E merkure, 30.07.2025, 10:11 AM (GMT+1)

Mendime

Gjon Krasniqi: Bisedat më të çuditshme të jetës sime

E marte, 29.07.2025, 06:53 PM


Gjon Krasniqi është miku ynë nga Kosova, me qendrim në Zvicër, që po i kalon pushimet e verës në shtëpinë e tij të plazhit në Shëngjin. Po flisnim dje, aty buzë detit, rreth një libri që ai po shkruan për Luftën e Kosovës, veçse nuk do të qendronim gjatë, pasi do t’i përgjigjeshim ftesës së avokat Alfred Dukës për një drekë me “peshk në prush”, në Kune, bashkë me miq të tjerë krijues. Por Gjoni nuk shkruan vetëm për Luftën. Në kompjuterin tim sot mbërriti një tekst i tij me ndjesinë, dhimbjen dhe simbolikën e kujtesës së pashuar të njerëzve që nuk rrojnë më, por që për atë flasin dhe ai flet me ta. Autori i kujton një nga një duke parë në “kantinën” e tij familjare, si në një muze, shishet me pije që ata i kishin dhuruar dikur… - Ndue Dedaj

BISEDAT MË TË ÇUDITSHME TË JETËS SIME

Nga Gjon Krasniqi

Një rrëfim nga dhoma ku flasin ata që nuk flasin më. Nuk është thjesht një kantinë. Nuk është një dhomë vere apo vend për të shijuar alkoolin. Për mua është dhoma ku heshtja nuk është bosh, por plot zëra. Muret e saj nuk janë prej betoni. Janë prej kujtimesh. Prej fytyrash të dashura që i kam humbur dhe që i takoj përsëri, sa herë hap derën e asaj dhome. Aty, mes qetësisë dhe aromës së fortë që përzihet mes qelqit dhe drurit, nisin bisedat më të çuditshme të jetës sime - bisedat me ata që nuk jetojnë më. Në raftet e saj, rrinë shishet. Të qeta, pa zhurmë. Por për mua, ato nuk janë thjesht shishe. Janë dhurata me emër, me histori, me frymë. Janë amanete kujtese. Kam shkruar emrat mbi to. Kam shkruar ditën kur i mora. Shpesh edhe ndonjë fjalë që më është thënë, sepse unë nuk kam dashur të harroj asgjë. Dhe tani, kur i prek me dorë, nuk po prek qelq - po prek zemra, kujtime, jetë të përjetshme. Me shishen që më dhuroi Zefi, jam sërish në Koronicë. Ai më flet për bijtë e tij, për dhimbjen që vetëm një malësor mund ta mbajë pa u rrëzuar. Me shishet e rakisë që më dha Ndue Sinishta, jam sërish në Zvicër, në një darkë të gjatë ku fjalët e tij mbushnin dhomën si bekime të qeta. Me shishen që më erdhi nga Gllogjani, jam sërish me Pjetrin, burrin që nuk e ngriti zërin kurrë, por që e ngriti arsyen si një flamur paqeje. Aty, brenda atyre raftave, rri një pjesë e shpirtit tim. Aty nuk pihet. Aty kujtohet. Aty ndihemi përsëri bashkë, edhe me ata që janë larguar. Disa janë larguar nga kjo botë, por jo nga kjo dhomë. Në kantinën time, vdekja nuk ka hyrë dot. Sepse kujtimi e ka mbyllur derën me çelësin e shpirtit. Dhe unë, sa herë që ndihem bosh, shkoj atje. Për të mos qenë më vetëm…

Baba Marku – raki e ruajtur si emër.

