Kulturë
Baki Ymeri: Admirimi i Amerikës ndaj kombit shqiptar
E shtune, 14.02.2009, 11:06 AM
Admirimi i Amerikës ndaj kombit shqiptar
Kristo Dako
Kristo Dako - shqiptari që e përfaqësoi Kosovën
në shtëpinë ku u shpall Pavarësia e Amerikës
Mbledhja, sipas Albert Nikollës, kryesohej nga Thomas G. Massaryk, i cili në mbarim të luftës u zgjodh presidenti i parë i Çekisë. Në këtë datë (18 tetor 1918), dr. Massarik nënshkroi pavarësinë e Çekisë, ndërsa Kristo Dako pavarësinë e Kosovës. Artikull i aktualizuar, varianta e parë e të cilit e pa dritën e botimit në revistën prestigjioze Albanica, në Prishtinë.
Nga Baki Ymeri (Bukuresht)
Duke patur frikë nga cenzura komuniste dhe “imperializmi amerikan”, autorët e Tiranës kishin “harruar” ta inkorporojnë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) emrin e një shqiptari me vlera të larta historike: Kristo Dako, autor i një libri të shkëlqyer mbi përpjekjet tona për pavarësi “Liga e Prizrenit e para lëvizje kombëtare për të mprojtur tërësinë toksore të atdheut dhe për të fituar independencën e Shqipërisë” (Bukuresht, 1922). Sipas hulumtimeve të Albert Nikollës, kuptojmë se pas vitit 1912, Kristo Dako shkon në Amerikë, ku më 18 tetor 1918 e përfaqson popullin shqiptar të Kosovës dhe Çamërisë në Kongresin e Popujve të robëruar, që mbahej në shtëpinë ku u shpall Pavarësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dihet se Amerika u bë independente më 4 korrik 1776, në Filadelfia, atje ku vepron sot një shoqatë e fuqishme atdhetare e kulturore e shqiptarëve të atjeshëm: “Bijtë e Shqipes” (www.bijteshqipes.tk). Dihet, poashtu, se krahas Gjermanisë, Anglisë dhe Italisë, Amerika ishte e para që e njohu këto ditë pavarësinë. Po i rikthehemi Kristo Dakos, burrit të Sevasti Qirjazit, shqiptares që e shkriu jetën për hapjen e shkollës së parë shqipe për femra në Korçë.
Mbledhja, sipas burimeve nga Ylli i mëngjezit (shkurt 1919), “kryesohej nga Thomas G. Massaryk, i cili në mbarim të luftës u zgjodh presidenti i parë i Çekisë. Në këtë datë (18 tetor 1918), dr. Massarik nënshkroi pavarësinë e Çekisë, dhe Kristo Dako pavarësinë e Kosovës. Më 18 gusht 1918, arkivohet letra e tij dërguar presidentit Willson në zyrën Ovale, letër e cila bie në dorë të numrit një të SHBA-ve, i cili në konferencën e Versajës mbron Shqipërinë e cunguar. Më pas, në sajë të ndërhyrjes italiane, qëndrimi amerikan ndryshon në dëm të Shqipërisë”. Krahas Rumanisë, Italia ishte e para që dha vizën jeshile fluturimeve ajrore për shpartallimin e kuçedrës militariste të Serbisë komuniste (1999). Rumania e Emil Constantinescut dhe Italia e garibaldinëve para dhjetë vitesh dhanë provimin historik në favor të Kosovës dhe popujve të skllavëruar. Se ç’bën sot klasa politike rumune lidhur me njohjen e pavarësisë, kjo është punë tjetër. Është punë tjetër ngase Shqipëria, Maqedonia, Rumania dhe Serbia ende nuk i kanë flakur nga pushteti ishkomunistët e etshëm për pushtet dhe para. Për të mos anashkaluar subjektin, po shtojmë faktin se precedenti i Kosovës nuk është i rrezikshëm ngase nuk ka kurgjë të përbashkët me kërkesat hungareze për autonomi në zemër të Transilvanisë rumune.
Kristo Dako atë kohë takohet me presidentin amerikan, duke shfrytëzuar miqësinë e madhe që miliarderi Charles R. Crane (mik i Dakos), kishte me Wilsonin. Dako i kërkon Crane-s takim me presidentin amerikan, më 9 janar 1920. Nga dokumentet që hulumton Albert Nikolla në arkivin e njërës nga të mbesat e familjes Qiriazi në Amerikë, kuptojmë se pas të gjitha kërkesave që kishte bërë Dako te kryetari amerikan për ta rishqyrtuar çështjen e Shqipërisë, Wilsoni e pret z. Crane dhe Dakon në janar të vitit 1920. Z. Crane, sipas kujtimeve të Parashqevi Qiriazit (Flaka, 28/7/2000, f. 8), mundi të siguronte një takim me Presidentin Amerikan. Wilsoni i pohoi Dakos se kishte marrë tre letrat e tij dërguar në Shtëpinë e Bardhë, si dhe memorandumet drejtuar shteteve europiane nga shqiptarët. Pasi Dako i bëri kërkesat, Wilsoni deklaroi: “Marrëveshja është firmosur. Është vonë. Nuk kam asnjë mundësi për t’u shmangur nga dokumenti i 9 dhjetorit 1919, për shkak të detyrimeve ndërkombëtare që kemi me partnerët tanë"”
![]() |
Shqiptarët e Sllatinës (1956) |
Dhe shquhet sot Dalai Lama i Shqiptarëve të Rumanisë, dr. Xhelku Maksuti me kontributet e tij publicistike për mbrojtjen e Kosovës në Bukuresht (1998-2008), filoshqiptari Tiberius Puiu, Corneliu Zeana etj. Apeli i asokohshëm bukureshtar dhe dokumentet që gjenden në arkivin e familjes Qiriazi në Amerikë, kërkojnë hulumtime të mëtejshme për të sqaruar përfundimisht të vërtetën mbi përpjekjet e Kristo Dakos, Faik Konicës, Fan Nolit dhe atdhetarëve të tjerë për mbrojtjen e Shqipërisë nga krasitjet e kobshme. Vlen të theksohet me këtë rast fakti se një nga veprat më të çmuara të Kristo Dakos mban titullin Cilët janë shqipëtarët (Manastir, 1911).. Ja pra se kush janë! Noli, Konica dhe Dakallarët e Amerikës janë pasardhësit e ilirëve të lashtë që kishin zjarrin e trimërisë në zemër dhe vullkanin e atdhedashurisë në shpirt. Janë ata që e joshën admirimin e administratës amerikane ndaj kombit shqiptar, rrugën e të cilëve e vazhdoi më vonë Ibrahim Rugova me Njerëzit e Tij. Falë kontributit të tyre të shenjtë, Amerika me partnerët e saj dha kontribut të pashoq për flakjen e kolonializmit serb në Kosovë.