E diele, 28.04.2024, 01:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Aida Zaganjori: Ja gratë e huaja të shquara që kanë shkruar për Shqipërinë

E diele, 15.02.2009, 11:00 AM


Aida Zaganjori: Ringjallja e lëvizjeve feministe në fillim të viteve ‘70-të i dha rëndësi dhe interes të veçantë udhëtareve gra

Ja gratë e huaja të shquara që kanë shkruar për Shqipërinë

Arsimi dhe eksperienca në punë
Anglisht (me diplomë), italisht (me dëshmi), gjermanisht (njohuri të mira)
2005-2006 Pedagoge e jashtme pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” Dega Ekonomik
2005- Mësuese pranë Qendrës së Gjuhëve të Huaja “Arul”
2006- Pedagoge e jashtme pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” Dega Anglistike
2007- 2008 Mësuese pranë Shkollës së Mesme Jopublike “Scutari”

Nga Albert Zholi
 
Para disa kohësh studiuesja, përkthyesja dhe mësuesja e gjuhëve të huaja, Aida Zaganjori për të mbrojtur Masterin u paraqit me temën “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e disa grave të shquara angleze të shekullit të XX-të”. Në leximin e temës, secili nga ne mund të pyesë veten pse përzjedhja e autorëve të shqyrtuar në këtë punim ka të bëjë me një ndarje gjinore. Pse janë përzgjedhur vetëm autore femra, të cilat kanë udhëtuar nëpër Shqipëri dhe Ballkan? Çfarë mund të sjellin të veçantë gratë rreth përvojave të tyre të udhëtimit? A janë rrëfimet e bëra nga autoret gra që udhëtonin nëpër botë të ndryshme nga ato të autorëve burra? A përbën ndarja gjinore një ndarje në stil apo në mënyrën e të rrëfyerit? Këto pyetje vazhdojnë të shqetësojnë dhe sot studiuesit e teorive feministe. (si për Edit Durham, Rouz Lejn, Margaret Hezllak, Antonia Jang, Doroti Gilman, Elizabet Klevelend
Miler, Ann Brixh). Gjithsesi, për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje na duhet të kthehemi sërish në të shkuarën për të parë se si kanë ndryshuar prespektivat e studimit të autorëve gjatë evolumit të kohëve. Për të marrë një përgjgje më të saktë rreth këtyre pyetjeve ekskluzive për “Telegraf”, ne zhvilluam një bisedë me zj. Aida Zaganjori.

Zj. Aida, së bashku me mitet e eksploruesve heroikë, ekzistojnë dhe lloje të tjera narrative, disa nga të cilat janë shkruar nga gra. Në shënimet e tyre ato filluan të ironizonin imazhin dominues të burrit, i cili kërkon në mënyrë të guximshme të shkojë atje ku askush nuk kishte shkuar më parë. Si e përcillini ju këtë moment në mbrojtjen e temës?

Thelbi i aventurës qëndron në përballjen me rrezikun dhe në eksplorimin e të panjohurës. Kjo e bën mëse të qartë faktin përse pjesa më e madhe e udhëtimeve të bëra në ato kohëra të hershme ishin burra, të cilët lëviznin më lirshëm në sferën publike. Sagat e shkëlqyera evropiane të bëmave kalorsiake (si Saga Nordike dhe Cikli Arturian) apo eksplorimi përtej deteve (si Odiseja dhe Lusiada) janë pjesë narrative të shkruara nga burra, me gra të paraqitura si objekte dëshire apo pika mbërritjeje më tepër sesa si bashkëudhëtarë. Çështja e aventurës në shekujt 16-të e 17-të, kur burrat në kërkim të fatit dhe zbulimit të botëve të reja që po shpaloseshin përtej kufijve evropianë, kishte qartësisht karakter gjinor, meqë ideja e burrit si një udhëtar heroik që e merr rrezikun në sy ishte në qendër jo vetëm të ndodhive të shekullit tjetër, por dhe në vazhdim e deri në shekullin e 20-të. Së bashku me mitet e eksploruesve heroikë, ekzistojnë dhe lloje të tjera narrative, disa nga të cilat janë shkruar nga gra. Reportazhet si komente sociale dhe etnografike i kalojnë kufijtë gjinorë dhe sidomos në shekullin e 20-të, udhëtarët burra dhe gra kanë shkruar tekste vetërefleksive si autobiografi, memuare, apo dhe shënime udhëtimesh. Në shënimet e tyre ato filluan të ironizonin imazhin dominues të burrit, i cili kërkon në mënyrë të guximshme të shkojë atje, ku askush nuk kishte shkuar më parë. Ringjallja e lëvizjeve feministe në fillim të viteve ‘70-të i dha rëndësi dhe interes të veçantë udhëtareve gra. Veprat e mjaft autorëve anglo-saksonë të shekullit të 19-të dhe 20-të ishin botuar dhe kishin patur një numër të konsiderueshëm lexuesish përmendim këtu Rosita Forber, Freja Shtark, Gertrude Bell, Rebeça Uest, Edith Durham, Rose Uilder Lejn, Antonia Jang, Berit Beker, etj.. Titujt e disa prej këtyre studimeve reflektojnë mënyrën e veçantë të udhëtimeve të bëra nga këto shkrimtare. Megjithëse në shumë antologji të shkruara për shkrimtarët gra që ndërmerrnin udhëtime të largëta, ka mjaft lavdërime për arritjet dhe përpjekjet e tyre, studiuesit tregojnë se këto udhëtime janë eksentrike dhe të çuditshme. Mund të përmendim këtu veprat “Fundi i Trashë” “Leneshat Jashtë Shtetit”, etj., të cilat fokusoheshin në histori të pazakonta rreth jetës së këtyre autoreve, në origjinalitetin e tyre dhe në refuzimin e tyre të vendosur për t’iu nënshtruar normave shoqërore të kohës.

Dhe cilat nga këto gra mund të përmendni?

Këtu mund të përmendim p.sh. Edit Durhamin. Nga shumë udhëtare britanike në Ballkan, Edit Durhami është një nga më energjikët dhe ndoshta gruaja puna e së cilës pati ndikim më të thellë në zonën që ajo njohu dhe e deshi aq shumë. Edit Durhami duket se gjeti në kontaktin e parë me Ballkanin arsyen për të jetuar; identifikimi i saj me tokën e njerëzit u bë mjaft i plotë. Pikëpamjet e saj ndryshuan sipas zhvillimeve historike e ky ishte një zotim tepër dinamik. Në fund historia e jetës në Ballkan është ndoshta dhe një fund i trishtuar dhe kur toka dhe njerëzit që ajo donte ishin të pushtuar nga dhuna e luftës, edhe ajo ndjehej në një fare kuptimi e shtypur. Ata që i kujtojnë vitet e saj të fundit e përshkruajnë atë si “mbretërore” ose më mirë si një mbretëreshë të pakurorëzuar të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare.

Përse?

Ajo nuk kishte paragjykime në favor apo kundra ndonjë feje të veçantë, dhe nëse asaj i dukej Ballkani i çuditshëm dhe i ri, ajo ishte gjithashtu e dhënë pas gjetjes së lidhjeve midis fiseve të Shqipërisë së Veriut dhe atyre në veri të Londrës. Mbi të gjitha Durhami kishte një durim të pakufishëm; ajo kishte aftësinë të priste dhe të shihte. Siç është shprehur dhe konsulli britanik në Cetinë “Çështja e tyre është e pafund, ajo çmend një burrë. Ai humb durimin dhe pastaj gjithçka merr fund. Këta njerëz kërkojnë durim të pafund dhe gratë kanë durim shumë më tepër se burrat”. Është e vështirë të zbulohen shumë nga vitet e hershme të Edit Durhamit, përpara se ajo të fillonte udhëtimet në Ballkan në moshën 37-vjeçare. Ajo rridhte nga një familje e madhe dhe e pasur, dhe pothuajse të gjithë nga shtatë vëllezërit dhe motrat më të vogla të saj u bënë të njohur në profesione të tilla si mjekësi, inxhinieri dhe shërbime shoqërore.

Rouz Uilder Lejn

Jeta e saj në vitet e hershme nuk kishte ndonjë gjë për të shënuar, por duhet thënë se Roza ishte një nder femrat më të pavarura, e cila tentoi të hynte në shume profesione, deri atëherë tërësisht të bëra nga burra. Ajo u largua nga shtëpia në një moshë të re duke bërë punë me dy turne e duke u ngritur në detyrë deri sa arriti në pozicione mjaft të lakmuara nga burra dhe aty ndjeu antagonizmi e fortë ndaj saj. Më vonë ajo punoi si një gazetare në faqen e grave tek Buletini i San Franciskos, duke filluar kështu një karriere mjaft të suksesshme si shkrimtare dhe duke u bërë autorja më e paguar në Amerikë. Udhëtimin e parë jashtë Amerikës ajo e bëri në Paris pasi iu ofrua punë nga Kryqi i Kuq Amerikan që të hetonte dhe të bënte reportazhe për Evropën dhe Azinë. Pas Parisit ajo udhëtoi në Itali, Greqi, Jugosllavi, Shqipëri, Egjipt, Armeni, Arabi dhe Persi. Por ishte pikërisht Shqipëria ajo që
i interesoi më së shumti.

Kostantimi

Ajo ndodhej në Shqipëri së bashku me punonjësit e tjerë të Kryqit të Kuq, të cilat kishin ardhur për të dhënë ndihmë mjekësore dhe po qëndronte në një kamp në Shkodër. Ndërkohë një shoqe e saj e bindi Lëne-in të bashkohej me një grup udhëtuesish e të bënin një ekspeditë në malet e Shqipërisë së Veriut me qëllim që të ngrinin tre shkolla në ketë zonë tërësisht të pazhvilluar. Në zona të tjera të Shqipërisë ishin pritur mbi 1000 shkolla që më 1912-ën, ku mësohej gjuha shqipe, e cila kishte qenë e ndaluar për një kohë të gjatë. Ishte pikërisht ky udhëtim më 1921, i cili frymëzoi librin Majat e Shalës, në parathënien e të cilit ajo shpjegon se:
“Kjo nuk është një përpjekje për të zgjidhur një pe në nyjën ballkanike; nuk është studim mbi një popull primitiv,...Këtu po jap vetëm atë që kam parë, dëgjuar dhe sidomos atë që kam mësuar në baritjet në mesin e fiseve në brendi të maleve veriore shqiptare. Madje, kjo nuk është as e tërë Shqipëria, ai vend i vogël, tepër i vogël aq sa vështirë të gjendet në hartë. Ky nuk është as një fragment i kësaj bote të gjerë, tjetërfarë dhe romantike, që ua sjell me vete një shtegtare atyre që rrinë në shtëpi”



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora