Kerko: a
Jusuf Buxhovi: Vladan Gjorgjeviqi kishte të drejtë, apo jo?
E premte, 06.06.2025, 06:55 PM
VLADAN GJORGJEVIQI KISHTE TË DREJTË, APO JO?...
Nga
Jusuf BUXHOVI
Vladan
Gjorgjeviqi, kryeministër i Serbisë, në vitin 1913, në kohën kur Konferenca e
Ambasadorëve kishte në tryezën e bisedimeve njohjen e një Shqipërie të cunguar,
me librin “Arnauti i velike sile” (Shqiptarët dhe fuqitë mëdha)”, opinionit
politik dhe diplomatik europian, pos tjerash,
ia tërhoqi vërejtjen të dy
çështje:
a)
se shqiptarët nuk meritonin shtet, meqë, sipas tij, u mungonte vetëdija për
shtetin dhe, poashtu
b)
një shtet eventual shqiptar në Ballkan, do të paraqiste rrezik permanent për
qytetërimin evropian, ngaqë kulturalisht “armautashët” paraqesin mbetje të
fundamentalizmit islamik!
Memorandumi
i Vasa Çubrilloviqit i vitit 1937, ai i vitit 1944 si dhe i fundit i Akademisë së Shkencave dhe
Arteve të Serbisë në vitin 1986, platformën
për t’i qëruar hesapet me shqiptarët përmes etnocideve, kulturocideve e
deri te gjenocidet përmes veprimeve luftarake, e patën tek libri i Vladan
Gjorgjegjeviqt. Milosheviqi, po ashtu, u mbështet te logjika e luftës, si mjet
për pastrimin etnik të Kosovës, që u vu në veprim edhe gjatë bombardimeve
ajrore të NATO-s ndaj forcave policore dhe ushtarake serbe në Kosovë nga 24
marsi deri më 10 qershor 1999, me ç’rast, nga Kosova u dëbuan rreth 90 përqind
të popullatës. Falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s si dhe çlirimit të saj nga
pushtuesi serb, popullata e Kosovës brenda muajit u kthye prej nga ishte
dëbuar.
Libri
i Vladan Gjorgjeviqit dhe ato që ai asokohe ua paraqiti evropianëve “për
rrezikun arnautësh”, sigurisht se do të mbetej një anakronizëm nga arsenali
propagandues serb nga “Naçertanja” e Garashaninit (1844) e deri te koha jonë,
po qe se klasa politike Kosovës, nga
çlirimi nga Serbia në qershor të vitit 1999 si dhe shpallja e Pavarësisë së
Kosovës më 17 shkurt 2008, do të sillej në atë mënyrë që shteti i Kosovës, si e
arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull, të ndërtohej në përputhje
me sakrificën e madhe të brezave që dhanë dhe flijuan për të gjatë për afër një
shekulli përpjekje për çlirim dhe shtet të pavarur. Koha e protektoratit
ndërkombëtar dhe 17 vjet pavarësi, treguan se ideali i çlirimit, lirisë dhe
pavarësisë si dhe gjaku i derdhur i atyre që iu bashkuan rezistencës së
armatosur të drejtuar nga UÇK-ja, të shumtën, u shfrytëzua që pushteti politik
të merret më i rëndësishëm se interesi i shtetit!
Lufta
e pist për pushtet në dëm të shtetit, siç po ndodh në Parlamentin e Kosovës me
farsën e zgjedhjes së Kryetarit, sot është kthyer në një atentat të hapur
kundër shtetit të Kosovës nga ata që morën mandatin e deputetëve nga qytetarët.
Pa
hy në farsën e cirkut që çdo 48 orë
shfaqet në Parlamentin e Kosovës dhe akterëve të përfshirë në të në rolin e palaçove ndër më të
neveritshmit;
Pa
hyrë në skenarin e njëjtë të pozitës dhe të opozite që t’i ikin përgjegjësisë
politike rreth zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara ndërkombëtarisht të
vlefshme për asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive deri te
autonomia lokale, në rrethanat e udhëkryqeve të mëdha gjeopolitike pas ardhjes
në pushtet të presidentit Tramp, pa qarë
kokën se me këtë veprim të strucit Kosovën dhe problematikën saj nga subjekti
rajonal, siç ishim deri para pak kohësh, e kthejnë në objekt kusuritjesh;
Pa
hyrë te heshtja e elitës akademike dhe intelektuale ndaj kësaj sjellje
antishtet e politikës së tanishme pa dallim (pozitë-opozitë), heshtje kjo që
mund të shpejgohet me vasalitetin prej
kohësh të saj ndaj të gjitha garniturave
politike në pushtet në mënyrë që të mbrohet impotenca shkencore dhe titujt
hibridë;
Pa
hy te roli i mediave, që me zhurmë, hallakamë nëpër studio televizive t’u jepet
alibi padronëve të tyre nga grupet politike dhe ato kriminale që kanë kapur
shtetin prej kohësh;
Pa
hy te OJQ-të e shumta që nuk marrin përsipër kurrëfarë nismash qytetare për
ndonjë protestë qytetare me të cilën klasës së tanishme politike
(pozitë-opozitë) t’u bëhet me dije se kanë tradhtuar besimin e tyre, e mbi të
gjitha, që shtetin e Kosovës, nga një vend me aleatë të fuqishëm perëndimorë,
që i ndihmuan të çlirohet dhe të shpallët i pavarur, sot e kanë kthyer kundër
tyre saqë t’i vihen edhe saknksione;
Pra,
pa hy edhe në shumë e shumë çështje të tjera, megjithatë, mund të thuhet se me
këtë sjellje, klasa politike e Kosovës (pozita - që e ka përgjegjësinë e votës
së shumicës së qytetarëve dhe e opozita, që ka për detyrë ta pengojë
keqpërdorimin e parlamentarizmit nga shumica), po i japin të drejtë në dy
çështje Vladan Gjirgjeviqit:
-rreth
paaftësisë për ta pasë dhe drejtuar shtetin dhe,
-rreth
asaj se hipoteka “e mbetjes së rrezikshme islamike”, jo vetëm që nuk po heqet,
por po konfirmohet gjithnjë e me tepër
me sjelljet kundër shtetit laik, siç
është edhe kjo e sotmja, e ndryshimit të seancës së mbledhjes së ardhshme parlamentare për shkak të festës së bajramit!
Me
këtë rast duhet të thuhet se me veprimet e tanishme, klasa politike (pozitë dhe
opozitë), aleatëve që e kanë krijua shtetin
e Kosovës po ua bë me dije se çlirimi
i Kosovës, jo rastësisht, nuk u përkthye në liri dhese, as parlamentarizmi, jo
rastësisht, nuk u kthye në demokraci!