E premte, 01.08.2025, 04:35 PM (GMT+1)

Mendime

Feti Zeneli: Kur sfidën më të vështirë ke, t’i thuash vetes: mjaft!

E enjte, 31.07.2025, 06:54 PM


KUR SFIDËN MË TË VËSHTIRË KE, T’I THUASH VETES: MJAFT!

• Ylli i Gjeneralit” në fisin Malaj të Kalivaçit, Tepelenë. Ëndërra e babait - lundërtar për të birin – “aviator”.

• Dy misionet paqeruajtëse të komandant Albert Malajt në Irak dhe Afganistan. Dy helikopterët amerikan që i shkuan në ndihmë, teksa i rrezikohej jeta në Mosul. Rrëfimet e ushtar Ndriçim Qefalisë nga Kërraba e Tiranës për Komanadin “dhe i vetëm trim në luftë”. Dekorimet e vlerësimet nga ish-Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld dhe komandanti i Forcave të Koalicionit në Irak, Luçiano Portolano. Rastet e dy afganëve, ku i pari vret instruktorin spanjoll që e trajnonte, kurse tjeri mjekun, po spanjoll, që e kuroi për 35 ditë dhe i shpëtoi jetën.

• Reforma administrative e vitit 2014. Vendimi i Albertit për t’i shërbyer vendlindjes si “i pavarur” nga partitë, me po atë devotshmëri që i kishte shërbyer dhe Atdheut, deri në këto çaste. Përplajset dhe simpatitë politike që krijoi në zgjedhjet vendore të 2015-ës. Arritjet në vazhdimësi si drejtues i disa burgjeve problematike në vend. Kandidimi i suksesshëm në zgjedhjet vendore të 2023, në një nga bashkitë më të varfëra të Shqipërisë. Si po i ndryshon fytyra Bashkisë Memaliaj me kryetar Albert Malaj, që e fillon ditën e punës në 6 të mëngjesit dhe e mbyll në 11 të natës? Ndasitë politike dhe bashkëpunimi institucional me Edi Ramën...

Nga Feti ZENELI

Këdo e kudo që të pyesësh në territorin administrativ të Bashkisë Memaliaj për kryetarin e kësaj njësie vendore, Albert Malaj, do të përgjigjet me vlerësimet më të larta për punën e tij, që përpiqet të jetë sa më i dobishëm ndaj komunitetit, në çdo gjë që bënë. Po të kemi parasysh ç’ndodh me shumë nga kolegët e vetë, të përkëdhelur nga fati politik e ai natyror, shembulli i Albertit të duket çudi, diçka e pabesueshme që mund të ngjasë në kohët e sotme. Nëse perifrazojmë një shprehje krahasuese të Anton Çehovit për rastin në fjalë, do të thoshim: “Më shpesh sheh elefant të bardhë…”, se sa drejtues të tillë; ndonëse ai nuk bën asgjë më tepër dhe asgjë as më pak, se thjeshtë detyrën e caktuar. Normalisht edhe qytetarët, nuk presin asgjë më shumë dhe asgjë më pak nga të zgjedhurit e tyre, se sa të bëjnë detyrën publike që u është ngarkuar; me ndershmëri, korrektësi e paanësi. Në një kuptim të përgjithshëm, të bësh siç duhet detyrën e marrë përsipër, kushdo qoftë ajo, ke bërë gjithçka, që për historianin italian të shekullit të 19-të, Çezare Kantu, “… vlen më shumë se heroizmi”. Nga ana tjetër, Alberti nuk punon për të rënë në sy, apo për t’u dukur, po për të qenë në paqe me ndërgjegjien e tij; për parime dhe dinjitet vetjak. Nuk di të shmanget para asgjëje që i del përpara. Përballet me problemet e vështira si të ishin të lehta, dhe anasjelltas. Detyrën e gjykon dhe e mat, së pari, me standardin e të drejtave të tij njerëzore, gjë e cila, më shumë se sa e evidenton si drejtues, e fisnikëron si njeri. Parë në këtë këndvështrim, duket sikur ndjenjën e detyrës e ka gjenetike; të lindur e të trashëguar. Por, përsëri nuk do të ishim bindës për të tjerët, nëse nuk ndalemi më hollësisht, si në zotësitë profesionale, ashtu dhe cilësitë e karakterit të tij. Normalisht kushdo prej të zgjedhurve, që kryen siç duhet detyrën e tij, përfiton automatikisht të drejtën të vlerësohet e nderohet në sytë e publikut, duke u bërë shembull e model për të tjerët.

