Mendime
Florim Zeqa: Kush e ka radhën nesër?!
E enjte, 27.03.2025, 07:53 PM
Kush e ka radhën nesër?!
Shkruan: Florim Zeqa
Problemi i rritjes së kriminalitetit dhe dhunës
fizike në vendin tonë, rrënjet i ka në disa faktorë socio-ekonomik dhe
institucional. Mungesa e barazisë sociale dhe pabarazia ligjore janë shkaktarët
kryesor, por jo të vetëm.
Pabarazia ligjore e theu
besimin e qytetarëve në shtet
Rënja e cilësisë në arsim dhe edukimi i
pamjaftueshëm familjarë janë faktorët e parë, rrethi shoqëror dhe sistemi i
drejtësisë janë faktori i dytë, kurse politik-bërja e gabuar dhe mungesa e
përspektivës zhvillimore janë faktorët e tretë dhe kyq të bastardimit të
shoqërisë sonë.
Humbja e besimit të qytetarëve në
sistemin e drejtësisë ka ndikuar në rritjen e kriminalitetit dhe pasigurisë.
Pabarazia ligjore apo drejtësia selektive
ka bërë që qytetarët ta humbin besimin në drejtësi dhe jo vetëm.
Janë edhe mbrojtësit e rendit dhe ligjit
(Policia) që e kanë humbur besimin në sistemin e korruptuar të drejtësisë!
Nuk ka si të jetë ndryshe, kur policët me
mund dhe sakrifica, duke e rrezikuar edhe jetën e tyre arrijnë ta arrestojnë
një hajn ordiner apo një të dyshuar për krime, ndërsa të nesërmen të njëjtin e
shohin të lirë në të njëjtin vend (lokal) duke pirë apo duke u argëtuar me
shoqërinë e tij, atëherë demotivimi i policve për punë është i pashmangshëm!
Përderisa drejtësia nuk arrin t'i dënojë
keq-bërësit dhe kriminelët, qytetarët nuk mund të ndjehen të lirë!
Drejtësia selektive (korruptive) ka
krijuar hapësirë veprimi për kriminelët!
Kur qytetarët e kanë besimin e plotë tek
policia, ata bashkëpunojnë më shumë dhe pa hezitim në denoncimin e rasteve, gjë
e cila ndikon në parandalimin e akteve kriminale.
Kurse mos funksionimi i sistemit të
drejtësisë i nxitë të rinjët dhe moshat e tjera të shoqërisë që të përfshihen
në veprime kriminale.
Fillimi i një fushate të gjërë në nivel
vendi për grumbullimin e armëve dhe kontrollet e rrepta nëpër lokale mund të
ndihmojnë në uljen e rasteve të vrasjeve dhe dhunës në familje!
Kosova 'arenë të
kaubojve'
Kosova e sotme është
shndërruar në 'arenë të kaubojve' sikurse
në parlament ashtu edhe në sheshet dhe rrugët e qyteteve tona!
Politikanët vijnë dhe largohen nga
pushteti me kauza të rrejshme pa e bërë asnjë punë të mirë për vendin! Ndërsa
familjarët e tyre sillen si 'kauboj' rrugëve dhe lokaleve, ku përveç hajnisë
sistematike shkaktojnë edhe dhunë fizike ndaj të tjerëve.
Bijët dhe bijat e politikanëve, sikurse
në të kaluarën edhe sot janë shtresa më e rrezikshme e shoqërisë, pasi të
njëjtët janë të paprekshëm nga organet e rendit dhe sistemi i drejtësisë në
përgjithësi!
Kur një qenje njerëzore e humbë besimin
në institucione shtetërore dhe e 'mund' frikën nga Zoti atëherë nga ai nuk
pritet gjë e mirë, përveq shkaktimit të dëmit ndaj të tjerëve!
Kur shqoëria njerëzore e humbë besimin në
ligjet e shtetit dhe në Zot, atëherë e humbë paqen dhe dashurinë për
njëri-tjetrin.
Armëmbajtjet pa leje,
katër vrasje për tre ditë
Numri i madh i armëmbajtjeve pa leje dhe
pa dijeninë e familjarëve ka bërë që shumë të rinj të implikohen në veprime
kriminale!
Pasojat e armëmbajtjeve pa leje janë
këto; për tre ditë katër vrasje! Kjo vjen si pasojë e tretjes së vlerave
njerëzore: njerëzillëkut, moralit, dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore,
dinjitetit dhe respektit njerëzor!
Shoqëria e cila hesht para padrejtësisë,
bëhet viktimë e saj!
"Kush vret një të pafajshëm, është
sikur të ketë vrarë mbarë njerëzimin"!
Nuk e di, a na kanë zënë mëkatet apo
inatet personale, egoizmi apo dëshira për t'i marrë tjetrit atë që ka në mënyrë
të dhunshme!
Pasiguria qytetare është në nivelin
alarmant!
Njeriu del nga shtëpia, por nuk është i
sigurtë që kthehet i gjallë në shtëpi!
Qytetarët në heshtje e pyesin
njëri-tjetrin, kush e ka radhën nesër!
Ku
është shteti!?
Shteti
vazhdon të jetë i heshtur dhe i përgjumosur karrshi krimit dhe kriminelëve!
Ndodhën katër vrasje brenda tre ditëve
dhe asnjë reagim i drejtuesve shtetërorë, madje asnjë ndjenjë solidariteti për
viktimat!
Kjo përveçse papërgjegjësi shtetërore,
mund të kuptohet edhe ndryshe, si pajtim me situatën e krijuar të pasigurisë në
vendin tonë, e cila po i bën më të sigurtë politikanët në kapjen e shtetit!
Vrasjet janë shpërqendrim total i
shoqërisë nga keq-qeverisja e vendit!
Ndodhë kështu, për faktin se me këto
vrasje të njëpasnjëshme atyre nuk po ju prishet rehatia në kolltuqet e
pushtetit!
Ndërsa atyre që po ju prishet jeta dhe
rehatia po largohen nga vendi!
Nëse
vazhdon edhe më tutje kjo situatë alarmante e pasigurisë, atëherë ka rrezik që
dhuna fizike dhe vrasjet të bëhen normë shoqërore dhe plagë e pashërueshme e
shoqërisë sonë! Ky është dështim i përbashkët i politikës dhe shoqërisë në
ndërtimin e një të ardhme të sigurtë në shtetin e lirë, në të cilin nuk po
funksionon Ligji dhe as Kanuni!