E enjte, 31.07.2025, 03:26 PM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Lajmi horror

E merkure, 30.07.2025, 06:51 PM


LAJMI HORROR

- Vëzhgim -

Nga Ndue Dedaj

Mbetëm të befasuar nga lajmi i djeshëm, përcjellë nga mediat audiovizive, për vrasjen e një gruaje në Korçë, në banesën e saj, nga personi me të cilin jetonte - me thikë. Befasia nuk qëndron për sa u tha deri këtu, pasi për fat të keq, ky krim i lashtë sa njerëzimi ndodh shpesh në kohën e sotme, por për mënyrën e dhënies së lajmit, pa etikën e nevojshme profesionale, ku ndonjë gazetar terreni vinte në dukje se vrasësi ia kishte ngulur thikën në trup së ndjerës 50 herë, vini re, pesëdhjetë herë dhe asnjë më pak!? A thua se gazetari kishte qenë vetë në vend, me apo pa kamër dhe i kishte numëruar plagët e thikës. Për më tepër duke na bërë me dije se kjo gjë kishte ndodhur, ngaqë thika nuk ishte e mprehtë!?...

Po kujt, more Zot, i duhet kjo hollësi makabre, përpos grupit hetimor dhe psikiatrit? Çfarë gazetarie është kjo? Kështu mund të jetë thënë nga policia, por gazetari nuk është që materialet e policisë gjyqësore t’i përcjellë me “copy paste” për shikuesin apo lexuesin. Edhe pse nuk e vëmë në dyshim raportin kriminalistik, gjithësesi të bën përshtypje rrumbullakosja e shifrës së nguljes së thikës, ndërkohë që nuk është ky thelbi i problemit, por shkaqet që çuan në një krim të tillë të rëndë, që mund të jetë kriza në familje, varfëria ekonomike, gjendja shëndetësore e autorit të krimit etj.

Vërtetësia e lajmit është doemos gjëja kryesore për gazetarin, po jo deri aty sa të prekë “fundin” e gjësë. Publikut i intereson ana sociale e çështjes, parandalimi i krimit, ndëshkimi i tij etj., por jo dhe fakti që pëshqirët me gjak u gjetën në koshin e plehrave afër shtëpisë së viktimës.

Një televizion kombëtar apo lokal nuk mund të mos mbajë parasysh audiencën dhe specifikat e saj, ku ka shumë fëmijë etj. Për filmat artistikë me “horror” vihet njoftimi në titra se nuk lejohet të  shihet nën moshën 14 vjeç, po me ekranin publik të lajmeve si i bëhet?...

Me gjasë, e gjitha bëhet për audiencë dhe klikime. Dhe këtu faji nuk është vetëm i gazetarëve të terrenit, por i medias audiovizive dhe online që publikon pa asnjë filtër informacionet, ndaj është ajo që ka dhe përgjegjësinë më të madhe. Ne kemi një institucion që quhet AMA, e cila duhet te veprojë pa droje brenda “perandorisë” së mediave.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx