Mendime
Ndue Dedaj: Minatorët e Spaçit, aleatë mediat dhe qytetarët
E diele, 26.10.2025, 05:55 PM
MINATORËT E SPAÇIT, ALEATË MEDIAT DHE QYTETARËT
Nga
Ndue Dedaj
Minatorë
të Spaçit! Keni kaq ditë që protestoni, po bëhen javë. Protestuat pa ndërprerë
dhe mes shiut që s’kishte të ndalur. Kanë ardhë dhe ju kanë takuar përfaqësues
institucionesh lokale e qendrore, për të shprehur solidaritetin me ju dhe mirë
kanë bërë, ju kanë pritur dhe në tavolina qeverie kinse po ju dëgjojnë.
Ia
vlen te respektohet çdo kontribut, por lirisht mund të thuhet se keni pasur dhe
keni vetëm një aleat të përhershëm, që nuk bën llogari për vete kur vjen te ju,
që është masmedia: gazetat, televizionet, portalet, rrjetet sociale, që do të
thotë se përkrah jush janë qytetarët.
Kur
jo shohim ashtu të bashkuar na duket se keni njëzet e pesë vjet që jeni në
protestë, që kur kanë filluar konçesionet e dyshimta të bakrit, kromit e
pasurive të tjera të nëntokës, që nuk i sjellin asgjë komunitetit (nuk flasim
për “thërrimet”), vetëm e zhvasin. Prandaj protesat juaj nuk është e lehtë, por
“dhëmb për dhëmb” me paligjshmërinë e tranzicionit.
Ka
qëlluar që sipërmarrësit e minierës së Spaçit janë turq, po kjo nuk do të thotë
asgjë sa i përket çështjes tuaj; sipërmarrësit e minierës së Rubikut kur u bë
greva e gushtit të vitit 1938 ishin italianë. Kanë qenë më parë kanadezët në
minierat tona. Nuk ka kurrëfarë rëndësie kombësia e tyre, por mënyra se si ata
sillen me ju dhe plotësojnë kërkesat tuaja për pagën, kushtet e punës etj.
Protesta
juaj është një zgjim i demokracisë së “fjetur”, prandaj ka mbështetjen e
qytetarëve. Në këtë kuptim ajo është më shumë se protesta e Spaçit, që minierë
ishte dhe dje, por e kishte gjuhën e lidhur.










