E shtune, 27.04.2024, 04:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Buçpapaj: Gjekë Marinaj kumtari i poezisë shqipe

E shtune, 14.02.2009, 11:15 AM


Skënder Buçpapaj
Skënder Buçpapaj
GJEKË MARINAJ KUMTARI I POEZISË SHQIPE

Nga Skënder BUÇPAPAJ
 
Librin e ri “Lutje në ditën e tetë të javës” të Gjekë Marinajt, pas një leximi të plotë, e kam rilexuar shumë herë gjatë kësaj kohe në cikle e poezi të ndryshme të tij. Horaci dikur thoshte: “Ashtu si piktura është edhe poezia: disa pjesë do t’ju prekin më shumë nëse i shikoni nga afër dhe disa të tjera nëse i shikoni nga larg: dikush e do të errëtën; dikush, që nuk ka frikë nga gjykimet e rrepta të kritikëve, parapëlqen të shihet në dritë; një pikturë (poezi) do t’ju pëlqejë menjëherë, tjetra do t’ju japë kënaqësi pasi ta kesh parë dhjetë herë.”
Poetët unë i ndaj në dy grupime të mëdha, në dy raca: raca e poetëve që, në njëfarë stadi, e krijon ngastrën e vet, përkatësisht mbretërinë e vet, dhe prej atëherë e deri në fund të krijimtarisë, rrëmon e ndërton brenda kufijve të saj; si dhe raca e poetëve që nuk pushon kurrë së kërkuari, nuk pushon kurrë së zgjeruari hapësirën e vet, mbretërinë e vet. Të parët, duke i kanalizuar saktësisht kërkimet e tyre, ashtu i kursejnë edhe energjitë e tyre, e përkryejnë vetveten brenda një kuadri fort të përcaktuar. Të dytët, kanë ndjeshmërinë (intuitën) se zotërojnë energji të pashterrëshme dhe, prandaj, nuk reshtin kurrë së kërkuari, nuk rreshtin kurrë së zgjeruari rrathët e interesimeve dhe të eksperimentimeve të tyre.
Gjekën e përfshij në grupimin e dytë. Ai i përket asaj race të poetëve që, për arsye të historisë vetjake, për arsye të geneve të tij, për arsye të rrethanave të poezisë që shkruhet atje ku është dhe të asaj që shkruhet prej nga ka ardhur, është i prirur të kërkojë, duke marrë pikënisje e shtysa sa nga përvoja e vet poetike, përherë e më e pasur, aq edhe nga përvojat tradicionale e ato më të ditës në të dyja terrenet. Lexuesi i tij, për të qenë në lartësinë e tillë, nuk duhet të përtojë të shfletojë fjalorët për t’u njohur me fjalë e shprehje që ai i përdor, madje edhe enciklopeditë për rastet ku ai iu referohet termave të fizikës, kimisë, astronomisë, gjeometrisë, filozofisë. Kam përshtypjen se ka qenë nxënës i mirë në shkencat e natyrës.
Mendoj se kjo përshtypje të përforcohet më shumë nga libri i tij i ri. Ai kalon nga një gjendje poetike në një tjetër, nga absurdi në paradoks, nga idealizimi i së bukurës tek estetizimi i së shëmtuarës, nga herezitë më kryengritëse tek përvujtnitë më të skajshme, nga frojdizmi i shfrenuar, tek moraliteti i kulluar, nga mëkatëria më e pafalshme tokësore tek shenjtëria më qiellore, nga ndijimësitë më përvëluese fizike, tek sferat më divine ndijore, nga idilet e buta tek peisazhet makabre. Regjistrat e shumë poetikë i realizon nëpërmjet ndërthurjes së abstraktes me konkreten, duke synuar që t’i ngrejë të dyja këto përmasa në parametrat e abstraktes së kulluar, çka është edhe kredo artistike e të gjithë poetëve modernë, pas Artur Rembosë e deri më sot.

Gjekë Marinaj
Gjekë Marinaj
Ai thotë “Në trupin e zverdhur të muzgut” (Udhëtim në lundrën e Akerontit). Pra, muzgu i zi bën merr funksionet që do t’i kishin objektet e gjelbra, kryesisht pylli, bari, gjelbërimi i natyrës në përgjithësi. Kjo mënyrë konceptimi, në një përfytyrim dantesk, të lejon herezinë “Ç’mendonte Vrigjili/Kur e përshkruante ferrin/Si qyteti i Zotit”, lejon edhe adresimin në aktualitet, lejon identifikimin e poetit të sotëm me atë antik “Nëse je lindur/Je fajtor./Nëse e lexon këtë mesazh/Je këtu.” Thotë më tej “Jetojmë me akrobacitë e ndryshimit të çehres” dhe arrin të shprehësh paradoksin e denatyrimit të qenies njerëzore, artificializimin dhe automatizimin e tij (Udhëtim për në qendër të vetvetes). E njëjta logjikë poetike kur thotë: “Koha zë në thua,/por jam unë ai që rrëzohem,/Jam unë ai që thyej turinjtë/…Në ingranazhet e thyer të kësaj ore.” Konfuzionin, kaosin modern ai i ka shprehur me të njëjtën teknikë të paradoksit, në një kontekst intim, tek poezia “Cilin nga ne jam unë” në librin e mëparshëm “Infinit”: “Qenkemi mbrujtur aq epur tek njëri tjetri,/e dashur,/sa kam humbur keq në saktësinë;/cili nga ne jam unë/globit qelqor të dashurisë.”
Gjithnjë mendoj se poezia është arti që kërkon më tepër guxim se çdo art tjetër. Këtë mendim ma përforcon libri i ri i Gjekës. Theodhore Roethke kishte pikërisht parasysh këtë kur arsyetonte: “Poezia, madje edhe pak kohë pasi është shkruar,/duket jo më si mrekulli; e pashkruar, ajo duket/Diçka përtej zotësisë së perëndive.” Guximi qëndron, pra, në aktin e krijimit, në aktin e shndërrimit të përfytyrimit poetik në poezi të mirëfilltë, aktin e sjelljes së krijimit në jetë, aktin e shndërrimit të lules në frutë. (“Ti duhet të besosh: një poezi është diçka e shenjtë – një poezi e mirë/e tillë është,” përmbyll Roethke.) Ky akt është i shenjtë deri në çastin kur e merr trajtën përfundimtare, trajtën konkrete, në poezinë e shkruar. Droja përballë këtij akti çon në ngurimet, në stepjet, në të tjera të pafundme si këto, që shpien në dukurinë e poezive të pashkruara, për të cilën ankohen e pendohen shumë poetë. Ky pikëllim e përshkonte Migjenin te “Kangët e pakëndueme”. Ashtu siç e thotë edhe Gjeka në poezinë “Bisedë me vdekjen”: “Do i laj mëkatet/Për të gjitha poezitë që i lashë të pashkruara,/Dhe për vajzat që në emër të nderit/Dashurinë për mua e lanë të vdesin.”
Në librin e ri të Gjekës, nga vuajtjet fizike të objekteve lindin figura të tilla si “Toka nga ndrydhja vesë të kristaltë djersiu”, “Horizontit aty pranë prush iu ndezën buzët” (Afërdita). “Nuk ke si të mos i duash vajzat/Që me shikimin e tyre të blertë/Botën e shkujdesur e dritëçajnë në mes,” shkruan ai tek poezia “Vajzat”. Kështu arrin me sukses të realizojë te lexuesi përfytyrime konkrete përmes abstraktes së shumëfishtë, ku shikimi blerohet, pastaj me dritën e tij e çan në mes botën e shkujdesur. Kemi në këtë rast edhe krijimin e suksesshëm të një neologjizmi të tillë që ka kuptim vetëm në këtë kontekst poetik dhe askund tjetër: “dritëçajnë”. Në fondin e stilemave poetike që i përkasin plotësisht tekstit të tij të ri, pra origjinal, janë edhe “Sytë e tu/ i bëjnë foljet e mia të flasin me vete,” apo “efektet anësore të syve të tu” (Sytë e tu); “Dashuria iu fishkëllen njerëzve në vesh” (Qiej të përflakur); “Faleminderit për pjesën tënde të fytyrës sime” (Dusitës, në 14 vjetorin e martesës); “Por fajin mos e shumëzo me numrin e dhëmbëve/Që këtyre dy dekadave iu ka rënë nga pjekuria”; “Përtej dritares/Po të thërret mëngjesi/Të zbardhni bashkë” (Hajku); apo “Retë/Si mjekra kasapësh të vjetër/Ngjyer në gjak/Zbritën në sofrën e malësorëve/Të pinin një pash dritë/Nga dielli i syve të tyre/…Në ikje iu vinte erë varri./Malësorët e mbajnë kryet një spik sipër reve!” (Retë); apo “Perëndim në të dyja kuptimet e fjalës./Gravitet specifik ekstrem:/Kripë dhe shqiptarë,/Ujë dhe vdekje” (Flluska mbi Adriatik); apo “Që të mos vdes/ takohem përditë aty ku dhemb” (Shqipëri); apo “Sikur të kisha imunitet shpirtëror në Shqipëri/Do mbaja për vete pa turp kripën e lotëve”; apo “Shkruar diku midis/ botanikës dhe anatomisë së dy gjetheve” e “Dhe përfundimisht lëshoi mbi gjoks/Si dy fletë të shkëputura Bible/Duart e saj të ndershme mbi njëra tjetrën” (Nëna e poetit Luigj Çekaj dha shpirt) apo “Që konformizmi t’u mbetej më i shtrenjtë se ëndërra/Që ta dinin se, si poetët, edhe fjalët kanë qafë,/Se, para ose pas tyre, edhe ato mund të vareshin në litar” (Ailuropoda në gjyqin e fjalës); apo “Që atë mëngjes/Filxhani im i kafesë/Avullon gjak e lot” (Ankth); apo “Arusha e vetme e veshi shpellën me mure durimi/Dhe pas dy javësh u kthye në një grua shifrore,/ E ditur se shenjat e numrave romakë nuk kishin zero.”
Të tilla figura poetike do t’i kishte zili çdo poet. Por edhe poezi si “Të gjitha juritë do të më falnin”, “Moment frojdian”, “Dashuria”, “Kjo është ajo vajza”, “Në ditëlindjen e nënës”, “Himn për prindërit e mi”, “Mall për nënën”, “Shkodrës”, “Gonxhe Bojaxhiu”,, “Rrëfimi i Rozafës”, “Sipas meje”, “Si do të na vajtonte gjyshja ime ne emigrantëve më 1990-tën”, “Shqipëri”, “I pa imunitet në Shqipëri”, “Vijë ndarëse me Emily Dickinson-in” etj. Më afër lexuesit shqiptar mendoj që janë ciklet “24 orë dashuri”, “Lutjet e së dielës”, “Duart e nënës”, “Rrëfimi i Rozafës”, “Sugjerim me zë të ulët”.
Frederik Reshpja, për të cilin Gjeka ka një poezi, më thoshte dikur në Shkodër (në fillim të viteve 1970) se poetët e Veriut duhet të bazohen shumë në Eposin e Kreshnikëve. Frederiku vetë, sado që ishte i përfshirë në jetën qytetëse të Shkodrës, është përpjekur të kërkojë në këtë drejtim, sidomos në vëllimin e parë “Rapsodi shqiptare”, por edhe në vëllimet e tjera poetike, madje edhe në romanin e tij të vetëm të botuar. Në Kosovë u kuptua menjëherë kjo prirje e Frederik Reshpjes kur atij iu përgatit dhe iu botua në Prishtinë vëllimi me poezi të zgjedhura “Enisè”.
Frederiku është një ndër poetët më të vuajtur që kam njohur. Një shpirt i artistit të kulluar në një fizik plot drama – nga më të egrat, dhe në një jetë plot proza, nga më të skajshmet. As ai, as ne poetët e tjerë të Veriut nuk e patëm të lehtë të brumosemi në poezinë moderne nëpërmjet Eposit të Kreshnikëve, për arsye të realizmit socialist dhe frymës krahinore popullore (të realizimit socialist) të dekretuar nga lart. Poetët e Kosovës, edhe ata, u tunduan nga zanat e veta. I vetmi që i qëndroi fanatik frymës së Veriut, duke qenë një europian i mirëfilltë, një shqiptar i kulluar, ishte Martin Camaj. Edhe Gjekë Marinajt, për rrethanat e mëparshme e të mëvonshme nëpër të cilat ka kaluar, nuk mund t’i mëtoj ta mbajë penën të ngjyer në botën e mitologjisë së Veriut.
Gjithsesi uroj të jetë një zë i shquar shqiptar në perëndimin amerikan dhe një ambasador i pashoq i poezisë shqiptare atje, mision të cilin asnjë autor shqiptar nuk e ka kryer deri sot në botën e huaj.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora