Kerko: a
Idriz Zeqiraj: Organizimi i "Defender Europe 2025", konfirmim i miqësisë SHBA-Kosovë
E shtune, 31.05.2025, 02:54 PM
ORGANIZIMI I "DEFENDER EUROPE 2025", KONFIRMIM I MIQËSISË SHBA-KOSOVË
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Shteti i Kosovës është krijesë
ekskluzive e Amerikës, natyrisht, e mbështetur edhe nga aleatët e saj, në
veçanti, shtetet e Quintit. Ajo qëndron, herë-herë, në anësore, duke i lënë
hapësirë Evropës, të merret më shumë me Kosovën. Por, kur Evropa
"bllokohet", në proceset dialoguese, Kosovë-Serbi, për arsye të
kundërthënieve të brendshme, të shteteve evropiane, ndërhyrja amerikane është e
domosdoshme.
Mungesa e FSK në një ushtrimore
ushtarake, -Defender 2023-, nën patronazhin amerikan, u zhurmua, kinse, Kosova
u bojkotua dhe mori fund miqësia dhe mbështetja amerikane për Kosovën. Por, ajo
"harresë", ishte tërheqje vërejtje, për disa veprime
"mospërfillëse" qeveritare, në raport me aleatët perëndimorë. Edhe në
këtë "bojkot", ndikuan shumë intrigimet e opozitës destruktive PAN-iste
të Kosovës, e cila nuk po pajtohet me humbjen e pushtetit të përgjakshëm dhe
hajnor, e cila e solli shtetin e Kosovës në prag të falimentimit, të zhbërjes!
Pritja e pritshme e komandës së
divizionit të Ushtrisë amerikane në Kosovë, pa mëdyshje shpërfaqë aprovimin
amerikan, dy anë të pozitivitetit në Kosovë:
1) Lidershipi aktual i Kosovës është në
rrugë të mbarë, në shtrirjen e sovranitetit shtetëror -cep me cep-;
2) Dhe, sinjal i qartë ndaj Serbisë dhe
ndikimit rus në rajon, se Amerika, me armën e hekurt NATO, ka qenë dhe mbetet
roje besnike e Kosovës dhe të rajonit. Pra, mëlmesë e kësaj aleance është edhe
manifestimi ushtarak për Evropë dhe Afrikë, "Defender Evrope 2025".
Prandaj, edhe përzgjedhja e Kosovës,
për ta pritur komandën e divizionit të Ushtrisë amerikane, e cila udhëheqë
operacionet që realizohen në rajonin e Ballkanit, nuk është rastësore.
Buxheti shtetëror i shtuar për mbrojtjen,
me synim NATO-n
Vërtet, Kosova brenda kapaciteteve,
mundësive që ka, po bënë -hapa të mëdhenj-, për anëtarësimin në organizatën
madhore NATO. Megjithatë, pengesat janë të mëdha, sepse BE-ja ka probleme të
brendshme. Hungaria me presidentin Orban, po sfidon hapur BE-në, madje edhe
Amerikën, në lidhjet e saj të veçanta me Rusinë dhe Serbinë. Spanja dhe
Rumania, për arsye të zonave me tendenca separatiste, brenda shteteve të tyre,
nuk pranojnë shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Apo Greqia me ndikim të madh të
Kishës Ortodokse greke, plus ploja e Çamërisë, aleate e Serbisë si dhe Qipro e
varur nga Greqia, në çfarëdo vendimi me peshë ndërkombëtare.
Prandaj, janë pengesa nga brenda
aleancës të BE-së, që ende nuk po arrihet të hartohet një plan konkret, për
njohjen e plotë ndërkombëtare dhe heqjen e pengesave.
Qeveria e Kosovës vazhdon të punojë
shumë, për të përmbushur kushtet, standardet, që kërkon Aleanca e NATO-paktit.
Në këtë kuadër, më 13 qershor 2025, do të nënshkruhet marrëveshja-kornizë, për
bashkëpunim në mes të ministrit të Mbrojtjes të Kosovës dhe të përfaqësuesve të
mbrojtjes të SHBA-së.
Rritja masive e buxhetit për ushtrinë,
përgjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurtit, konsiderohet si domosdoshmëri
strategjike. Ashtu siç janë strategjike të gjitha masat, që ka ndërmarrë dhe
vazhdon të merr Qeveria Kurti. Ndërsa intrigimet shpifarake e rrugaçerore të
PAN-it se, kinse, kjo është "një përpjekje për të kompensuar dështimet në
fusha të tjera të qeverisjes, si ekonomia dhe sundimi i ligjit.
Për sa i përket zhvillimit ekonomik,
edhe mund të kritikohet, por edhe të bisedohet, pse nuk u realizuan disa nga
premtimet e bëra të LVV, përgjatë fushatës parazgjedhore? Nga tre miliardë
euro, që kishte buxheti shtetëror, një miliard euro prej tyre, Qeveria ka
shpërndarë si ndihma sociale qytetarëve në nevojë, respektivisht, varfanjakëve
të Kosovës. Sepse populli i dalë i lodhur nga Pandemia, kishte nevojë për t`u
relaksuar, zbutur varfërinë sadopak, me një ndihmë sado modeste, të dhënë nga
Qeveria, e cila në programin ekonomik e ka përkrahjen sociale.
Ndërsa për sundimin e ligjit, Qeveria
aktuale e LVV, ka bërë më shumë se të gjitha qeveritë paraprake, të marra së
bashku. Sepse ka kthyer sovranitetin shtetëror në Veriun e Kosovës, të cilin e
kishin braktisur të tjerët dhe këtë e ka pranuar edhe presidenti i shantazhuar
me dosje penalizuese, Hashim Thaçi, duke thënë se "veriun, tashmë, e kemi
humbur!" Por, kryeministri Kurti, duke folur në emër të Kosovës, është përgjigjur
prerazi se "nuk kam tokë për të falur".
Ndërkohë sundimi i ligjit në Kosovë, në
përgjithësi, për sa i përket Qeverisë, ka bërë dhe vazhdon të bëjë detyrën, pa
qenë e dështuar. Por, ajo nuk është fajtore kur policia arreston thyerës të
ligjit, deri edhe kriminelë, të cilët përgjakin qytetarët e Republikës-Kosovë,
ndërsa Gjykata i liron, me arsyetimin klishe "hetimi vazhdon në gjendje të
lirë", që përfundon me ndëshkim simbolik ose me kusht apo hiq fare. Madje
zvarritja e shqyrtimit të çështjes penale, deri në -parashkrimin e lëndës-!
Gjatë mandatit 4 vjeçar të qeverisjes
të LVV, është investuar shumë në ngritjen e infrastrukturës ushtarake, që
kazermat, poligonet, armatimin konvencional e deri edhe mjetet e blinduara,
tanke dhe makineri të ndryshme për Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovë,
(FARK). Është arritur dyfishimi i numrit të ushtarëve; trefishimi i buxhetit
për ushtrinë; katërfishimi i trajnimeve jashtë vendit dhe rritja enorme e
blerjeve të armatimeve dhe të municionit. Të gjitha këto, janë në funksion të
plotësimit të standardeve, për aplikimin dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Hapja e Fondit për Ushtrinë, urgjencë e
kohës!
(Dr. Rugova:
"Mos hidhni pare në kapuç!")
Sipas përllogaritjeve demografike të
popullsisë në Kosovë, rezulton se gjysma e qytetarëve tanë, jetojnë në
kontinentet e botës, me shumësi në Evropë, Amerikë, Australi dhe gjetkë. Nëse
dikur një anëtar i familjes, "me punë të përkohshme në Mërgatë", shumica
absolute pa familje me vete, respektivisht, -beqar të martuar-, nga rroga
mujore, me kursime proverbiale, me banesa të vjetra e grupore, me ushqim të
dobët, me një punë të rregulltë dhe të tjera "në të zezën", me orar
të zgjatur, pa përfillur pushimet.
Me lekët e fituara, duhej mbajtur
familja e ngushtë, bashkëshortja me fëmijë si dhe prindërit me familjen tjetër
të gjerë. Dhe, megjithatë, ndanin lekë edhe për raste humanitare, e deri
kontribute për mbijetesën ekonomike të Kosovës, në fund viteve 80-a,90-a dhe më tej. Begatimi i Fondit
Shtetëror, të shprehur në 3 %-shin obligativ, si dhe kontributet tjera anësore
për Luftën e Kosovës. Qeveria e Kosovës kërkoi hua (borxh), me besë kthimi, pas
lirisë të Kosovës, në shumën të llogaritur në marka gjermane, prej 1.500 dhe më
shumë, zakonisht, 2000 e sipër.
Disa miliona marka, pas çlirimit të
Kosovës, mbeten në Bankën e Qeverisë në Egzil, të bartura në "Dardania
Banka," në Tiranë. Administratorët duhej t`i pyesnin mërgimtarët donatorë,
nëse duan ta falin borxhin e dhënë. Në të kundërtën, duhej dhe duhet ta kthejnë
borxhin, të marrë hua, nga mërgimtarët, në bazë të një dëshmie, monedhë, me
prerje letre dhe shifër të shënuar 1000 dhe 500 DM. (marka gjermane).
Përndryshe, heshtja e mëtejme konsiderohet mashtrim, më saktë, grabitje,
vjedhjet zyrtare.
Sot, shumësia e mërgimtarëve, për
familje kanë 3 dhe 4 e më shumë rroga, hyrje mujore. Shumë syresh janë
shkolluar dhe kanë rroga të majme. Një organizim i mirë, nga Atdheu-Kosovë, i
begatimit të Fondit për Ushtrinë, mund të përshpejtohet përmbushja e normave
përkatëse, deri në armatimin e rëndë, të balancuar me miqtë dhe armiqtë përreth
Kosovës tonë
E filloi hapjen e një Fondi për
Ushtrinë, Ramush kryeministri, individualisht, sikur t`ia varësh delen ujkut në
qafë! E përsëriti ministri ushtarak, Armend Mehaj, e njëjta gjë. Ky shkretoi
edhe më shumë politikisht e zyrtarisht. Zakonisht, ministri i Brendshëm dhe ai
i Mbrojtjes, janë në krye të diktaturës shtetërore, për sigurinë e qytetarëve,
nga armiq të brendshëm dhe të jashtëm, pra, keqbërës dhe kriminelë, të të
gjitha sojeve. Ndërkohë, betër insani, ministër Armendi, i hypi ballonit dhe
vizitonë të akuzuarit, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë! Hajde
ministër, hajde!!
Katërshja akuzohen për krime të luftës
dhe krime kundër njerëzimit, si -Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale-, me akuzën
e drejtpërdrejtë: "Vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë".
Rrjedhimisht, prej 4 (katër) të akuzuarve në Hagë, tre (3) prej tyre, nuk kanë
qenë pjesë e luftës në Kosovë, dhe as udhëheqës të luftës, por janë hartues të
listave emërore për ekzekutim, të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, të
veprimtarëve të LDK-së, por, edhe brenda llojit, kuadrove të hershëm të LPK-së,
të cilët i konsideronin si rivalë, në konkurrencë, për pushtet të pas luftës.
Me lekë, me financa nuk ka as besim dhe
as lojëra. Pse duhet t`i besosh një ministri apo kryeministri të babëzitur?!
"Mos hidhni pare në kapuç", - na porositi Dr. Ibrahim Rugova në
Gjermani. Dhe shtoi: "Fondi Shtetëror" duhet të administrohet vetëm
me llogari rrjedhëse bankare dhe komision mbikëqyrës gruporë, pa dhënë asnjë
mundësi, për të tërhequr asnjë qindarkë individualisht". Dhe, kjo porosi
vlente për shqiptarët e përbotshëm dhe humanistët botërorë, pavarësisht:
etnisë, ngjyrës, besimit fetar. Dhe, ashtu ndodhi. Andaj, edhe ishte begatim i
suksesshëm i Fondit shtetëror të 3 %-shit. Dhe, po të mos luftohej e sabotohej
ky Fond, nga agjentët e Serbisë dhe të Sigurimsave sekret të Enver Hoxhës,
përmes social-komunistëve të Tiranës, do të ishte i shumëfishuar në vlerë
monetare.
Gjysma e Kosovës janë në Mërgatë -
mbrojtja e Atdheut detyrë mbi detyrat!
Ky ishte modeli më i përsosur, më
ideal, i cili mund të jetë shembull begatues i çfarëdo Fondi. Duke qenë
veprimtar i këtij aksioni, për një dekadë radhazi, garantoj me nder e jetë,
edhe sot pas tej tri dekadave të nismës së Fondit të 3 %-shit, mund të
kontrollohet, madje deri në qindarkën e fundit. Kryeministri Bukoshi, ministri
i Financave Mustafa, me ekipin simpatik menaxhues fillestar, kanë qenë me një
besueshmëri sipërore, sepse administrimi digjital bankar, përjashton komisionin
e autorizuar gruporë, për çfarëdo abuzimi të mundshëm.
Fondet e Mërgatës, "Fondi
shtetëror" i 3 %-shit; Fondi i LPK-së "Vendlindja thërret", si
dhe fondet e Shoqatave dhe të klubeve të shumta, janë grabitur nën tytat e
armëve, nga disa "komandantë" pa ushtarë, por me banditër mujsharë të
bollshëm! Përdhunshëm, janë grabitur milionat në emër të UÇK-së, ndërkohë që
kanë përfunduar në xhepat e "komandantëve".
Shembulloj me një rast, të bërë publik,
nga udhëheqësi i parë, i organizimit për luftë, Shefki Hasani, i cili e
denoncon Hashim Thaçin: "Shoqata jonë e Kosovës Lindore, me qendër në
Gjenevë, i ka dhënë 1 (një) milionë franga zvicerane, Hashim Thaçit, për të
blerë armë, për mbrojtjen e Kosovës Lindore. Pas këtij mashtrimi, i bëjmë
thirrje Hashim gilipterit, t`i kthej paret tona!" Por, nuk i ktheu kurrë
dhe as nuk dha arsyetim dhe as llogari! Hashimi ishte manipulator dhe si agjent
i DGSE franceze, rrjedhimisht, edhe i Serbisë, sabotoi luftën atje. E shkarkoi
Shefki Hasanin dhe e emëroi Shefki Musliun, në vend të tij. Ashtu siç veproi në
Kosovë, duke shkarkuar komandantët me Akademi Ushtarake dhe duke emëruar
barinj, profan në artin ushtarak e luftarak!
Është i dhimbshëm e tragjik rasti i
Jashar Salihut, kryetar i Fondit "Vendlindja thërret" në Zvicër.
Komandantët e LPK-së së re, puçiste, të cilët rrëzuan, përdhunshëm, Kryesinë e
vjetër të LPK-së, duke i akuzuar për tradhti, nip e dajë, Fazli Veliun dhe Ali
Ahmetin, me shokë, duke pushtuar "Fondin" në Gjermani, Fletushkën
"Zëri i Kosovës". Udhëheqja e re e LPK-së, e dominuar nga klani i
Drenicës, i kërkuan dorëzimin e Fondit Jashar Salihut.
"Unë u kam dhënë garanci e besë
mërgimtarëve, se frangat e tyre do të administrohen pa asnjë abuzim dhe vetëm
për luftën", - kundërshtoi Jashari. Por, "komandantët" horrakë e
kërcënuan: "Pse të pa besë e konsideron UÇK-në?! Ne ta vrasim djalin dhe
familjen!" Jashar kryetari, burri Malësisë, u dorëzua! Iku Fondi dhe pas
tij, u shua edhe Jashari! Vërtet, tragjike!
Shtetarë, pushtetarë dhe krerët
partiakë, të bollshëm në atdhetarizëm, për hirë të Atdheut-Kosovë, është e
shëndetshme për Kosovën, ta hapin Fondin madhor për mbrojtjen e vendit. Kujtoni
kohën, afro tri dekada më parë, kur djemtë vulnetarë, trima të përzgjedhur të
Kosovës dhe të viseve tjera etnike, bartnin kallashë kinezë, nga Shqipëria
nënë, për në Kosovën e pushtuar nga soldateska serbo-sllave, me kuaj e gomerë,
por edhe me krahë, sa gjysma e barrës të gomarit!
Plot syresh u vranë, pa e gëzuar
lirinë. Për hirë të gjakut të tyre, të jetës të dhënë në lulen e rinisë dhe në
emër të lirisë, filloni të agjitoni, për hapjen dhe begatimin e Fondit për
Ushtrinë, respektivisht, mbrojtjen e Atdheut-Kosovë. Bëhuni nismëtarë, për t`i
bindur shtetarë e pushtetarë, për hapjen e Fondit në fjalë! Urojmë që ky zë,
kjo thirrje, të shkojë në veshë të Perëndisë!