Kerko: a
Xhelal Zejneli: Dostojevski - Nuk ka njerëz të këqij
E hene, 26.05.2025, 06:52 PM
MOS I GJYKONI NJERËZIT PËR ATË QË JANË, POR PËR ATË QË DUAN TË JENË – DOSTOJEVSKI
Shkrimtari që ballafaqohet me sfidat e jetës, të
vdekjes, të lirisë dhe të përgjegjësisë
“Ditari i shkrimtarit” - platformë idesh për
moralin, vullnetin dhe lirinë
Nuk
ka njerëz të këqij – Dostojevski
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Shkrimtari i madh rus Fjodor Dostojevski (11 nëntor 1821 - 9
shkurt 1881) njihet si një nga gjigantët letrarë. Përveç kësaj, ai ishte edhe
një sipërmarrës dhe pionier i shkëlqyer në fushën e botimit. Me mbështetjen e gruas së tij
sipërmarrëse, Ana Dostojevskaja (Anna
Grigoryjevna Dostoevskaya, 1846-1918), Dostojevski u shkëput nga varësi
shkatërrimtare e bixhozi dhe u bë autori i parë rus që i botoi vetë librat e
veta. Por vetëm botimi i veprës “Ditari i shkrimtarit” (A Writer’s Diary, 1873-1881), një përmbledhje publicistike dhe
proze në të cilën na pasqyrohet ëndrra e tij e paharrueshme në të cilën e
zbuloi kuptimin e jetës, e bëri atë emblemë
kombëtare.
Në veprën "Ditari i shkrimtarit / Ëndrra e një
njeriu qesharak", autori i hulumton dilemat e brendshme komplekse të
një shkrimtari që ballafaqohet me sfidat e jetës, të vdekjes, të lirisë dhe të
përgjegjësisë. E përdor veprën si një platformë për t’i paraqitur idetë e veta
lidhur me moralin, vullnetin dhe lirinë.
Dostojevki dhe Ana
kishin katër fëmijë: Sonya Dostoyevskaya (Baden-Baden, Gjermani,
22.02.1868 – maj 1868; vdes 3 muaj pas lindjes), Lyubov Fyodorovna
Dostoyevskaya (Dresden, Gjermani, 26.09.1869 – Bolzano, Itali –
10.11.1926), Fjodor Dostoyevsky 16.07.1871 – 1922), Alexey Dostoyevsky (gusht 1875 – maj
1878, vdes 3 muaj pas lindjes)..
Në shkurt të vitit 1876, duke menduar
për lëvdatat unanime që i kishte marrë për vëllimin e parë të ditarit të tij,
55-vjeçari Dostojevski mediton mbi paradoksin për t’i kënaqur njerëzit. Po në atë ditar, suksesin e të
cilit e analizon, shkruan:
“Më intereson vetëm një pyetje: Të
gjithëve u kam shkuar për qejfi. Kam vepruar mirë apo s’kam vepruar mirë?”
Në kapitullin me titull "Për faktin se të gjithë jemi njerëz të
mirë”, ai e shtron një debat të shkëlqyer për mirësinë tonë të thellë, duke
shfaqur besim të sinqertë ndaj shpirtit njerëzor dhe bindje se të gjithë në
thelb jemi të mirë, pavarësisht nga faktit se ndonjëherë dimë të bëhemi të këqij, për t’i impresionuar
nëpërmjet imitimit ata të cilët gabimisht i shohim si mbresëlënës. Dostojevski
shkruan kështu:
“Të gjithë ne jemi njerëz të mirë, kuptohet përveç të
këqijve. Megjithëkëtë, kalimthi vërej se midis nesh mbase edhe fare nuk ka njerëz të ligë - ndoshta ka vetëm njerëz të
mjerë. Por ne nuk kemi arritur të bëhemi të ligë. Mos qeshni me mua, por vëreni
gishtin në mëndje: në të kaluarën, për shkak të mungesës së njerëzve të këqij
midis nesh (e përsëris: përkundër numrit të madh të llojeve të ndryshme
njerëzish të mjerë), arritëm në pikën ku kemi qemë të gatshëm, si të thuash, të
çmojmë lartë njerëz të ndryshëm të këqij që shfaqen midis heronjve tanë letrarë
që kryesisht janë marrë nga burime të huaja. Jo vetëm që i kemi çmuar, por edhe
jemi përpjekur verbërisht t’i imitojmë në jetën reale. I kemi kopjuar dhe në
këtë pikëpamje kemi qenë gati të dilnim nga lëkura jonë.”
Dhe derisa pjesa më e madhe e këtij
debati mbi imitimin e pahijshëm për të cilin flet Dostojevski ka të bëjë me një pikë specifike
në historinë kulturore ruse, në të është
ndërthurur edhe një kujtim më i gjerë se, do t’i cek fjalët e
paharrueshme të veprimtares dhe Zonjës së parë të ShBA-së, bashkëshortes së
presidentit Franklin Delano Rusvelt (Franklin Delano Roosevelt, 1882-1945) - Eleanor Ruzvelt (Anna Eleanor
Roosevelt, 1884-1962):
"Kur i pranojmë standardet dhe vlerat e huaja, ne heqim dorë nga integriteti ynë dhe në
përpjesëtim me dorëzimin tonë, bëhemi qenie më pak njerëzore".
Në vërejtjen që ka njëfarë peshe kur
është fjala për klimën qytetare bashkëkohore problematike në Rusi, Dostojevski
e shqyrton anën joshëse të imitimit të këtyre delikuentëve:
“I kemi vlerësonim dhe i kemi respektuar këta njerëz të
këqij (…) vetëm sepse na pasqyroheshin si njerëz me urrejtje të fortë, në
kundërshti me ne rusët, që siç dihet, s’jemi njerëz që urrejmë shumë dhe këtë
tipar tonin gjithmonë e kemi shpërfillur. Rusët janë të paaftë të urrejnë gjatë
dhe seriozisht dhe jo vetëm njerëzit, por edhe veset – idetë e errëta, padijen,
despotizmin, obskurantizmin dhe idetë e tjera retrograde të ngjashme. Sapo
krijohet mundësia e parë, ne jemi gati dhe shprehim dëshirë të pajtohem.
Mendoni, ju lutem: Përse ta urrejmë njëri-tjetrin? Për shkak të një krimi? Por
kjo është një temë komplekse, shumë delikate dhe e padrejtë. Është temë me dy
tehe. Zënka është zënkë, por dashuria është dashuri. Ne zihemi më së shumti dhe
vetëm sepse ka kaluar koha e teorizimeve, e grindjeve gazetareske. Tani është
koha për punë dhe për vendime praktike”.
Jo vetëm që populli rus duhet të
këndellet prej "dy shekuj mungese të shprehive të punës", por ai
gjithashtu artikulon një tendencë njerëzore më universale dhe të trishtueshme
për të shmangur pasigurinë duke sulmuar:
“Sa më shumë që dikush ndihet jokompetent, aq më i
përgatitur është për konflikt.”
Megjithëkëtë, Dostojevski i qaset këtij
problemi, jo duke e dënuar ashpër, por me një dhembshuri të thellë:
“Ç’ka të keqe këtu, do të doja të pyes? - Vetëm se është
prekëse dhe kaq. Shikoni fëmijët: ata zihen mu në moshën kur ende nuk kanë
mësuar si t'i shprehin mendimet e tyre, pikërisht ashtu. Këtu nuk ka asgjë
demoralizuese, përkundrazi, kjo disi e vërteton freskinë dhe pafajësinë tonë.”
Ai vështron se si kjo tendencë shfaqet
në zanatin e tij që sot pa dyshim është e zmadhuar, kur kritika jo vetëm që
është profesionalizuar, por edhe është sensacionalizuar nga fitimi që rrjedh
nga mediumet komerciale:
“Në letërsi, për mungesë idesh, njerëzit e qortojnë
njëri-tjetrin duke i përdorur të gjitha fyerjet përnjëherë. Kjo është një
metodë e pamundur dhe naive që vërehet vetëm te një popull primitiv. Por, Zoti
e di, edhe këtu ka diçka pothuajse prekëse: pikërisht mungesa e përvojës dhe
jokompetenca fëmijërore e paraqitur si duhet në ankesë.”
Por, nën një pasiguri dhe cinizëm të
tillë defansiv, thotë Dostojevski, qëndron një nevojë më e thellë dhe e
sinqertë për mirësi:
“Assesi nuk jam ironik. Nuk po tallem: midis nesh është
përhapur një pritje e sinqertë dhe e qartë e së mirës (kjo është kështu,
çfarëdo që të thotë dikush ndryshe). Dëshira për punë të përbashkët dhe të
mirën e përbashkët dhe krejt kjo, para çfarëdo egoizmi. Kjo është dëshira më
naive, plot besim, të liruar nga çfarëdo ekskluziviteti apo shtese të kastës
dhe ndonëse duket si e kursyer dhe në manifestime të rralla, ajo vjen si diçka
e padukshme, të cilën të gjithë e përbuzin. E përse duhet të kërkojmë
"urrejtje të fortë"? Ndershmëria dhe sinqeriteti i shoqërisë sonë jo
vetëm që janë të padiskutueshme, por edhe lehtë bien në sy. Po të shikoni pak
më me kujdes keni për të parë se së pari vjen besimi në ide, ideali, kurse të
mirat e kësaj bote vijnë më vonë.”
Është detyra jonë, si qenie njerëzore,
thotë Dostojevski, mos t’i kushtojmë rëndësi
pasigurisë sipërfaqësore që i shtyn njerëzit të grinden, të kërkojmë
dëshira më të mëdha dhe t’ia mbajmë pasqyrën njëri-tjetrit para idealeve më të
larta, para se t’ia tregojmë gishtin njëri-tjetrit për të metat më të vogla.
“Miku i vërtetë i njerëzimit zemra e të cilit nuk është
dridhur vetëm njëherë në solidarizimin me vuajtjet e njerëzve, do t’i kuptojë
dhe do t’i falë prurjet e pakalueshme të ndyrësisë në të cilën janë zhytur dhe
do të jetë në gjendje që në ndyrësirë të gjejë diamante.”
Ai kërkon që një dhembshuri e tillë të
tregohet ndaj popullit rus, por në fjalët e tij mund të gjesh mirëkuptim të
përhershëm për të gjitha grupet e shkelura si dhe për komunitetet e dënuara në mënyrë rigoroze:
“Gjykoni, jo sipas hajnisë që ata kryejnë shpesh, por sipas
gjërave të mëdha dhe të shenjta që i kanë lakmi në krejt atë hajni. Përveç
kësaj, çdo njeri nuk është horr. Ka edhe shenjtorë të vërtetë dhe çfarë
shenjtorësh! Vetë ata janë të ndriçuar dhe të gjithëve na e ndriçojnë rrugën!”
Më shumë se një shekull, para se
psikologjia moderne të zbulonte kreativitetin e gjimnastikës mendore në
racionalizimin e veprimeve tona të këqija, Dostojevski flet për kurthet e
racionalizimeve të tilla:
“Jam verbërisht i bindur se në mesin e popullit rus nuk ka
kriminel dhe faqezi të tillë i cili nuk do ta pranonte se është hajdut dhe i
neveritshëm, ndërsa te disa të tjerë qëllon ndonjëherë që dikush të kryejë
ndonjë krim dhe mburret me të, duke e ngritur krimin e tij në nivel parimi,
duke pohuar se l'ordre (rendi) dhe ndriçimi i qytetërimit shihen pikërisht në
tmerret e tilla. Fatzinjtë përfundojnë
duke besuar në të sinqerisht dhe
verbërisht.”
Duke thënë se “flet vetëm për njerëz seriozë dhe të sinqertë”, Dostojevski e
përsërit thirrjen e tij nga thelbi i bindjes së tij:
“Mos i gjykoni njerëzit për atë që janë, por për atë që duan
të jenë!”