Mendime
Eshref Ymeri: Trampi dhe i biri të dashuruar pas Serborusisë
E shtune, 22.03.2025, 07:58 PM
Trampi dhe i biri të dashuruar pas Serborusisë
Nga Eshref Ymeri
Presidenti Donald Tramp, me sa duket, tani, në mandatin e
dytë, po menduaka për pasardhësin e pushtetit. Prandaj edhe djali i madh i tij,
Donald Tramp i Riu, ka filluar vizitat jashtë vendit. Në muajin shtator ishte
për vizitë në Serbi. Kohët e fundit ai ka bërë një vizitë të dytë po në Serbi.
Nuk kemi ndonjë informacion që Donald Tramp i Riu të
mbajë ndonjë post politik. Dimë vetëm që ai është një sipërmarrës i suksesshëm,
shkrimtar dhe pjesëmarrës aktiv në jetën
politike, pa mbajtur ndonjë post politik. Së bashku me motrën dhe vëllain, ai drejton
kompaninë e babait “The Trump Organization”.
Pra,
ashtu si në muajin shtator, edhe tani në muajin mars, ai paska shkuar për
vizitë në Serbi jo me ndonjë mandat politik. Kishim menduar se ai, normalisht,
duhet të ketë shkuar për nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje në fushën e
biznesit. Prandaj, për mbarë kombin shqiptar, ishte sa e pabesueshme, aq edhe
revoltuese një deklaratë e tij politike para trashëgimtarit të Millosheviçit,
kriminelit të popullit dardan, Vuçiçit.
Gjatë
asaj vizite, ja çfarë “xhevahiri” i paska deklaruar Aleksandër Vuçiçit:
“NATO-ja
e bombardoi Serbinë në vitin 1999 në mes të skandalit të Bill Klintonit me
Monika Levinskin, dhe shumë e shohin bombardimin e Serbisë nga NATO-ja asokohe
si një shpërqendrim nga kjo çështje” (Citohet sipas: “Podkasti me Vuçiçin,
befason djali i Donald Trampit: NATO bombardoi Serbinë që të largonte vëmendjen
nga skandali Levinski!”. Faqja e internetit “top.channel.tv”. 15
mars 2025).
Por
edhe më skandaloze ishte diçka tjetër që i biri i Presidentit Tramp shpalosi në
komunikimin me Vuçiçin. Në internet qe botuar edhe njoftimi në vijim:
“...duke
e shpjeguar vendndodhjen e Serbisë në hartën e Europës, Trump Jr shfaq një
hartë, ku Kosova është pjesë e Serbisë” (Citohet sipas: “Përshkrimi i djalit
të Donald Trump për bombardimet e NATO’s: Ndodhën në pikën më të lartë të
skandalit Clinton-Lewinsky”. Faqja e internetit “Express”. 15 mars
2025).
Këto
deklarata kanë në themel mungesën e theksuar të respektit ndaj kombit shqiptar.
Por duhet të jemi gjakftohtë: në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse,
sipas dy fjalëve të urta të Shqipes sonë Hyjnore, “dardha nën dardhë do të
bjerë”, ose “bëmë baba të të ngjajë”. Prandaj Trampi i Riu ndjek me
besnikëri gjurmët e babait të Tij Donald Tramp, i cili, që në fillim të
fushatës zgjedhore për mandatin e parë presidencial, pati deklaruar:
“…
Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë,
Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para
popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do
të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së
jashme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas: “Trampi i
kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Faqja e internetit “stihiya.org”.
25 dhjetor 2015).
Vetvetiu
shtrohet një pyetje:
Po
cilat qenë arsyet e vërteta madhore, që çuan në bombardimin e Serbisë fashiste
nga ana e Aleancës Veriatlantike, arsye këto, të cilat i biri i Presidentit
Tramp i mohon krejtësisht, duke u munduar t’i përcjellë një të pavërtetë
opinionit publik amerikan?
Është
i njohur botërisht ky informacion:
“15
janari i vitit 1999… ishte i kobshëm për 45 civilë shqiptarë, banorë të fshatit
Reçak. Një aksion i tmerrshëm i ushtrisë e i policisë së Serbisë përfundoi me
kryerjen e një masakre, e cila, më pas, do ta zgjonte botën për gjenocidin që
Serbia po kryente në Kosovë… Trupat e të vrarëve kishin mbetur në këtë luginë
deri në mëngjesin e 16 shkurtit… Më 16 shkurt, në mëngjes, në Reçak shkoi
amerikani William Walker, asokohe shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në
Kosovë. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut.
Kur Walkeri pa trupat e të vrarëve, në prononcimin e tij të parë para mediave,
tha:
“Fatkeqësisht,
nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose të të gjithë
atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e
papërshkrueshme”.
Pamjet
e masakrës së Reçakut tronditën botën”. (Citohet sipas: “25 vjet nga masakra
e Reçakut... krimi që ndryshoi historinë e Kosovës dhe tronditi botën”. Faqja
e internetit “gazetasi.al”. 15 janar 2025).
Siç
dihet, me nismën e Grupit të Kontaktit, prej 06 deri më 23 shkurt 1999,
zhvilloi punimet Konferenca e Rambujesë, e cila kishte si objektiv kryesor
zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Presidenti Bill Klinton ka pasë deklaruar:
“Ne dhe Aleanca e NATO-s bëmë të gjitha përpjekjet për arritjen
e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç,
i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në
Bosnjë, zgjodhi agresionin në vend të paqes” (Citohet sipas: “25 vjet nga
fillimi i bombardimeve të NATO-s për paqen në Kosovë”. Faqja e internetit “tetovasot”.
24 mars 2024).
Por, për ta sfiduar Perëndimin, me në krye Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, kryekrimineli Millosheviç zgjodhi rrugën e terrorit
kundër Kosovës. Në informacionin në vijim thuhet:
“Më 5-7 mars 1998, rreth 5,000 forca serbe bllokuan
kompleksin e familjes Jashari në fshatin Prekaz dhe vranë 58 nga familja dhe të
afërmit e tij, duke përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Masakrës i shpëtoi vetëm
Besarta, vajza 10-vjeçare e Hamza Jasharit. Sulmi, i njohur si Masakra e
Prekazit, konsiderohet si një nga pikat kthese që çuan në vendimin e NATO-s për
të ndërhyrë në Kosovë në vitin 1999 (Citohet sipas: “Masakra e Prekazit /
Çfarë ndodhi 25 vite më parë në familjen Jashari”. Faqja e internetit “Dosja”.
06 mars 2023).
Pra, për dijeninë e të birit të Presidentit Tramp, i cili
nuk qenka i kalitur për të mbajtur mbi shpatullat e veta peshën fort të rëndë
të institucionit të së vërtetës, arsyet e vetme të sulmit të NATO-s kundër
Serbisë fashiste ishin krimet, masakrat e rënda, shkatërrimet masive që ajo i
shkaktoi popullit dardan, ishin djegiet e 200 mijë shtëpive, vrasjet masive në
radhët e popullsisë civile, shpërnguljet e një milion shqiptarëve nga trojet e
tyre amtare dhe dëbimi me dhunë drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë, si edhe
përdhunimi i 20 mijë vajzave dhe grave dardane.
Shtrembërimi i së vërtetës nga ana e çdokujt duhet ta
ketë një cak, por një shtrembërim i tillë nga ana e të birit të Presidentit Tramp nuk paska as cak, as kufi.
Për dijeninë e tij, Presidenti Bill Klinton e organizoi sulmin e NATO-s kundër
Serbisë për arsyet e mësipërme dhe aspak për shpërqendrimin e vëmendjes së
opinionit publik amerikan nga “romani” me Monika Levinskin. Për më
tepër, ai kishte edhe një tjetër arsye madhore për organizimin e atij sulmi. Në
qershor të vitit 2002, Bill Klintoni është shprehur:
“Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin
shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj
dhe ndaj vlerave të lirisë” (Citohet sipas: Klinton: “Nëna Terëzë më bëri ta
dua kombin shqiptar”. Faqja e internetit “arkiv.portalb.mk”. 26
gusht 2015).
Në një tjetër informacion thuhet:
“Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton, do të shprehej
në një fjalim për shenjtoren se kjo e fundit pati ndikim në vendimin e tij për
të nisur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në marsin e vitit 1999. Klintoni
theksonte se shkoi të vizitonte varrin e Nënë Terezës në Kalkuta të Indisë dhe
gjatë nderimeve do të shprehej para varrit të saj se e kishte mbajtur premtimin
që i kishte dhënë për Kosovën” (Citohet sipas: “Bill Klinton: Nënë Tereza më kërkoi të ndërhyj në Kosovë, i shkova
te varri dhe i thashë se e mbajta
fjalën”. Faqja e internetit “kumti.net”. 05 shtator 2024).
Edhe shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, ka theksuar:
“Nënë Tereza ka marrë në telefon Bill Klintonin dhe i ka
thënë: Biri im, bëj diçka për shqiptarët e mi” (Citohet sipas: “Nënë Tereza
ka marrë në telefon Bill Klintonin dhe i ka thënë: Biri im, bëj diçka për
shqiptarët e mi”. Faqja e internetit “kult.plus”. 02 gusht 2019).
Kësisoj, vetë Presidenti Donald Tramp është shprehur
publikisht kundër bombardimit të Serbisë, pra, kundër popullit shqiptar të
Dardanisë.
Çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, në mbarë
trojet tona etnike, domosdo që është i befasuar se si është e mundur që
Presidenti amerikan, me deklaratën e tij të dhjetorit të vitit 2015 në
përkrahje të Serbisë, çka do të thotë në përkrahje të Rusisë, të rreshtohej
kundër kombit shqiptar, mikut më besnik të kombit amerikan?
Me sa duket, gravitacioni i respektit të Preidentit Tramp
për Serbinë qenka kaq i fuqishëm, saqë atij nuk i patën bërë absolutisht
kurrfarë përshtypjesh krimet e saj të llahtarshme kundër popullit dardan. Tani
që ai mbushi dy muaj në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qëndrimi i
tij ndaj popullit heroik ukrainas dhe Forcave të tij të Armatosura kundër
agresionit fashist rus, me siguri që ka për të shërbyer si letër lakmusi i
pozicionimit të tij ndaj Rusisë. Le të shpresojmë që Ai, megjithëse në Zyrën
Ovale mbajti një qëndrim krejtësisht të pahijshëm ndaj Presidentit Zelenski, do
të rreshtohet në anën e Ukrainës heroike, duke ngritur edhe më lart autoritetin
e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kryekëshjella dhe shembulli i mbrojtjes
së vlerave të lirisë në mbarë botën.
Një pyetje e fundit mbetet pa përgjigje:
Si shpjegohet që edhe Tirana, edhe Prishtina zyrtare e
kaluan tërësisht në heshtje qoftë deklartatën e Presidentit Tramp të dhjetorit
të vitit 2015, qoftë deklaratën e të birit të Tij të 15 marsit 2025, - deklarata
këto tërësisht në përkrahje të Serbisë dhe kundër kombit shqiptar? Mos ndoshta
klasat politike në Tiranë dhe në Prishtinë menduakan se kur miku i madh vepron
gabim, nuk duhet reaguar absolutisht kundër tij? Dihet shumë mirë që Shtetet e
Bashkuara të Amerikës janë një mik i madh i kombit shqiptar, ashtu si edhe
kombi shqiptar, për arsyet e forta që dihen, është kombi më proamerikan në
botë, por duhet pasur parasysh se edhe më i madh është dinjiteti ynë kombëtar.
Duhet të jemi të bindur se Trampi nuk është Amerika,
ashtu si edhe Sorosi nuk është Amerika. Por si është i mundur një polarizim i
tillë i opinionit publik amerikan në dy skaje të kundërta - në sorosizëm dhe në
trampizëm. Në themel të këtij polarizimi janë dy partitë politike - demokratët
dhe republikanët. Nëse ky polarizim do të vazhdojë gjatë, gjasat janë që do të
ndikojë për keq në uljen autoritetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në
opinionin botëror. Sorosizmi, të cilin partia socialiste Ramës e ka pasur dhe
vazhdon ta ketë yll karvani gjatë dymbëdhjetë vjetëve, i ka shkaktuar dëme të
pallogaritshme vendit tonë nëpërmjet varfërimit të pandalshëm të njerëzve, me
pasoja tragjike për shpopullimin e tij. Por edhe partia demokratike duhet të
jetë e përmbajtur në entuziazmin e saj për rikthimin në krye të Shtëpisë së
Bardhë të Donald Trampit. Krerët e Partisë Demokratike duhet të kenë parasysh
se çfarë ka deklaruar David L. Filips
(Phillips), Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut
në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia
në Nju York, njëherësh njohës i mirë i rrethanave politike në rajonin e
Ballkanit Perëndimor. Në njërën prej analizave
të veta, ai ka shkruar:
“Presidenti Donald J.
Tramp ka tradhtuar besimin e Kosovës në SHBA, duke mos mbështetur progresin e
arritur përgjatë dekadave… Unë nuk mund të flas për të, por
mund ta imagjinoj tmerrin për paragjykimet antishqiptare të Trampit… Trampi
e ka tradhtuar Kosovën… (Citohet sipas: David L. Phillips. “Trampi e tradhëtoi Kosovën”. Faqja e internetit “Front Online”.04 maj 2020).