (bejlerët
kundërshtarë) nuk do të guxonin që të ngriheshin kundër Zogut, pse në qoftë se
zbulohej ndonjë veprim i tillë, ata jo vet që do të dënoheshin, po do të
humbisnin dhe çifliqet . (fetore.-12-13).
Zogu rierdhi në Shqipëri në
fund të dhjetorit të vitit 1924 i përkrahur nga çifligarët dhe nga bajraktarët.
Po me disa nga të parët i këputi shpejt lidhjet, që kur prishi fejesën
me të bijën e Shevqet Vërlacit. Pasi e kish marrë pushtetin, ai kish vendosur
që të sundonte në Shqipëri i vetëm pa pasur asnjë antagonist. Bejlerët e
mëdhenj i kishte ferrë nëpër këmbë, meqenëse
nuk pranonin t’i bindeshin atij verbërisht. Ai dyshonte se mund t’i
nxirrnin edhe telashe, sepse kishin një farë influence nëpër krahinat ku
zotëronin tokat. Bëri çmos për të
zhdukur influencën e tyre; bëri atentat
kundër Shevqet Vërlacit, vrau të kunatin Ceno Beg Kryezinë, përjashtoi nga postet
qeveritare Myfit Bej Libohovën . Nga çifligarët
e mëdhenj Zogu mbajti afër Toptanasit, në derën e të cilëve ishte nip, po dhe
ndonjë bej tjetër pa personalitet, që nuk i sillte pengesa politike si Veli
Juba, Ahmet Resuli, Sulçe Beg Bushati, Hysen Vrioni e të tjerë .Po në të
vërtetë figurat më të urryera të klikës
zogiste gjatë sundimit të tij ishin
Abdurrahman Krosi, Musa Juka, Xhemal Aranitasi, dhe Koço Kota .Disa nga këta zyrtarë
të larte vunë pasuri, blenë çifliqe, duke zënë vendin e çifligarëve të vjetër (fletore.18- 19).
Me Shpalljen
e Monarkisë
Dëshpërimi dhe urrejtja kundër
regjimit të Zogut arriti kulmin pas shpalljes së Monarkisë.
Pjesa më e madhe e Shqipërisë ishte gati të ngrihej kundër tij, po të kish pasur
një udhëheqës patriot, të ndershëm e të mendshëm që t’i printe, mund të kish
ndodhur ndonjë ndryshim. Po ky personalitet mungonte. Të arratisurit antizogistë
tashi i kishin këputur lidhjet me popullin. Ata kishin hyrë në marrëdhënie me fuqitë e huaja. Shumë nga ata u kthyen në
Shqipëri që në vitet e para pas ”triumfit të Legalitetit”, tradhtuan idealet demokratike e nacionaliste, për të
cilat kishin luftuar dhe pranuan të merrnin poste me rëndësi në administratën e
Zogut. Këta janë “Shën-Pjetrat në mangall”, që stigmatizonte Fan Noli[7] (flet.26)
Atëherë, në ato rrethana,
organizimi i një lëvizje antizogiste, që të arrinte rrëzimin e regjimit, kishte dy pengesa:
A) Shumë të paktë ishin
ata që besonin se një ndërmarrjeje kaq të
rëndësishme mund t’i dilej në krye vetëm
duke u mbështetur në forcat e veta. Sipas tyre, duhej që një fuqi e
huaj, e madhe, që të ndihmonte në fushën diplomatike, përkrahjen e
lëvizjes që do të fillonte. Dhe ky ishte gabim i futur edhe në trurin e disa
patriotëve të ndershëm. Nga ky koncept opinioni Shqiptar do të sqarohej atëherë,
kur Partia Komuniste me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare vërtetoi se është populli
ai që vendos për të shkundur zgjedhën robëronjëse, qoftë kjo e brendshme, qoftë e jashtme. Këtë çështje atë kohë nuk e
kuptonin dot as antizogistët. Për shkak të këtij mendimi të shtrembër kish dështuar
ca vjet më parë Kryengritja e
Dukagjinit[8],
“Organizata e Vlorës “ dhe disa grupime të tjera më të vogla.
B) Pengesë e dytë, që pengonte
organizimin e një lëvizje antizogiste, ishte personi, që do të caktohej në
postin drejtues pas largimit të Zogut. Asnjë nga antizogistët e dëgjuar nuk
pranonte që të bëhej i dytë dhe të parin
t’ia linte dikujt tjetër, që të ishte më i zoti. Duke u mbështetur në këtë mendjemadhësi,
shumë nga ata që mendonin të organizoheshin kundër Zogut, shqyrtonin më parë
mundësinë për t’u bërë president a kryeministër. Ky patriotizëm fallco ra shumë
në sy gjatë gjyqit që u bë kundër anëtarëve të organizatës së Vlorës. Midis patriotëve
të ndershëm kishte edhe nga ata të periudhës’20-24 që mbetën të pakorruptuar.
Grupet antizogiste, nga
fillimi i vitit 1934, u njësuan dhe
formuan një bashkim me emrin “Organizata e frshehtë”, që u shtri në
Tiranë dhe më pas edhe në qytete të tjera. Po kjo organizatë nuk kishte një
program të paracaktuar mirë. Synimi kryesor ishte rrëzimi i Zogut dhe vendosja
e një regjimi republikan demokratik të aftë për të zgjidhur problemet ekonomike
dhe për të siguruar pavarësinë kombëtare. Mënyra e organizimit të grupeve dhe
lidhjet që ata do të kishin me udhëheqjen dhe midis tyre nuk ishin përcaktuar
me hollësi dhe nuk respektoheshin. Me gjithë këtë grupet u shumëzuan dhe u
zgjeruan më tepër (f. 26 -27-28).
Grupi i demokratëve patriotë
përbënte bërthamën e kryengritjes, që po organizohej. Në udhëheqjen e tij ishin
caktuar tre oficerë të vjetër, të cilët me gjithëse patriotë të mirë dhe ushtarakë të përgatitur,
qenë përjashtuar nga postet që kishin pasur në ushtri e në gjindarmari dhe
ishin nxjerrë në pension për shkak se nuk kishin qenë puthadorë të Zogut. Këta
tre persona ishin: Ali Shevqet Shkupi, Ramiz Dibra, dhe Ali Fehmi Kosturi.
Që në fillimin e organizimit këta ushtruan ndikimin e tyre në
miq dhe shokë dhe u lidhën shpejt me disa oficerë, që mund të kishin lidhje
edhe me element komunist. Shënojmë se më
1934 grupe komuniste kishte ne Tiranë, në Korçë, në Fier dhe në Peqin. Këto celula njiheshin
midis tyre, po nuk kishin lidhje të ngushta disiplinore. Përbëheshin prej
nëpunësish të vegjël. Kishte edhe ndonjë person të kthyer nga Bashkimi Sovjetik. Ndonjëri ishte edhe me
mision nga Kominterni me udhëzim që të krijonin lëvizjen komuniste në Shqipëri.
Në radhët e tyre nuk kishte punëtorë dhe
fshatarë të varfër, prandaj ndikimi i
tyre në shtresat e gjëra popullore ishte shumë i kufizuar. Udhëheqësi kryesor i
tyre ishte Ali Kelmendi, në atë kohë i
internuar në Korçë. Ai hyri në kontakt me borgjezinë antizogiste dhe pranoi që të marrë pjesë e të bashkëpunonte,
duke caktuar një vijë të vetme politike si edhe disa pika kryesore që duhet të
respektoheshin pas rrëzimit të Zogut. Këto pika bazë ishin: Krijimi i
republikës, anulimi i marrëveshjeve që
ishin lidhur deri atëherë me Italinë e Mussolinit, amnisti e gjërë për te
gjithë të arratisurit politikë. Këto parime u pranuan pa ndonjë kundërshtim nga
krerët e “Organizatës së fshehtë” .Pas kësaj marrëveshjeje, në udhëheqje të
lëvizjes antizogiste hyri edhe Hasan Reçi si përfaqësues i komunistëve; kështu
vazhdoi bashkëpunimi me “Organizatën e fshehtë” . Me këtë organizatë do të
lidheshin edhe Mustafa Gjinishi, që
ndodhej në burgun e Tiranës si edhe Mustafa Kaçaçi dhe Jahja Baçi.
“Organizata e fshehtë” hyri në
kontakt me edhe me bejlerët antizogistë, që përfaqësoheshin nga Shevqet Vërlaci dhe Qemal Vrioni. Këta
pranuan të merrnin pjesë në kryengritje dhe nuk kundërshtuan asnjë nga pikat
kryesore të programit. Bejlerët kërkonin një lloj regjimi që t’u siguronte
përjetësimin e pronës tokësore, po, siç
doli më vonë, qëllimi i tyre ishte jo i
pastër. Dihej se bejlerët e pasuruar me toka ishin të lidhur ngushtë me çifliqet e tyre, po
ashtu edhe me Italinë, që u premtonte
përjetësimin e atyre çifliqeve. (f.29)
Dukej se për lëvizjen
antizogiste që po përgatitej qenë vënë në dijeni edhe diplomatët italianë,
të cilët kishin qëllimet e tyre të caktuara, t’i nxitnin vetë bejlerët që të
bashkoheshin me “Organizatën e fshehtë”,
me qëllim që po të rrëzohej Zogu, të
mos realizoheshin pikat kryesore të marrëveshjes midis “Organizatës së fshehtë
dhe Grupit Komunist. Mirë po ishte mezi i vitit 1935, kur Italia qe e zënë me
pushtimin e Abisinisë dhe bëri kujdes, atëherë lidhur me momentin për situatën
në Shqipëri, sepse agjentura italiane kishte konstatuar faktin se në
“Organizatën e fshehtë” po ndihej fryma nacionaliste kundër italiane. Në ato
rrethana, diplomacia e saj porositi njerëzit e vetë, që ta shmangnin Kryengritjen, që mund të ndodhte në Shqipëri
Ndërsa komunistët nga ana e
tyre, i pranuan bejlerët taktikisht në organizatë, për të shfrytëzuar influencën që ata mund ta kishin
në një pjesë të popullit nga njëra anë, po nga ana tjetër edhe për të përfituar nga
mundësitë e tyre financiare, për të blerë pushkë dhe municione. Kurse, pas triumfit
të kryengritje, ata mendonin se nuk do ta kishin të vështirë, që t’i dëbonin
bejlerët nga skena politike dhe të
krijonin në atë mënyrë një demokraci të tipit borgjez. Zhvillimi i ngjarjeve
dhe grupzimi i forcave, do ta përcaktonin të ardhmen e regjimit të ri të vendit
. (f.31).
Sipas planit të përgjithshëm të
shtabit kryesor për kryengritjen do të kryheshin disa veprime:
PËR ORGANIZIMIN E KRYENGRITJES
1)Në ditën e caktuar dhe në
orë të caktuar, nën komandën e një oficeri, disa oficerë, kryesisht skraparllinj,
do te bënin atentate kundër Abdurrahman Krosit, Musa Jukës dhe Xhemal Aranitasit. Këto
atentate do të ishin fillimi i organizimit të kryengritjes .
Ishte parashikuar që me anën e një kroati, Rudolf Laundrec, të bëhej
edhe atentati kundër Zogut, po
organizimi i këtij atentati dështoi, siç do të flasim edhe më poshtë, dështoi disa
ditë para datës së caktuar për kryengritje .
2)Trupat e artilerisë së Tiranës dhe disa reparte ushtarake të shkëputura, po të
drejtuara nga oficerët pjesëmarrës të “Organizatës” do të mobilizonin fuqitë
ushtarake besnike dhe do të arrestonin njerëzit e Zogut, që ndodheshin në
kryeqytet. Këto trupa viheshin në
komandën e shtabit qendror për të kryer edhe veprime të tjera.
3)Fuqitë ushtarake të Elbasanit
do të drejtoheshin kundër Tiranës dhe do të bashkëpunonin me trupat
kryengritëse të kryeqytetit. Disa reparte ushtarake të Durrësit e Shkodrës, oficerët
e të cilave ishin lidhur me kryengritjen, do t’u bënin ballë fuqive ushtarake
ose mercenarëve besnikë të Zogut. Këto do të merrnin masa edhe për mbrojtje n e kufijve brenda
territorit te tyre . (fl. 33-34).
4) Fuqitë civile të rretheve
të tjera, të bashkuara me ushtarë e xhandarë antizogistë, në orë të caktuara,
do të shpallnin kryengritjen do të arrestonin autoritetet kundërshtare, do të
siguron administrimin e përkohshëm të vendit me anën e komisioneve, që do të formoheshin
për këtë qëllim dhe do të caktonin forcat e nevojshme për ruajtjen e qetësisë.
Pastaj do të niseshin me një herë në drejtim të kryeqytetit. Nga këto grupe,
shpresë të madhe, Udhëheqja kishte mbështetur
në fuqitë e Skraparit, të cilat do të grumbulloheshin dhe do të drejtoheshin
nga Riza Cerova.
5) Kryengritësit e qarqeve të
Korçës e Gjirokastrës do të shpërndanin fuqitë zogiste, do të siguronin mbrojtjen
e kufirit, do të shtinin në dorë pushtetin lokal dhe do të organizonin
mbledhje e mitingje për të shtruar
programin e forcave të reja.
6) Malësitë e Veriut do të rroknin armët dhe do
të drejtoheshin drejt Tiranës, pasi të kishte plasur kryengritja në rrethet e
jugut. Lidhur me pjesëmarrjen e Malësisë
së Veriut, duhet të bëjmë një parantezë dhe të shtojmë sa vijon: Nga fillimi i
vitit 1935, edhe kleri katolik i Shkodrës, i përfaqësuar nga P. Bernardin Palaj, hyri në marrëveshje me “Organizatën e fshehtë”. Ky pranoi që të
aderoj dhe të verë në lëvizje të gjitha
malësitë katolike, ku ai shikonte influencën e vetë, por me një kusht: Meqënë se malësitë e Dukagjinit
ishin “djegur” dhe dëmtuar rëndë në kryengritjen e tyre të Dukagjinit, nëntë vjet më parë, kërkohej prej tyre që ata t’i rroknin armët tri ditë pasi Kryengritja të kishte filluar në vise të tjera të Shqipërisë ........ (fl. 31-32-33-34).
Për të qenë realist duhet te
pranojë se malësorët e Dukagjinit kanë protestuar të parët kundra regjimit të
Ahmet Zogut, qysh më 1926. Atë vit rreth 1000 trima u çuan në kryengritje. Katër
qind veta ishin të armatosur me armë zjarri. Pengesat e vogla që u nxori
policia vendore nuk i ndalën dot. Po kur mbërrijtën tek Ura e Mesit, u gjendën
para një force ushtarake të armatosur mirë, ku u bënë luftime të ashpra. Aty forcat qeveritare patën
17 të vdekur. Gjatë konfrontimit të ashpër mes dy palëve u plagos prijësi i kryengritësve Ndokë Gjeloshi. Me plagosjen
e tij u fashit vrulli i kryengritësve, te cilët, të mbetur pa asnjë ndihmë, u tërhoqën. Disa
nga ata, që u kapën, u dënuan nga gjyqi zogist me afate të ndryshme burgimi,
kurse Dom Gjon Gazuli, u dënua me vdekje, me varje në litar, dhe u ekzekutua
më 5 mars 1927 . Ja, pra, ishin këto arsyet, që i detyronin malësorët se do t’i bashkoheshin
Kryengritjes, kur ajo të fillonte në të gjithë vendin.
Shenoj se për pjesëmarrjen e
Klerit Katolik në Lëvizjen e Fierit kam dëgjuar nga Jahja Baçi e Mustafa
Kaçaçi. Ndërmjetës midis udhëheqjes
së “Organizatës së fshehtë dhe P. Bernard
Palajt ka qenë Hafëz Ali Kraja (Tarja) (fq-31).
* * *
Për përgatitjen e Kryengritjes
Qeveria mori vesh me siguri vetëm atëherë, kur u zbulua organizata në
burgun politik, që do të kryente
atentatin kundër Zogut, por nuk pat mundësi të vepronte, pse nuk dinte
hollësira, as për njerëz të tjerë përveç të burgosurve dhe dy mjekëve; nuk
dinte as ditën kurdo të shpërthente
kryengritja.
Ja si ndodhi kjo:
Mustafa Gjinishi, anëtar i celulës komuniste të Tiranës, ose sekretar i
saj, ishte burgosur e dënuar për propagandë subversive kundër regjimit. Në këtë
kohë, kur ky ndodhej në burgun politik,
sjellin aty një kroat, me emrin Rudolf Laudrec, i cili e hiqte veten për
komunist dhe pretendonte se kishte ardhur në Shqipëri për qëllime politike. Ndërkohë,
Gjinishi u miqësua me Laundrecin, besoi verbërisht në sinqeritetin e tij dhe i
foli atij për lëvizjen komuniste, që kishte filluar në Shqipëri dhe për Kryengritjen
që po organizohej. Një ditë, kur të dy kishin shkuar në spital të shtirë
si të sëmur, bien në kontakt dhe me Uan
Filipin, kryeinfermierin e spitalit civil, që ishte pjesëtar i “Organizatës
së fshehtë” dhe vendosën që Laundreci të bëjë atentatin kundër Zogut. Kroati i përngjante
shumë në tipare një adjutanti të Mbretit., Allaman Çupit, prandaj i veshur me
divizën e oficerit të gardës mbretëror,
plot nishane e kordona, mund të hynte lirisht në pallat, pa u diktuar nga rojet
dhe mund ta kryente fare lehtë atentatin.
Laundreci, si revolucionar me
ndjenja gjoja internacionaliste, e pranoi propozimin, qoftë edhe me rrezik jete.
Kur u kthye në burg, vuri në dijeni këtë propozim një spiun të regjimit, i cili qe i burgosur për vjedhje, dhe ky njoftoi
me një herë Ministrinë e punëve të brendshme. Sipas udhëzimeve që iu dhanë,
Laundreci vazhdoi lojën deri në fund. I shtirë si i sëmurë, shkoi disa herë në
spital për t’u mjekuar nga Dr. Hajdar Vlora; nxuri shumë hollësira në lidhje me Kryengritjen
dhe së fundi mori nga Uan Filipi edhe uniformën e oficerit të gardës mbretëror, për ta veshur, me të
cilën do të kryente fare lehtë atentatin.
(f.38-39).
Laundreci, si revolucionar me
ndjenja gjoja internacionaliste, e pranoi propozimin, qoftë edhe me rrezik jete.
Kur u kthye në burg, vuri në dijeni për këtë propozim një spiun të regjimit, i
burgosur për vjedhje, dhe ky njoftoi me një herë Ministrinë e pune të
brendshme. Sipas udhëzimeve që iu dhanë, Laundreci e vazhdoi lojën deri në fund. I shtirë i sëmurë,
shkoi disa herë në spital për t’u mjekuar nga Dr. Hajdar Vlora, nxuri shumë hollësira
në lidhje m Kryengritjen dhe së fundi mori nga Uan Filipi uniformën e oficerit
të gardës mbretërore, i veshur me të cilën do të kryente atentatin.
Për të gjitha informatat dhe
për uniformën e përgatitur, Laundreci njoftoi Ministrinë e Brendshme tre katër
ditë përpara afatit për kryengritje dhe kjo arrestoi me një herë Uan Filipin dhe
Dr. Hajdar Vlorën. Me tortura dhe pyetje
të vazhdueshme gjindarmaria i mundoi këta që të tregonin hollësira mbi
organizatën, mbi pjesëtarët e saj, dhe për ditën kur do të fillonte kryengritja. Po nuk mori vesh gjë të sigurte gjer të merkur më drekë, pak orë përpara
kohës së caktuar për fillimin e lëvizjes. Po ishte vonë dhe informatat nuk
ishin të plota. Qeveria nuk pati kohë që
të vepronte. (f. 40).
Është folur disa herë se kryengritja
në Fier shpërtheu përpara datës së caktuar dhe
kjo u bë shkak kryesor i dështimit të saj, po kjo nuk është e vërtetë.
Udhëheqja në fillim pat diskutuar që lëvizja të kryhej në vjeshtën e vitit 1935,
ose nga muajt e parë të vitit të ardhshëm. Po jo më vonë, se duke menduar që organizata u shtua shumë si numër
dhe si grumbullim anëtarësh, mund të lindte rreziku që ndonjë anëtar të dekonspironte dhe si rrjedhim qeveria ta shpartallonte atë
pa filluar veprimet. Duke pasur gjithashtu, para sysh, se marrëdhëniet midis Zogut
dhe Mussolinit ishin shumë të tendosura. Atëherë, më 7 gusht 1935 u vendos që
kryengritja të fillonte në orën 21 të datës 14 gusht.
Po u fol, ndër kohë, edhe se
qe vendosur që të bëhej në javë më vonë,
domethënë më 21 gusht, po kjo datë as nuk
ishte biseduar nga udhëheqja e “Organizatës së fshehtë”. Këtë datë të dytë e
shpiku dhe e përdori Qemal Vrioni, për të justifikuar
mos-marrjen pjesë të bejlerëve në
lëvizje. Duket se bejlerët, kur panë se pjesëmarrësit e lëvizjes u shtuan, sa s’besohej
dhe se organizata tani përbëhej prej elementësh të shumtë, që nuk ishin në
influencën e parisë feudale, kuptuan se
mbetën në pakicë dhe atëherë qëllimet e tyre nuk mund të realizoheshin, atë
kohë, kur Zogu do të zhdukej nga skena
politike. Për këtë arsye ata vendosën që
ta sabotojnë lëvizjen .
Ndofta edhe vetë diplomacia
italiane, duke parë se në lëvizje u shtua shumë numri i patriotëve dhe i njerëzve
përparimtarë, e kuptoi se bejlerët nuk do të kishin më influencë dhe nuk do të
ndihmonin dot, për të realizuar qëllimet e saj aneksioniste, dha urdhër atëherë
për ta sabotuar at.
Qemal Vrioni, që qe ngarkuar
për ta penguar shpërthimin e kryengritjes më 14 gusht, thirri në Fier Seit Bej Vrionin dhe po atë ditë shkon në
Vlorë te Nuredin Bej Vlora, për t’i bindur këta që të mos lëvizin me
pretendimin se lëvizja ishte caktuar për një javë më vonë. Dhe me këtë
pretekst të trilluar bejlerët nuk dërguan asnjë njeri në lëvizje. (f.41).
Kështu, edhe në Fier Kryengritja
duhet të shpërthente në orën 21 të datës 14 Gusht, por nisi disa orë më
parë, pse nënprefekti i vendit Hasan Lame, i cili në orët e para pas mesditës, e
mori vesh nga një tregtar, se Kryengritja do të fillonte brenda ditës, prandaj kërkonte
makinë për të shkuar sa më parë në Tiranë, për të lajmëruar Qeverinë për ç’ka
po ndodhte. Ndërkaq, Musa Kranja u informua se nënprefekti po përgatitej për t’u nisur. Atëherë, ai për
ta ndaluar shkoi me një herë në zyrën e tij dhe e arrestoi.
Me arrestimin e këtij u morën
me të shpejtë masat e duhura: u shpall shet-rrethimi dhe u ndalua dalja e
makinave nga qyteti; u ndaluan lidhjet telefonike e telegrafike me rrethet e
tjera, u caktuan patrullat e përbëra prej fshatarësh kryengritës të armatosur për mbajtjen e rregullit;
u thirr gjithë populli për të marrë pjesë në një miting, që do të mbahej përpara
bashkisë .Atëherë u mblodhën në nënprefekturë paria e gjithë qytetit dhe nga
këta u zgjodh një komision për të administruar vendin, gjersa kryengritësit të
merrnin në dorë pushtetin në të gjithë Shqipërinë . Si
pjesëtarë në komisionin administrativ u caktuan persona të njohur nga
opinioni: Spiro Papa, Dr. Kostandin Kallogjeri, Dr. Musa Delvina, Ramiz Omari,
Taqi Bozua, Idriz Bylua, Sotir Bitri dhe Duran Qadhimi. Komisioni vetë zgjodhi
si kryetar për punët e rrethit Spiro Papën dhe për punët e bashkisë Ramiz
Omarin (fl.42). Fuqia
për mbajtjen e qetësisë u vu nën
komandën e Hekuran Manekut, i cili organizoi me një herë patrullat, të
cilat përbëheshin prej fshatarësh të varfër
të paraqitur vullnetarisht dhe të rekrutuar nga krerët kryengritës. Midis përbërësve
të patrullave ishte edhe një cigan (arixhi nga Baltëza) Halim Duçja.
Në orën 18, përpara godinës së
bashkisë u mblodh me shumicë, sa kurrë më parë, populli i qytetit, dhe i
fshatrave për rreth, përzier me shumë kryengritës, që kishin ardhur nga katundet e largëta dhe nga Mallakastra . (f.43)
Nga ballkon doli Komisioni administrativ, Musa Kranja, Kostë Çekrezi
(ky kishte ardhur para dy ditësh bashkë me Musan prej Tirane), Zejnel Hekali
dhe të tjerë. Mitingun e hapi Musa Kranja dhe pas tij foli Kostë Çekrezi si
edhe arsimtari Zejnel Hekali. Të tre përmëndën vuajtjet e popullit nën regjimin
zogist, tradhëtinë e Ahmet Zogut ndaj Atdheut, zinë e bukës që kërcënonte.
Fjalimin më të ndjeshëm e mbajti Zejnel Hekali. Me këto fjalime u shpall
republika dhe u konsiderua e rrëzuar monarkia.
Gjatë metingut ndodhi një gjë
e papritur. Gjeneral Gjilardi, adjutant i mbretit, aventurier, me origjinë të
panjohur(mbase kroat), që kishte ardhur në Shqipëri si kapiten që në kohën e Vidit,
po kalonte nga Tirana për në Manastirin e Pojani, që të blinte antikitete të
Apolonisë, nga ato që gjenin rastësisht fshatarët nëpër ara e kullota. Sa e panë,
patrullat e ndaluan me një herë makinën
e tij dhe lajmëruan Musa Kranjën, që ndodhej bashkë me të tjerët në ballkonin e bashkisë. Ky
urdhëroi që të qëllohej kundër tij dhe në atë çast një nga xhandarët e tij
besnik Myrteza Dejlanin ose Xhevahir
Abazi e la të vdekur për tokë.
