E diele, 28.04.2024, 05:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Mbrojtja e dinjitetit moral dhe familjarë në këngët tona popullore

E diele, 15.02.2009, 02:14 PM


Nga folklori ynë:

 

            MBROJTJA E  DINJITETIT  MORAL DHE FAMILJARË NË KËNGËT TONA POPULLORE

 

Nga Demir KRASNIQI

 

            Në thesarin e madh të folklorit tonë muzikor, në mesin e shumë gjinive tjera të këngëve popullore, vend të rëndësishëm kanë zënë edhe këngët të cilat i këndojnë mbrojtjes së dinjitetit moral dhe familjarë .

            Cikli i këngëve të kësaj kategorie, është dëshmia më e mirë dhe më e fuqishme se tek populli shqiptar nderi, dinjiteti dhe morali familjarë janë të shenjta, të paprekshme dhe ato mbrohen në çdo kohë e me çdo kusht !

            Gjatë shekujve të robërisë, okupatorët e sojeve të ndryshme, krahas okupimit, dhunës, shtypjeve, torturave, shpeshherë i kanë sprovuar forcat e veta prej barbarie për të prekur dhe cenuar dinjitetin moral individual dhe familjarë mbi popullatën e pa mbrojtur shqiptare.

            Për të  prekur mbi vlerat morale shqiptare, sundimtarët e huaj së pari i kanë shfrytëzuar pozitat e tyre pushtet-mbajtëse, forcën e ligjit dhe atë fizike , si dhe pasurinë ekonomike, tipare këto të cilat i kanë shfrytëzuar për të mbisunduar dhe dominuar mbi popullatën e vuajtur dhe të varfër shqiptare !

            Mirëpo, edhe pse sundimtarët e huaj e përdornin tërë këtë bagazh të forcës dhe të pasurisë, për t’i realizuar ëndrrat e veta amorale ndaj shqiptarëve – tentativat e tilla çdo herë janë shua me gjak dhe aktorët e këtyre tentativave gjithmonë kanë dalë humbës !

            Për ta ilustruar këtë temë me shembuj konkret, kësaj radhe zgjodhëm tri këngë më karakteristike nga folklori ynë tradicional, të cilat më së miri flasin për mbrojtjen e dinjitetit moral familjarë dhe atë individual .

            Shembulli i parë, flet për mbrojtjen e dinjitetit moral të bashkëshortit ndaj bashkëshortes së tij, që pa dyshim është njëra ndër pikat më të ndjeshme të moralit shqiptar. Shembulli i dytë, flet për mbrojtjen e dinjitetit moral të vëllait ndaj motrës dhe shembulli i tretë flet për mbrojtjen e dinjitetit dhe moralit individual .

 

                        Mbrojtja e dinjitetit moral të bashkëshortit ndaj bashkëshortes

 

            Se cenimi i moralit ndaj gruas ( bashkëshortes ) ndër popullin shqiptar është i paprekshëm dhe i pa tolerueshëm , këtë e përshkruajnë edhe shumë këngë popullore nga folklori ynë tradicional muzikor .

Për të parë dhe mësuar se si trajtohet ky fenomen tek shqiptarët, kësaj radhe e morëm në analizë dhe si ilustrim  njërën prej këngëve më të njohura dhe më të popullarizuara nga thesari ynë popullor , këngë kjo që për kah përbërja e saj strukturale është mjaftë e lashtë, por që edhe sot e kësaj dite këndohet dhe dëgjohet me admirim.

Në bazë të analizave që mund t’ i bëhen kësaj kënge, mund të vijmë deri në përfundim se kjo këngë është krijuar  gjatë periudhave të sundimit osman në Kosovë. Teksti i kësaj kënge na bënë të ditur vendin e ngjarjes, por jo edhe personazhet e saj. Mënyra e thurjes së vargjeve të kësaj kënge, ritmi dhe melodia e saj , na bëjnë të kuptojmë se kjo këngë i takon strukturave të këngëve popullore qytetare, ndërsa ngjarja e cila trajtohet përmes vargjeve të kësaj kënge, na bënë të kuptojmë se konflikti për të cilin bëhet fjalë në këtë këngë, ka lindur në mes të një fshatari të thjeshtë dhe tre qytetarëve provokatorë , të cilët duke e provokuar e nënçmuar  fshatarin e thjeshtë dhe të varfër , shkojnë aq larg sa fillojnë që t’ ia shajnë të gjithë anëtarët e familjes së ngushtë rend me rend !

Fshatari i sulmuar, i provokuar dhe i fyer deri në shpirt , mundohet që të përmbahet dhe të tolerojë për aq sa mund të tolerohet , me të vetmin qëllim që t’ i shmanget epilogut përfundimtar me përmasa tragjike. Kështu që për sharjen e babait , fshatari toleron, duke i llogaritur sharësit si dajallarë ! Kur ia shanin nënën, ai mundohej që t’ i tolerojë si në vend të baballarëve ! Kur ia shanin motrën, fshatari mblidhte forcën e tij morale për t’ i toleruar si në vend të dhëndurëve !

Por, kur e sheh se ata nuk kanë të ndalur me sharje radhë e radhë mbi anëtarët e ngushtë të familjes, në rastin kur ata ia shajnë edhe gruan (bashkëshorten) e tij, atëherë fshatari e humb durimin dhe më nuk mund t’ ua gjente zëvendësimin ! Kështu që nuk i mbetet rrugëdalje tjetër , pos që t’ i qërojë hesapet  me sharësit me ndihmën e armës së zjarrit!

Kënga që trajton këtë temë , mbanë titullin : “Në Çarshi të Vogël në një dugajë”, tekstin e së cilës po ua sjellim të kompletuar sipas versionit origjinal, nga se të rrallë janë ata këngëtarë popullor që e dinë dhe e këndojnë këtë këngë deri në fund !

 

                                    N’ Çarshi  t’ Vogël  n’ ni dugajë

 

                        N’ çarshi t’ vogël, oh, more , n’ ni dugajë , aman, aman,

                        Aty rrijshin, oh, more , tre pejan-e ,

                        Dy n’ xhurdia , oh, more, nja n’ mitan, aman, aman,

                        Pijshin kafe, oh, more, me filxhan-e !

                        Prejshin cohën , oh, more , me gërshanë, aman,aman,

                        Kepshin tirqi, oh, more, me gjylpan-e !

                        Ma kanë fol-e, oh, ka i fjalë të ranë, aman,aman,

                        M’ i  kanë shajt-e, oh, more, babë e nan-e !

                        M’ i kanë shajt- e, oh, more, babë e nan-e, aman,aman,

                        M’ u  ka dridh-e, oh, toka nër kam-e !

 

                        Kur ma shajten , oh, more, babën mue, aman, aman,

                        Për n’ ven t’ dajëve , oh, i kam durue !

                        Kur ma shajten , oh, more, nanën mue, aman, aman,

                        Për n’ ven t’ babës, oh, i kam durue !

                        Kur ma shajten, oh, more , motrën mue, aman, aman,

                        Për n’ ven t’ dhandrrit , oh, i kam durue !

                        Kur ma shajten, oh, të zezën grue, aman, aman,

                        Hiq ma nenaj , s’ pata ku mej que !

                        Hiq ma nenaj , s’ pata ku mej que, aman, aman,

                        Nxora  alltijen , shtatë herë jav kam mshue !

 

                        Mbrojtja e dinjitetit moral të vëllait ndaj motrës

 

            Marrë në përgjithësi , sipas traditave dhe zakoneve tek populli shqiptar , sharjet , ofendimet dhe nënçmimet në llogari të familjes së ngushtë, asnjëherë nuk janë toleruar dhe ato nuk tolerohen as sot e kësaj dite, nga se dinjiteti dhe morali familjarë është i shenjtë dhe i paprekshëm !

            E thamë më lartë se pika më e nxehtë dhe qenia më e shtrenjtë në familjet shqiptare, pa dyshim se është morali i gruas (bashkëshortes), mirëpo edhe anëtarët tjerë të familjes janë të shenjt dhe të paprekshëm në këtë drejtim. Prandaj, sharjet, ofendimet dhe nënçmimet ndaj cilit do anëtarë, nuk tolerohen dhe nuk mund të arsyetohen as se si !

            Ashtu si që është i paprekshëm morali ndaj gruas, në familjet shqiptare është i paprekshëm edhe morali ndaj motrës . Motra për vëllain është e shenjtë dhe ajo nuk guxon të shahet, të nënçmohet e të nëpërkëmbet para syve të vëllait , në asnjë mënyrë dhe me asnjë kusht ! Në rastet kur morali i motrës përgojohet, nëpërkëmbet dhe nënçmohet, atëherë vëllai do të luftoi deri në frymën e fundit , për t’ u hakmarrë ndaj keqbërësve , qoftë edhe me çmimin më të shtrenjtë të jetës së tij.

