Mendime
Florim Zeqa: Kush e shkretoi Kosovën e lirë dhe të pavarur?!
E diele, 26.10.2025, 05:56 PM
Kush e shkretoi Kosovën e lirë dhe të pavarur?!
Nga
Florim Zeqa
Armiku
ynë shekullor, edhe përkundër dhunës sistematike, vrasjeve dhe dëbimeve masive
ndër shekuj, asnjëherë nuk ia arriti t'ua venitë shpresat qytetarëve për jetë
në vendlindjen e tyre. Edhe atëherë kur nuk shihej dritë në fundin e tunelit,
shqiptarët e imagjinonin dritën përtej errësirës!
Dallimi mes vlerave dhe antivlerave
Nëse deri dje morali njerëzor ishte
vlera absolute e shoqërisë sonë, sot maskarallëku dhe poshtërimi njerëzor kanë
njollosur imazhin dhe mjegulluar të ardhmën e vendit tonë!
Deri
në 17 shkurtin e vitit 2008 shqiptarët e Kosovës i mbante gjallë shpresa, se
pas ditës së pavarësisë gjërat në vendin e tyre do ta marrin të mbarën!
Mirëpo,
për fatin e keq, pas kësaj dite, dalëngadalë, por pandalshëm dhe në vijimësi
filluan të veniten shpresat e qytetarëve shkaku i qeverisjeve të papërgjegjshme!
Edhe
përkundër ndërrimit të shpeshtë të qeverive, asgjë nuk ndërroj për të mirën e
qytetarëve!
Si
pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik dhe degradimit gradual të vlerave
njerëzore, shpresat u kthyen në iluzione!
Deri
tek ky zhgënjim i madh erdhi për shkak të kapjes së sistemit të drejtësisë nga
grupet e interesit dhe të fortët e politikës, të shndërruar në milionerë nga
vjedhja e buxhetit të shtetit dhe abuzimi i pushtetit!
Kështu,
shteti për dikë u bë nanë e për dikë njerkë!
Derisa
të fortët e politikës i shtonin milionat, familjarët e tyre gëzonin privilegje
nga shteti, kurse qytetarët nga dita në ditë varfëroheshin dhe bëheshin më të
pashpresë!
Kjo
situatë e humbjes së shpresave të qytetarëve e shkaktoj fenomenin e largimit
masiv të qytetarëve nga vendi.
Si
pasojë e largimit nga vendi, sot Kosova nga një vend i shpresës është kthyer në
vend të braktisur!
Në
dekadën e fundit kemi zvogëlim enorm të popullatës në zonat rurale dhe ato
urbane!
Kjo
i ka kthyer fshatrat në vende të shkreta, pa njerëz dhe pa toka të punuara!
Zërat
e fëmijëve janë zavendësuar me zëra t'qyqeve (shpendkeqëve) që ndjellin kob dhe
pasiguri për pleqtë dhe plakat e mbetura me duar në gji pa asnjë fëmijë pranë
vetes në moshën kur kanë nevojë për ndihmën e të afërmëve të tyre!
Shkaku
i largimit të familjeve nga vendi, kanë mbetur shtëpi të braktisura, kurse
tokat pjellore janë kthyer në ndjerrina!
Në
fshatrat tona nuk dëgjohet më blegërima e deleve dhe bagëtive, dhe as ulurima e
qenëve!
E
si pasojë e kësaj, kanë filluar të shfaqen kafshë të egra në vendbanimet tona!
Zvarranikët
janë në rritje e sipër! Prezenca e tyre është kudo dhe paraqet rrezik për
banorët dhe kalimtarët e rastit!
Të
mos flasim për shkollat, janë mbetur shkretë pa nxënës!
Në
mungesë të nxënësve janë mbyllur me dhjetra shkolla vetëm në një komunë, me
qindra në mbarë Kosovën!
Spitalet
publike dhe qendrat e mjekësisë familjare janë duke mbetur pa mjekë dhe
infermierë, të cilët, përveq largimit nga vendi, pjesa tjetër po kalojnë në
spitalet dhe ambulancat private!
Shërbimet
në to janë aq të kushtueshme, saqë për shumicën e të moshuarëve janë 'mollë e
ndaluar' shkaku i kostos së lartë të shërbimeve mjekësore!
Në
anën tjetër, 26 vjet pas përfundimit të luftës çlirimtare shteti ende nuk
arriti të sigurojë skemë të sigurimeve shëndetësore!
Kjo
ka shkaktuar ndjenjë pasigurie për të rinjët e mbetur në vendin e shkretuar nga
politika dhe politikanët lakmitarë, të cilët asnjëherë nuk menduan për
interesin e qytetarëve, por vetëm për mirëqenjen e tyre!
Pronarët e spitaleve private dhe
mjekët e ordinancave private më shumë gjasojnë në kanibal që duan të ushqehen
me gjakun e bashkombasve të tyre, sesa në mjek me betim të Hipokratit!