Edhe pas
vrasjes së gjeneralit mitingu vazhdoi. Madje, si lexojmë në fletoren e
kujtimeve të Dr. Jakovit, Fjala e Zejnelit është mbajtur pas vrasjes së Gjeneral Gjilardit. Ai, Zejnel Hekali, e filloi
fjalimin e tij me këto fjalë: ”Unë nuk jam Demosteni, që u drejtohet athinasve,
as Ciceroni, që u drejtohet romakëve, po vëlla e shok i juaj, që u drejtohem
juve, për të qarë hallet bashkë me ju për t’u treguar se në ç’ditë të zezë na
ka çuar regjimi i satrapit Zogoll dhe për t’u ftuar edhe ju që të merrni pjesë
në këtë Kryengritje e cila ka për qëllim të zhdukë nga faqja e dheut Zogun dhe
gjithë tarafin e tij dhe të çojë përpara Republikën që po shpallim sot...”
Dhe, kur fjalimet, brohoritjet
dhe shprehjet e urrejtjes së popullit ndaj regjimit zogist morën fund, me
porosinë e udhëheqësve, vullnetarët, që do të merrnin pjesë në Kryengritje, qëndruan
në vend, kurse popullsia u shpërnda e gëzuar që do të shpëtonte nga
gjakpirësit.
Vrasja e Gjilardit u mbajt si
ogur i mirë, se populli filloi të besonte që Kryengritja kishte plasur në të
katër anët dhe se disa personalitete
besnike të regjimit po largoheshin nga Tirana, për t’i shpëtua hakmarrjes popullore
(fl.44)
Në drejtim të Lushnjes u nisën
afro 200 kryengritës hipur në makinat e Fierit, që ishin rekuizuar nga komanda.
Midis tyre kishte mallakastriotë, myzeqarë, kosovarë, lebër, xhandarë dhe
intelektualë. Në krye të kolonës printe vetura në të cilën ndodhej Musai,
Çekrezi, dhe Zejneli. Ndihej shumë nevoja e armëve. Vetëm gjysma e
kryengritësve ishte e armatosur me pushkë të gjata, që ishin tërhequr nga posta
e gjindamarisë. Pjesa tjetër kishin vetëm nga një revolver, që e kishin mbajtur
fshehur. Sikur të kishte pasur pushkë
me shumicë, numri i vullnetarëve, që do
të drejtoheshin kundër Tiranës do të ishte shumë më i madh.
Në të hyrë të Karbunarës, te
kthesa e Beratit, kolona ndalet. Kryengritësit zbresin nga makinat dhe vendosen
nëpër pozicionet. Krerët takohen me çetën e Lushnjes, që ishte mbledhur në një
zabel dhe aty priste forcat e Fierit.
Kryengritësit e Fierit bashkë
me të Lushnjes, u drejtuan për në qendër të qytetit, po aty u pritën me pushkë
nga kundërshtarët, që ishin në
mbështetje të regjimit .Pra, filloi luftimi që vazhdoi disa orë .Një herë qe menduar që kjo qendër
rezistence të lihej prapa dhe forcat te kalonin nën qytet, të dilnin afër ish
shkollës bujqësore dhe pastaj të vazhdonin rrugën drejt Tiranës, ku të
bashkoheshin me fuqitë e tjera kryengritëse të Peqinit, e Kavajës dhe të
arrinin në kryeqytet. Kalimi në jug të Lushnjes ishte shumë i lehtë dhe mendimi
dukej i arsyeshëm. Por pastaj u vendos që më parë të sqarohej situata .
Një grup i përbërë prej pesë
vetësh: Musa Kranja, Zejnel Hekali, Jakov Milaj e të tjerë shkoi në godinën e
post-telegrafës, që ndodhej afër nënprefekturës dhe aty me ndihmën e
telegrafistit Nuri Radhima, i cili ishte
pjesëtar i Lëvizjes, hyri në kontakt me centralet telefonike të Vlorës,
Beratit, Rogozhinës, Peqinit dhe Durrësit. Telefonatat e shërbimit të shumicës së qendrave u përgjigjen se kudo kishte
qetësi dhe bënin shaka, që për ata janë të zakonshme, sidomos në orët e vona të
natës, kur duan të luftojnë gjumin me të
qeshura e bisedime kot. Vetëm
telefonisti i Beratit tha se në qytet ishte krijuar një gjendje e zymtë, se
ndiheshin nëpër kalldrëme zhurmët e këpucëve
të patrullave dhe se llampa në zyrën e prefektit nuk ishte fikur: dukej se ky punonte
e vepronte. Me këtë u sqarua se pjesëmarrësit e Kryengritjes të rretheve të
ndryshme, ose të paktën të rretheve me të cilat duhej të hynte në kontakt
Fieri, për të përparuar drejt Tiranës, pra nuk kishin zbatuar urdhërin e
udhëheqjes për të vepruar në ditë dhe në
orë të caktuar. U muarr vesh që Kryengritja kishte dështuar (f.47).
Kur grupi, që kishte folur në
telefon, u kthye te forcat kryengritëse, Musa Kranja u shpjegoi këtyre
pjesërisht bisedën dhe u tha se “ne përkohësisht do të kthehemi në Fier, të
organizoheshim atje dhe të drejtoheshim për në Tiranë, pasi të bashkoheshin me
ne edhe forcat e tjera, që do të vinin nga Vlora, Berati dhe nga rrethet e tjera
të jugut.”
Kështu u veprua. Kryengritësit
u kthyen në Fier me makinat me të cilat kishin ardhur. Po makina e Musa
Kranjës, e cila tani gjendej në bisht të kolonës, diku dredhoi gjatë rrugës dhe
nuk u pa të kthehej shpejtë në Fier. Po
në fakt Musai erdhi me vonesë në Fier; shkoi në shtëpinë e vetë, ku mori disa tesha,
dogji dokumentet komprometuese dhe u largua në drejtim të Karavastasë, pa u
takuar me asnjë pjesëtar të Lëvizjes. Forcat që prisnin urdhëra të rinj nga komanda,
kur panë se mbetën pa udhëheqje, u shpërndanë (fq. 47).
Po ç’kishte ndodhur? Dukej se
prej ditësh Musa Kranja kishte hyrë në bisedime me një italian, që gjuante
peshk kontrabandë në ujërat e territorit të Shqipërisë . Me të ai ishte marrë
vesh që në një ditë të caktuar, në qoftë
se kryengritja do të dështonte, ta priste atë me shokë të tij, që t’i merrte në
motobarkën e vetë atje, te liqeni i
Karvastasë .Dhe ashtu, siç e kishte bërë marrëveshjen, u nis me makinë drejt Karvastasë për tek motobarka tok me Kostë Çekrezin,
Arshi Shehun, Zejnel Hekalin. Po siç u mor vesh më vonë midis grupit kish ndodhur
edhe një incident: Musai donte ta zbriste Zejnelin nga makina gjatë rrugës dhe
mos ta hipte në motobarkë, por kur ai kundërshtoi me pushkë në dorë dhe nga e
keqja pranuan që të mos ndodhte ndonjë vrasje.
Motobarka i çoi të arratisurit
Në Monopoli të Italisë, ku ata iu dorëzuan autoriteteve portuale. Më tej, duke
komentuar lidhur me motobarkën e kontrabandistit italian, Dr. Jakovi vazhdon të
na dëshmojë se të dhënat mbi
motobarkën, që priti në Karavasta dhe për një marrëveshje të mundshme të
Musajit me kontrabandistin italian, i
pata dëgjuar në burg nga njerëzit, që
kishin ndjekur së afërmi lëvizjet e Musajit, të cilët dinin se ai tre a po katër
ditë përpara 14 gushtit kishte kaluar në zonën e Libofshës, dhe, kur ishte
kthyer, kishte thënë se kishte hyrë në bisedime me xhandarët e asaj ane, të cilët do të
rekrutoheshin në Kryengritje. Kurse për sherrin midis Musajit dhe Zejnelit më
ka folur edhe vetë Zejneli, kur u kthye
nga mërgimi,(fl.47-48).
* * *
Epiqendra e Kryengritjes duhet
të ishte Tirana, jo Fieri. Atje ishte
qendra e “Organizatës së fshehtë”, atje ishte ushtria nga e cila pritej shumë, atje ishte
edhe Zogu me gjithë tarafin e tij. Po nuk ndodhi kështu. Kryengritja duhej të
fillonte me atentat. Meqenëse atentati kundër Zogut dështoi, duhej të kryheshin
të tjerë atentate kundër Musa Jukës, Abdurrahman Krosit, dhe Xhemal Aranitasit.
Për drejtimin e tyre qe ngarkuar togeri i gjindarmarisë Asim Vokshi, i cili ishte një nga njerëzit më
të rëndësishëm të Kryengritjes. Ishte djalë trim, njeri i ndershëm, dhe komunist i vendosur. Për
ekzekutimin e atentateve qene zgjedhur 10 nënoficerë të rinj, thuajse të gjithë nga Skrapari, të
cilët u treguan të gatshëm për të qëlluar kundër njerëzve më të ngushtë të Zogut.
Për organizimin e atentateve dhe për zgjedhjen e atentatorëve punën kryesore e
kishte bërë Riza Cerova, kur ndodhej në Tiranë (fl.48).
* * *
Me gjithë këto parashikime
punët nuk shkuan ashtu si u mendua. Disa ditë para datës së Kryengritjes, në
udhëheqjen e “Organizatës së fshehtë” paraqitet togeri i intendencës, Emin
Bushi, i futur prej në organizatë, i cili kërkon me këmbëngulje që t’i drejtojë
ai atentatet. Udhëheqja e bindur në
besnikërinë e tij ndaj çështjes për te cilën do të luftohej dhe e magjepsur nga
zelli tij i tepruar, e ngarkon Asimin me
detyra të tjera në lidhje me oficerat e repartit ushtarak, kurse drejtimin e
atentateve ia beson Eminit. Ky hyri në kontakt me nënoficerat, që do të
bashkëpunonin me të, iu jep udhëzime të hollësishme për atentatet, që do të
kryheshin, cakton orën e veprimit e të tjera. Por disa orë përpara kohës së caktuar pendohet për detyrën që do të
kryente dhe shkoi te gjeneral Aranitasi, i përgjunjur i kërkon këtij të falur për’kobin” e rëndë që do të
kryente dhe i tregon atij të gjitha sekretet qe dinte në lidhje me Kryengritjen
që po fillonte.
Lidhur me këtë pabesi
të Emin Borshit, Jakov Milaj shkruan: “Kalimin e detyrës për kryerjen e
atentateve nga Asim Vokshi te Emin Bushi ma ka thënë vetë Asimi .
Kjo gjë bisedohej hapur në Burgun
e Durrësit. Bile për këtë pabesi, sa kohë gjendej në burg, të burgosurit e
tjerë nuk i flisnin me gojë Eminit; ky gjersa u dërgua në Tiranë mbeti krejt i
izoluar. Nënoficerët, që nuk dinin gjë për tradhtinë e udhëheqjes së tyre, shkuan të gjithë në orën e përpiktë në vendet e caktuara për të kryer atentatet,
po përpara se të marrin sinjalin e veprimit, rrethohen. Atëherë, disa prej tyre
arrestohen nga fuqitë qeveritare. Kështu dhe këto atentate dështuan .
Më vonë u muar vesh se Emin Borshi pjesëmarrjen në lëvizje dhe gatishmërinë
për të kryer atentatet nuk i kishte bërë për ndjenja patriotike ose pse ishte
antizogist i vendosur, por pse kishte vjedhur nga arka e intendencës disa mijëra
napolona dhe, për të zhdukur gjurmët e vjedhjes, desh të kryente këto atentate
dhe në të njëjtën kohë të digjte edhe dokumentet e arkës. Kështu Emini, duke
tradhtuar Lëvizjen, shpresonte të shpëtonte nga pushkatimi .
Po le të bëjmë edhe një paranthezë të
shkurtër për karakterin e këtij Eminit, që pati edhe një shkak tjetër personal:
në vjedhjen e parave kishin marrë pjesë edhe dy oficerë të tjerë, që ishin
nipër të Abdurrahman Krosit; këta pas kthimit të dënimit të tyre “me
vdekje”, në dënimin me “burgim të përjetshëm”, gjetën rastin, që në kohën, kur
e kërkuan në Tiranë për të dorëzuar arkën dhe llogaritë, sajuan mënyrën
për dorëzimin e tij (Eminit) në spitalin
civil, gjoja për mjekim. Atëherë prej
andej, njerëzit besnik të Krosit e nxuarrën nga spitali dhe e shoqëruan deri sa
doli jashtë shtetit. Kështu iu shpërblye tradhtia dhe iu mbuluan fajet e tjera
këtij zuzari. (f.49-50).
* * *
Të kthehemi prapë në kryeqytet, ku duhej të vihej në lëvizje edhe artileria me disa reparte të
tjera ushtarake. Këto do të ndalonin aktivitetin
e grupeve të komanduara nga oficerët besnikë, duke përdorur armët. Po asgjë nuk
bënë. Ndër kohë duheshin bllokuar automjetet ushtarake. Këtë detyrë e kreu mirë
komandanti i autoreparteve nëntoger Xhelal Çami, i cili në ditën e Kryengritjes
zbërtheu të gjitha makinat ushtarake, me qëllim gjoja shërbim riparimi, kurse disa pjesë të tyre të rëndësishme,
kur mundej, i fshehu. Ky veprim duhet të gjendet edhe në aktet gjyqësore,-
shënon autori, - duke shprehur edhe shqetësimin se ku ka përfunduar Xhelal Çami,
pas daljes nga burgu, që unë s’e di. Repartet e tjera nuk kryen ndonjë veprim.
Si e pamë, shpresa të mëdha “Organizata
e fshehtë” kishte mbështetur në regjimentin e Elbasanit, të cilit i ishte
ngarkuar detyra, që ditën e caktuar të largohej nga kazermat dhe të sulmonte
Tiranën. U fol se oficerët bënë diçka për të kryer këtë mision. Një ditë para,
repartet e këtij qyteti, të pajisura me armë dhe municione, lanë kazermat buzë Shkumbinit
dhe organizuan një manovër në malet që ndajnë Elbasanin nga Tirana. Sikur ata
të kishin marrë vesh se Kryengritja shpërtheu në të gjithë Shqipërinë, ata do të mësynin
Tiranën. Po kur në vend të këtij Lajmi, që pritnin, ata morën vesh dështimin,
atëherë vazhduan lojën dhe u kthyen në vendin nga ishin nisur.
Udhëheqja e Organizatës priste
shumë edhe nga forcat kryengritëse të Peqinit, të cilat kishin për detyrë të
bllokonin urën e Rrogozhinës. Udhëheqja
ia kishte ngarkuar këtë detyrë për bllokimin e urës anëtarit të Organizatës Hasan
Reçit, i cili përfaqësonte edhe celulat komuniste. Por Hasani nuk e kreu
detyrën. Në vend që të shkonte në Peqin, te forcat që e prisnin, ai i trembur
nga arrestimi i Uan Filipit, u fsheh, po u arrestua nga gjindarmët e regjimit diku në
qarku e Elbasanit .Për këtë paaftësi edhe Mustafa Gjinishi do ta akuzonte
rëndë Hasan Reçin, pse nuk e kreu detyrën në Peqin. Pjesëmarrja e forcave të
Peqinit në Kryengritje, sipas
tij, mund ta kishte ndryshuar rrjedhën e
ngjarjeve, sepse anëtarët e Organizatës
së këtij rrethi ishin të shumtë dhe
trima. Për këtë arsye Gjinishi nuk i
foli me gojë Hasan Reçit për shumë muaj me radhë, sadoqë jetonin në të njëjtin
kaush. (f.51).
Në Shkodër grupi i oficerëve
pat punuar më shumë për të zbatuar udhëzimet. Aty nëntogeri Lutfi Shehu
organizoi grupin e Kryengritjes për të marrë
në dorë qytetin. Në këtë grup bënin pjesë edhe Arshi Velua, Lato Zequa,
Rifat Sera. Me anën e tetarit Lato Zeqo u krye edhe atentati kundër komandantit
të garnizonit, Kapiten Ismail Osmanit, i cili për shkak të funksioneve, që i kishin ngarkuar në ushtri
dhe në administratë, ishte një sundimtar i vërtetë i Shkodrës. Po vrasja e
këtij oficeri u mbyll pa bujë të madhe, se atentatori e akuzoi të vrarin për
imoralitet dhe i gjithë opinioni publik qe i një mendje me të. Me gjithë këtë,
Lato Zequa, kur po arratisej për në Jugosllavi, u kap në liqen të Shkodrës,
pranë katundit Zogaj, pak metra përpara se të kalonte kufirin, dhe u dënua me
vdekje, por nuk u ekzekutua. Mbi veprimet e organizatës së Shkodrës dhe mbi
vrasjen e Ismail Osmanit pata dëgjuar
hollësira që më 1935. Emrat e personazheve m’i ka kujtuar Rifat Sera,
oficer në pension. Me përjashtim të Lutfi Shehut, tre të tjerët morën pjesë
në Luftën Nacional-Çlirimtare, duke fituar
dhe grada si oficer. Nga këta Lato Zequa
ka rënë dëshmor, në atë kohë ka qenë zëvendës komandant kompanie, Arshi Velua
ka vdekur pas çlirimit, dhe Rifat Sera jeton pensionist në Fier (f.52).
Edhe në Vlorë qenë organizuar
nga Beqir Sulo Agalliu disa fshatarë antizogistë, që do të merrnin pjesë në
Kryengritje. Këta shkuan edhe në qytet që të zbatonin planin e parapërgatitur.
Po këtu Nuredin Vlora, i mashtruar nga
Qemal Vrioni, e bindi Beqirin që të mos
vepronte dhe të prisnin udhëzime të reja nga Tirana, me qënëse data e caktuar për Kryengritje ishte
ndryshuar. Beqiri i besoi Nuredn Beut dhe ai atëherë i shpërndau forcat. Vetë ai, kur mori vesh
dështimin e lëvizjes, u detyrua të dalë jashtë shtetit.
Nga forcat civile kryengritëse të Skraparit pritej më shumë se
nga viset e tjera të Shqipërisë. Atje punonte Riza Crova, i njohur nga të gjithë për
trimëri dhe shpirt demokratik, i cili
ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik para katër muajsh. Ai sapo erdhi në
Shqipëri, hyri në Oganizatën e fshehtë, që po përgatiste Kryengritjen kundër
Zogut. Rizai qe krahu i djathtë i lëvizjes dhe e ndihmoi atë për t’u organizuar
sa më mirë. Nga fundi i korrikut ai vajti në fshatin e tij të lindjes dhe
filloi propagandën kundër regjimit. Sa
kohë që ishte vendosur në Tiranë merrte e jepte mendime për mënyrën e ngritjes
së çetave dhe organizimin e tyre. Vendimi i udhëheqjes së Organizatës së fshehtë
nuk iu dorëzua Rizait me një herë. Ai u vu në dijeni vet më 11 gusht, pra
tri ditë para datës së caktuar për veprim. Ahmet Shehu nga Karbunara e
Lushnjes, qe caktuar për të mbajtur
kontakte me atë, pra me Riza Cerovën; nuk e di se për ç’arsye ia bëri atij me aq vonesë njoftimin për fillimin e Kryengritjes. Shënoj se
faji i Ahmet Shehut, që nuk lajmëroi me kohë Riza Cerovën, qe rrahur e diskutuar
edhe në burg, ku Asim Vokshi dhe të tjerë e dënuan Ahmetin për këtë faj .Kjo
vonesë ishte një nga shkaqet kryesore
për mos-realizimin e planit të caktuar. Po të kishte pasur kohë, qoftë edhe një
jave, Rizai të do mblidhte një forcë më të madhe kryengritësish, de do të mund
të kishte pushtuar Beratin, pasi marrja
e Beratit ishte e lehtë, se kishte vetëm pak xhandarë. Prej andej Rizaj do të bashkohej
me forcat e Fierit, Lushnjes, dhe atë
herë komanda luftarake nuk do të mbetej në dorë të Musa Kranjës, i cili, para
se të fillonte lëvizjen, deshi të siguronte kokën, duke marrë me qira motobarkën e kontrabandierit italian,
por komanda do t’i kalonte atij, Rizajit .Lajmërimi i vonuar i Rizajit qe
katastrofë për Kryengritjen. Ai pati vetëm dy ditë kohë që të mblidhte luftëtarët.
Megjithatë ai grumbulloi 30 apo 40 vetë
dhe me ata erdhi deri në Berat. Po pa hyrë në qytet, mori vesh ngjarjet e
Lushnjes. Prandaj u detyrua të kthehej prapa
i shoqëruar nga trimat më të mirë. Ndër kohë ai ishte i kërcënuar e ndiqej këmba këmbës nga fuqitë qeveritare.
Atëherë Riza Cerova vendosi të shkonte drejt kufirit me
Jugosllavinë për të dalë edhe një herë në mërgim. Duke luftuar me ndjekësit, arrijti
gjer te pylli i Marianit afër Pogradecit. Atje në luftë e sipër u plagos rëndë,
po gjeti mundësinë të shkruante letrën e famshme për familjen, dhe pas disa orësh, më 24 gusht 1935 dha shpirt . Vdekja
heroike e Riza Cerovës, qe akti i fundit i lëvizjes, që mori emrin Kryengritja e Fiert. (f.55} .
* * *
Kur u muar vesh se ç’po ndodhte
në Fier dhe në qendra të tjera, krerët
qeveritar të Tiranës u trembën shumë. Nuk po dinin nga t’ia mbanin.
Meqënë se e mësuan se ideja e
Kryengritjes ishte përhapur në të gjithë Shqipërinë, menduan që hë për hë të
mbronin me anën e ushtrisë vetëm kryeqytetin. Mirë po pyetja bëhej se cili
oficer kishte mbetur besnik i Zogut, që të drejtonte forcat ushtarake dhe kush ishte i lidhur me Organizatën e fshehtë. Këtë
gjë nuk e dinin as qeveritarët vetë .U dha urdhër nga lart që njësitet e
artilerisë të vendoseshin nëpër kodrat rreth e qark Tiranës. Dhe, për të
kontrolluar se nga ishin drejtuar tytat e topave, shkoi vetë Abdurrahman Krosi. Ky gjithë natën e 14 -15 gushtit u
vërtit kodrave me bastun në dorë nga frika se mos ushtria, në vend që të priste
me zjarr kryengritësit, ia drejtonte gjylet pallatit mbretëror.
Të nesërmen situata u sqarua. U muar vesh se Kryengritja ishte
kufizuar vetëm në Fier, ku ishte vrarë gjeneral Gjilardi .Atje u dërguan forca
të shumta, që filluan me një herë ndjekjet në Fier, në Berat dhe posaçërisht në Skrapar, për të kapur Riza Cerovën. Komandant
operacioni u caktua Ali Riza Kosova. Në ndjekje muarën pjesë shumë reparte ushtarake dhe toga të gjindarmarisë;
më të shumtët e oficerëve ishin matjanë
dhe dibranë, që mendohej se ishin besnikë të Zogut. Po edhe midis tyre gjendeshin element të influencuar dhe të
lidhur me Organizatën e fshehtë. Përveç fuqive të rregullta, për të kapur
kryengritësit e lidhur me Lëvizjen, muarën pjesë edhe disa çeta bashibozukësh
të drejtuara nga Veis Sevrani, Hysni Toska, Jako Kumani e të tjerë më të vegjël.
Veis Sevrani u nis në ndjekje të Riza Cerovës; Hysni Toska shkoi me fuqitë e
veta në katundet e Mallakastrës dhe Jako Kumani veproi në rrethin e Beratit dhe
ne mënyrë të veçantë në zonën e Roskovecit, që është ngjitur me Fierin.
Në kryeqytet shtypi i Zogut
filloi të çirret me te madhe kundër armiqve, që guxuan të ngrenë krye kundër Naltëmadhnisë.
Kërkohej që kundër turbullonjësve të qetësisë të merreshin masat më ekstreme.
Korin e gazetarëve e drejtonin udhëheqësit e gazetës ultrareaksionare “Besa”,
pse besaxhinjtë e mbanin veten si besnikët më të devotshëm të Sovranit
August. Kështu kishte the organe të tjera, që i mbanin “iso” gazetës Besa
(fl.57).
* * *
Më 18 gusht, në Tiranë, u bënë
funeralet e gjeneral Gjilardit, trupi i të cilit u përcoll me nderime ushtarake,
u përshëndet nga vetë Mbreti, dhe u dërgua në kalanë e Perelës. U varros pranë
tyrbesë së Ballaban Pashës, sipas dëshirës së shfaqur nga “i ndyeri vetë”, që
kur kish qenë gjallë. Për t’u çuditur është se sa poshtë kishte rënë ndjenja patriotike
gjatë regjimit zogist: krerëve të kësaj klike nuk u vinte turp, por u dukej me
vend varrimi i këtij “dëshmori të madh” pranë Ballaban Pashës, tradhëtar i njohur i atdheut, që u vra
nga Skënderbeu, kur erdhi të shkelte Arbërinë me hordhi turke që i komandonte..
.Por, ipsi bir ...Të dy sulltanët, Mehmet, i madh i osmanëve dhe Ahmeti
i vogël i shqiptarëve kishin pasur
dëshira të njëjta: që besnikët e tyre renegatë të gjendeshin pranë njeri
tjetrit për të parë që andej nga një
majë kodre Shqipërinë se si do të ecte në rrugën e historisë.
* * *
Jehona e
Kryengritjes
Kryengritja e Fierit, që
tronditi themelet e mbretërisë së Zogut, bëri bujë të madhe jo vetëm në të gjithë
skajet e Shqipërisë, por edhe në botën e
jashtme. Të huajt, që kishin vizituar vendin tonë ato vite, dhe kishin parë me sytë
e tyre regjimin anakronik, sundimin feudal, varfërinë e tmerrshme të popullit
dhe mjerimin e përgjithshëm, e prisnin si një gjë krejt të natyrshme lëvizjen popullore me armë .Gjithë bota foli
për të. Shtypi përparimtar i jashtëm në ditën e parë, kur u mor vesh
shpërthimin i Kryengritjes u shpreh me
entuziazëm dhe shkroi në favor të saj, për t’u dhënë zemër Kryengritjes shqiptarëve, që kishin rrokur
pushkët. Po kur u njoftua dështimi i saj, shtypi pozitiv lozi rolin e avokatit mbrojtës
dhe u përpoq që të nxiste optimizmin publik për të ngritur zërin kundër masave
barbare që ishte duke kryer Zogu. Të shtytur nga ky opinion, shumë qeveri dhe kryetar
shtetesh i dërguan Zogut mesazhe për ta shikuar çështjen në mënyrë njerëzore
dhe për të mos marrë masa ekstreme. Disa nga këto mesazhe përmendnin edhe persona
të caktuar nga ata që ishin arrestuar dhe torturoheshin në burgjet e Fierit. Shoqata
ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut do të dërgonte në Tiranë
kryetarin e saj, për të parë në vend gjendje n dhe për të biseduar me
qeveritarët e këtushëm mbi të burgosurit
e Fierit (fq.59).
Për të treguar edhe më shumë
rreth jehonës, që kish gjetur jashtë vendit
rapresalja e qeverisë zogiste kundër aktivistëve
të Lëvizjes së Fierit, Milaj tregon një
episod, që na njeh me delegacionin qeveritar, të kryesuar nga Mehdi Frashëri, që pat shkuar në Gjenevë, për
të mbrojtur pranë Lidhjes së Kombeve çështjen shqiptare kundër akuzave të
Greqisë dhe shteteve të tjera përsa i përkiste mbylljes së shkollave minoritare;
kur në atë rast mistri i jashtëm i Francës i foli me përçmim kryetarit të delegacionit
shqiptar për masat çnjerëzore që po merreshin kundër kryengritësve të Fierit,
duke i thënë se aty regjimi zogist kishte ngritur një kasaphanë (un abation) (fq. 59).
* * *
Më 18 gusht 1935 mbreti bëri
ndryshime në gjykatë
Më 18 gusht, 1935, mbreti
bëri ndryshime në përbërjen e gjykatës së posaçme për fajet politike. Dekretoi
largimin e kryetarit të mëparshëm dhe të dy anëtarëve. Trupi i ri i gjykatës u formua
me këtë përbërje: Kryetar: kolonel Ali Riza Kosova
Anëtarë ushtarak : Major Hamz
Kuçi .
Anëtar ushtarak
: Kapiten Zef Prenushi .
Anëtar civil : Petro Martini .
Anëtar civil: Sadri Fasllia .
Prokuror:
Kiço Bisha .
Ndihmës anëtar : Faik Bregu .
Gjithashtu u dekretua transferimi i Gjykatës nga Tirana në Fier .
Në atë kohë mjaftonte të
dëgjoje emrat e këtyre njerëzve për të parashikuar sesi do të vepronte gjykata.
Por sot që këta janë harruar, duhen thënë dy fjalë për ta. Ali Rizai,
dikur oficer i Fan Nolit, i martuar me
një kushurirë të largët të Zogut, që nuk dinte të fliste veçse turqisht. Qe si njeri i shkalluar; kënaqësia
e vetme e tij ishte të vriste e të torturonte njerëz. Dy anëtarët ushtarakë
ishin mjekuar të dy nga nervat për shkak sëmundjesh me origjinë sifilitike.; i
pari ishte baxhanjak i Ali Rizait; i dyti vetëm pak javë më parë ishe dalë nga Çmendina e Vlorës. Nga anëtarët civilë,
Petro Martini ishte një mumje, “qorr” na dy sytë, që nuk dinte të
jepte asnjë mendim për nënshkrimin e dokumenteve, që i firmoste me dorën që ia
mbante sekretari. Sadri Fasllia, gjer atëherë gjyqtar hetues në Durrës,
ishte njeri i Lal Krosit dhe i shërbente regjimit edhe me detyra të tjera mbi
detyrën kryesore. Prokurori Kiço Bisha ishte i njohur për trillim akuzash
të rreme e të rënda kundër kujtdo, që i binte në dorë, sidomos po të ishte patriot shqiptar (f.61).
Fuqitë operative dhe forcat e
gjindarmarisë në Tiranë e gjetiu arrestuan shumë njerëz, midis të cilëve dhe
intelektualë, që s’i honepste regjimi. U bënë mijëra vet të arrestuar. Shumë
nga këta u liruan, pasi u torturuan për ditë me radhë. Vetëm në burgjet e
Fierit u kalua mbi 2000 persona. Versioni zyrtar i qeverisë i botuar në një
deklaratë, i datës 17 shtator 1935 konfirmonte se numri i të pandehurve ishte
539 vetë (fq.61)
Për t’u gjetur vend gjithë të burgosurve, të
sjellë nga të katër anët e Shqipërisë u përdoren godina të sigurta. Përveç disa lokaleve të përfunduara të
nënprefekturës, u kthyen në burgje edhe shkolla e djemve, hoteli ”Liria”, zyra e postë-telegrafës si edhe një
rresht dyqanesh, që ndodheshin përballë kësaj godine .Torturat që u përdorën në
“kasapanën” e Fieri qenë të tmerrshme. Druri dhe metoda të tjera barbare
qenë i vetmi mjet për të zbuluar
veprimet e kryera nga secili. Hekuran Maneku, për shkak se nuk i duronte dot
këto tortura barbare, tentoi të vriste veten, duke shpuar barkun me një gozhdë
të ndryshkur, që e gjeti në murin e birucës, ku e mbanin të mbyllur. Ndër kaq
plaga e tij e infektuar po keqësohej pa u vizituar nga ndonjë mjek. Dhe doktori, i cili më në fund erdhi, bëri një prognozë të keqe dhe tha hapur se i
sëmuri shpejt do të vdesë. Po vdekja e
Hekuran Manekut do të bënte shumë bujë dhe do të vërtetonte gjithçka ishte
pëshpëritur brenda vendit, po dhe në botën e jashtme lidhur me torturat dhe
seancat gjykimore, për ç’ishte shkruar
rreth asaj mizorie, që metaforikisht
ishte quajtur “kasaphana” e Shqipërisë. Atëherë regjimi, që të shpëtonte nga
një diskreditim i madh, vendosi ta zhdukte Hekuran Manekun, me pretekstin se ai i kishte
lyer duart me gjak. Dhe ashtu, pa u vonuar, ekzekutimi i u bë të nesërmen, më 23 shtator, me varje në
një trekëndësh të ngritur 10-15 metra në
jug-perëndim të cepit të godinës, që sot shërben si bankë shteti . I dënuari mbajti një qëndrim shumë të
qetë dhe burrëror, kur u njoftua se do të ekzekutohej. Shokët e qelisë së
burgut tregonin për vuajtjet e tij jo vetëm fizike, po edhe
lëndimet shpirtërore. Oficerët, që e ruanin nuk linin gjë pa i thënë, e shanin
dhe e tallnin . I dukej sikur vdekja do ta shpëtonte nga këto tortura dyfishe.
Shokët që ndodheshin një birucë me të, u çuditën, kur rojet e nxorën nga biruca për ta
ekzekutuar. Ai u përshëndet me ta, ju uroi që shpëtuat jetën dhe i këshilloi
që të mbeten patriotë të ndershëm .Kështu
e sillnin në mendje të burgosurit e tjerë Hekuranin,të papërkulur,
tek do të nisej për të dhënë shpirt i
varur në litar. Kurse një toger matjan, i cili komandonte togën, që e shpuri Hekuranin
te trekëndëshi i varjes, ju drejtua të burgosurve, kur u kthye nga ekzekutimi
me këto fjalë ofenduese për të: “ai
katil, kur vuni litarin në fyt, thërriti rroftë Shqipnia! Desh m’u shit
atdhetar ai që luftoi kundër atdheut, kur ka çue pushkën kundër Nalt-madhënisë
së tij! (fq. 61-65).
Po pavarësisht nga fjalët e togerit të burgut, Hekuran
Maneku ishte një nga përfaqësuesit aktiv të Kryengritjes së Fierit. Pra gjyqi i
Fierit, që u mbyll më 17 shtator, pas një gjykimi mizor, që krijoi në qytetin e Fierit, një psikologji
terrori, që do të kulmonte ë datën 23
shtator, me varjen në litar të Hekuran Manekut .
Tri katër ditë më vonë, të
burgosurit e Fierit u transportuan në burgun
politik të Durrësit, që ishte një godinë e marrë me qira nga një tregtar dibran,
që qe i lidhur me regjimin.
Ndër kohë, nuk duhet të lëmë
në harresë, Jashar Cakrani, i cili në hetuesi hiqte pikën e zezë mes
torturash të ndryshme, aq sa prej tyre ai pësoi
një tronditje të rëndë nga të
rrahurat, sa që u shkatërrua krejt nga
sistemi nervoz. U qëllua aq keq, sa nuk mund të shërohej edhe jashtë shtetit,ku e shpunë për mjekim. Prej
torturave Jashar ishte bërë gjysmak. Kur qante e kur qeshte pa vend. Herë hante
pa masë dhe herë nuk fuste gjë në gojë .Më kujtohet se kur ndodheshim të burgosur,
të mbyllur në një si zyrë, poshtë telegrafës, Jashari i dërmuar nga goditjet, na
thotë ne shokëve të tij, që ndodheshim tok: “E kuptoj se ju shokë çuditeni me
sjelljet e mia. Po ja shikoni vetë....” dhe atë çast lëvizi të lintat, ndërsa ne
atëherë, pamë se nën to, ai sikur kish një palë të linta të tjera të zeza të
lerosura me një pellg gjaku. Kështu i ishin bërë mishrat e kofshëve nga të rrahurit .Për këtë person,
për Jashar Cakranin, autori i dorëshkrimit ka një konsideratë të veçantë se e kish
njohur për karakterin e tij para se të ndodheshin në burg . Ai kish qenë personi
më aktiv në zonën e Mallakastrës përsa i përkiste gjetjes dhe mobilizimit të
vullnetarëve për ditën e Kryengritjes. Jashari kishte një natyrë të çuditshme.
Ishte shumë zemër mirë, gojëmbël, bujar dhe i afruar me fshatarët e çdo shtrese;
ai hante e pinte gju më gju me ta. Kishte një natyrë krejt të kundërt me të
atin, Sulo Beun, që ishte koprac i madh, zemërgur, që i kishte vënë vetes për
detyrë vetëm të fitonte sa më shumë. Kryengritësit, që mblodhi Jashari ishin
nga Kreshpani dhe nga fshatra të tjera të Mallakastrës. Jashari e tregoi veten trim dhe njeri me karakter si në përpjekjen e Lushnjes,
ashtu edhe gjatë zhvillimit të gjyqit,
me gjithë se u torturua më shumë se çdo
i10pandehur (fq.44...)
Gjyqi i Fierit filloi më 21 gusht. Për grupin e parë, që
përbëhej prej 21 xhandarësh, të cilët
shin pjesëmarrës në kryengritje, gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, në një
nga zyrat e nënprefekturës. Nga këta u dënuan me vdekje 11 veta, me pushkatim në shpinë; kurse të
tjerët morën dënime të ndryshme, nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm. Zbatimi
i vendimit u bë pas tri ditësh. Në agim të 24 gushtit u pushkatuan: Kapter
Hysen Bektashi, rreshter Qirjako Çiço, rreshter
Ndue Buzi dhe gjindarmët Ahmet Ismaili, Halit
Bektashi, Hysen Ramadani,
Abdurraman Zelka, Sinan Beqiri, Nazif Hamzai dhe Abedin Hasani.
Ekzekutimi u krye në një arë disa metra larg në juglindje të Bashkisë.
Të dënuarit u pyetën sipas zakonit për
dëshirat e fundit dhe të gjithë qëndruan burrërisht. Kur u vendosën rresht me
shpinën nga plotori i ekzekutimit, rreshteri Ndue Brozi nga Kthella e Mirditës
u bërtiti shokëve, që t’i kthejnë gjoksin plumbit, ashtu siç është zakoni trimave. Të gjithë ashtu me duar të lidhura u
kthyen drejt plotonit për qitje. Abdurrahman Zelka prej Tirane thërriti në çastin e fundit: “Poshtë Zogu! Rroftë Republika! Dhe gjithë shokët iu pëgjegjën
me “urra” thirrjes së tij. Fjalët e njëmbëdhjetë dëshmorëve para plotonit
të ekzekutimit na i thanë ne të burgosurve të tjerë vetë ushtarët dhe oficerët,
që kishin bërë pjesë në atë togë pushkatimi. Më pas mua m’i pat përsëritur dhe
papa Polizoi, Ikonomi, që ishte ndodhur prezent, bashkë me hoxhën dhe priftin katolik të Vlorës, për të kryer
shërbimi e fundit fetar. Të burgosurit civil, që u ndodhën në një dhomë me
xhandarët, tregonin me habi për gjakftohtësinë e 11 dëshmorëve, kur i morën për
t’i ekzekutuar. Të gjithë u mbajtën
trima, u hallallosën, me shokët, që mbeten, lanë amanetet e fundit dhe
ndonjë porosi për t’ua shpurë familjeve. Trim mbi trima u tregua rreshteri
Ndue Brozi, i cili midis të tjerash tha që trupin e tij t’ia
çonin në Kthellë, për ta vajtuar çikat e malësisë. (f.63).
Seancat e tjera gjyqësore u
zhvilluan në kopshtin e Qemal Vrionit; më parë në një cep në
dhe më vonë
përpara shtëpisë, në ballkonin e së
cilës kishte zënë vend trupi gjykues, me Ali Riza Topallin në krye (fl. 63).
Meqenëse numri i të pandehurve
ishte shumë i madh, gjyqi për ta, në mungesë të ambienti të përshtatshëm, u vendos të zhvillohej në oborrin e shtëpisë së Qemal Bej Vrionit, i
cili ishte pjesë e grupit që do të gjykohej. Seancat u realizuan nën hijen e një pjergulle, ku vetiu të pandehurit ngrinin shpesh herë kokën dhe
shihnin veshët e rrushit të pjekur. Më pas kthenin vështrimin nga Qemal Vrioni
dhe në çaste të veçanta e shpotisnin me romuze : “i mbarë rrushi këtë vit,
Qemal Bej!- Verë apo raki do ta bësh këtë vjeshtë? Vërtetë ironi dhe
paradoks, kur një i pandehur gjykohej nga një gjykatë, por në shtëpinë e tij .
Midis personave të arrestuar qenë edhe disa njerëz, që vini nga familje me emër të dëgjuar
si Vrioni, Dibra dhe Vlora. Për këta persona gjykata nxori prova të dorës së
dytë, që dëshmonin një pakënaqësi të përgjithshme ndaj mbretit, qeverisë dhe
disa nëpunësve të lartë të veshur me pushtet si mund të ishin për shembull
ministri i brendshëm Musa Juka, ministri i luftës Xhemal Aranitasi, si dhe adjutanti i Zogut Abdurrahman
Krosi - (Milaj nga fletorja).
Më 26 gusht 1935, u sollën
para gjykatës 48 të pandehur nga pjesëtarët, që kishin qenë direkt në
Kryengritje. Nga këta, pas tri ditësh, 4 vetë u dënuan me vdekje, 19 me burgim
të përjetshëm dhe 14 persona me burgime të ndryshme . (F.63)
Seanca më e rëndësishme filloi
më 29 gusht dhe vendimin e dha më 9 shtator.
Në këtë seancë u paraqit grupi udhëheqës i “Organizatës së fshehtë”, ku përfshiheshin
nën oficerë, që kishin qenë ngarkuar për të kryer atentatet e Tiranës, anëtarët
e komisionit koordinativ të Fierit dhe disa të tjerë. Prej këtyre të
pandehurve u dënuan me vdekje 23 vetë, midis të cilëve edhe
Hekuran Maneku. (fl.63.)
Më vonë u paraqitën me radhë
edhe grupe të tjera, që morën dënime të ndryshme. Nga debatet e zhvilluara në gjyq, me interes për anë ideore bëri përshtypje dhe pati rëndësi për kuptimin politik deklarata e Mustafa Kaçaçit
.Ai tha se ishte komunist dhe kishte
marrë pushkën kundër regjimit, që të luftonte, për të çliruar punëtorët
dhe fshatarët . Ai deklaroi gjithashtu
se kurrgjë nuk e bashkonte me Qemal
Vrionin ose me bejlerët dhe çifligarët e tjerë, që po gjykoheshin bashkë me të
në një grup .Kjo deklaratë e guximshme nuk ishte dëgjuar ndonjë herë në seancat
gjyqësore .Po megjithëse nuk u përmend as “Organizata e fshehtë” as grupi komunist,
Hasan Reçi dhe Mustafa Gjinishi i mbajtën mëri Mustafës, pse ai përmendifjalën
“komunist”.
Po ndërkohë në gjyq prirja për
dënime rënda nisi të lehtësohej si efekt i protestë nga opinioni publik i
brendshëm dhe i jashtëm (fq. 67). Grupi i fundit u paraqit për gjykim më 16
shtator dhe vendimi u dha të nesërmen, më 17, kur u dënuan me vdekje dy nga të pandehurit.
Si përfundim, në
gjithë seancat që u zhvilluan në Fier u paraqitën 539 persona të arrestuar, prej këtyre gjykata e posaçme për faje politike dënoi 213
të pandehur, nga të cilët 53 me vdekje dhe të tjerët me burgime të ndryshme .Po
duhet thënë se në prag të ekzekutimit, si rezultat i presionit të brendshëm, po sidomos
edhe atij ndërkombëtar, disa nga dënimet
me vdekje u ndërruan me burgim të
përjetshëm .
Kurse gjyqi për të pandehurit,
që ishin arratisur, do të zhvillohej disa muaj më vonë, më 1936....
Duhet të shënojmë se gjatë
zhvillimit të hetimeve dhe seancave
gjyqësore trupi gjykues nuk mundi të zbulojë të vërtetën mbi këtë lëvizje të
madhe. Kjo ndodhi për tre arsye: e para, se urdhri ishte që vendimet të
merreshin sa më parë, me që ngutësia i nevojitej regjimit për të tronditur popullin; e dyta, se
anëtarët e trupit gjykues ishin të paaftë dhe, prandaj nuk kishin mundësi që të nxirrnin nga goja e të pandehurve
ndonjë fjalë më tepër nga ç’mund të nxirrte dajaku; e treta, që qe më e fortë, është se të pandehurit, qofshin këta fshatarë të thjeshtë, a po intelektualë,
nuk akuzua njeri tjetrin, veçse në raste të rralla, kur ndodheshin të
shtrënguar fortë. Kështu, me këtë mënyrë veprimi, Gjykata nuk mundi të merrte vesh
se si ishte organizuar Kryengritja, cilët
qenë pjesëtarët e udhëheqjes së saj, si qenë formuar grupet, pse lëvizja
plasi vetëm në Fier. Disa nga këto çështje u sqaruan më vonë, kur disa miq të ministrit të ri të punëve të brendshme Et’hem Toto, i raportuan
këtij gjerë e gjatë nga burgu mbi organizimin dhe udhëheqjen e lëvizjes (fq. 66-67).
Për shkak se nuk u zbulua e vërteta, Gjykata e posaçme
dha dënime të çuditshme. U dënuan me vdekje edhe njerëz, që kishin faje shumë të
lehta. S’ka dyshim se edhe miqtë, simpatitë e antipatitë dhe sidomos ryshfetet,
që në atë kohë ishin të zakonshme, loznin rolin e tyre në caktimin e dënimeve.
Anësirat dhe ndërhyrjet viheshin
re edhe gjatë faljeve mbretërore që bëheshin dhe që kishin për qëllim të zbusnin acarimin e opinionit
publik botëror, që vazhdonte të kritikonte mizoritë e Zogut. Ashtu u pa e arsyeshme të
faleshin disa të burgosur nga regjmi i
kohës . Kjo gjë ra në sy edhe në amnistinë e vitit 1935, kur në fakt u liruan persona
të dënuar me vdekje dhe mbetën në burg njerëz me një ose dy vjet privim lirie (fq.67).
Për këtë veprim është interesante të dihet se ç’u tha nga Komunikata
që dha Agjencia telegrafike shqiptare (Albageme)
në lidhje me faljen mbretërore. Kam parasysh botimin e gazetës frënge Le Temps, e cila
gazetë fliste për bujarinë e mbretit dhe përmendte se midis të falurëve ishte
edhe “princi Nuredin Vlora “. Ky
shënim bëhej me qëllim për të zbutur opinionin në boten e jashtme. Le të përmendim
një rast: meqenëse për Nuredin Benë kishte shumë ndërhyrje, ai duhej të falej.
Ndërhyrjet për faljen e tij nisnin duke filluar nga Duka i Windsorit dhe deri
te Kalifi, i cili nga Egjypti i dërgonte Zogut një mesazh të shkruar arabisht
me ngjyrë të kuqe me anën e të cilit kërkonte që të falej, meqenëse i ati,
Ferid Pasha, i kishte bërë shumë shërbime (fq.67)
Gjatë seancave gjyqësore pati
edhe të papritura, që të bënin të qeshje. Kështu qe një shembull, kur kryetari
i trupit gjykues i gërthiste një
fshatari se ku i kishte fshehur dylbitë
e gjeneral Gjilardit, kur
prokurori akuzonte për këtë një person tjetër.
Populli, kur pa me sytë e tij seancat gjyqësore, që po bëheshin në qytetin e Fierit, u llahtaris,
sepse gjykimi u zhvillua nën një regjim terrori. Dajaku ishte mjeti kryesor, që
përdorej nga “hetuesit” e burgjeve,
të cilët praktikonin tortura nga më
mizoret .Kushtet ishin mizerabël. Mjafton të kujtojmë faktin se dhomat dhe lokalet,
ku ishin vendosur të arrestuarit, qenë edhe burgje edhe
vende torturash.
Pra, nga gjithësa parashtrohet
lidhur me kushtet se si zhvilloheshin skenat
hetimore, seancat gjyqësore, pushkatimet
dhe dënimet e rënda që dha gjyqi politik
i Fierit e prishnin përfytyrimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Me gjithë përpjekjet dhe marifetet e nëpunësve të regjimit,
për ta mbajtur të fshehur barbarinë e trupit gjykues dhe të xhandarëve xhahil,
egërsia e gjyqit u duk nëpër faqet e shumë gazetave
të njohura të shtypit jashtë vendit, nga të cilat duhen përmendur:
Times, Daily Telegraph, Le Petit Parisien, Le Figaro, Journal de Geneve,
Pravda, Kathimerini, Vreme, e tj, që shkruan artikuj, që mbajtën qëndrim kritik rreth shtypjes me dhunë të asaj që u
quajt “Drama juridike e Fierit”[9].
(Pasqyrën e jehonës së shtypit të huaj për këtë ngjarje historike e gjejmë edhe më të plotë nga Prof. Belegu në veprën e tij “Kryengritja
antizogiste e Fierit”.)
Jehona e Kryengritjes së
Fierit do të ndihej në rast përvjetorësh
nga një dekadë në tjetrën, sidomos më në zonën e qytetit dhe të qarkut të
Fierit . Kështu, me rastin e 85 vjetorit
të kësaj ngjarje historiani Ilirian Gjika do ta përkujtonte atë si një “akt
të guximshëm historik “ në gazetën “Orakujt
e Tomorrit”, duke shkruar, ai kujton: “Kryengritja e Fierit ishte shprehja
më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend kundër mbretit Zog. Kjo lëvizje tronditi
seriozisht regjimin” gjë që u pa në zhvillimin e seancave të gjyqit politik të Fierit, po që u duk dhe në shkrimet e disa gazetave të ndryshme, madje
edhe nga faqet e gazetës proqeveritare si Besa e të tjera” .
Gjithësesi atëherë, presioni i brendshëm dhe ai
ndërkombëtar e detyroi mbretin Zog, që vetëm dy muaj më pas, pikërisht për përvjetorin e
pavarësisë, më 28 Nëntor 1935, të shpallte
një amnisti, e cila i falte një pjesë të dënuarve .Më pas ajo do të pasohej në
31 dhjetor nga një amnisti tjetër, ku një pjesë tjetër e të dënuare u
liruan.
Gjatë gjyqeve, që u zhvilluan
në Fier, të pandehurit u mbrojtën dhe nga një numër i madh avokatësh të mbledhur
nga Vlora, Berati e Tirana. Disa nga
këta, që përfaqësonin pasanikë, fituan plot para. Disa prej tyre u treguan edhe
të poshtër; përfitonin nga sekretet, që nxirrni
prej të pandehurve dhe këto ia
raportonin qeverisë. Si shembull për këtë lloj avokati po japim Sezai
Qemalin, i cili për të mbrojtur klientët
e tij, deklaroi se duhen dënuar të rinjtë ekstremistë dhe duhen liruar Nuredin
Bej Vlora, Qemal Bej Vrioni dhe Seit Bej
Vrioni, të cilët janë të pasur dhe ndihmojnë shtetin. Ata nuk mund të jenë
fajtorë si ekstremistet”. Po karakteri i avokat Sezaiut si shërbëtor hipokrit i
regjimit bëhet dhe më konkret, po të lexojmë një letër të tij drejtuar mbretit
.Siç dihet, Zogu më 7 prill 1939, iku dhe e la Shqipërinë dhe pallatin. Ata që e
pushtuan pallatin më vonë, kur u futën në arkivin e tij, gjetën një raport, që Shezai
Qemali i dërgonte mbretit mbi organizimin e “Lëvizjes së Fierit”, sipas informacioneve
që kishte mbledhur ai vetë dhe disa avokatë të tjerë nga klientët e pandehur.
Ky raport u shumëfishua dhe u shpërnda nga njerëzit, që e gjetën në arkiv. (f. 68-69)
.
Ndryshim në Qeveri
Kryengritja e Fierit ishte
shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend kundër Zogut. Megjithëse
dështoi, ajo qe një grusht i rëndë për regjimin monarkist. Nga kjo lëvizje u bë
e qartë se mbështetja e këtij regjimi
brenda vendit ishte e dobët, dhe, se me një organizim më të mirë, kryengritësit mund ta kishin rrëzuar atë .Nga
mënyra si u zhvilluan ngjarjet pakënaqësia e popullit u shtua dhe më shumë. Për
të shmangur revoltën dhe trazirat e mundshme, mbreti manovroi me ndryshimin e
qeverisë. Në ato rrethana ai e pa të arsyeshme të shkarkonte qeverinë
konservatore të kryeministrit Pandeli Evangjeli dhe ta zëvendësonte atë me një qeveri të re liberale e të moderuar
të Mehdi Frashërit .Kjo qeveri përbej prej anëtarësh, qe nuk kishin pikëpamje
politike të përbashkëta, përveç besnikërisë ndaj fronit adamantin të Sovranit
August . (flet. f.71)
Me anën e qeverisë së re Zogu
synonte të arrinte dy qëllime: Të zbuste deridiku zemërimin e popullit kundër tij dhe nga ana tjetër, të vazhdonte traktativat
me Italinë për të marrë hua, që të mund
të përmirësonte gjendjen . Gjithsesi me liberalizmin që nisi të duket me
qeverinë e re, në jetën e përditshme u
vu re gjallërimi i mendimit demokratik. U ngrit niveli i shtypit dhe dolën një brez autorësh të talentuar e
përparimtarë, të cilët përshkruanin me
gjyra të vërteta varfërinë, korrupsionin e administratës dhe egërsinë e
regjimit antipopullor. Atëherë midis shkrimeve pa ndonjë vlerë sociale, artikuj ose shkrime të botuara
nga njerëz me aberracione ideologjike e politike, si ato që botoheshin në
gazetën proqeveritare “Besa”, por midis tyre gjeje dhe materiale
përparimtare. Atë kohë shkrime të tilla realiste dilnin sidomos në organe
të tilla shtypi si “Arbëria”, “Illyria”, “Përpjekja Shqiptare”,
revista “Bota e re” e Korçës si dhe
revista jetëshkurtër “A.B.C. e Tiranës, që u drejtua prej Petro Markos dhe Asim
Vokshit.
Nga emrat e autorëve më të
njohur, që botonin nëpër këto gazeta
dhe revista, ishin autorë të tillë si Branko Merxhani, Vangjel Koça, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Petro Marko, Asim Vokshi e të tjerë, po kishte
edhe autorë që preferonin të
përdornin pseudonime si Chri-Chri, Kapa, Harbuti, Demo Koti, Migjeni .
Pse dështoi Kryengritja
e Fierit
Historia na tregon se një
kryengritje popullore për të arritur qëllimin e caktuar duhet të ketë ide të
qartë rreth së cilës të mblidhen elementë nga shtresa të ndryshme pa lëkundje.
Kështu që duheshin sqaruar njerëzit për
idenë antizogiste, për të rrëzuar monarkinë. Duheshin bindur njerëzit dhe t’u
sqaroheshin veprimet e mundshme për aksione antizogiste. E para ishte
pakënaqësia popullore brenda vendit. E
dyta, konjuktura ndërkombëtare qene favor të kryengritjes: Italia qe e
angazhuar me pushtimin e Abisinisë, prandaj i kishte duart të zëna dhe nuk mund
të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri. Kështu që ishte një situatë në favor të
antizogistëve. Arsyet e dështimit janë të qarta. Së pari mungonte ideali i përbashkët
.Së dyti, në lëvizje morën pjesë grupe
me interesa të ndryshme, që jo vetëm nuk përkonin, po në shumë raste, binin në kundërshtime njeri tjetrin. Kështu
mund të flitet për diferencat e mëdha midis komunistëve, që përfaqësonin proletariatin
dhe atij grupit të bejlerëve,
që luftonin kundër reformës agrare; ose bajraktarëve, që donin të
ruanin sistemin feudal dhe fshatarëve, që kërkonin të shpëtonin nga ai sistem.
Si pasojë, elementët jo përparimtarë, jo
vetëm nuk morën pjesë në kryengritje, po krijuan intriga dhe e sabotuan atë.
Edhe brenda grupit të “nacionalistëve demokratë” ka pasur shumë
politikanë karrieristë, aventurierë e pseudo-demokratë, të cilët morën pjesë në këtë organizatë kaq
të gjërë, pra ishin pjesëmarrës jo si qytetarë të pastër, po sepse mendonin
të zinin kolltuqe, të drejtonin shtetin pa ndryshuar sistemin qeveritar, që
kishte organizuar Zogu. Të tillë ishin ideatorët, që përpiqeshin gjoja të prinin
masën e popullit kryengritës si Bektash Cakrani, Neki Starova, Kostë Çekrezi,
Musa Kranja, Afëz Ali Tarja e të tjerë. Këta “drejtues” të lëvizjes formonin
atë grupim të bejlerëve, edhe të ca të kamurve, që nuk kishin ndryshim të madh parimor me grupin e bejlerëve të nivelit më superior si Shevqet
Vërlacin, Qemal Vrionin, Nuredin Vlorën,
Seit Vrionin e Muhamet Këlcyrën. Këta të fundit i përkisnin asaj radhe të bejlerëve ”kryengritës”, që ishin vetëm armiq
personal të mbretit. Disa nga këta mezi prisnin që të “kriste” e të shikonin se
si do të shkonte puna dhe pastaj të hynin në valle, për të marrë përfitime. Me një
fjalë këta persona nuk arritën të ishin as kryengritës dhe aq më tepër të quheshin
pastaj edhe drejtuesit e Kryengritjes.
Një arsye tjetër, që pengonte
frymën e aksionit dhe të revoltës, qe ideja
iluzive se me fillimin e kryengritjes, me revoltat popullore dhe me atentatet e para, regjimi zogist do të
binte vetiu pa përdorur ndërhyrjen me forcë, që ishte ide pacifiste, e cila të
shpinte në disfatë .
Kryengritjen e Fierit nuk
e bënë këta elementë inaktivë dhe konfuzë, po e bënë fshatarët e
krahinave të Beratit, Fierit, Lushnjes, Mallakastrës dhe Skraparit të udhëhequr nga Riza Cerova, Mustafa Kaçaçi, Hekuran Maneku e
të tjerë. Katundarët u paraqitën të gatshëm që të sakrifikonin edhe jetën. Rreth tyre do të bashkoheshin edhe
shume varfanjakë të viseve të tjera .Po kjo do të ndodhte vërtetë sikur të kishte qene një udhëheqje e fortë,
që t’ua bënte të qartë pse duhej të luftonin. Pikërisht kjo mungoi.
“Udhëheqja e Organizatës së
fshehtë” nuk ishte monolite. Kishte plot mosmarrëveshje midis drejtuesve të saj
.
Krerët e Lëvizjes, që përmendëm
më lartë, dhe që hiqeshin si ideatorë, e konsideronin veten mbi
udhëheqjen kolegjiale, prandaj as qe i zbatonin urdhrat e saj. I vetmi grup, që mund ta ndryshonte gjendjen,
të krijonte dinamikën dhe të drejtonte masat, do të ishte ai i komunistëve; po edhe në gjirin e këtij grupi, në atë kohë,
kishte të meta. Ata prireshin nga metoda e puçeve. Ideonin atentate, pa pasur një
plan për zbatimin e tyre, pa pasur një organizim më të studiuar me kryengritjen
masive të pjesëmarrësve të “Organizatës
së fshehtë”. Kështu, dy nga krerët
kryesor të këtyre grupeve, Hasan Reçi, dhe Mustafa Gjinishi nuk qenë njerëz të vendosur dhe bënë
gabime të rënda në komunikimin me njerëzit. (fl. 76)
Për këto arsye dhe të tjera
Kryengritja e Fierit dështoi. Përpjekjet, torturat dhe vuajtjet e qindra njerëzve të thjeshtë, që morën pjesë në
këtë Lëvizje dhe, që u dergjën dhe nëpër burgje, nuk dhanë rezultat.
Gjaku i 12 dëshmorëve nuk u
kujtua për disa kohë.
Pas
Kryengritjes së Fierit
Megjithëse dështoi,
kryengritja e Fierit qe një grusht i rëndë për regjimin zogist. Ajo e bëri të qartë se mbështetja e këtij regjimi
brenda vendit ishte shumë e dobët, dhe, se me një organizim paksa më të mirë
kryengritësit mund ta rrëzonin atë. Për të shpëtuar hë për hë nga kjo situatë,
regjimi përpunoi një taktikë të re
qeverisjeje. Para së gjithash duhej që me çdo kusht të paqësohej populli.
Pakënaqësia e shtresave të ndryshme, që arritën gjer sa të ngrenë krye,
duhej kanalizuar në mënyrë që Zogu
personalisht të konsiderohej i pafajshëm për të gjitha të këqijat, që kishte pësuar vendi. Duhej që
fajet e së kaluarës t’i ngarkoheshin dikujt tjetër dhe, prandaj nga pallati
mbretëror u përhap parulla se shtypja dhe
shpërdorimet ishin bërë prej
qeverisë, që kishin vepruar, gjoja, në
kundërshtim me vullnetin e sovranit (fl.70).
Për të zbatuar këtë vijë të re
në politikën e brendëshme, në tetor
1935, mbreti rrëzoi qeverinë e Pandeli Evagjelit dhe në vendin të saj erdhi
qeveria “liberale ose e të rijve” e kryesuar nga Mehdi Frashëri.
Me anën e qeverisë së re Zogu
synonte të arrinte dy qëllime: të zbuste deridiku zemërimin popullit kundër tij
dhe, nga ana tjetër, të vazhdonte traktativat me Italinë, për të marrë një hua
të re, e cila do të qetësonte ashtu gjendjen katastrofike të financave. Pasi të
siguronte mbështetjen e jashtme, do ta ndjente veten më të sigurt, dhe kur të
vinte koha të merrte masa shtypëse pa pasur frikë se mos rrëzohej nga populli.
Qeveria e re e Mehdi
Beut u quajt liberale, se në fillim ajo, e shtyjtur nga interesat e çastit të regjimit, e dha një
frymë të tillë ca tolerante. Të ndihmuar nga
ky liberalizëm fillestar, intelektualë
përparimtarë patën disa mundësi, që nuk
mund t’i siguronin në qeverinë e mëparshme.
Grupet komuniste në këtë kohë u zgjeruan me anëtarë të rinj. U shtuan shkrimet
që pasqyronin mjerimin dhe ngjyrat e vërteta të varfërisë. Po pikërisht atëherë
Zogu u bë më vigjilent për situatën dhe me njerëzit e tij nisi intrigat kundër
Mehdi Beut me shokë. Pasi e diskreditoi atë, e detyrojë që të jepte dorëheqjen.
Më gjithë humbjen, nuk mund të
thuhet se ndikimi i Kryengritjes së Fierit, qe aq i kufizuar. Zjarri që u ndez
nga kjo Kryengritje nuk u shua as pas
ardhjes së Koço Kotës e Musa Jukës me
shokë. Ky zjarr, që u mbajt i ndezur nga elementët përparimtarë, ndikoi edhe në
organizimin e demonstratave popullore
para ardhjes së Italisë si dhe në krijimin e grupeve të para
antifashiste në Shqipëri.
Është e vërtetë se ngatërresat
politike dhe paqartësitë e Kryengritjes së Fierit çoroditën mendjet e
shumë njerëzve, që morën pjesë në atë lëvizje. Kështu krerët e bejlerëve dhe
shumë pjesëtarë të fraksionit nacionalist u bashkuan me organizata reaksionare
gjate luftës kundër pushtuesve; kurse
shumë pjesëtarë të shtresave të ulta, fshatarë e punëtorë, që kishin
marrë pjesë ne në organizatat e Kryengritjes së Fierit, u bashkuan me Lëvizjen
Nacional Çlirimtarë, disa nga ata dhanë edhe jetën, duke luftuar për kundër okupatorëve fashistë italiane dhe
nazistëve gjermanë. Të tillë janë dëshmorët
Mustasfa Kaçaçi, Asim Mero, Mustafa Gjinishi, Jashar Cakrani, Lato Zeqo.
PASTHËNIE
Në përmbyllje të këtyre
meditimeve themi se duke lexuar këto
kujtime në dorëshkrim të Dr. J. Milajt
për Kryengritjen e Fierit të 1935,
kuptojmë se kemi të bëjmë me një
intelektual të dorës së parë. Në
gjykimet e tij ai del si një përfaqësues i sistemit politik republikan, antimonarkist, i frymëzuar nga ide demokratike. Konceptet e
reja përparimtare ai duhet t’i ketë
fituar që në rininë e tij, në Shkodër, ku kish vajtur për të studiuar në gjimnazin e parë të atij
qyteti, tek kish drejtor personalitetin e shquar Mirash Ivanain, të
cilin e admironte si patriot të flakët
për mendimet e tij liridashëse . Ndër
kohë në rininë e vetë të pare, Ai kish përjetuar edhe ngjarjet
e revolucionit të qershorit të
vitit 1924, të prirur nga idetë fanoliste, që lanë gjurmë sociale në qytetin e
Fierit. Mjafton të kujtojmë për këtë anë konfliktin midis bejlerëve nga njëra
anë dhe tregtarëve, tok me artizanët,
nga ana tjetër, që kish si qëllim zhvendosjen e tregut, nga qendra e sarajeve të bejlerëve të Fierit, për ta çuar tregun në fshatin
Bishanakë, në lindje të qytetit.
Ky akt i guximshëm bëri
diferencimin midis dy shtresave të
qytetit. Tregtarët arritën ta
mbanin tregun atëherë të veçuar për rreth
gjashtë muaj, deri nga fundi i dhjetorit
të vitit 1924, pra kur ra qeveria demokratike e Fan Nolit. Në këtë lëvizje
me rëndësi sociale u dallua në veçanti revolucionari Naun Prifti (Doko)
nga zona e Libofshës, i cili ishte kushuri i afërt me Jakov Milajn. Shembulli i
tij me siguri do të ketë ndikuar në formimin
e të kushëririt me ide dhe prirje
guximtare.
Shënojmë gjithashtu se në rininë e Jakov Milajt në Fier edhe në zonën për rreth tij po
dukeshin shenjat e një zgjimi ekonomik
dhe kulturor. Qe shtuar rrethi i njerëzve
të shkolluar, të cilit kishin ardhur herë
pas here prej Janine nga gjimnazi
Zosimea . Ata sillnin me vete dhe ide
progresive, që i mësonin atje nga
pedagogë me kulturë europiane; natyrisht me mundësitë, që u
lejonte koha. Këta intelektualë, përmes vështirësive që krijonte regjimi i
atyre viteve, do të ishin xixëllonjat
fillestare, që në fshehtësi do të hapnin shkollat e para në Myzeqe. Disa prej
atyre do të bëheshim therorë të diturisë për t’u mësuar fëmijëve shkrim e
këndim si Kozma Shanku, Papa Spiro
Saqellari, Kovi Saqellari, At Isaia, Thanas Ikonomi . Vazhdën e këtyre
martirëve do ta ndiqnin edhe mësues të tjerë të dale prej Zosimeas, ose prej Normales se Elbasanit apo ndonjë shkolle tjetër, të cilet, edhe ata do të ishin patriotë të pasionuar si Trush Kola, Fani Puka, Xoxi
Dhima, Thoma Mici, Kiço Konomi, Izet Vasjari e të tjerë . Krahas tyre do te dukeshin mësueset e para fierake
si Polikseni Gjerazi, Ariste Pogaçe, Goni
Shallvari.
Në dekadën e dytë dhe të tretë të shekullit XX në Fier do të dilnin dhe
intelektualë të lartë të shkolluar jashtë vendit si Dr. Musa Delvina, Dr.
Kostandin Kallogjeri, që pat kryer studimet në Universitetin e
Bukureshtit, juristi Spiro Papa, i cili, pasi kish mbaruar për avokati në Rumani
shkoi pastaj për kualifikim dhe më të
specializuar në universitetin e Berklit në Amerikë; po ashtu Sotir Bitri do të
vinte nga Italia si farmacist. Atëherë midis radhës së intelektualëve të rinj
të qytetit të Fierit, natyrshëm filloi
të dukej edhe figura e studentit të universitetit të Torinos, Jakov Milaj,
i cili kish nisur qysh nga fillimi
i viteve’30 të botonte artikuj në
organet e shtypit të kohës, po kryesisht
në revistën “Përpjekja shqiptare” .
Po
ndërkaq theksojmë se pikërisht në vitet e formimit intelektual të Jakov Milajt,
në qytetin e Fierit dhe përqark tij, siç po rritej numri i njerëzve me shkollë, nisi dukej edhe një “bum” i ri ekonomik, me prirje kapitaliste alla perëndimore.
Kjo ngritje ekonomike i dedikohej në radhë të parë emigrantëve, kurbetllinjve,
që ktheheshin nga Amerika, nga Bostoni, apo
Filadelfia ose qyteteve të tjera. Pra si të thuash kish filluar një erë
e re politike dhe një praktikë “evropi” dhe si alla amerikane. Mori hov
tregtia dhe u shtuan artizanatet. Me të ardhurat e tyre kurbetlinjtë e kthyer
nga Amerika po i shtonin hijeshin
Fierit, duke i dhënë atij një pamje urbane të zhvilluar, me rrugë të
drejta e me godina e dyqane të reja, që
shpesh ngriheshin dykatëshe, nga të cilat binin më në sy për konstruktimin dhe
stilin e tyre, siç ishin shtëpitë e
zotërinjve tregtarë të shquar si ishin
ato të Maj Nitos, Gaq Papës, Vangjel Lules, Vasil Nases, Taq Bozos, Ndin Zotos,
Liç Xeges, Tod Shollapi, Nas Shtëmbari, Arqile e Stavri Poros, Nane Panajoti,
Tonçi Bufi, Peç Papuçiu, Peç Verria, Margarit Verria. Bush Nati e të tjerë.
Ndër kohë edhe në fshatrat për
rreth Fierit po dukeshin shenja të ekonomisë kapitaliste, që ishin ndryshe nga
praktika e traditës feudale e bejlerëve, që mbeshtetej me të tretën e prodhimit të tokës. Le te kujtojmë me këtë
rast fermën bujqësore alla amerikane në Shën-Pjetër, ku tre tregtarë,
ish kurbetlinj nga Amerika, deshën të praktikonin një lloj të re të ekonomisë
bujqësore, pra, ashtu si fermerët në Amerikë, me përfitim të dyanshëm midis
zotërve të fermës dhe punonjësve . Pavarësisht
mossuksesit, kjo iniciativë vlen të përmendet si përpjekje për ta çuar
mënyrën kapitaliste të punës edhe në fshat. Në qendër të asaj ferme
me hapësira të mëdha fushore qe ngritur
një shtëpi dykatëshe. Atje do të vendoseshin të parët e fisit tim të
Micallarëve, të cilët ishin dëbuar prej trojeve të tyre në
Grizë Godolesh, në vitn 1925, sepse kishin dhënë shenja revolte; kështu
baxhanë ata donin ta kthenin në oxhak,
gjë që atëherë nuk lejohej. Nëntë dhjetë
vjet më parë, unë do të isha i pari fëmijë, që u linda në atë godine, që qe
ndryshe nga gjithë shtëpitë e tjera në fshatra dhe në qytet. Si më kujtohet,
ajo qe e ndërtuar me shtylla deri tetë metra të larta. Ato kishin trashësi në
formën e një paralelepipedi me faqe shumë të
lëmuara dhe me një barazi dimensionesh të saktë, rreth 35 cm. gjerësi
.Po ashtu ishin edhe dërrasat. Të gjitha të faqosura si xham, po dërrasa, ama,
shumë të trasha .As brenda në Fier nuk
shikoje një tip të atillë ndërtese .Në fëmijërinë time, i mbetur jetim
pa baba, mbaj mend që pyeta një herë Nënën se pse dallonte ndryshe shtëpia jonë
nga të tjerat. Dhe ime më, gjysmë analfabete, m’u përgjigj “se kjo shtëpi,
siç e kam dëgjuar, është bërë me lëndë deti” .Me këto fjalë ajo nënkuptonte se shtëpia
qe e ndërtuar me lëndë druri të
parafabrikuara në Amerikë prej nga i kishin sjellë deri këtu me det. E tregova
edhe këtë fakt të thjeshtë si për të konkretizuar idenë se era e politikës
amerikane kish filluar të vinte deri në Fier, madje, dhe në fshatrat përqark, ku disa kurbetlinj të kthyer nga Amerika si Pilo
Samarxhiu në Pojan, Çaç Mici nga Grizë Gaodoleshi, Bush Moçi në Radostinë flisnin duke treguar një realitet
tjetër.
Me përpjekjet dhe sakrificat e tregtarëve, Fieri u bë shpejt
një qytet interesant, sa filluan ta lakmonin edhe biznesmenë nga qytete të
tjera; kështu do të nguliteshin në
Fier persona me rëndësi si Xhemil Muçoja
nga Taragjasi i Vlorës, Nebi Gjata do të vinte nga Kruja dhe do të ndërtonte
fabrikë mielli, Shyqeri Çuçi dhe Idris Byloja do të vinin nga Gjirokastra
dhe do të bënin atëherë tregtinë e bulmetit.
Ja kështu qe realiteti i
Fierit, kur po formohej Jakov Milaj si intelektual në tre dekadat e para të
shekullit të kaluar, kur ai do të ndërpriste studimet universitare në Torino, dhe do t’i bashkohej
lëvizjes kryengritëse, që po përgatiste “Organizata e fshehtë”, e cila qendrën kryesore do ta kishte në qytetin e Fierit. Jakovi u rrit
midis kësaj atmosfere sociale, duke mësuar dhe duke u ndikuar nga ai realitet.
Jo më kot disa nga personat e përmendur në fletoren e kujtimeve të tij do të
jenë edhe bashkëvuajtës në hetuesi dhe në dhomat e burgimit zogist, siç
përmenden bashkëqytetarët Spiro Papa, Dr.Kostandin Kallogjeri, Ramis
Omari, Jashar Cakrani, Sotir Bitri e të tjerë. Pra në personalitetin e Jakov
Milajt qenë shkrirë në një kultura e studimeve dhe jeta me vuajtje e bashkëqytetarëve të tij fierakë e myzeqarë.
Ai u ishte përkushtuar përpjekjeve, që binin aktivistët kundër regjimit zogist.
Por edhe pse me bindje pozitive pro
lëvizjes kryengritëse, ai nuk ishte
idealizues i saj, por një analizues objektiv i ngjarjeve të atyre
ditëve . Në dorëshkrimet e fletores së tij, siç e kemi dëshmuar në këtë meditim, Milja ka dhe vërejtje lidhur
me lëvizjen .Kështu, në mes të kryengritësve, ai shikon më shumë një turmë njerëzish
të revoltuar, se sa një masë protestuesish të organizuar kundër qeverisë.
Këta të revoltuar nuk kishin ndonjë
program të përbashkët politik, për ta mjaftonte të rrëzohej Zogu dhe të
zëvendësohej fjala vjen, si
komentohej atëherë, me Nuredin bej
Vlorën, ose Fuat bej Dibrën… Por ai
ndryshim i mundshëm, edhe po të ndodhte, nuk do të sillte ndonjë përmirësim në
jetën e popullit të shumë vuajtur .
Vrejtje
kritike bën në fletore Jakov Milaj edhe
për një pjesë të bejlerëve, që duke qenë
në kryesinë e organizatës, synonin, që po të rrëzonin Ahmet Zogun nga froni, të përforconin
pozitat për të ruajtur çifliqet e tyre
të paprekura. Ndër kaq, Milaj gjen rast të qortojë edhe përfaqësuesit, e ardhur nga grupe ose celula komuniste, që merrnin pjesë
dhe vepronin me Kryengritjen e Fierit, të cilët ishin aktivë në lëvizje, po që taktikën e tyre për fitore
e lidhnin kryesisht me atentate;
praktikë e dështuar kjo, që nuk u kishte
dhënë rezultate.
Duke shkruar për të
Kryengritjen e Fierit, Jakov Milajt, si
një analist, i bie në sy edhe një
veçanti e kësaj lëvizje: pjesëmarrja vullnetare e njerëzve të thjeshtë .Edhe
pse pa kulturë politike, ata i kishte zgjuar era e re e lirisë qytetare dhe,
ashtu, me vetdijë, i qenë bashkuar Kryengritjes. Madje njeri nga ata qe caktuar në patrullat, që ruanin rendin gjatë ditëve që trazuan vendin.
Dhe ky person, që, veçanrisht, i pat
tërhequr vëmendjen Dr. Jakov Milajt
rreth kësaj te lëvizjes qytetare,
qe Halim Duçja, një cigan tipik nga mjedisi i arixhinjve të Baltzës afër Fierit; ky shembull flet për
përhapjen masive të shpirtit kryengrites deri te shtresa të lëna jashtë vëmendjes sociale të asaj kohe.
Kështu me këtë pohim domethënës po e përmbyll fjalën time rreth fletores në
dorëshkrim për Kryengritjen e Fierit të Dr. Jakov Milajt, duke dashur që në kuadrin e
90-vjetorit të saj, ta përkujtojmë atë
ngjarje historike në optikën e një pjesëmarrësi, i cili qe edhe vetë i
dënuar nga gjyqi i regjimit monarkist.
Boston
Shtator - 2025
[1] Po atje
[2] Eqrem Bej Vlora, “Kujtime”, V. II, F. 260
[3] Taksa e banesës.
[4] Taksa që paguhej për bagëtinë.
[5] Damokleu figure mithologjike në Sirakuzë mbi kokën e të cilit qendronte një shpate që varej nga një pe në tavan
[6] Me këtë tog fjalësh nënkuptohet kthimi i A. Zogut në pushtet në fund të dhjetorit 1924.
[7]- Poezi e F. Nolit në “Album-in” e tij.
[8] Kryengritja e Dukagjinit ka ndodhur në vitit 1926 dhe ka ka qenë antizogiste
[9] Shprehje metaforike nga
vepra e Tajar Zavalanit “Histori e Shqipnis”