Në mes të gjithë atyre shisheve që mbajnë kujtime e dhimbje, njëra qëndron pak më ndryshe. Është një shishe raki që nuk ma ka dhuruar mik, shok a dajë. Ma ka dhuruar baba im, Marku. Ajo shishe nuk është thjesht një dhuratë, po një amanet shpirtëror. Sepse aty brenda nuk është vetëm pija e distiluar, por është vetë fryma e një burri që më mësoi çka është fjala, çka është qëndrimi, çka është nderi dhe çka është gjaku i burrit të tokës sonë. E kam ruajtur me kujdes të veçantë. Asnjëherë nuk e kam hapur. Jo ngaqë nuk dua ta pi, por sepse nuk dua ta humb. E kam vendosur në mes të kantinës, sikur të jetë zemra e saj. Sepse në një farë mënyre, është edhe zemra e imja. Kujtimet për babën Mark i kam shtrirë në shumë faqe të tjera, sidomos ato të Luftës. Aty kam rrëfyer se si ai, edhe kur ishte në heshtje, ishte më i pranishëm se të gjithë. Se si na qëndroi pranë me gjakftohtësi, mençuri dhe mirësi. Por në këtë dhomë, nuk më flet me fjalë. Më flet me atë shishe. Sa herë e shoh, më kujtohet jo vetëm baba im, por vetja ime si fëmijë, vetja ime si burrë, që do të mbetet gjithmonë djalë i atij burri. Dhe kur dhoma mbushet me heshtje, më duket sikur më thotë sërish, si atëherë: “Mos u ngut, bir. Mbaje mend se jo gjithmonë ai që flet shumë, di shumë. Por ai që duron, fiton”. Në atë kantinë, baba Mark jeton ndryshe. Jeton me zë të qetë, me frymë që nuk shuhet. Dhe unë jam sërish biri i tij - i vogël, por me mall të madh. Dy shishet e Axhës Tun – një përqafim që nuk shuhet. Në raftin e tretë, qëndrojnë dy shishe që më janë dhuruar nga axha Tun. Nuk janë thjesht dy shishe. Janë të lidhura me një fjongo të vjetër, sikur të jenë në përqafim. I mora për ditëlindjen time. Dhe sa herë i shikoj, ndjej se përqafimi i tij më mbështjell edhe sot. Në to ka më shumë se alkool. Ka dashuri familjare. Ka kujtime nga fëmijëria. Ka zëra të shtëpisë së vjetër, aromë drithërash, net dimri dhe fjalë të pathëna. Ato qëndrojnë aty jo për t’u pirë, por për t’u kujtuar.

Zef Gashi – më mësoi të qëndroja, edhe kur jeta u rrëzua.

Në një ditë vizite në Koronicë, në shtëpinë e mikut tim të shtrenjtë Zef Gashi, më priti me zemër të hapur siç vetëm burrat e rrallë dinë të presin. Ishim bashkë me dajën tim, Ndue Muqaj, burrë i nderuar dhe bashkëshort i motrës së Zefit. Ajo ditë, edhe pse e thjeshtë në pamje, mbeti thellë në kujtesën time. Zefi ishte profesor dhe muzikant folklori. Por më shumë se çdo gjë tjetër, ishte njeri i jetës - më mësoi shumë për të qëndruar drejt, edhe kur jeta tundet fort. Ai nuk fliste shumë, por kur fliste, çdo fjalë e tij ishte një grimcë mençurie. Më dhuroi një shishe uiski. Nuk ishte thjesht pije. Ishte një pjesë e shpirtit të tij që ai zgjodhi të ma besonte. E shënuar me kujdes në kantinë, ajo shishe sot më flet për trimërinë e heshtur të një burri që humbi dy djem në masakrën e Mejës, por nuk u rrëzua kurrë. Kur e prek atë shishe, nuk më vjen në mend vetëm uiski - më vjen zëri i tij i ulët, sytë e lodhur por të kthjellët dhe forca e një zemre që dinte të duronte më shumë se ç’duhet. E kujtoj me mall dhe respekt të pafund.

Poeti Ndue Sinishta – fjala si bekim.

Ndue Sinishta ishte një ndër miqtë më të afërt që më dha mërgimi. Një njeri i urtë, i ditur dhe i qetë. U njohëm në Zvicër dhe u bëmë më shumë se miq - ishim vëllezër në shpirt. Ndue ishte teolog, prift, përkthyes, shkrimtar, mendimtar i thellë. Në netët e gjata të mërgimit, fjalët e tij më dhanë qetësi dhe forcë. Më mësoi për jetën, për durimin, për besimin dhe për njeriun. Më dhuroi disa shishe rakie: të dardhës, qershisë, kumbullës dhe rrushit. Çdo njëra mbante një lloj simbolike, një kujtim, një bisedë që kishim bërë së bashku. E kam shënuar me emrin e tij, me një datë dhe një kujtim të vogël, që vetëm unë dhe ai do ta kuptonim. Tani që ai nuk jeton më, ato shishe nuk janë thjesht alkool, janë dhurata të shpirtit të tij, janë fjalë që ai i la pas për mua. Dhe kur i afrohem, më duket sikur më përshëndet sërish me buzëqeshjen e tij të ngrohtë dhe më flet me urtësinë që nuk plaket kurrë.

Pjetër Desku – arsyeja që paqton.

Pjetri ishte nip i fisit tonë, por për familjen time ishte shumë më shumë se aq. Ishte mik, ishte burrë i urtë, i dashur, i qetë dhe i mirëpritur në çdo odë burrash. Nuk e njihte zhurmën, nuk ngrinte zërin, por kur fliste, fjalët e tij zinin vend në mendjen e çdo njeriu. Arsyetimi i tij ishte gjithmonë i kthjellët, i matur, pa paragjykime - një njeri që e ndërtonte paqen me mençuri. Më dhuroi një shishe raki kumbulle. Nuk ma dha në dorë, ma dërgoi nga fshati Gllogjan, komuna e Pejës, me kujdes dhe dashuri të veçantë. E vendosa me respekt në kantinë dhe e shënova me emrin e tij, me datën dhe vendin. Tani ajo shishe është një nga më të dashurat për mua, sepse më kujton Pjetrin, njeriun që nuk do të mësohet të mungojë. Ai nuk është më në këtë botë, por në atë dhomë, në atë raft, ai më pret. Dhe kur e shoh, më vjen në mend urtësia e tij, zëri i butë, dhe përulësia që e bënte aq të dashur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Florim Zeqa: Me "fat" aborti politik i legjislaturës së 9-të! Idriz Zeqiraj: I shantazhuari Thaçi vuri në agjendë Asociacionin dhe ndarjen! Llesh Ndoj: Kush duhet t’i dalë zot flamurit tonë kombëtar? Florim Zeqa: 'Dielli Dekor' madhështon festat familjare Fritz Radovani: Imzot Preng Doçi ishte Abati i Mirditës Idriz Zeqiraj: Përgjigja ekuivoke e Kushtetueses së kapur, palë me opoitën! Zenel Çeliku: Urrejtje dhe tradhëti ndaj Flamurit Kuq e Zi! Gjon Frani Ivezaj: Bashkimi i Trojeve Shqiptare – Mos rrini në gjumë, Vllazën Shqiptarë! Intervista e Adriatik Kelmendit me Hashim Thaçin Klajd Kapinova: Raporti Fallco i Inteligjencës të drejtuar nga ish Presidenti Barack Obama Llesh Ndoj: Syni i keq mos ju paftë! Idriz Zeqiraj: Bllokada e Kuvendit ka adresë Opozitën PAN-iste Kalosh Çeliku: Shpalosja e flamurit historik nga 'nipi' i Xha Derallës Florim Zeqa: Letër e hapur Gjykatës Kushtetuese - Kërkesë për drejtësi! Milazim Zeqiraj: Kritika dhe fajësimi i LDK si mjet politik për t'i prishur imazhin para opinionit Klajd Kapinova: Zbulimet e reja: Komplot i Shtetit të Thellë kundër Trump i udhëhequr nga Obama Petrit Dibrani: S’ka nevojë për shumë dije dhe filozofi, ngaqë 'Djalli' n’shtëpi qysh moti ka hy! Aurel Dasareti: Krimineli më i madh që po shpopullon Shqipërinë është më i rrezikshmi Ndue Dedaj: Heroi Kombëtar mes karuselit dhe kioskave Florim Zeqa: Pse binomi Kurti-Limaj nuk janë shpëtim për Kosovën?!

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx