E diele, 28.04.2024, 12:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Mes artistëve në ditën e dashurisë

E diele, 15.02.2009, 12:35 PM


Eli Fara
Eli Fara
Mes artistëve në ditën e dashurisë

Nga Albert Zholi


Dje ishte dita e Shën Valentinit, dita e të dashuruarve. Tirana ishte si në një festë të organizuar paçka se gjithçka ishte spontane. Pra një festë ndryshe. Festë e gëzimit shpirtëror. Festë, por jo me banderola, flamuj, drita vezulluese, tollumbace, thirrje të ngjirura mitingjesh. Jo. Tirana dje kishte një ngjyrë të veçantë. Ngjyrën e mimozave. Ngjyrën e luleve të pranverës apo luleve aromëshumë që marrin ndriçimin e plotë në këtë ditë. S’kishte njeri të çdo moshe dje në Tiranë që të mos mbante një tufë mimozash në duar. Por edhe tufa lulesh të tjera ngjyrëshumë. Por mimozat dominonin me ngjyrën e xhelozisë, ngjyrën e dashurisë. Në sheshin para Kullave Binjake ishte organizuar edhe një koncert me këngë dhe valle popullore tiranase. Aty grumbulli i njerëzve ishte dhe më i madh. Po ashtu, tufat e luleve bënin konkurrencë për nga madhësia dhe shumëllojshmëria e ngjyrave. Sa gëzim të jep kjo
ditë. Një ditë mes lulesh, këngësh, përqafimesh, buzëqeshjesh, harmonisë. Sa nevojë kemi ne shqiptarët për një ditë të tillë. Një ditë larg streseve, anktheve, ambicieve egoiste, thashethemeve të tavolinave. Një ditë për dashurinë njerëzore. Një ditë për gëzimin shpirtëror, për ëndrrat e shumta dhe realizimet e pakta. Ja si u shprehen dje disa nga artistët shqiptarë për ditën e dashurisë ….
 
Luftar Paja

Sot është një ditë ndryshe. Një ditë me diell. Sikur dhe natyra donte të ishte e pranishme në çdo gëzim njerëzor. Njerëzit duken më të çelur, më të dashur më të gëzuar. Duken pa strese. Këtë të bën dashuria. Të bën më njerëzor, më të butë, më të afrueshëm. Sa nevojë kemi për ditë të tilla. Sikur çdo muaj të kishte një ditë të tillë…E ndjen se kjo ditë ka një aromë tjetër? E ndjen? Duket si një ditë hyjnore.
 
Bujar Asqeriu

Artisti ka një natyrë të brendshme shumë të ndjeshme. Ndjen dhimbje kur sheh një fëmijë në semafor duke lypur dhe ndjen një gëzim të madh kur sheh turma njerëzish të gëzuar me tufa lulesh në duar. Në këto raste emocioni është më i madh. Sot Tirana duket e mbuluar me lule. Dimri duket i strukur përpara ngjyrimit të shumtë të luleve. Dimri sot, duket si një stinë pa përkrahje…Ja atje tej pashë dy të rinj. Një i ri duke i dhuruar mes buzëqeshjes një tufë mimozash të dashurës, apo të fejuarës. Ajo u mrekullua nga tufa e luleve dhe ju hodh në qafë. Lotova nga gëzimi. Sa bukur e shprehu dashurinë ai djalë, Por më bukur e mirëpriti vajza me magjinë femërore të përqafimit të sinqertë. Ajo tufë lulesh mimozash duket sikur nuk u dhurua nga duart e djaloshit, por sikur dolën nga gjoksi i tij i bukur, rinor. .

Petrit Lulo

Syseza vetulla pe (e nis me një këngë)… Sa vargje kam kënduar për dashurinë. Sa vargje thuren çdo ditë për të. Dhe fjalët apo vargjet e bukura të dashurisë arrijnë formën më të lartë të përcjelljes së mesazhit nëpërmjet këngës. Në çdo vend të botës këngët më të bukura i këndohen dashurisë. Nuk ka të ri të mos di një këngë dashurie, po aq sa nuk ka dhe të vjetër që nuk dinë një këngë të tillë. Këngët e dashurisë ta bëjnë jetën më të bukur. Ta bëjnë dimrin behar. Legjendën ta sjellin para syve të gjallë.

Kastriot Tusha

Ne artistët jemi, si ëndrra e jetës që shndërrohemi papritur në një gëzim të madh. Për njerëzit sidomos kur i këndojmë dashurisë. Shpresa për të gjetur një hapësirë gëzimi duket sikur vezullon ndjeshëm në 14 shkurt. Dashuria është një gjenerator frymëzues që di të punojë tek të ndjeshmit, sidomos tek artistët, tek ata njerëz që ndjenja u shërben jo vetëm për të gjykuar dhe vepruar, por edhe për të perceptuar botën rreth e qark. Tek ky tip njerëzish, artisti sikur merr një rrugë tjetër. Nëse jeta bëhet pasqyrë e jonë, atëherë duhet të besojmë se kemi arritur dashurinë e vërtetë që të frymëzon dhe të jep shtysën e duhur për të jetuar si duhet nën ngjyrimin e ylberit. Dita e dashurisë është një ylber që spikat me tërë fuqinë e bukurisë së ngjyrave të ndezura si vetë shpirti i të dashuruarve.

Shipe Zani

Dita e 14 shkurtit sikur merr përmasa të reja, të gjalla, të freskëta, të bukura, të përsosura. Kjo ditë është dita e të gjithë njerëzimit, dita e respektit, dashurisë, harmonisë, dhënies së ndjenjës së sinqertë, e luleve të freskëta. Nuk ka dhuratë më të bukur se sa lulet. Ato janë simbol i respektit, ëmbëlsisë. Një tufë lule është pjesa më e bukur e shprehjes së atmosferës së gëzimit të madh shpirtëror edhe në mes të dimrit më të egër. A ka gjë më të bukur, apo natyrë më festive kur lulet mbulojnë një kryeqytet mes këngëve, buzëqeshjeve, përqafimeve?

Eli Fara

Dita e 14 shkurtit më duket si dita e serenatave korçare. Serenatat janë këngët që i kushtohen dashurisë. Korça dhe serenatat duken sikur janë një duet magjik, apo shpirti binjak i njëri tjetrit. Kush nuk i dëgjon serenatat dhe nuk ndalet një çast. Dikujt i kujtojnë rininë, dikujt momente të veçanta nga jeta, dikujt, emocionet e dashurisë së parë. Mua kur këndoj serenatat më duket se ato kanë lindur për herë të parë më 14 shkurt. Edhe pse në këtë ditë mbizotërojnë mimozat, lulet e tjera formojnë kurorën e tortës së bukur të stinës së dashurisë. Dua të them të dashurisë njerëzore, fëmijëve, prindërve, të dashurisë për të afërmit, miqve, shokëve, shoqeve, të gjithëve që na rrethojnë. Kjo ditë tregon më së miri se kemi ç’t’i japim njeri-tjetrit. 
 
Babeta Shahini

Dhe pse i kam kënduar shumë dashurisë në veçanti kësaj dite më duket sikur i jam borxhlie. Bashkë me demokracinë edhe në Shqipëri filloi të festohej Shën Valentini. Për 50 vjet, kjo festë ishte një tabu. Më emocionon kjo ditë. Më çon në ditët e dashurisë sime me tim shoq. Kam shumë kujtime të bukura. Dashuria të jep forcën për të çarë dhe në rrëpirat më të vështira të jetës. I pëlqej shumë lulet, por sidomos mimozat. Kur im shoq më vjen me një tufë mimozash në duar, dita më bëhet si vetë ngjyra e tyre. Këto lule më mbushin me gëzim dhe optimizëm. Uroj jo vetëm rininë shqiptare, por gjithë shqiptarët që të kenë sa më shumë dashuri në mes tyre dhe në familje.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora