Kulturë
Tahir Bezhani: Laureta Rexha - Verë me diell të djegur
E marte, 08.04.2025, 07:33 AM

LAURETA REXHA, NJË POETE QË ZBËRTHEN KOMPLEKSET E JETËS NË DIMENSIONE TË NDRYSHME
Libri “Verë me diell të djegur” një kambanë
paralajmëruese  në cilësinë e vargut
poetik.
Laureta
Rexha :“ Verë me diell të djegur,” poezi, 2024, botoi ”Logos. A”  Shkup.
 NGA
TAHIR BEZHANI
NGA
TAHIR BEZHANI
Para disa ditësh autorja me dhuroi
librin “Verë me diell të djegur” me dedikim, të cilin e pranova me
kënaqësi  dhe dëshirë për lexim. Këto
ditë, sipas një “rregulli” të leximit me radhë të librave të miqve dhe
mikeshave, krijues-e të artit poetik, lexova librin me një kënaqësi të veçantë,
me që përafërsisht, njihja talentin e kësaj poeteje të re e me entuziazëm  prej krijueseje me talent të spikatur.
Shkrimtari i madh Kolen thotë: “Njeriu
përbëhet nga gjërat që kanë kaluar, para se të arrijë aty”. Në këtë
kuptim, dua të them se e njihja që moti familjen e poetes, prindërit
intelektualë, gjyshi ishte një gojëtar me autoritet  odash, i fjalës së mirëfilltë, me brumin e
traditës dhe  edukatës familjare.
Prandaj, edhe kjo bimë nga trungu i traditës sonë kombëtare, do mbetet një
vazhdimësi  me të gjitha mirësitë trashëguese e
respekt, jo vetëm në  Rekën e Keqe, por
në mbarë vendin.
Kush
është Laureta Rexha?!
E
lindur me 1993 në fshatin Dobrosh të Gjakovës, e brumosur me dije universitare,
ka mbaruar Bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e “Hasan
Prishtina” ,dega në Gjakovë, ku ka vazhduar me Master në letërsi Angleze .
Merret me përkthim të poezive dhe hulumtimeve të ndryshme  letrare e shkencore. Autore e katër veprave
letrare me poezi.
Libri poetik “Verë me diell të djegur,” botuar në
vitin e kaluar, është një libër poetik me vlera të  veçanta, ku vargjet e poetes të drejtojnë në
shumësinë e këndvështrimeve jetësore. Nga 
ku jeta ka burimin në rrjedhat e normale, pastaj teksa degëzohen përplasjet
 e valëve të jetës, në  shtratin me shumë dredha e me sakrifica për
ekzistencë
Intuita e poetes depërton deri në thellësi shpirti,
atje ku syri shikon thellësitë dhe zemra dëgjon dhimbjet, duke gjurmuar e
shijuar gjithë koloritin e jetës, atë plazmë dedikuese  ku përplasen emocionet e brendshme njerëzore,
për të mësuar e kalitur strategjinë e një rrugëtimi me plot  sfida.
Autorja e librit, Laureta Rexha që në poezinë e parë,
”Rrethimi”, plas cipën e durimit mbërthyer me vargje alternative, mes dashurisë
për vendin, ”ku me lule jam rrethuar” dhe pakënaqësisë së ecurive jetësore,
”nën
këmishë të gjatë, të zezë/vetja ime ka zënë vend thellë diku në mua,” dhe
guximit për të arritur atje ku synon imagjinata e saj, në emancipimin e
kuptimplotë të femrës shqiptare si domosdoshmëri kohe.
Prandaj e mbyll mendimin me vargjet “ Dhe
në një udhëtim të shkurtër/ Një premtim shumë kohë më parë asaj ja pata
dhënë/Prandaj vetja ime asnjëherë nuk më ka lënë!”
Guximi, durimi e vetëdija janë tipare që mbartin kohën
në vargjet e poetes Laureta Rexha. Këtë qëndrim autorja e mban edhe në poezinë
“Aromë Lulesh”, duke u përpjekur që ta korrigjojë veten në rrugëtimin e saj,
shkruan: ”Kalimi nëpër stinë të jetës/athua më kishte pjekur a venitur!..”
Një tjetër poezi nga libri “Vargje me diell të
djegur,” ku poetja i rikthehet të kaluarës së saj  me nostalgji , plot krenari për arritjen në
dyert e dijes universitare, në atë metropol të universit të dijes . Këtë
emocion nostalgjik e lexojmë në poezinë 
mjaft të ndjeshme, ”Vajza me xhaketë të kuqe ”,ku pos tjerash vargëzon:
“ Do të jam prapë ajo/vajza me xhaketë të
kuqe/që vrapon stacionesh/që ëndërron për jetën/ajo vajzë nuk ka frikë për
asgjë.”
Padyshim, një guxim dhe vetëbesim në vetveten, për
femrën shqiptare, për kohën e re  dhe
emancipimin e gjinisë femërore në vendin tonë. Një guxim në ecje përpara si
shoqëri njerëzore, për t’u futur në rrjedhat e botës përparimtare .
E ngjashme, akoma më brilante është poezia “Këto
vajza” përmes së cilës nxjerr krahasimet kohore dikur dhe sot, kur emancipimi i
femrës ka arritur kulmin e përparimit njerëzorë.
“Toka ime,” një poezi e denjë ku vargjet rrjedhin
spontanisht si një “betim” imanent ndaj vendit, ndaj atdheut posaçërisht në
vargjet e fundit:
” Do të shkruaj në tokën time/Në atë
vetëdije/Derisa me Tokë të bëhem një”.
Përcaktimi i saj ideor për atdheun e kombin, ka vlerën
e  padiskutueshme për autoren  Laureta Rexha, është çelësi i çdo lëvizje
hapësinore, gjë që poeten dhe poezitë e saj e bëjnë të qëndrueshme e të
respektuar.
Duke hedhur mendimin vështrues në gjitha poezitë e
librit “Verë me diell të djegur”  të
autores Laureta Rexha, nuk mund të kalohet pa dhënë  mendimin personal mbi përcaktimet filozofike
të ngjeshura brenda botësisë personale të autores; ose çfarë i paraprin asaj në
synimet e saja jetësore.
Megjithëse autorja është në hapat e parë të
krijimtarisë poetiko-letrare e kjo nuk do të thotë se nuk do ndryshojë qëndrimet,
vlerësimet mbi jetën e tjera gjëra që imponohen 
me kohën, dua të cek se në këtë libër, por edhe në dy të mëparshmet,
temë bosht e qëndrimit e drejtimit të 
filozofisë jetësore është besimi në Zot. Qëndrimi ndaj
shpirtit dhe qëndrimi ndaj materies janë tema të filozofisë së kahershme dhe e
drejtë e secilit njeri në rruzullin tokësor.
Në poezinë mjaft përmbajtësore, “Përse nuk e kam të
vështirë të jem e fortë,” poetja shpreh gjithë egon e saj ndaj botës që e
rrethon nga brenda e jashtë vetes. Vetëm tek ai besim autorja gjen çerdhen e
qetësisë se saj shpirtërore. Sa e qetë ndihet shpirtërisht me vargjet e saja
kur shkruan:
” Jam mësuar me qetësinë/ Me paqen brenda
vetës/ Dhe me një mbretëri shpirtërore/ Që ngritët e forcohet vazhdimisht /Nuk
ka qenë çdoherë kështu/ Që stinët që ndryshojnë/ dalëngadalë u bëra gur? As
dhimbja shumë nuk më dhemb /Nga ajo ditë /Të jem e fortë nuk e kam problem”.
Mendoj se një portretizim ndaj besimit në Zot paraqet
atë plebishitin personal se çeshtja e materies është shpenzuese, ndërsa aspekti
shpirtëror si i pavdekshëm.Në këtë prizëm i kuptoj dhe vlerësoj disa poezi të
autores nga libri në fjalë.
Libri poetik “Verë me diell të djegur” i autores
Laureta  Rexha, ka vlerat e
padiskutueshme në çdo aspekt letrar, duke u nisur nga  gjuha, stili, komponimi i vargnimit, stili si
individualiteti përcaktues e autorial e shumë elemente tjera të qëndrueshme.
Pra, ky libër është edhe një pasuri në sfondin poetik të poezisë shqipe, një
pasuri në bibliotekat tona.
Gjakovë,7prill,2024

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