“Ylli i Gjeneralit” në supet e Albert Malajt

Albert Malaj ka lindur më 20 janar 1981 në Kalivaç të Tepelenës. Babai i tij për shumë kohë ka shërbyer si lundërtar e më vonë si rojtar. Po kështu dhe e ëma i ka ka ardhur jo pak në ndihmë komunitetit kalivaçiotë, si edukatore fëmijësh në Çerdhen e fshatit. Për të mos u ndalur më gjatë rreth trashëgimisë së një virtyti të tillë nga brezat e mëparshëm të këtij fisi të njohur, mjafton të kujtojmë, se këtyre anëve, nuk gjen diçka tjetër më jetëgjatë, se sa vlerësimet dhe nderimet e të tjerëve për këta njerëz që “nuk ngopen së shërbyeri”, siç thoshte Leonardo da Vinçi. Dhe nuk ka vlerësim më të lartë për dikë, se sa fjala e mirë që del nga shpirtrat njerëzorë në nevojë, teksa u gjendesh atyre pranë, si “shërbëtor i rrethanave”. Në fund të fundit, lavdia mbetet i vetmi shpërblim i denjë për ta. Kështu që, përderisa cilësia fisnike e të shërbyerit e pasuron dukshëm edhe vetë shpirtmirësinë, nuk ka zgjedhje më lumturuese, se sa një “zanat” apo “profesion” i kësaj natyre. Normalisht çdo punë që bëjmë, apo detyrë që kryejmë, në një farë mënyre është shërbim ndaj jetës, por disave prej tyre, sikur u shkon më shumë për shtat një cilësim i tillë. Një prej këtyre rasteve është dhe detyra e ushtarakut, ku shërbente dhe xhaxhai i Albertit, Malo Malaj. Ndoshta dhe ky fakt ka ndikuar tek Abedini, që të mendonte për shkollimin ushtarak të djalit të tij, qysh kur ky i fundit ishte fare i vogël. Teksa shihte që i biri në atë moshë luante me balona letre dhe i thoshte të atit që, “do bëhem pilot”, s’i mbetej që tjetër veçse të shfrytëzonte çdo mundësi, që kjo aspiratë prindërore të bëhej realitet. Kësisoj, dëshira e Abedinit në zgjedhjen e profesionit të të birit ende pa mësuar “abc-në”, po shndërrohej në një profeci, si tek romani “Ylli i Gjeneralit” të El Morgan. Nga ana tjetër, një bindje të tillë, atij, ia përforconte dhe fakti i përzgjedhjes nga i biri të balonës prej letre, si një lodër e preferuar. Madje Platoni thotë: “Në vitet e para të shkollës, mësimi duhet të jetë një farë loje për fëmijtë, në mënyrë që të jetë më e lehtë të dallohen prirjet e tyre natyrore”.

Me këto ëndërra lumturuese u ul Albert Malaj në bankat e shkollës së fshatit Kalivaç, ku përfundoi me rezultate shumë të mira gjithë ciklin 8-vjeçar. Ndryshimet politike e gjetën në klasën e katër të fillores, gjë që do të thotë, se gjysmën e shkollimit bazë e përfundoi në vitet e Demokracisë, mes pështjellimit social-ekonomik të asaj kohe. Megjithatë shkolla qe institucioni që u prek e fundit nga një situatë e tillë, aq më tepër në fshat. Në këto kushte, Alberti vijoi dhe të mesmen në Krahës, një fshat fqinj që përfaqësonte qendrën e komunës në atë kohë, të cilën e përfundon me rezultate të larta. Mbaruan dhe provimet. Erdhi momenti për të konkretizuar ëndrrën e fëmijërisë dhe të atësisë, si me thënë; të bëhej pilot. Shkon të konsultohet me xhaxha Malon, të cilin e gjen së bashku me Gëzim Myrtaj, miku i familjes së tyre nga Mallakastra, edhe ky oficer me gradën “Major”. Pasi Alberti i njeh me degën në të cilën donte të vijonte studimet e larta, Gëzimi i thotë: “Shkolla e Aviacionit nuk ka perspektivë, për më tepër që ajo ndodhet në Vlorë. Ti e pe ç’ndodhi gjatë ’97-ës në atë qytet. Syno Tiranën, këtu po mblidhen të gjithë! Nga ana tjetër, avionët tanë po amortizohen, janë drejtë degradimit. Para pak ditësh u rrëzua një helikopter. Meqë, si ty ashtu dhe babait tënd, u është fiksuar ky lloj shkollimi, apliko për Akademinë Ushtarake “Skënderbej”. Këmbësoria është shpirti i ushtrisë, pjesa më e rëndësishme e saj”. Këshillat e mikut të tij ju dukën bindëse e dashamirëse njëkohësisht, ndaj vendos të konkuroj në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”. Në vjeshtën e vitit 1999 fillon studimet e larta dhe pas 3 vitesh diplomohet oficer. Megjithëse, nisur nga natyra e kësaj shkolle, që përballon pjesën më të madhe të shpenzimeve, sidomos ato për ushqim e veshje, përsëri Albertit i është dashur të punoj si kamerier në kohën e pushimeve, por dhe fundjavës, në mënyrë që të mos i bëhej barrë familjes së tij prej 8 anëtarësh (prindërit dhe gjashtë fëmijë; katër motra e dy vëllezër). Për shkak të rezultateve të arritura në procesin mësimor, përfshihet në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ku punoi rreth 14 vite, deri në 3-mujorin e parë të 2015-ës. Kreu detyra të ndryshme ushtarake, si; komandant toge e kompanie, shef sektori e seksioni, dhe kudo ku punoi, u shqua për rezultate të larta. Njëkohësisht trajnohet e kualifikohet brenda e jashtë vendit, ku ai veçon ato të kryera në Hollandë e Turqi. Me punë, studime, disiplinë, përkushtim e sakrifica arriti të merrte gati një vit para kohe gradën “Major”, ashtu si personazhi i Morganit, Çarli Bronsoni, që fitoi në të njëjtën mënyrë “One General Star”, duke bërë kështu realitet ëndrrën prindërore të fëmijërisë. E kompleton shkollimin teorik edhe me diplomën e juristit, kursin e avokatisë, etj.

Kësisoj, Alberti, brenda pak kohësh, përveçse një ushtrak i zoti, u bë dhe një ndër kuadrot ushtarakë më të aftë e më të kompletuar në vend nga pikëpamja e formimit arsimor. Konstrukti dhe bukuria fizike, krahas zotësisë profesionale, harmonizoheshin natyrshëm me bukurinë shpirtërore të tij, duke ja hijeshuar dukshëm fjalën dhe autoritetin e uniformës ushtarake. Gati-gati, aftësitë e tij po takoheshin me mundësitë. Kishte zbuluar tek vetja cilësi që nuk i njihte më parë. Krijoi bindjen, se ushtaraku është një epiqendër emocionesh dhe ndjenjash atdhetare. Mezi po priste të përballej me shembujt sfidues të së shkuarës, kudo që ata të shfaqeshin. Sepse donte t’i përkiste të ardhmes duke jetuar në të djeshmen; t’u jepte më shumë autoritet të vdekurve se të gjallëve. Ndjenja e patriotizmit e bënte gjithë e më të vendosur, që të shkonte përtej ekzistencës së tij, përtej kufijve të vendit të vet; atje ku, “atdhe është e gjithë bota”; ku jehona e karakterit dhe pasioneve të dëgjohej si në vendlindjen e tij buzë Vjose. Ndaj zgjedh të bëhet pjesë e misioneve paqeruajtës në botë. I pari, “Liria e Irakut”, në periudhën tetor 2004 - prill 2005. Nuk kishte as dy vite që qe diplomuar.

Për të përkufizuar rrezikun që kishte një mision i tillë, mjafon të kujtoje, se duhej të kërkoje mes një thesi me nepërka, të nxirrje të vetmen ngjalë që ndodhej në të. “Ishim nën zjarr e të rrezikuar tërë kohën, -kujton Alberti, i cili ishte komandant i trupës së ushtarëve shqiptarë. -Kishim zonën tonë të përgjegjësisë në Mosul, shumë afër Tikritit, vendlindjes së Sadam Hyseinit; në një territor të gjerë, afërsisht me shtrirjen e qytetit të Tiranës. Madje ka qenë momenti kur udhëheqësi irakien u kap nga forcat e koalicionit, gjë që e bënte dhe më të rrezikshme situatën. Duhej përdorur trimëri, por dhe pak diplomaci. Krijuam një farë miqësie me fëmijtë irakenë, që të preknim shpirtin e më të rriturve. I porosija ushtarët që sa herë dilnim në terren, të merrnin diçka me vete nga mensa për t’ua dhënë fëmijëve. Falë dhe uniformës së veçantë që kishim ne shqiptarët, ata na turreshin si zogj për “racionin e përditshëm”. Megjithatë prindërit e tyre s’donin t’ja dinin…”. Për një moment e ndërpret bisedën dhe përlotet. Episodi në vazhdim ishte vërtetë një rast, ku jeta ndodhet në fije të perit. Patrullohej në çdo kohë; ditën e natën, në shi e në diell. Faktikisht qe një natë me hënë. Po patrullonin me mjete ushtarake. Befas i sulmojnë nga një shtëpi e braktisur. Famirësisht mjeti qe i blinduar. Një nga plumbat e gjuajtur kap në xham, por vetëm sa e krisi pak. Mbi mjet, në pozicionin e mitralierit, ishte një ushtar në zona e Prespës, Jani Pjekovski. Ai reagon menjëherë, duke dërguar në drejtim të shtëpisë mbi 800 fishekë 12.7 mm. E neutralizon disi sulmin, por jo rrezikun, që shtohej gjithnjë e më shumë nëse qëndrohej në pozita mbrojtëse. Alberti, i pari, e pas tij ushtari Ndriçim Qefalia nga Kërraba e Tiranës dalin nga mjeti me shpejtësi e pozicionohen. Ndërkohë komandant Alberti kishte njoftuar dhe forcat amerikane, u kish dhënë koordinatat e vendngjarjes. Shkëmbi i zjarrit vazhdonte me të njëjtin intesitet. Dy helipokter amerikan u nisën në ndihmë të tyre. Ishte momenti që trupa patrulluese duhej të tërhiqej. Tregon ushtar Ndriçimi, që ndodhej në krah të komandantit: “Më thotë Alberti të tërhiqesha i pari. I them: “Komandant je vetëm ti, ushtarë si unë ka shumë”. E kisha vendosur që s’tërhiqesha para tij. Por situata nuk priste. Shkëmbi i zjarrit u bë dhe më i dëndur, sapo u dëgjuan helikopterët të afroheshin. Agresorët tanë e parandjenin fundin tashmë, ndaj nuk donin të iknin nga kjo botë pa lënë viktima pas. Për të mbrojtur jetën e komandatit isha gati të vetflijohesha. Befas dëgjoj t’më ushëtijnë si plumba në vesh fjalët e tij: “Të urdhëroj ushtarakisht të tërhiqesh!” Nuk kisha zgjidhje tjetër. Komandant Alberti u tërhoq i i fundit. Ndërkohë dy helikopterët amerikan brenda pak sekondash e shndërruan në pluhur e hi, godinën nga u sulmuam. Sapo u kthyem në bazë, vjen komandanti i forcave të koalicionit, Luçiano Portolano, për t’na përgëzuar. Në mënyrë të veçantë vlerësoi komandantin tonë - Albertin”. Kurse vetë Alberti kujton momentin e nderimit të tij nga ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Donald Ramslefd. “Në dorështërngimin gjatë dhënies së dekoratës “Për shërbime të shquara në misionin paqeruajtës “Liria e Irakut”, -thotë ai, -pasi më pyeti për moshën, bëri një gjest komplimetues, që linte të kuptoje, se raste të tilla nuk i kishte ndeshur shpesh, as në vitet ’75 - ’79, kur kishte shërbyer në të njëjtën detyrë pranë Presidentit Ford”.

Kjo lloj eksperience i krijoi bindjen Albertit, se kudo ku ka rrezik, ekzistojnë dhe rrugët e shpëtimit dhe shmangjes së pasojave, ndaj në 2011-ën bëhet sërish pjesë e misionit paqeruajtës, këtë herë në Afganistan, për trajnimin e policisë dhe ushtrisë afgane. Në këtë moment ai shërbente në Policinë Ushtarake. Vendosen në Herat, një zonë në kufi me Iranin. Misioni kryehej në bashkëpunim me forcat italiane dhe spanjolle. Qëllimi qe, që afganët të aftësoheshin profesionalisht për të drejtuar shtetin dhe institucionet e reja qeverisëse të vendit. “Atje njerëzit jetonin në varfëri ekstreme, por edhe mes vesesh të shumta, -rrëfen Alberti. -Kur u përballa për herë të parë me atë realitet më erdhi ndërmend thënia e një shkrimtari italian: “Çdo njeri i uritur është një njeri i rrezikshëm”. Ne kishin shkuar atje me një mision tepër human; t’i ndihmonim e t’i asistonim për ta dalë nga miserabiliteti ku ndodheshin. Po në vend që të tregoheshin mirënjohës, manifestonin pabesi ndaj nesh. Më kujtohen dy ngjarje të rënda, të cilat ndodhën gjatë kohës që isha unë atje: Një afgan vret pa asnjë lloj shkaku instruktorin që e trajnonte, kurse një tjetër - mjekun që e kuronte. Të dy viktimat ishin spanjollë. Ky rasti i dytë ishte dhe më kafshëror se i pari; të kujton përrallën shqiptare me atë fshatarin e gjorë, që e mori gjarpërin e ngrirë dhe e futi në gji për ta ngrohur. Kështu dhe mjeku spanjoll; e kuroi për 35 ditë rresht afganin e sëmurë, dhe kur ky i fundit u përmirësua, i preu fytin me thikë atij që i shpëtoi jetën(!?) Ndjeheshim po kaq të rrezikuar sa në Irak. Mund t’na godisnin dhe në kontenierët që flinim…”.

Dhe kështu, për për një dekadë e ca, duke demostruar standarde të larta profesionalizmi, patriotizmi, disipline, kurajoje e vetmohimi në kryerjen e detyrës ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, shpalosi shpirtin e lartë të përgjegjësisë individuale, për t’i vënë aftësitë e tij në shërbim të shoqërisë. Përgjatë gjithë kësaj periudhe kishte krijuar bindjen, se: “Jo çdo gjë me të cilën përballemi mund të ndryshojë, por s’do të ndryshojë asgjë me të cilën nuk përballemi”. Ka qenë viti 2015. Bashkë me shumë informacione të tjera për situatën problematike në burgjet e Shqipërisë i vjen në vesh edhe një fjalë e ish-Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjanit, i cili qe shprehur: “Kam një porosi nga babai: “Në do të kesh sukses në punë, besojua atë ushtarakëve!”. Do të isha shumë i lumtur nëse gjithë drejtorët e burgjeve do t’i kisha nga radhët e tyre”. Nuk vonoi dhe nisi reformën në këtë drejtim, duke shpallur një konkurs për vendin e drejtorit të burgjeve. Midis shumë të tjerëve aplikoi dhe Alberti. Fitoi, madje u rendit ndër vendet e para. E emërojnë drejtor në burgun e Bënçës, një domen i socialistëve. Sapo fillon të vendos rregull e disiplinë, nisin reagimet kundërshtuese. Bëhen bashkë deputeti i zonës, kryetari i PS-së, drejtuesi i qarkut e kështu me radhë, aq sa edhe vetë Ministri i Drejtësisë s’mund ta përballonte këtë lloj presioni. Nuk zgjati më shumë se një muaji dhe e emërojnë për pak kohë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, zv/drejtor i Kontrollit të Brendshëm. Gjatë 2016-ës është drejtor i 302-shit, kurse në janar 2017 emërohet drejtor në burgun problematik të Fushë-Krujës. Mjaftuan 4-5 muaj punë aty, që situata të përmirësohej ndjeshëm. Gjithçka lidhej me normalizimin e kushteve materiale të ambienteve të burgut dhe trajmin në mënyrë të barabartë para ligjit të të burgosurve. Me krjimin e qeverisë teknike të 2017-ës, largohet nga kjo detyrë për efekt të balancës dhe preferencave politike të “ministrit teknik”, Gazmend Bardhi. Por emri i mirë vazhdon të jetë prezent në çdo zyrë apo detyrë që kreu Alberti, qoftë si ushtarak në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ashtu dhe si “civil” në Drejtorinë e Burgjeve. Madje dhe në biznesin privat, që nisi nga fundi i vitit 2017 në fushën e hotelerisë dhe ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, deri sa në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2023 shpalli kandidaturën për kryetar të Bashkisë Memaliaj…

Reforma Administrative e 2014-ës dhe zgjedhja për t’i shëbyer vendlindjes

Gjithkush dëshiron të lërë gjurmë të mira kudo që shkon, por kur gjurmë të tilla evidentohen edhe hapësirave të vendlindjes apo krahinës, nuk ka më mirë. “Nuk e doni vendin tuaj, nëse nuk doni shtëpinë tuaj”, thotë një poet anglez. Njeriu duhet t’u qëndrojë besnik ngjarjeve dhe kujtimeve me të cilat është mëkuar që në vegjëli. Kjo është hallka e zinxhirit shpirtëror, që e mban atë të lidhur me më të mirën apo me më të suksesshmen e së shkuarës, ndërsa është duke projektuar të ardhmen. “Pati një moment, -tregon Alberti, -që i thashë vetes: Boll kontribuove për atdheun, ktheji sytë nga zona e vendlindja!” Ka qenë pranverë e vitit 2014. Sapo kishte marrë gradën “Major”. Bazuar tek rezultat e arritura dhe performanca profesionale, shumë shpejt mund të bëhej “Kolonel”. Megjithatë, për Albertin, ndjenja e përgjegjësisë për punën nuk gjendet në ambientet e zyrës, por në shpirtin dhe mendjen e zyrtarit. Reforma administrative e vitit 2014, me krijimin e Bashkisë Memaliaj, po ja zhveshte shpirtin e mendjen nga karriera e rrobës ushtarake, për të veshur rrobat e punës plotë pasion në trojet stërgjyshore. Nuk kishte më asnjë lloj dileme. Formulon, jo pa dhimbje, aktin e dorëheqjes dhe ja dorëzon ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. “Mbajeni aty në sirtarë, se kur të përballet konkretisht me atë realitet problematik, do kthehet prapë”, ishte porosia e saj dashamirëse. Me sa duket nuk e kishte njohur mirë vartësin e vet, edhe pse e vlerësonte dhe e çmonte shumë, si një ndër ushtarakët më të zotë.

