Mendime
Llesh Ndoj: Të ''pavarur'' vetëm për të qenë vasalë!
E shtune, 01.03.2025, 07:55 PM
Të ‘’pavarur’’ vetëm për të qenë vasalë…!
Nga
Llesh NDOJ
Thelbi i ekzistencës
së një shteti demokratik, bazohet në pavarësinë e institucioneve, sipas parimit
“check and balance”, parim i cili ia nënshtron veprimtarinë e institucioneve të
shtetit kushtetutës e ligjit dhe në këtë aktivitet e kuadër, ato kontrollojnë e
ballancojnë pushtetet. Është krejt e thjeshtë t’a thuash, nuk është e vështirë
t’a kuptosh, teorikisht është plotësisht e mundur të realizohet, por në
praktikë arritja e kësaj balance është tepër e vështirë. Tipikisht këtu gjen
gjithë kuptimin e vet shprehja popullore: “Nga e thëna në të bërë, shtrihet në
mes një det i tërë”, e ky det që ushqehet nga bajraktarizmi ynë tipik, nga të
sjellurit e drejtuesit si pronar i institucionit, nga duart e gjata korruptive,
“ia lidh” këmbë e duar ligjit e kujtdo që lufton për pavarësi brenda kuadrit të
tij, duke i lejuar atij vetëm një udhëtim me dy kahje, ose në rrugë të madhe e
i shpërfillur, në mos në burg, ose në gjunjë “i pavarur” nga ligji e i vasalizuar
nga “Maliqi”.
E gjithë shoqëria
shqiptare gjendet aktualisht në një shqetësim serioz për “furtunën” e ngritur
kohët e fundit në raportin idilik drejtësi - politikë, “furtunë” që rrezikon t’a
shuaj edhe flakën e zbehtë të shpresës, që sapo kishte nisur të ndriçonte në
udhëtimin tonë për t’u bërë shtet e shoqëri normale. E kam fjalën për luftën e
hapur mes SPAK - ut e GJKKO - s, pa përjashtuar edhe organet e tjera të
Drejtësisë së Re si KLP, KLGJ apo ILD, nga njëra anë, dhe dy partive kryesore politike
në vend, në pushtet apo kandidate për pushtet, nga ana tjetër. Ndërsa
drejtësia, hapur e fshehur, bën politikë (jo politikë penale, por politikë
sade!), politikanët tanë, të hetuar ose jo, të akuzuar ose jo, të paraburgosur,
të burgosur e të lirë por të frikësuar nga bëmat e veta, përpiqen të hetojnë e të
bëjnë gjyqin, jo vetëm njëri - tjetrit, por tashmë edhe organeve të drejtësisë.
Ngjan absurd, paradoksal dhe i frikshëm ky përshkallëzim i gjendjes së këtij
konflikti, thuajse vijues, sidomos në këtë periudhë, kur ai është i mbivendosur
edhe me fushatën zgjedhore që ka trokit.
Kam shkruar për këtë
situatë edhe më herët, por situate sa vjen e bëhet më e komplikuar dhe duket se
aktualisht, në të dy krahët e balancës së prishur me dashje, mungojnë
autoritetet e duhura që të kenë fuqinë morale, personale apo institucionale, në
lartësinë e kompetencave ligjore, si dhe ndërgjegjen profesionale e shoqërore
në nivelin e kërkuar të momentit që kalojmë, për t’a rivendosur ekulibrin. As
zgjedhjet e reja nuk mendoj se premtojnë t’a shërojnë këtë lëngatë që nuk është
e sotme, por që tani është rikthyer rrezikshëm. Recidivat, në mjekësi njihen
për rrezikshmërinë e lartë e prognozën e tyre përgjithësisht jo të favorshme,
ndërsa në shoqëri, për të njejtin shkak, kanë gjithnjë dënueshmëri më të lartë.
Por nga kush? A do të mundet sistemi drejtësisë që, në vend të daljes nga
binarët duke u marrë me politikë, apo duke tentuar hijet e drejtësisë
persekutore e depresive të sistemit të kaluar, të shëroje veten duke e vënë
gishtin e lëpirë në plagët e saj? A do të mundet elektorati shqiptar të
kontribuoje me votën e dhënë për njerëzit, partitë e programet e duhura në këto
zgjedhje, që sistemi ynë politik të ndërgjegjësohet e të nisë të bëjë të
njejtën gjë?! A do rikthehet “dora e fortë” (ndihma) e SHBA-ve, qoftë edhe si
“diktat” alla Trump, të na ndihmojë që “lufta” e pashpallur mes dy pushteteve,
të mos dalë nga binarët? A do t’a përdorë Bashkimi Europian procesin e quajtur
të skrinimit për të parë se ku pikon çatia jonë në ndërtimin e konstitucionit
të këtij shteti që rrugëton në udhën evropiane të integrimit? Të tilla pyetje pafund,
thuajse pa përgjigje e me pak shpresë, gjenden plot, në se gjykojmë si të
pavarur nga politika e të pa pickuar nga drejtësia. Por pavarësia në një
shoqëri realisht demokratike, ku sundon shteti i së drejtës, nuk nënkupton
vetëm kaq, ndonëse ato, pushteti legjislativ dhe drejtësia, janë dy shtyllat
bazë. Po aq të rëndësishme janë edhe dy pushtetet e tjera, ai administrativ dhe
media, për fat të keq, të dyja thellësisht të politizuara, të varura, të
korruptuara e të inkriminuara në disa segmente të tyre, por ato nuk përbëjnë fokusin
e këtij shkrimi.
Më tej: - A e kemi ne
sistemin arsimor të pavarur nga politika? Jo! Absolutisht jo! Ngjarjet në
Universitetin Bujqësor të Tiranës, i vetmi institucion i arsimit të lartë në
Shqipëri me diplomë të njohur edhe jashtë vendit, ia hoqën petat lakrorit edhe
në këtë fushë, ku teorikisht arsimi universitar duhet të jetë, jo vetëm i
pavarur, por edhe autonom në punën e tij. Ato treguan hapur atë që të gjithë ne
e dimë, e të gjithë e pëshpëritim me zë e nën zë, se politika dhe krimi i kanë
ngulur aty tentakulat e tyre prej kohësh, vetëm se tash mungojnë ish - organizatat
e ish - komitetet legale të partisë. Unë nuk di të them në se në atë
universitet është bërë apo jo korrupsioni i shpallur si i dyshuar e i hetuar
nga SPAK - u, nuk di të them në se ishin apo jo proporcionale masat e ndërmarra
me ndalime e arrestime, disi masive për një universitet, nuk mendoj se të
akuzuarit personalisht dhe rektori institucionalisht, nuk duhet të bëjnë çdo
përpjekje për t’u liruar nga akuzat, e rivendosur në vend nderin personal e
institucional (në se e kanë!), por nuk kuptoj çfarë kërkon Kryetari i Partisë
Socialiste, njëkohësisht edhe Kryeministër, me këtë situatë? Më tej, ç’lidhje
ka grupi parlamentar i një partie politike, qoftë ky edhe i Partisë Agrare, me
këtë çeshtje? Dhe as nuk mund të kuptoj gjë, pasi paragjykoj veten në se mund
të gjej një arsyetim logjik, për faktin se rektori i këtij universiteti shkon
“me vullnet të lirë” dhe reagimin e parë institucional për situatën e krijuar
në institucionin që drejton e bën para grupit parlamentar socialist. Hetimi,
ndalimi dhe arrestimi i një pjese të stafit akademik dhe personelit ndihmës në
Universitetin Bujqësor të Tiranës, për të cilin ruaj edhe nostalgjinë e një
ish-studenti e kandidati për pedagog, po bëhet për një çeshtje dytësore në raport
me qëllimin primar të tij, por mos qoftë larg, po të investigojë e hetojë
ndonjë strukturë e posaçme apo e zakonshme e prokurorisë, policisë apo çdo
organi ligjor e kompetent aty dhe në të gjitha universitetet e vendit për
korrupsion në marrjen/dhënien e diplomave, korrupsion në marrjen/dhënien e
gradave shkencore, apo për zgjedhjet e korruptuara në to, do të kuptohet qartë
se korrupsioni është metodë pune, e vartësia politike çelësi i suksesit të
shumë prej tyre. Më tej, në arsimin parauniversitar, situata sigurisht që është
më e komplikuar, sepse aty ndërhyjnë edhe elemente rajonale, krahas atyre
qendrore. Le të kesh sa të duash diploma e kualifikime universitare e shkencore,
le të renditesh në krye të portalit përkatës, vetëm servilizmi politik, aftësia
“çudibërëse” e grumbullimit të votave, ose paraja, të bëjnë mësimdhënës e
drejtues. Pika e pavarësisë universitare, pika depolitizimit të arsimit në
tërësi, pika kësaj politike që ka ngrirë në të shkuarën, e nuk sheh aspak nga e
nesërmja!
Këta mëkatarë e të
tjerë pa fund në politikë, administratë, media, arsim, shëndetësi e kudo, nuk
na kanë rënë për hise nga qielli, por janë pjellë e shoqërisë sonë të pa pjekur
ende demokratikisht, ku secili kërkon të bëjë “gjelin mbi grumbullin e plehut”,
ku askush nuk e pranon as e njeh atoritetin e ligjit as të institucionit, ku
askush nuk lufton hapur e ligjërisht për të drejtat e tij, por e gjen më të
udhës t’i nënshtrohet paligjshmërisë ndaj çdo kaleci)1 të pushtetit,
në vend që të ruajmë integritetin tonë moral, ku secili kërkon me patjetër të
gjëj një mik për të marrë atë që i takon, duke harruar të luftojmë për të
drejtat tona. Na vjen “për shtat” t’i biem shkurt e të paguajmë nga xhepat e
shkyer, për atë që ligji t’a jep pa pagesë, në vend që të dërgojmë para
organeve të drejtësisë, ose ato administrative ku varet, atë “Maliqin” që e
tejkalon ligjin për hir të interesave të veta. Nuk e vrasim mendjen për të
ndjekur rrugën ligjore, dhe pse shpesh e mundimshme, për të marrë shërbimin që
na takon nga institucionet, duke “hyrë nga dera”, por kërkojmë mik e “hymë nga dritarja”.
Përtojmë të ndjekim rrugën e sistemit nga mjeku i familjes tek specialisti për
një vizitë mjekësore, një ekzaminim a ndërhyrje, dhe kontaktojmë vetë drejtpërdrejt
me mjekun, duke bërë pazar edhe kur ai nuk t’a kërkon një gjë të tillë. Na
duket e tepërt të studjojmë e marrim shkollën, diplomat e kualifikimet e tjera,
ndaj preferojmë t’i biem shkurt e të bëjmë pazare me mësues e pedagogë. Jo
vetëm kaq, por ne nuk protestojmë për të mbrojtur të drejtat tona të shkelura e
të nëpërkëmbura, por për të “mbrojtur” udhëheqësit tanë “të ndritur”, se po
vuajnë nga që nuk dinë nga t’i legalizojnë paratë që na i kanë vjedhur
pamëshirshëm.
Deformimi ynë si
shoqëri është i thellë dhe nuk daton si origjinë vetëm nga sistemi i kaluar, i
cili duhet pranuar, ia dha një shtysë të fortë deformimit të personalitetit
tonë si njerëz, por vjen që nga kohët e hershme, kur na kanë sunduar të huajt.
Fatkeqësisht as në këto vite të pluralizmit polik, zhvillimet nuk kanë shkuar
në kahjen e duhur, përkundrazi është rritur numri i faktorëve depresiv dhe
shkalla e presionit deformues të tyre, aq sa sot edhe në një bisedë mes dy
vetave i treti, njërit i jep të drejtë e tjetrit i shkel syrin! Edhe kjo është
një premisë negative, që bën të mos shpresojmë për një ndryshim të shpejtë.
Ndryshimi i kësaj situate aspak normale si baza e ndryshimit të shumë raporteve shoqërore, institucionale e ligjore, duhet të nisë tek secili prej nesh, duke i thënë vetes: - Po…! Unë mundem e do t’ia dal për të drejtat e mija pa u bërë vasal i askujt e pa paguar jashtëligjësisht, besim që mund e duhet t’ia transmetojmë fëmijëve që rritim e përgatitim për jetën, familjes, grupit shoqëror ku bëjmë pjesë, e të përpiqemi t’ia imponojmë me votë e me qëndresë qytetare kujtdo, individ apo institucion qoftë ky, që ka për detyrë të respektoje të drejtat tona. Vonë jemi…, por më mirë vonë se kurrë!
Lezhë, më 27. 02. 2025
-------------------
)1 kalec - nga turqishtja: portier. Në zhargon popullorë: njeri që rri e hap portën të gjithë pushtetarëve, pa asnjë vlerë, spiun e servil, matrapaz, yesman.