Speciale
Bedri Tahiri: Epopeja që ndërroi rrjedhat e historisë
E enjte, 06.03.2025, 07:00 PM
Përvjetori i 27-të
EPOPEJA
QË NDËRROI RRJEDHAT E HISTORISË
(Fragment
nga dorëshkrimi i bërë fill pas ngjarjes, i cili ishte embrioni i librit “ADEM
JASHARI – Legjendë e legjendave”)
Nga
Bedri Tahiri
E
enjte, 5 mars 1998. Ora 5 e 30 minuta. Toka u trand në themel. U zgjuam
frikshëm. Shkreptinte moti a dridhej toka?! Jo, as njëra, as tjetra. Prekazi i
Poshtëm, veçan Jasharët, po bombardoheshin nga qielli e nga toka. Në cak
familja e madhe atdhetare e Shaban Murat Jasharit. Qielli lotonte në heshtje.
Zogjtë ndërprenë këngën e lumthi ngadalësoi rrjedhën. Tymi e flaka mbuluan
diellin...
Qyqavica
legjendare ngeli e nemitur. Ende nuk iu kishin tharë lotët nga masakra e
Qirezit dhe e Likoshanit. Drenica martire sërish në grykën e vullkanit
përvëlues. Soldateska e shfrenuar serbe, kishte mbledhur gjithë fuqinë dhe
tinëzisht ishte vërsulur drejt Kullës - Kala, ku dy herë më parë kishte lënë
brirët. Kësaj radhe puna qëndronte më ndryshe. Adem Jashari ishte bërë tmerr
për Beogradin. Kryesatanai po e shihte edhe në ëndërr. Dhe, plani ishte
stërholluar mirë e mirë. Ishin dërguar forcat e njësive më speciale, komandosë
e xhelatë profesionalë, me arsenalin më modern të armatimit, dhe përnjëherësh
ishte bllokuar e paralizuar mbarë Drenica.
Rrathët
e hekurt ia mbërthenin shtatin pamëshirshëm. Jeta e vdekja sy më sy. Nga kodrat
përreth topat e minahedhësit e mëdhenj villnin zjarr pa pushuar.
Kudo
tmerr e lemeri ngjethëse.
Në
kullën e qëndresës, që pa gdhirë, ishte dhënë kushtrimi. Trimat u zgjuan
rrufeshëm. Plaku Shaban hapi frëngjinë dhe shkrehu pushkën e parë lajmëtare, si
dikur Muji i Jutbinës, kur lajmëronte kreshnikët për ndonjë të ligë që u
kanosej. Edhe nipat, që flinin me të, Besimi e Fitimi, i zunë dy frëngjitë e
tjera. Hamza, në kullën tjetër, andej lart, nga ana e Fabrikës së Municionit, i
bëri fora të paudhët, që përpiqeshin të zvarriteshin e të afroheshin tinëzisht.
Po
komandant Adem Jashari?!
Ah,
trimi i trimave, nuk po ngutej fare. Ai, si përherë, i qetë e fare gjakftohtë.
Pasi u përgatit mirë e mirë, drodhi mustakun deri pas veshit dhe u sul furishëm
drejt dyerve të oborrit. Tanku ngjyrë blu shtangu në vend. Djajtë ranë si bari
në arë përgjatë murit rrethues. Nga zëri i tij lemeritës u tmerruan edhe
komandantët gjakpirës që me dylbi të stërzgjatura përcillnin aksionin nga pirgu
famëkeq. Ushtarëve të rinj u ranë armët nga dora. Lufta mori hov të paparë.
Granatat e kalibrave të ndryshëm bënin kërdi. Dita u bë natë nga tymi, e nata u
bë ditë nga flaka. Dielli i zymtuar, tri herë lindi e tri herë perëndoi. Beteja
e përgjakshme s'kishte të sosur. Kënga e trimave sfidonte krismat e topave. Në
gjoksin e Hamzës u shkri granata, por u fik tanku. Plaku, mbetur pa fishekë,
rroku flamurin kombëtar, atë me të cilin dikur e kishte mbështjell Ademin, dhe
u doli përballë, duke brohoritur me sa zë që kishte: Rroftë Kosova! Rroftë Shqipëria!
Edhe
të tjerët, i madh e i vogël, qëndronin heroikisht. Askush nuk i druhej vdekjes,
as gratë, as fëmijët. Heroizmi i pashoq. Altruizëm e sakrificë mbinjerëzore,
mahnitëse.
Zëri
kushtrimtar i komandantit kishte tundur dheun. Pas tij shkonin edhe malet, edhe
fushat, edhe lumenjtë. Gjurmëve të tij ecnin edhe më të moshuarit. Dajë Osman
Geci i Llaushës e nip Aliu nga Luboveci, të cilët, edhe pse kishin rrafshuar të
gjashtëdhjetat, kurrë nuk iu ndanë trimit.
-I
duhet Adem Drenicës, i duhet Ademi Kosovës,- thoshte daja Osë, i cili shkrihej
për niposhin sypatrembur.
Atë
natë s'patën kohë t'i rroknin çiftelitë e t'ia thoshin këngës së Zhujë
Selmanit, sepse erdhën vonë nga Rezalla, ishin për t'i vizituar të plagosurit e
Betejës së Likoshanit, dhe u zgjuan herët nga gjylet e topave...
Flaka
e luftës, sakaq, u ndez ashpër në gjithë lagjen Jasharaj.
Në
hyrje, si male më dëborë, qëndronin nënë Sala me të shoqin Hamitin. Tringa e
Prekazit, me nëntëshen në dorë i qëndiste në lule të ballit ata që guxonin të
kapërcenin pragun e pashkelur.
-O
Shën Savë, ky është i vrari ynë i tetëdhjetë e tetë,- thanë më vonë cerberët,
duke bërë kryq, kur nën rrënojat e murit të shtëpisë së saj gjeten skërmat e
një polici kokëprerë...
...Tutje
Sadiku me djalë Ramizin e veçan Qerimi me djemtë sokola: Shahinin e Ukshinin ia
thoshin këngës së dyfekut për mrekulli.
Në
anën tjetër të rrugës, mbanë varrezave, pandërprerë gogësinte gacatorja
italiane. Luftonte Smajl Jashari pa e honepsur dot vdekjen.
-Po
Faiku, Kajtazi, Aliu, Isaku ç'bënin vallë?!
Ata,
si me flatra dragoi ngarendnin drejt kraterit përvëlues. Atje, si në ishullin e
sirenave, i ftonte pavdekësia. Edhe në shtëpinë e rapsodëve kishte heshtur
melodia e çiftelisë. Vendin e saj kishin zënë grykëhollat, që këndonin bukur në
duart e Halitit e të Hajzerit. Atyre iu bashkëngjiteshin edhe ato të Halitit,
Beqirit, Sherifit, Nazmiut...
Edhe
gurët e kullave sfidonin mortjen dhe i thurnin himne lavdisë. Mbijetesa, kënga
dhe pavdekësia. Muzgu krahzi sikur nxitonte të vinte pushtet dhe t'ua errësonte
edhe më verbërinë gjakatarëve karpatianë. Hëna, si vashë e ndrojtur, skuqej
para barbarisë dhe fshihej pas resh. Në pusin e kroit të Jasharëve, nën ca
shelgjishte të rralla, pehateshin ca si hije të përhitura.
Vallë,
cilët ishin ata, që shikoheshin sy më sy me vdekjen?! Ishte Bashkim Jashari me
kushërinjtë: Bilallin, Ragipin, Halilin, Qemalin dhe me Shekipin nga Klina e
Poshtme.
-Bashkim,
çajeni rrethimin!- e kishte dëgjuar si për mjegull zërin e balit Hamzë dhe, me
shpirt ndër dhëmbë, pas tetë orë kacafytjeje me bishat e shfrenuara, ia kishin
dalë mbanë dhe kishin arritur deri aty. Por, rrathët e ferrit ende s'kishin
mbaruar...Tanku, me sy ciklopi, u qëndronte fare pranë...
-U
vra Zenë Jashari!...U zhduk Zenë Jashari!
Jo,
ai ishte gjallë, por fati e kishte goditur rëndë. Gruan, Bahtijen me djemtë:
Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin ia vranë katilët. Valdetin ku e kam?- pyeste
ai duke e kërkuar kodër më kodër. Nëpër flakë pushkësh e kishte parë që bashkë
me Shahinin e Qerimit kapërcenin lumthin. Edhe shumë plumba kishte parë të
suleshin drejt tyre...Djaloshi sërish kishte kthyer prapa. Hamitin e kishte
qëlluar granata në kokë dhe trupi po i digjej flakë. U përpoq ta ndihmonte e ta
fikte, por kot. Mezi u ngjit në tavan dhe prej andej shihte skena tmerruese.
Krisma... britma...sharje...tym... flakë... Kur kriste mitralozi i bacë Ademit,
mbanin frymë edhe lisat e malit. Ai dallohej nga të tjerët, jehonte më shumë se
edhe topat e hasmit.
Autoambulancat
s'pushonin kurrë. Dikur flaka zu t'ia lëpinte edhe këmbët e tij të zbathura.
Terri ia mundësoi Valdetit ikjen nga ferri...
Po
errej edhe dita e tretë e betejës. Një shqipe sogjetonte kujdesshëm nga
lartësitë qiellore. Zymtësi mbytëse pllakoste mbi çdo gjë. Krismat kishin
pushuar. Kishte pushuar edhe kënga e trimave. Veç tymi ende fjollonte qetë-
qetë nga hambarët më grurë, që digjeshin në vete. Nëpër qiellin e përflakur
retë e trazuara bartnin acar, shqotë e fërfëllizë.
Në
kullat gërmadha mbante erë e rëndë shkrumbi e baruti. Gjë e gjallë s'pipëtinte.
Një si hije e përhitur kapërcente mbi kufomat e panumërta, në oborr, në lëmë e
në rrugë.
-
O Zot, ishte zanë mali a fantazmë? Ah, jo, ishte Besarta e padjallëzuar, që
kishte sfiduar vdekjen. Si e nemitur, mezi kalonte midis tyre. Ç'pamje
llahtarie, që të shokonte në vend. Lloj-lloj uniformash e lloj-lloj surratesh
të ngjyrosura e çoroditëse. Midis tyre gjeti edhe gjyshin e gjyshen, Shabanin e
Zahiden. I gjeti edhe prindërit e dashur, Hamzën e Feriden. Babanë Hamzë me
gjoksin e groposur, si të Mic Sokolit. Çudi, në ato çaste loti i kishte ngrirë
në qepallë. Pak më tej i gjeti edhe tjerët: Zarifen, Hidajeten, Igballen,
Igballin, Selveten, Afeten, Besimin, Lirinë, Blerimin, Fatimen, Blerinën,
Adilën, Fitimin dhe Kushtrimin...
-Po
baca Adem ku ishte vallë, që nuk po e gjente dot?! Deri vonë ia kishte dëgjuar
krismat dhe këngën. Pse nuk po qëllonte më?! Po këngën pse e kishte ndalur?!
Sërish zuri ta kërkonte...
Por,
kot, atë nuk mund ta gjente andejpari. Jo, jo. Ai po shëtiste në ballë të
protestuesve nëpër rrugët e Prishtinës, të Tetovës, të Tiranës, të Bonit, të
Nju-Jorkut...Ishte bërë shpirti i luftës sonë çlirimtare...
Sakaq
sikur iu vegua një zë. E ndali frymën dhe mbajti vesh. Puhiza krahëlehtë depërtonte
zhurmshëm mureve të zhbiruara dhe arrinte deri tek magjja, nën të cilën kjo
kishte mbijetuar vdekjen vellozezë, duke sjell jehonën:
Ku
m'je nis oj lulja me erë?
Në
Drenicë te baca Adem...
Aman,
o madhëri, sa shpejt e paska marrë kënga me vete, për ta mbajtur të gjallë
përherë! Ashtu e ka ajo, vetëm të pavdekshmit i pranon në gjirin e vet. Shpirti
i tij luftarak shëtiste si me krah dragoi nëpër istikame, duke u dhënë zemër
luftëtarëve të lirisë, në Drenicë, në Dukagjin, në Llapushë, në Llap, në Pashtrik,
në Shalë...
Emri
i tij kishte zënë vend nderi në zemrën e madhe të popullit dhe ishte bërë
legjendë e legjendave.
Një
zog këngëtar, nga maja e oxhakut, që kishte përballuar rrebeshet rrënuese dhe
krenarisht mbante kokën lart, ia thoshte këngës ëmbëlsisht:
Amanet
ore djali - djalit,
M'i
këndue Adem Jasharit,
Që
i tregoi mirë barbarisë,
Si
qëndrojnë shqipet e lirisë...
*
* *
Dhe,
sërish vjen marsi! Marsi i trimërisë, siç thoshte Lasgushi ynë mendjendritur.
Dhe,
sërish, kujtesa jonë shënon, nderon, përkujton...
Mbase,
edhe nuk bënë ndryshe.
Kush
e harron historinë është i detyruar ta përsërisë!- këshillojnë të mençuritë.
Dhe,
kësaj here do të veprojmë ndryshe. Do të bëhemi tok, si një grusht i vetëm dhe,
amanetin e brezave, do ta mbajmë vath në vesh deri në realizimin e synimit tonë
jetësor: BASHKIMIT KOMBËTAR!
Kështu
na obligon edhe gjaku i dëshmorëve të të gjitha kohëve.
Kështu
na obligojnë edhe mbi dhjetëmijë të vrarë e shumë të plagosur.
Kështu
na obligojnë edhe rreth tremijë të zhdukur.
Kështu
na obligojnë familjet e dëshmorëve dhe jetimët.
Kështu
na obligojnë invalidët e veteranët e luftës sonë çlirimtare.
Mbase,
mbase, më mirë së të gjithë, duhet të na vetëdijesojnë arrestimet dhe burgosjet
e çlirimtarëve!!!
LAVDI!