Me ndarjen e re administrative, ish-komunat Fshat-Memaliaj, Buz, Luftinjë, Qesarat dhe Krahës, ku përfshihej dhe Kalivaçi i Albertit, i bashkoheshin Bashkisë Memaliaj. Kësisoj, gjithë pjesa e Tepelenës Toske apo e “përtej lumit”, siç cilësohej në labërisht, që shtrihej në një zonë të gjerë, e cila përveç Vjosës kufizohej dhe nga rrethet Berat, Mallakastër, Skrapar e Përmet; bashkëngjitej në një njësi të vetme administrative; kjo në bazë të zakoneve, traditave, lokacionit gjeografik dhe disa faktorëve të tjerë socialë. Paçka se varfëria, braktisja masive, shpërfillja qeveritare, gjëndja e infrastrukturës rrugore, të tmerronin në çdo hap që hidhje anë e mbanë këtij territori, Alberti ishte i vendosur të merrte në dorë fatet e ndryshimit të situatës. Kjo ambicje ju shtua dhe më shumë, kur u njoh me kandidaturën e Partisë Socialiste, një person problematik e i paaftë, me origjinë nga zona e Labërisë, që kishte drejtuar Bashkinë e qytetit Memaliaj edhe në periudhën 2004-2007. Përzgjedhja e një personi të tillë, përveçse klanore e katapultuese, ishte fyerje e rëndë për gjithë komunitetin e zonës, prej nga kanë dalë personalitete të shumtë në çdo fushë të jetës e veprimtarisë shoqërore, përfshi dhe figurat e njohura të historisë sonë kombëtare, Ali Pashë Tepelenën dhe Tafil Buzin.

Alberti konsultohet me miq, shokë e të njohur të tjerë rreth këtij vendimi jo aq të lehtë, të cilët e mirëpresin dhe e mbështesin. Ndërmend i vijnë fjalët e një politikani francez të shekullit të 19-të, Xhon Monet: “Asgjë s’është e mundur pa njerëzit, dhe asgjë nuk zgjat pa institucionet”. Donte të ishte i qartë e i thukët me ta, njëlloj si me veten. Hynë në garë, si i pavarur. Nga 300 firma që duheshin për t’u regjistruar në KQZ, mbledh 500. Duke parë potencialin elektoral të Albertit, drejtues të Partisë Socialdemokrate i ofrojnë siglën e tyre. E pranon, pa menduar se ç’probleme do t’i krijoheshin më pas nga përplasjet e kësaj force politike me Partinë Socialiste. Në një moment, vetë Edi Rama, nga që po i rrezikohej kandidatura e forcës së tij politike, do t’i drejtohej Albertit me fjalët: “Po na i bënë lëmsh zgjedhjet!?”. E paparashikuara tjetër ishte dalja e tre kandidaturave të pavarura në zonën e Krahës-Qesaratit. Megjithatë, “de facto” i mposhti të gjithë; edhe të përzgjedhurin e socialistëve, po mos ishte përdorur mekanizmi grabitar i vjedhjes së votave, me të cilin pati një diferencë prej 500 votash. U rendit i dyti, mes 6 kandidatëve, përfshi dhe tre “të pavarurit” nga zona e tij.

Gjithësesi, nuk u tërhoq, nuk u demoralizuar. Fillon përgatitjet për zgjedhjet vendore të radhës. Ato të 2019-ës, dihet si u zhvilluan, pas bojkotit të opozitës. Kështu që ishte i humbur ende pa nisur gara, aq më tepër Alberti, që ua kishte sjell “në majë të hundës” socialistëve gjatë zgjedhjeve vendore të 2015-ës. Po afronin zgjedhjet lokale të 2023-shit. Nuk mund të duronte më tej. Bëhej fjalë për atë lloj durimi, që sipas Leon Tolstoit, “…është të vazhdosh, kur vazhdimi është i vështirë dhe i ngadaltë”. Sidoqoftë, alternativa e kandidimit të pavarur po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Sjell ndërmend, se pas jehonës që bëri paraqitja e tij në zgjedhjet e 2015-ës, drejtues të LSI-së i kishin kërkuar të përfshihej në radhët e kësaj force politike, ndaj kandidon nën siglën opozitare, ndonëse humbëse kronike qysh prej 10 vitesh. Besimin e kishte tek forcat dhe mundësitë e veta. Garon suksesshëm në një bastion të socialistëve. Ishte ndër 5-6 kandidatët fitues të opozitës. Duke i gjetur anën përkushtimit, filloi t’i shpleks një e nga një të gjitha fijet e vështirësive, përfshi dhe fijen e bashkëpunimit institucional me kryeministrin Rama. Premtimet elektorale i ka përmbushur qysh në dy-vjeçarin e parë të mandatit, duke përbërë kështu një rast unikal, të padëgjuar në Shqipëri. Përdor me nikoqirllëk çdo qindarkë nga buxheti i tij simbolik, por dhe çdo mundësi tjetër financimi; me fondet e BE-së, FSHZH, Programin TIKA-s, etj. “Kishte mbetur i trashëguar nga paraardhësi im një tender me vlerë 50 mijë euro për të berë një veturë elektrike, -tregon Alberti. -Unë e anullova, u thashë; mirë është kjo e vjetra, kemi plotë brima për të mbyllur me këto lekë në këtë bashki të varfër”. Gjithashtu, nuk lejon t’i shkoj kot asnjë minutë kohë. Vetë e fillon punën në 6 të mëngjesit dhe e përfundon në 11 të natës, verë a dimër qoftë. I ka kthyer gjallërinë një qyteti që po fikej si drita e qiriut, por edhe fshatrave që po shkretoheshin, cep më cep. Mjafton të kujtojmë, se në të gjithë këtë territor të Bashkisë Memaliaj nuk kish mbetur as 10 për qind e numrit të popullsisë të fundviteve ’80. Investime dhe organizime të tilla publike si: Faza e parë e shëtitores buzë Vjosës, rikualifikimi urban i Lagjies Nr 1, rikonstruksioni total i gjimnazit “Sali Nivica”, rehabilitim i fasadës së 10 pallateve të vjetër, ngritja e Muzeut të Minierës dhe atij Etnografik, asfaltimi i disa segmenteve rrugore nëpër fshatra (Ninsh-Levan e Toç-Koshtan); shtrimi me çakull i një sërë rrugësh të tjera rurale, në mënyrë që asnjë prej zonave të mos mbetet jashtë aksesit urban, ujësjellësi rajonal për 10 fshatra; organizimi i një sërë festash e aktivitetesh artistike, ku vlen të përmenden; Festivali “Jehona e Vjosës”, “Memaliaj në thërret”, “Vjosa N’Festë”, etj., janë disa nga punët e mira të bëra nga Bashkia Memaliaj nën drejtimin e Albert Malaj, përgjatë këtyre 24 muajve të shkuara, të cilat po rikthejnë shpresën tek njerëzit. “Kur fillova në Bashki, -tregon Alberti, -kishte vetëm një lokal në qytet, tani janë katër të tillë. Po kështu gjatë pastrimit të qytetit, shohim materiale ndërtimore të nxjerra nga rikonstruksioni i apartamenteve, gjë e cila tregon se qytetarët po kthehen. Ndërtimi i aksit rrugor Ballaban-Berat, që shkon mes për mes krahinës së Buzit, ka rolin e vet në këtë drejtim. Krahas “Vila Sofia” e “Bujtina Zeneli”, po shqyrtojmë disa kërkesa të reja nga banorët e asaj zone për të investuar në agro-turizëm. Nga ana tjetër, gjithë këtë zonë e kemi përfshirë tek “Paketa e Maleve”. Bujqësia dhe blegtoria mbeten prioritet i punës sonë në këtë dy-vjeçar që na ka mbetur ende, deri në fund të mbandatit. Ndërkohë në aksin Krahës-Qesarat janë 4-5 lokale, nga më të mirët në zonën e jugut. Po kështu Bujtina buzë Vjose në Qytetin e Memaliajt, etj”.

Për të mos u ndalur më gjatë rreth figurës së Albertit, mjafton të kujtojmë thënien e Molierit: “Unë s’i jap rëndësi emrit të një njeriu, por veprave të tij”. Të tjera punë e vepra me vlerë publike priten nga kryetari i Bashkisë Memaliaj, që sfidën më të vështirë ka, t’i thotë vetes: Mjaft!

Alberti me bashkeshorten dhe dy fëmijtë para se të niset për Irak

Me uniformë ushtarake (drejtor burgu në Fushë-Krujë)

Duke inspektuar punume në qytet

Duke inspektuar një biznes



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx