E marte, 28.10.2025, 06:09 PM (GMT)

Kulturë

Jusuf Buxhovi: Zakoniku i Dushanit – gurthemel i mashtrimeve të historiografisë serbe!

E hene, 27.10.2025, 05:54 PM


“ZAKONIKU” I DUSHANIT – GURTHEMEL I MASHTRIMEVE TË HISTORIOGRAFISË SERBE!

Kanuni i Stefan Dushanit, perandor serb 1349-1354

Nga Jusuf Buxhovi

Hagjiografia (literaturë kishtare), paraqet fundamentin e  historiografisë serbe, mbi të cilin mbështeten dy nga mashtrimet më të mëdha të saj: shtetin mesjetar serb, gjoja nga mesjeta, i lidhur me dinastinë rasiane dhe Nemanjajt si dhe  autoqefalinë e kishës ortodokse serbe nga shekulli XIII, kur dihet po ashtu se ka qenë vetëm një autonomi e përkohshme nga peshkopata e Ohrit (1204-1257),ndërsa autoqefalinë Kisha Ortodokse serbe do ta fitojë tetë shekuj më vonë, në vitin 1922!

Në kuadër të këtyre botimeve, të rishkruara dhe të plotësuara në shekujt XVIII-XIX bien në sy: “Sveti Sava - Sabrana Dela” të botuara nga T. Jovanoviq, Beograd 1998, “Stevan Prvoven?ani – Sabrana dela”, nga Georgievski-Jovanovi?, pastaj “Živopis Svetog Save” nga Teodosije Hilan-darski si dhe vepra e Konstantin Filozofit “Povest slovina – Žitije despota Srefana Lararevi?a“, Beograd 1989, me ç’rast, jo vetëm nga historiani i njohur I. Ruvarac dhe të tjerë, pranohet që ato janë të sajuara në Odesë në shekullin XVIII sipas disa rrëfimeve të priftërinjve të atjeshëm!

Ngjashëm ndodh edhe me veprën “emblematike” të S. Novakoviqi “Zakonik Stefana Dušana, cara srpskog 1349-1354” - (Kanuni i Stefan Dushanit, perandorit serb 1349-1354), Beograd 1870, në parathënien e së cilës, autori  pranon  se kanuni mesjetar nuk ekziston, por ai është arnuar nga rrëfimet në shekullin XIX në Prizren dhe rrethinë si dhe nga disa tekste nga kishat në Vllahi dhe Rusi (Petergurg), të cilat i ka ndërlidhë Shafariku në Vjenë më 1859.

Mënyra si është ngritur kjo vepër deri te shkalla e „testamentit“ shtetëror dhe juridik të „Perandorisë serbe“ së Stefan Dushanit në shërbim të krijimit të platformës ideologjike dhe politike të shtetit mesjetar serb për nevoja politike në shekullin XIX, që do t'i paraprijnë atij në hartën politike të Evropës të pranuar në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, përkthimi në disa gjuhë dhe shpërndarja nëpër qendrat kryesore evropiane, tregon më së miri për ndërlidhjen e shumë faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm në konstruktimin e tij me anën e sajimit të dokumenteve të shkapërderdhura pa kredibilitet shkencor. Kjo formë e arnimit të „dokumenteve“ të „strukur“ nëpër kisha dhe biblioteka „të harruara“ pasqyrohet më së miri në veprën e Novakoviqit. Autori, megjithatë, duke dëshiruar që të tregojë “për vjetërsinë” e kësaj vepre, që e ka të qartë se mungon, mbështetet mbi disa shtresime të sajimeve dhe përpunimeve të teksteve që kanë për qëllim „nxjerrjen në dritë“ të „dokumenteve autentike“ me anën e ndërtimit „të pjesëve të humbura“! Siç është thënë edhe më herët, bazë e kësaj pune kanë shërbyer punëtoritë e kishave të ndryshme, në radhë të parë atyre në Hilandar, dhe të tjerave në Rusi (Odesë) për t'i distribuuar dokumentet e përpunuara dhe të retushuara në Vjenë, te shkolla e njohur e sllavistëve, prej nga pastaj „dokumentet meritore“ janë trajtuar nga studiuesit e ndryshëm për t'u krijuar „dosjet“ si „Monumenta slavica“ e të tjera, me të cilat janë ushqyer historitë e serbëve, të bullgarëve, të rusëve me „dokumente autentike“. Autori i „Zakonikut“, në parathënie, zbulon teknologjinë dhe infrastrukturën e përpunimit dhe të falsifikimit të dokumenteve kur merret me „historikun“ e Zakonikut, që doemos lidhet me Vjenën dhe punën e studiuesve të atjeshëm, në radhë të  parë të atyre sllavë ose serbë.  Kështu, pikënisja e „Zakonikut“ fillon te J. Rajiq, më 1859 te botimi „Istorie slovenskoh narodie“, për t'u bartur pastaj te Mikloshiqi, i cili do ta paraqesë në gjuhën gjermane „Lex Stepani Dušani“, Vjenë 1856, prej nga pastaj do t'i bjerë në dorë P.J. Schafarikut, i cili do ta përfshijë në librin „Pomatky drevnioh pismenietvi Jihostovanie“, në Pragë, 1860. Schafariku, tekstin nuk e dha në mënyrë integrale, meqë ai nuk ekzistonte, por e parashtroi në 9 dorëshkrime të ndryshme me pretendimin se ato „janë pjesëza të zbuluara në manastire të ndryshme (Ravanicë, Rudnik, Kazan e të tjera) gjoja nga ato të viti 1350 e deri në vitin 1700, e ku vend të rëndësishëm zë teksti nga Petërburgu i N. Nadežnjev, që njihet nga manastiri Bistrica i Vllahisë. Këto tekste, as gjuhësisht e as përmbajtësisht, nuk formojnë tërësinë e një kanuni, gjë që e pranon edhe Shafariku. Por, Novakoviqi, në botimin e tij, copëzat e Shafarikut i ndërlidh me dy tekste „autentike“, nga shekulli XIX. Njëri nga Struga, i mbledhur nga një prift rus. Dhe tjetri nga Prizreni, po ashtu i mbledhur nga një prift i quajtur Sime. Tekstin nga Prizreni, gjoja nga shekulli XV,  në Beograd e dërgoi mësuesi nga Smedereva, Nikolla Maslin, prej nga ai i përpunuar në Vjenë, iu dorëzua Novakoviqit që ta nxjerrë në dritë. Natyrisht se Novakoviqi u përpoq që „kredibilitetin“ dokumentues të veprës ta pasqyrojë me tekstet e Schafarikut në sllavishten e vjetër kishtare me atë serbe. Në parathënie Novakoviqi shpjegon origjinën e teksteve dhe mbledhjen e tyre nga dora në dorë, që sipas tij, plotësojnë Kanunin dhe frymën e tij. Kështu, 165 fletët (listina), vijnë nga 16 mbledhës të ndryshëm, të cilëve nuk u dihen emrat, pos që thuhet se një pjesë e madhe e tyre janë rishkruar nga 6 klerikë dhe dy xhakonë në Prizren.

Meqë botimi i parë i vitit 1870, ishte me shumë shpërputhje dhe si i tillë nuk i plotësonte sa duhet kriteret themelore për t’u marrë seriozisht, Novakoviqi, pasi që të jetë emëruar kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe në viti 1886, paraqitet me versionin e dytë “të plotësuar” të “Kanunit” me disa copëza të “rizbuluara” të  versionit  të “Kanunit” të  Strugës nga shekulli XIV dhe të Prizrenit nga shekulli XV. Aty përfshihen 106 nene, të cilat nuk paraqesin  tjetër pos një bartje (kopjim) të drejtpërdrejt të akteve ligjore kishtare të Bizantit (Homokanon), të cilat, ishin në pjesë e të  drejtës romake-bizantine në përputhje me kodin e Justinianit, por që rregullonin çështjet pronësor në raportet e kishës me Perandorinë, ku ajo ishte pjesëmarrëse në administrimin e pronave kishtare dhe atyre vendore. Këtyre neneve nga kodi bizantin do t’i shtohen edhe pjesët tjera, ku amputohen raportet me ritet kishtare (me katolikët) e ku shfaqen edhe disa dekrete me të cilat përcaktohen sjelljet e kishave, e ku nuk mungojnë edhe regjistrat rreth pasqyrës demografike të popullatës ku, krahas popullatës shumicë “serbe”, si pakicë, shfaqen “katunët arbanase” (arbanaski katuni) dhe “katunët vllehe” (vlaski katuni).

Nuk është për t’u habitur skenari i “pasqyrës demografike” të popullatë së “Perandorisë së Dushanit”, ku asokohe nuk ka pasë përkatësi kombëtare pos kishtare: e ritit ortodoks ( me gjuhën e liturgjisë kishtare sllaviste e vjetër dhe greqishte) dhe   e ritit latin  (me gjuhën e liturgjisë kishtare latinishte)! Por, është për t’u habitur, që ky konstrukt antihistorik dhe antishkencor, i sajuar nga kisha ortodokse serbe dhe historiografia serbe e shekullit XIX për qëllime hegjemoniste, është pranuar “si e vërtetë shkencore” dhe thuajse u ka shërbye që të gjitha  disajnimeve  të raporteve gjoja kombëtare në shtetin e imagjinuar mesjetar serb, ku ka pasë edhe disa “katune arbanase” (katolike) dhe vllehe! Kështu, ky diktat i falsifikuar i të ashtuquajturit “shtet mesjetar serb”, në saje të  “verifikimit” nga historianët, linguistët, etnografët e shkollës së sllavistëve të njohur të Vjenës,  është pranuar te një pjesë e mirë e historiografisë botërore edhe nga historianë të vonshëm, siç është N. Malkomi dhe O.J. Shmitt. Madje,  N. Malkomi, në librin “Kosova – një histori e shkurtër”,  krahas pranimit të Stefan Dushanit “perandor serb” dhe të autoqefalisë së kishës ortodokse serbe nga mesjeta (shekulli XIII), pak a shumë, pranon edhe  tezën “e arnautashve” (serbëve të islamizuar në shekujt XVI dhe të shqiptarizuar në shekullin XVIII)!

Andaj,  institucioneve shkencore akademike  në Shqipëri dhe Kosovë, u bie barra që të ndërmarrin hapa të organizuar hulumtues-shkencorë për t’u lirua ngas diktati i falsifikimeve të historiografisë hegjemoniste serbe, veçmas kur ato edhe sot e gjithëditën trajtohen shfaqen si referenca të pashmangshme tek shumë historianë tanë, pa asnjë çasje kritike ndaj tyre. Ndonëse kjo, bazuar në qindra vepra të kësaj natyre të krijuar nga Akademia Serbe e Shkencave gjatë shekullit të fundit, nuk është punë e lehtë, megjithatë hartimi i një platforme të qartë të rishikimit të historisë në përputhje me të vërtetën shkencore, është e domosdoshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx