Mendime
Jusuf Buxhovi: Robert Dole e Ibrahim Rugova dhe analogjia e takimit Trump - Zelensky
E shtune, 01.03.2025, 08:33 PM
ROBERT DOLI E IBRAHIM RUGOVA DHE ANALOGJIA E TAKIMIT TRUMP - ZELJENSKY
Nga
Jusuf Buxhovi
Ajo
që ndodhi dje në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington në takimin
midis presidentit amerikan Trump dhe atij ukrainas Zelenjskyt, përkundër
dialogut të ashpër midis presidentit amerikan dhe atij ukrainas si dhe
arrogancës që tregoi Trampi në raport me arritjen e një marrëveshjeje paqësore
që niset mbi kompromiset që sjell raporti i forcave, siç janë ato në dobi të
Rusisë, pa u përmendur shkaku i luftës (agresori) por interesi që ajo të
ndalet, me ç'rast presidenti ukrainas u kundërpërgjigj se nuk do të pranojë
paqen përmes kapitulimit, gjë që solli edhe largimin e tij nga Shtëpia e
Bardhë, përkujton një rast të ngjashëm, nga prilli i vitit 1990 kur pas
dëshmive të delegacionit të shqiptarëve në Këshillin për të drejta të njeriut,
në Senatin Amerikan, nënkryetari i paritisë Republikane, Robert Dol, kërkoi të
takohej me dr Rugovën, atëherë kryetar i LDK-së dhe Dobrica Qosiqin, autor i
Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave, i cili ishte në krye të procesve
që po çonin te shkatërrimi i Jugosllavisë.
Këtu
po sjell një pjesë të kësaj bisede te Robert Dolit me Qosiqin dhe Rugovën, kur
ai pas mospajtimeve me Qosiqin atij iu kërcënue se do të shkatërrohet
Jugosllavia, ndërsa gjuhës pajtuese të Rugovës iu përgjegj me premtimin se do
të kenë ndihmën amerkane deri te fitoja po qe se luftojnë me mjete paqësore për
liri, demokraci, bazazi dhe qytetërim perëndimor...
Pra,
takimi përfundoi me largimin (dëbimin) e
njëanshëm të Qosiqit nga zyra e Robert Dolit...
Dy
vite më vonë, në maj të vitit 1992, Dobrica Qosiq u zgjodh kryretar i
Jugosllavisë, ndërsa Rugova president i parë i Kosovës. Kërcënimi Dolit ndaj
Qosiqit doli të jetë i njëmndt: me shkatërrimin e Jugosllavisë nga bombardimet
e NATO-s, siç ndodhi edhe çlirimi dhe krijimi i shtetit të Kosovës, pavarësia e
të cilit u shpall më 17 02 2008.
PREMTIMET
DHE KËRCËNIMET E ROBERT DOLIT DR RUGOVËS DHE QOSIQIT
Dëshmitë
para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Senatit amerikan, kishin pasur
rëndësi të dyfishtë. Sepse, na i kishin
hapur dyert që të priteshim në institucionin më të njohur dhe më të fuqishëm të
sistemit demokratik amerikan, dhe njëherësh, si subjekt politik ishim barazuar
me atë serb, me çka për herë të parë do t’i jepet drita e gjelbër ngritjes së
çështjes së Kosovës në nivelin e një preokupimi ndërkombëtar, pra që ajo
nxirrej nga “kompetenca” e brendshme serbe ku rëndom shihej.
Edhe
pse do të kalojë bukur kohë që kjo kthesë të zyrtarizohej, mund të thuhet se
praktikisht efektet e saj janë hetuar
edhe nga ne e edhe nga vetë Beogradi, prej nga dilte fare qartë se në njërën anë, nuk do të jenë në gjendje që
problematikën e Kosovës ta mbajnë jashtë ndërkombëtarizimit të saj, dhe në
tjetrën anë, do ta kuptojnë se epilogun e saj do ta ndikojnë amerikanët.
Mesazhet
e këtij përcaktimi do të kenë rast t’i marrin menjëherë si gjatë dëshmive para
Këshillit të Senatit nga demonstrimi i administratës amerikane, edhe gjatë
shfaqjes së Rugovës në rolin e dëshmitarit t’i jepej tretmani i liderit të
shtetit, e edhe pas mbarimit të saj, kur senatori Robert Dol, në kabinetin e
tij, do të kërkojë që të bisedonte për së afërmi me Rugovën dhe mua si dhe
Qosiqin dhe peshkopin serb, që e kishte me vete.
Ndonëse
me senatorin Robert Dol, kishim pasur rastin të bisedonim paradite, kur na
kishte pritur bashkërisht në Senat dhe na kishte uruar qëndrim të këndshëm në
SHBA, dhe me këtë rast kishte lavdëruar përcaktimin tonë për demokraci, duke
theksuar rolin prijës të LDK-së që duhej ta kishte në këtë lëvizje, ftesa e
paparaparë për një bisedë të përbashkët me serbët në kabinetin e tij ishte më
shumë se një gjest falënderimi për dëshmitë e bëra, që edhe është i kup-tueshëm
në raste të tilla. Dhe, përnjëmend doli se senatori Robert Dol, pasi që
paraprakisht me vëmendje kishte dëgjuar
ato që do të thuhen nga të dy anët,
kishte shqetësimin rreth thellimit dhe të ashpërsimit të krizës, ngaqë, si tha,
fjala ishte për përcaktime diametralisht të kundërta, ku në njërën anë shfaqej
opsioni paqësor i shqiptarëve me kërkesat për barazi, demokraci dhe kthim kah
Perën-dimi, që i theksoi si të drejta dhe të pranueshme dhe në përputhje me
frymën e ndryshimeve demokratike që kishte filluar të përfshinte vendet e lindjes, dhe në tjetrën anë shfaqej qëndrimi
serb, si e quajti antidemokratik, meqë refuzon demokracinë si vlerë universale
dhe mbështetej mbi të drejtën historike, e cila ishte e papranueshme.
Fjalët
e Robert Dolit nuk do t’i pëlqejnë Qosiqit. Mezi do të presë t’i jepej fjala.
Do të thotë se Serbia ishte e ballafaquar me rrezikun e separatizmit shqiptar,
që tha se ishte i vjetër dhe synonte shkatërrimin e integritetit të saj. Shtoi
se Kosova për Serbinë paraqet djep, shenjtëri dhe rrënjët e qenies së saj dhe
fjalë të ngjashme nga ato që tashmë
kishte thënë dhe pasqyruar edhe në Memorandumin më të ri të akademikëve
serbë, ku ai mbante autorësinë.
Senatori
Dol, ia ndërpreu fjalën me ato që do t’i thotë se as në programin e LDK-së as
në çfarëdo prononcimi të shqiptarëve nuk i kishte rënë të shihte tjetër pos
kërkesave për liri, barazi, demokraci dhe Perëndim.
“Shqiptarët,
madje shfaqen edhe si mbrojtës të Jugosllavisë, por si të barabartë. Andaj,
prej nga i merrni, zotëri, këto kërcënime?”, do t’i drejtohet Qosiqit.
“Nga
sjelljet e tyre... Nga ato që ata bëjnë çdo ditë kundër nesh atje, kundër
varreve tona, kundër shenjtërve tanë... Nga të gjitha....”
Me
teatralitet tha se në Kosovë rrezikohet qenia serbe, rrezikohej krishterimi
perëndimor dhe vlerat e tij...
Rugova
deshi të ndërhyjë, por ishte senatori Dol, i cili iu drejtua Qosiqit me pyetjen si e shihte zgjidhjen e problemit shqiptar
atëherë? Me mjete demokratike, kur këtë e kërkojnë shqiptarët haptas, apo ndryshe?
Qosiqi
sikur u zu ngushtë nga pyetja. Deshi të vazhdonte aty ku kishte mbetur dhe bëri
me dorë nga dosja që kishte me vete, pjesë të së cilës kishte lexuar edhe pak
më parë, e ku shqiptarët akuzoheshin në mënyrën më të vrazhdët dhe me të
pavërteta që kishte sajuar propaganda serbe prej vitesh, por senatori nuk e la
të kthehej andej.
“Pyetja
është e drejtpërdrejt dhe fare e thjeshtë: do ta pranoni demokracinë apo jo?”
“Populli
serb nuk mund të pranojë kurrfarë ndryshimesh qofshin ato edhe demokratike, që
mund t’ia ndryshojnë pozitën nga ai shtet-formues në atë të pakicës. Kemi
derdhur si shumë gjak gjatë këtyre pesëqind vjetëve të fundit që ta pranojmë
një rrënim të tillë...”
“Pra,
nuk pranoni demokracinë?”
“Nuk
pranojmë asgjë që do të thotë vetëshkatërrim... Kjo është e drejtë e secilit
popull... Kjo është në përputhje edhe me ligjet e natyrës...”
“Kjo
më mjafton, zotëri... Për ju nuk vlejnë ligjet e civilizimit por ato të
natyrës?!... “
Qosiqi
bëri që të thoshte edhe diçka por nuk iu lejua nga Doli.
“Nëse
vazhdoni kështu do ta rrezikonin Jugosllavinë dhe vetë Serbinë. Shtetet e
Bashkuara të Amerikës nuk pranojnë dhunën si alternativë të demokracisë, e aq
më pak si mjet mbrojtjeje për qëllime shtetmëdha...”
Pastaj
na u drejtua neve.
“Do
të mbeteni në kursin e filluar edhe pas gjithë kësaj që dëgjuat?”
Rugova,
pa një pa dy tha:
“Kërkojmë
liri, barazi, demokraci dhe botën perëndimore, zotëri...”
“Amerika
është në anën e atyre që kërkojnë liri, demokraci dhe barazi...”
Robert
Doli nuk foli tjetër. U ngrit dhe me këtë dha shenjë se takimi kishte marrë
fund. Qosiqi sikur dëshironte të fliste edhe diçka, por ishte sekretaresha e
senatorit, një kroate-amerikane e cila hapi derën dhe po na priste që të na përcillte më tutje. Senatori me
çehre të prishur mezi sajoi fjalinë me të cilat na dëshirohej qëndrim i
këndshëm në Amerikë dhe u kthye në kabinet. Sekretaresha e senatorit na foli
diçka në një kroatishte tepër artificiale të përzier me anglishte dhe na
përcolli deri te pjesa ku tashmë demonstrativisht prisnin përcjellësit e
Rugovës të gatshëm ta merrnin.
Qosiqi
na dha dorën ftohtas, ndërkohë që Rugova me atë buzëqeshjen e varur që kurrë
nuk dihej se a paraqet kënaqësi apo hidhërim, i tha se do të dëshironim të
shiheshim në rrethana kur që të dytë do të jenë njësoj të kënaqur.
“Kjo
nuk do të ndodhë kurrë”, ia ktheu Qosiqi dhe bashkë me peshkopin që i shkonte
pas si hije u larguan në pjesën e majtë të korridorit, ku i priste një zyrtar
përcjellës.
Dhe
duke i shikuar si po largoheshin se si m’u duk se korridoreve të Senatit
amerikan ata kishin lënë atë thirrjen për luftë, që para dy vitesh na e kishte
bërë të ditur për herë të parë poeti Millan Komneniqi me rastin e takimeve të
shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd.
(Shkëputje nga libri "Vitet e Gjermanisë", botua
dhjetor 2024, FAQE 249-246)