            Edhe fenomenet e këtilla, nuk kanë shpëtuar pa u regjistruar në analet e historisë së folklorit tonë muzikor . Por, kësaj radhe, si ilustrim të kësaj teme , ne e zgjodhëm njërën prej këngëve më karakteristike të këtij lloji, që është e njohur mbi gjithë trojet shqiptare dhe ajo këndohet e dëgjohet kudo me ëndje të veçantë .

            Fjala është për këngën e mirënjohur rapsodike me titull:”Halit Gashi”, që është një këngë tipike kosovare , e lindur diku në rrethin e Vushtrrisë, po ashtu gjatë kohës së sundimit të osmanlinjve mbi tokat shqiptare .

            Agallarët osmanlinj, të cilët pasuroheshin duke ua grabitur tokat dhe tërë pasurinë e  shqiptarëve autokton , përveç shtypjeve, torturave dhe shfrytëzimeve tjera që ua bënin shqiptarëve, ata shpeshherë futeshin edhe në aventura të rrezikshme morale, nga të cilat pastaj nuk mund t’ i nxirrnin as kokat e tyre !

            Kështu ndodhi edhe me turkun e quajtur Beqir agë – zotnia, i cili kishte bërë një pasuri të madhe diku në rrethin e Vushtrrisë dhe ishte rritur mendsh aq shumë, sa që mendonte se çdo gjë e gjallë , mund të ishte pronë e tij !

            Mbi të gjitha, pasaniku turk Beqir agë – zotnia , mendonte se me pasurinë e tij, do të mund t’ i blinte shqiptarët autokton edhe në baza të moralit familjarë?!

            Halit Gashi, një fshatar i varfër, por bujar i cili nuk kishte tokë të bukës, as shtëpi, një ditë vendosë që t’ i drejtohet Beqir agës dhe t’ i kërkojë një pjesë toke të punës, për të hy si çipçi së bashku me familjen e tij !

            Kjo kërkesë e Halit Gashit e gëzoi pa masë Beqir agën, i cili që moti ia kishte vu syrin motrës së Halit Gashit – Hajrijes, e cila ishte e dalluar për bukurinë e saj !

            Beqir aga, duke e shfrytëzuar pasurinë e tij dhe varfërinë e Halit Gashit, e shfrytëzon rastin që t’ ia kërkojë në vend të kompensimit material – motrën Hajrije, por jo në mënyrë miqësore sipas zakoneve dhe traditave shqiptare ! Beqir aga ia kërkon Halitit, motrën Hajrije vetëm pse ishte e bukur dhe i kishte sytë e zi, në mënyrë që të argëtohej me te vetëm tri net, e pastaj sërish do t’ ia kthente të vëllait Halilit, në shtëpinë e tij?!

            Kjo kërkesë poshtëruese e Beqir agës, që ia vuri si kusht Halit Gashit , nëpërkëmbja e dinjitetit familjarë dhe cenimi i moralit të motrës Hajrije, e preku aq thellë deri në sedër vëllain, Halitin, i cili për t’ a mbrojtur dinjitetin dhe moralin familjarë dhe moralin e motrës së vet, detyrohet që të kthehet në shtëpi, të armatoset dhe të hakmerret ndaj Beqir agës, për t’ ia ruajtur nderin dhe moralin jo vetëm motrës dhe familjes së tij, por mbarë kombit shqiptar !

            Të lexojmë në vazhdim tekstin e plotë në origjinal të kësaj kënge , për ta kuptuar më drejt zhvillimin e kësaj ngjarjeje !

 

                                    Halit Gashi

 

                        Halit Gashi , ni djalë i ri-e,

                        Fluturim koka dalë n’ çarshi-e,

                        Në ni kafe, djali , koka hi-e,

                        Beqir agën, po ma gjanë , o, tuj pi-e,

                        Tu ngatë jeta, more zotni-e ,

                        A s’ ma gjanë, o, ni tok-o, çipçi-e,

                        N’ Vuçitërrnë, unë, ma nuk muj-o po rri-e,

                        Ujtë e keq e s’ po muj-o me pi-e !

                        -Po , Halit, o , t’ gjetne e ki-e,

                        Hin e zgjidh , ku t’ duesh me hi-e ,

                        Soll n’ ma dhash, oh, motrën , o, Hajri-e ,

                        S’ po ta lypi për miqasi-e,

                        Soll si i ka , oh, dy sytë e zi-e,

                        Nja tri net , oh, me ta po rri-e ,

                        Mas tri nete, po ta bije në shpi-e !

                        Halit Gashi, fort a ngushtue ,

                        Alltija me veti s’i  ka qillue !

                        Shpejt e shpejt, o, n’ shpi t’ vet ka shkue,

                        Grues s’ vet, fort ju ka ngërmue,

                        Po don gruen, o, n’ at ven , o, me lshue!

                        Grueja e vet, o , ju ka drejtue –

                        Çka ki njeri, sod , çka je trenue,

                        Mas tre thmive, qysh po don me m’ lshue?!

                        Kabahatin ki me ma kallxue –

                        Kush t’ ka sha, kush t’ ka ranue?!

                        -Beqir agës, ju kam ba çipçi-e,

                        Ma ka lypë, aj, motrën, o, Hajri-e,

                        S’ ma ka lypë, o, për miqasi-e,

                        Soll si i ka , o, dy sytë e zi-e!

                        Byma , grue, qat t’ shkretën allti-e,

                        Fluturim, koka ra n’ çarshi-e ,

                        Tek poj pvetë , o, do dugajxhi-e,

                        -Mos ma patë Beqir agë – zotnin-e?

                        -Qatje n’ ni  kafe ka hi-e,

                        Me do shokë a tuj pi raki-e !

                        Si sokol n’ atë kafe, o, ka hi-e,

                        Dha selam e asht ungj-o n’ skemli-e,

                        Bërtet t’ madhe – more kafexhi-e,

                        Byma i kafe se po due me e pi-e,

                        Beqir agës, besa , piqja dy-e,

                        Se e kam zanë, sod, unë mik , o, të ri-e!

                        Ju ba kafja ni mixhidi-e,

                        Don me ja la, besa, qaj zotni-e !

                        -Mos u ngut , ti, more zotni-e,

                        Se kurrë pa pare qesja nuk um rrin-e,

                        Pej ni mive, o, teri n’ pesqin-e !

                        Beqir aga, a dalë n’ çarrshi-e,

                        Halit Gashi, po del , o, mas tij-e,

                        -N’ cilën tokë, o, po m’ shtin , o, çipçi-e,

                        Ta kam pru, o, motrën, o, Hajri-e?!

                        Shujë Halit, more, djalë i ri-e,

                        Qato fjalë, krejt janë kan-o, mahi-e!

                        -Unë me motër, nuk di , o, mahi-e,

                        I ra sipri gjashtë herë , o, allti-e,

                        -Qekjo asht, o, motra Hajri-e,

                        Si t’i  ka ,o, dy sytë e zi-e !

                       

                        Mbrojtja e dinjitetit moral individual

 

            Krahas mbrojtjes së dinjitetit moral familjar, rëndësi të veçantë tek populli shqiptar i kushtohet mbrojtjes së dinjitetit moral individual  e fizik.

            Kështu që , sipas traditave dhe zakoneve shqiptare , meshkujt po sa ta kalojnë fazën e pubertetit dhe të fillojnë që ta rruajnë fytyrën, nuk lejohet që të shahet, të nënçmohet, apo të ndëshkohet fizikisht ! Sharjet, nënçmimet dhe ndëshkimet fizike të ushtruara mbi meshkujt shqiptarë, jo rrallë , kanë përfunduar me epilog tragjik !

            Motivet e këtilla , që kanë të bëjnë me mbrojtjen e dinjitetit moral individual të meshkujve shqiptarë , gjithashtu kanë zënë vend edhe në krijimtarinë popullore të folklorit muzikor shqiptar !

            Cenimi i dinjitetit dhe moralit individual , tek shqiptarët është përjetuar më së shumti nga ana e sundimtarëve – okupatorë të huaj , të cilët kanë ushtruar dhunë të pa parë mbi meshkujt dhe burrat shqiptar, qoftë në jetën private, qoftë në punë, por më tepër gjatë shërbimit të dhunshëm nëpër ushtritë okupatore .

            Një rast të këtillë, e trajton edhe kënga në vijim, që mbanë titullin:”Haxhi Gashi”. Kjo këngë, për kah konstruksioni i saj iu përket rapsodive tipike kosovare, por që nuk na e tregon vendin se prej nga ishte Haxhi Gashi. Mirëpo, përmes vargjeve të kësaj kënge, na bëhet e qartë se kjo këngë bënë fjalë për një ngjarje të dhunshme që ka ndodhur gjatë sundimit osman në Kosovë dhe na e tregon edhe motivin e mobilizimit të dhunshëm të djemve shqiptarë, të cilët dërgoheshin me dhunë për të shërbyer në ushtrinë osmane !

            Kështu ndodhë edhe me të riun shqiptar nga Kosova, Haxhi Gashin, të cilin e dërgojnë për të shërbyer në ushtrinë turke në Stamboll. Pas pak kohesh, Haxhiun e caktojnë që të bëjnë roje tek Ura e Gallatës, ende pa e mësuar gjuhën turke, as rregullat elementare ushtarake!

            Që në ditën e parë të rojës së Haxhi Gashit, tek Ura e Gallatës i shkon një oficer i lartë gjermanë, i cili e provokon rënd ushtarin e ri Haxhi Gashin , motivacion se Haxhiu nuk ia kishte marrë patin (nuk e kishte përshëndetur)?!

            Për këtë gabim të pa qëllimshëm, oficeri i lartë gjermanë i afrohet Haxhi Gashit, i bërtet, e shanë dhe ia mëshon me shuplakë ?!

            Haxhi Gashi, ndonëse shumë i ri, ishte një trim shqiptar me traditë i cili ishte rritur në një familje që nuk duron shpullat , as sharjet e huaja! Andaj, pa u hamendur fare , i largohet oficerit vetëm dy- tre hapa dhe ia shuan jetën me mauzerin e rojës ushtarake.

            Për këtë akt, Esat Pasha e dënon Haxhi Gashin me pushkatim, por akti edhe më burrëror dhe heroik i Haxhi Gashit, me rastin e ekzekutimit të tij, nga ana e ushtrisë turke, është momenti kur Esat Pasha i urdhëron ushtarët që para se ta pushkatojnë Haxhiun, t’ ia lidhin sytë me shami, për të mos i parë plumbat me sy!

            Haxhi Gashi, nuk i trembej Pashait e as plumbave të ushtrisë së tij vrastare, andaj me një zë të lartë dhe të guximshëm , i kthen Pashait:

 

” Jo , more Pashë, more zotni,

Nuk jam turk anadolli,

Mej lishë sytë, unë, me shami!

Jam shqiptar – kosovali ,

Po due plumbat mej pa me sy!”

 

Ta lexojmë tekstin e kësaj kënge në tërësi dhe të kuptojmë se çfarë në të vërtetë përshkruhet përmes vargjeve të saj !

 

                                    Haxhi Gashi

 

                        E, Haxhi Gashi , ni djalë i ri-e,

                        Poj vjen letra për asqeri-e !

                        Asqer , djali , o, kur a shkue –

                        E kanë qitë , o, nebet me rue !

                        Allamani , ju kish ngërmue –

                        Pse s’ ma merr, bre djalë, patin mue?

                        Me i kamxhi, djalit, ja kish mshue,

                        Haxhi Gashi, fort ish ngushtue !

                        Katër hapa ju ka largue ,

                        Vet me veti koka kujtue –

                        Babës, shuplakën s’ ja kam durue,

                        Drodh mamxerrën e ma ka gjue –

                        Allmanit keq ja ka mshue !

                        Allamanit, o, keq ja ngjiti –

                        Tana trutë, o, n’ kalldrëm ja qiti ,

                        Hiq s’ vanoj , more, i duel shpirti !

                        Hiq s’ vanoj, o, shpirti i ka dalë ,

                        Haxhi Gashin, o, e kanë zanë ,

                        Qatë mamxerrën teslim pe banë !

                        Esat pasha , rrike n’ skemli –

                        Qysh po thoni mexhlis, o, i ri?

                        A me vjerrë djalin, a me gri?

                        Dha karar mexhlisi i ri –

                        Jo me vjerrë djalin, veç me e gri!

                        T’ shtunën n’ natje, o, n’ dy sahati,

                        Borizani , o, keq piskati –

                        Tri taborre , o, banju gati,

                        Sod po grihet, o, Haxhi Gashi !

                        Kur e qiten djalin me e gri ,

                        E kanë pshtetë djalin për ni bli !

                        Esat pasha po rrin n’ skemli –

                        Lidhnja sytë, djalit , me shami,

                        Asht i ri, djali, axhami,

                        Mos t’ i shohin plumat me sy !

                        Haxhi Gashi, ni trim dai –e

                        Esat pashës, o, ja ka kthye –

                        Jo, more pashë, o , more, zotni-e,

                        Nuk jam turk, o, Anadolli ,

                        Mej lidhë sytë, pash-o, me shami-e!

                        Jam shqiptar, o, kosovali ,

                        O, po du plumat, o mej pa me sy-e !



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora