Mendime
Idriz Zeqiraj: Koalicioni LVV-LDK, zgjidhje e favorshme për Kosovën
E diele, 23.02.2025, 07:54 PM
KOALICIONI LVV-LDK, ZGJIDHJE E FAVORSHME PËR KOSOVËN
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Thonë se skena politike në Kosovë është
e kontaminuar. Realisht, konstatimi më i saktë do të ishte e kriminalizuar. Ka
fare pak hapësirë për të zgjedhur partner të përshtatshëm për bashkëqeverisje.
Subjekti i parë fitues i bindshëm i zgjedhjeve, LVV, është shumë afër numrave,
për ta kompozuar Qeverinë Kurti - 3. Edhe nëse e arrinë kuotën e duhur, do të
jetë një qeveri e brishtë, pa fije sigurie për të mbijetuar deri në fund të
mandatit katër vjeçar. Veç kësaj, ndërkombëtarët kanë sugjeruar një qeverisje
në koalicion, ngaqë ka procese politike të pa mbyllura me Serbinë dhe ka nevojë
për një qeveri solide.
Kur bëhet fjalë për koalicionet, krejt
lehtësisht lakohen edhe subjektet politike, kriminalizimi i të cilave është
faktik. Për një çerek-shekulli riciklohen eksponentë të SHIK-ut, me derivatet e
tij "Shqiponjat e Zeza", BIA dhe të tjera simotra të zeza. Dhe,
askush nuk merakoset pse ata, me të bëmat e tyre kriminale, të paktën, nuk
duhet të jenë fytyra publike. Disa eksponentë të krimit, në listat për deputetë
të partive të PAN-it, e ndotin Parlamentin e Kosovës. Dhe, megjithatë, mburrën
krerët e partive të tyre, se, gjoja, listat e tyre janë të pastra, pa cene,
deri në shenjtëri!
Ish-partitë e koalicionuara në
torishtën e PAN-it, vazhdojnë të jenë të dyzuara: Të krijojnë qeveri me harna,
duke bashkuar subjektet e opozitës, apo të garojnë mes tyre, cila ia fiton
zemrën më parë LVV, për ta pranuar në bashkëqeverisje? Partitë e koalicionuara,
dikur, në PAN, siç janë: PDK-AAK-NISMA, bartin barrën e rëndë të ekzekutimeve
të kundërshtarëve politikë, paraprakisht, të listuar emërorë, pastaj, ngeshëm e
me sadizëm të vrarë, duke ia shtuar mijëra jetimër Kosovës tonë halle-madhe.
O njerëz, shikoni fotografinë
tmerruese, kur familjarët e këshilltarit të Presidentit Rugova, Xhemajl
Mustafa, në dëshpërimin e skajshëm, pranë ark-mortit, me trupin e pajetë të
tij, e cila u bë virale dhe pushtoi mediet e botërore! Fort të ngjashme janë
edhe 1.825 të ekzekutuarit, nga bandat e "komandantëve" pa ushtarë,
por me banda të bollshme.
Kosovës po i ndodhë diçka unike, që nuk
i ka ngjarë asnjë populli, asnjë shteti në botë. Qeveria e sotme nuk merr
guximin, për ta dërguar një draft-statut të Asociacionit, për shqyrtim në
Gjykatën Kushtetuese, sepse, duke qenë e kapur nga njerëzit e shantazhuar, të
cilët mund të vendosin në favor të Serbisë, si herë të tjera, për raste
kontestuese të ngjashme.
Tashmë, dominon mendimi dhe aprovimi i
opinionit se rikthimi i një koalicioni në mes të LVV dhe LDK-së, është zgjidhja
më e mirë. Prishja e koalicionit, në nismë të qeverisjes Kurti -1, ka qenë e
përgaditur nga argatët e Serbisë, Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të
Kosovës dhe Richard Grenell, emisar amerikan për Kosovën si dhe disa të tjerë.
Fillimisht, Hashimi i kërkoi kryeministrit Albin Kurtit ta shpallë -gjendjen e
jashtëzakonshme-, me pretekstin e COVID-19. Qëllimi i presidentit ishte
skajshëm i poshtër, marrjen e kompetencave të qeverisë dinakërisht, për t`i
hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjes, për ndarjen e Kosovës, për çka kishin
punuar dhe lobuar, mjftueshëm, ministra dhe ambasadorë të emëruar nga Hashimi.
Kurti e refuzoi prerazi propozimi
qëllim-keq të Hashim dallaverës. Por ai nuk u tërhoq nga intriga e tij e
rrezikshme dhe kërkoi ndihmë nga ministri i Brendshëm i LDK-së, Agim Veliu, i
cili e mbështeti idenë e Hashim presidentit, për shpalljen e gjendjes të
jashtëzakonshme. Mendoj se Veliu u mashtrua, nuk e kuptoi intrigën ogurzezë të
Hashimit. Përndryshe, familjen Veliu, respektivisht, Gashi, e njoh që nga vitet
´60-a, kur shërbeja mësues në zonën e Llapit, si qendresëtare ndaj pushtetit
pushtues serbo-sllav.
Hashim Thaçi, tashmë, prej një
çerek-shekulli, ishte rekrutuar agjent i dyfishtë. Rekrutimi i parë i tij ishte
bërë nga Arnaud Danjear, shef i DGSE, Sherbimi Informativ francez dhe përmes
tij edhe i Serbisë. Hashimi kishte marrë obligime të pista dhe nuk i
interesonte stabiliteti i Kosovës, në rastin konkret, koalicioni LVV me LDK-në,
sepse fuqizonte Institucionet e Kosovës, në përballje me Serbinë. Hashim Thaçi
e dinte se edhe Grenell, ishte argat i Serbisë, andaj i kërkoi ndihmën për
prishjen e koalicionit LVV-LDK. Dhe, kjo ndodhi, duke realizuar edhe rrëzimin e
Qeverisë Kurti -1, madje në kohën zezonë të Pandemisë Covid!
Rrjedhimisht, akuza se kryeministri
Albin Kurti prishi, njëanshëm, koalicionin LVV-LDK, nuk qëndron dhe këtë e
thonë edhe shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi: "Grenell na
dha afat një javë, për ta prishur koalicionin me LVV". Dhe, më vonë, edhe
ish-kryeministri, Isa Mustafa, pranoi: "Unë e prisha koalicionin me
LVV-në". Mendoj se gjithçka është e qartë dhe dikush duhet të kërkojë
falje, për akuzat shpifëse ndaj kryeministrit Kurti. se, kinse, ai e prishi
koalicionin në fjalë. Realisht, autorë gruporë të prishjes së koalicionit në
fjalë, ishin pesëshja e zezë: Hashim Thaçi, Richard Grenell, Aleksander Vuçiq,
Edvin Rama dhe Isa Mustafa.
E bëra këtë sqarim, për hirë të së
vërtetës, si dhe për të hequr dilemën se kjo prishje nuk ishte vepër as e LVV
dhe as e LDK-së, sepse ndërhyrja ishte e jashtme, madje as në interesin e
këtyre dy subjekteve politike. Por, ishte skenar e regji e Hashim Thaçit, së
bashku me horrakët e përmendur më lart, në interes të Serbisë. Prandaj, kjo
ish-prishje të koalicionit, në mes të LVV dhe LDK-së, duhet harruar si një
ëndërr e keqe. Dhe, nuk duhet të ndikojë fare, si pengesë e rikthimit të
koalicionit, i cili, gjithsesi është në interes të palëve, pra, LVV dhe LDK-së
dhe, mbi të gjitha, në interes të Kosovës. Çfarëdo arsyetimi i kundërt, do të
ishte në interes të Serbisë.
LDK-ja në Kuvendin e 10 të
jashtëzakonshëm të saj, zgjodhi Dr. Lumir Abdixhikun kryetar dhe strukturat
përkatëse të partisë. Bujshëm u proklamua për reforma të nevojshme, por pati
edhe ngecje dhe tolerancë, në emër të unitetit të LDK-së, gjë që e dëmtuan
partinë. Megjithatë, në raport me opozitën PAN-iste, e cila nuk bëri asnjë
reformë, LDK-ja bëri disa reforma domëthënëse, të prekshme. Vlen të theksohet,
një pjesë e "gardës së vjetër", e afërt me klanin e
ish-kryetarit Mustafa dhe nostalgjikë të koalicionit me PAN-in,
kryesisht, PDK-në, ose janë lënë jashtë strukturave vendimmarrëse të partisë,
ose kanë humbur forcën dominuese në parti. Kjo është një vlerë shtesë dhe
rrethanë lehtësuese, për të rikthyer koalicionin e LDK-së me Lëvizjen
Vetëvendosje, duke shpërfillur opinionin e gabuar dhe krejt të qëllimshëm e
artificial, se LVV-LDK, kanë provuar dhe kanë "dështuar" në
koalicionin në mes tyre! Këtë mendësi, sa të gabuar, aq edhe qëllim-keqe, e
thonë kundërshtarët ziliqarë, smirëzi e zuzarë, të cilët nuk ua duan të mirën
këtyre dy subjekteve politike, rrjedhimisht, as Kosovës.
Tashmë, ekziston opinioni progresiv se,
aktualisht, vetëm koalicioni LVV dhe LDK mund të funksionojë si i favorshëm, i
pranueshëm për shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë në Shqiptari. Mbi të gjitha,
këto dy subjekte nuk kanë as afera vrastare dhe as hajnore. Duhet pranuar se ky
koalicion kishte fillim të mbarë, korrekt, funksional dhe profesional, edhe në
Qeverinë Kurti - 1. Ishin armiqtë e LVV-LDK dhe, më tej, armiq të Kosovës, ata
që e prishën koalicionin në fjalë. Urojmë dhe shpresojmë në ripërtritjen e
koalicionit LVV me aleatët e saj besnik, "Alternativa" e
"Guxo" dhe LDK!