Mendime
Llesh Ndoj: Kur djalli ngre meshë, besimtarët duhet të ikin
E merkure, 19.02.2025, 07:40 PM
KUR DJALLI NGRE MESHË, BESIMTARËT DUHET TË IKIN…
Nga
Llesh NDOJ
Ndoshta
kurrë s’do të isha ulur t’i shkruaja këta rreshta, duke konsumuar kohë e
hapësirë për punë më të vlefshme, në se Sali Berisha, tashmë me një jetë
biologjike gati tetëdhjetëvjeçare e një jetëgjatësi politike, jo dosido por në
majat e saj prej tridhjetë e pesë vitesh, nuk do të rishfaqej para nesh si “i
virgjër” e të kërkonte sërish votën e besimin tonë, duke pretenduar as më pak e
as më shumë se ai është zgjedhja e vetme e zgjidhja e “fjalëkryqit” tonë të
tranzicionit të stërzgjatur. Nuk do ta kisha bërë këtë gjë në se varrmihësi më
i madh i shtetit shqiptar në të gjithë historinë e tij, nuk do të paraqitej
papritmas si i vetmi “mjeshtër” i ngritjes e i forcimit të këtij shteti të
brishtë me parullën e kopjuar keq: “Make Albania great again” (nuk di kur ka
qenë ndonjëherë e Madhe Shqipëria!), në se personi që e çoi në buzë të greminës
ekzistencën e vetë popullit shqiptar vetëm për egon e tij personale, nuk do të
paraqitej sot si shpresa e madhe e tij, në se personi i dëshmuar si vrasës
politik, nuk do të lotonte sot me lotë krikodili për të drejtat e shqiptarëve,
në se varrmihësi i drejtësisë nuk do të paraqitej para nesh si mbrojtësi më i
madh i shtetit ligjorë, në se populli ynë, si vllezërit e mij votues, nuk e
kanë të dëshmuar kujtesën e shkurtër e nuk janë të gatshëm “ta djegin jorganin
për një plesht”, në se… Rrjeshti i arësyeve pse shtyhem të shkruaj është i pa
fund, por të gjitha këto përmblidhen vetëm në një sentencë: vetë djalli ka
veshur petkun e meshtarit e po predikon si shejt në altar, e unë nuk mund ta
dëgjoj e besoj “meshën” e tij, as nuk mund të bëj sikur nuk e dëgjoj atë se,
përdreq ai edhe bërtet shumë dhe e shoqërojnë shumë altoporlantë në të gjitha
mediat, për të cilat ankohet se janë kapur nga pushteti i Ramës.
Besoj
se edhe kam të drejtë t’a bëj këtë, meqë jam njëri nga ata që i kam jetuar
bëmat e tij duke qenë në moshë madhore, jam mjaftueshëm i arsimuar e me përvojë
jetësore për të dalluar të bardhën nga e zeza, e se si intelektual e ndjej për
detyrë t’a them të vërtetën e shkoqur, pa skërmitje dhëmbësh e pa përdredhje si
çimçakiz nëpër gojë, për këdo që i errësohen sytë nga fakti se jeta jonë e
përditshme ka akoma probleme, jo vetëm ekonomike, se punët nuk shkojnë ashtu siç do të donim ne, se korrupsioni e
papërgjegjshmëria qeveritare janë akoma asgjesuese e se sytë na i zë shpesh
paaftësia, arroganca dhe korrupsioni gjenerik i administrates së shtetit dhe
mungesa e demokracisë në çdo fushë. Si të gjithë të tjerët, edhe unë prej
shumë kohësh po e kërkoj një alternativë më të mirë, e për këtë kam bërë tash
20 vite hapa pas duke e braktisur partitizmin e besimin qorrazi ndaj dikujt
vetëm sepse ai mban si stoli logon e partisë që unë e kam dashur e mbështetur,
e nuk do të hezitoja aspak t’ia jepja votën, pavarësisht logos që mban, kujtdo,
mjafton që ai të rindez shpresën në mua…
Fatkeqësisht,
loja politike tek ne vazhdon të luhet “detyrim - përcaktim”, si një tango dyshe
e mirëorkestruar, në margjinat e një pseudodemokracie, ku laj e thaj, PD e PS,
mbeten alternativat e vetme të pushtetit, me ose pa paterica shtesë, prandaj
edhe çeshtja shtrohet: duam të ecim përpara, qoftë edhe me hapin e breshkës,
apo duhet të bëjmë mbrapsht zgafellave të ekzistencës? Dy partitë kryesore
politike, PD - ja dhe PS - ja, që të dyja janë këlyshë të së njejtës “bushtër”,
ish Partia e Punës e Shqipërisë, janë binjake kohore e kanë plot ngjashmëri mes
veti, por Partia Socialiste, falë mendjeve të urta socialdemokrate brenda saj,
falë faktit se u distancua me guxim nga ish-udhëheqësi komunist e nga e
kaluara, por edhe nga lideri historik Fatos Nano, ka bërë hapa të rëndësishëm
reformues brenda vetes, nuk ka kriza identeti as luftë brezash (natyrisht që
nuk mund të mos ketë luftë bërrylash!), ka koncepte të qarta shtetformuese dhe
është treguar reformatore në të gjithë aktivitetin e saj politik e qeverisës,
ndryshe nga Partia Demokratike e mbetur thjesht fantazmë e besnikërisë ndaj
liderit historik, pa nuhatje qeverisëse e shtetformuese, inatçore politike dhe
pa identitet ideo - programorë. Edhe pas tridhjetë e pesë viteve, antikomunizmi
apo lufta me mullinjtë e erës, mbetet kauza e saj, njëlloj si në nëntëdhjetë e
dyshin kur vrapoi t’i heq patkonjtë kalit të ngordhur komunist, të cilët në
vend që t’i flakte në theqafje të përhershne, i veshi dhe i mban për vete si
një trofe të çmuar a si një hajmali ekzistence. Faktet janë dhe mbeten
kokëforta:
Partinë
Demokratike e shtiu në dorë për t’mos e lëshuar me asnjë çmim, njëri nga
ish-komunistët më fanatik, sekretari më jetëgjatë e më sektar i një prej
organizatave të ish-partisë së punës, që pushtetin e donte dhe e përdori
gjithnjë si një triumf për të eleminuar kundërshtarët, jo si mjet për të
qeverisur e çuar punët përpara. Ish-kolegë e ish-studentë të tij, ia njohin
bëmat atij që nga froni ku s’mundeshe kurrsesi të ngjiteshe e ta mbaje aq gjatë
pa “merita të veçanta” e besnikëri ekstreme ndaj partisë dhe udhëheqjes së
kohës. Ne e dimë krejt se sa e vështirë ishte të çaje “rrethimin gjirokastrit”
të asaj kohe për t’u bërë pedagog e sekretar partie, sado të mësoje e të ndiqje
shkencën për një tropojanë, mirditorë, dibranë apo kuksianë. Patjetër Saliu ka
patur (edhe ka) aftësi të spikatura në shkencën mjekësore e në fushën
intelektuale, por pa “aftësi të posaçme” shërbyese, besnikërie e përulje pa
kusht ndaj kupolës, pa një dorë të fuqishme e të padukshme shtytëse, as nuk
bëheshe pedagog, as nuk bëheshe sekretar partie, as nuk bëheshe mjek i Klinikës
Speciale ku trajtohej udhëheqja e lartë komuniste e ku s’mund të depërtonte
askush që s’ishte më i kuq se vetë e kuqja e kohës. Saliu nuk e vuajti aspak
socializmin as si e sa ne të tjerët, të zakonshmit, komunista ose jo,
përkundrazi, mori gjithë privilegjet e tij, ndaj s’mund ta luftonte atë
përveçse, me metoda të kamufluara si anti, t’i zgjaste atij edhe më tej jetën
në agoni. Erdhi në krye të Lëvizjes Studentore jo si shpirt demokrat, pasi e
dashuronte me shpirt komunizmin, por si përzgjedhje e nomenklaturës dhe, gojët
e liga flasin e s’pushojnë, edhe si përzgjedhje e shërbimeve të fshehta sekrete
shqiptare ose jo. Si i tillë ai s’mund t’i mallkonte etërit ideologjik
asnjëherë me shpirt, pëveçse si hipokrizi për të fituar besimin e turmave anti,
s’mund t’i përmbyste për t’mos u ringjallur më kurrë, veçse të bënte sikur po i
dënonte për kafe, për t’i ringjallur brenda vetes në të gjithë aktivitetin e
tij politik. Ai mbeti admirues i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë dhe, duke ndjekur
metoda komuniste në krye te PD - s e të shtetit shqiptar, i amnistoi ata.
Nuk
ndodhi kështu me socialistët. Ata, me guximin e urtësinë e Dritero Agollit, u
distancuan prerë nga Enver Hoxha e Ramiz Alia, me liberalizmin e Nanos
injektuan në trupin e partisë së vjetër elementet e socialdemokracisë moderne
evropiane, e me vizionin e krisur të Ramës, pikturuan një tabllo krejt tjetër,
duke e shndërruar atë me guxim në një parti elektorale moderne të një shoqërie
demokratike, duke e ndarë dukshëm (ndonëse jo përfundimisht) nga funksioni i
parties – shtet. Partia Demokratike nuk hodhi dot asnjë hap reformues. Saliu
eleminoi dhunshëm e nën shembullin e etërve ideologjik çdo kundërshtar brenda
partisë, duke i degdisur ata, apo eleminuar edhe fizikisht, dhe gjithë forca e
saj qëndronte e qëndron tek Njëshi.
Pyetja
aktualisht shtrohet: A mundet që kjo forcë autoritare dhe e pareformuar e një
tetëdhjetëvjeçari dogmatik të kthehet në forcë inspiruese dhe zhvilluese
demokratike e shoqërisë tonë? Zot na ruaj nga shpresa të tilla të bjerruna, siç
e ka tipizuar para shumë vitesh një shkrimtar e intelektual i njohur i joni. Në
pushtet Sali Berisha imitoi gjithshka të keqe të komunistëve pararendës, veçse
tashmë nën zhurmën shurdhuese të antikomunizmit. Pronën e popullit, ua dha
militantëve të partisë, besnikët i shpërbleu me karrige pushteti si në vitin
1946 - të, shtetin e bëri shërbëtor të partisë e popullin turmë që s’meritonte
asgjë, kundërshtarët i futi në burg e lakejt ish - komunist i bëri këshilltarët
e vet kryesor. S’kishte kaluar as një vit pushtet kur ai e burgosi egërsisht e
paligjësisht Fatos Nanon, drejtuesin vizionar të opozitës së kohës, vetëm sepse
populli për 6 muaj ia “pa shpatullën” Saliut e Partisë Demokratike dhe e
ndryshoi kursin, duke votuar socialistët për në pushtetin lokal.
Ai,
në krye të gjithë institucioneve të shtetit, si një monark absolut, eleminoi
shpejt edhe çdo maskë demokratike, kur e pa se nuk po arrinte të miratonte
“Kushtetutën e Mbretërimit” të tij në vitin 1994, dhunoi e përgjaku zgjedhjet e
vitit 1996 më ashpër se kishte bërë Partia Komuniste dhe Enver Hoxha, idoli i
tij në vitin 1946, plot pesëdhjetë vite më përpara. Në ato zgjedhje, Sali
Berisha, njejtë me paraardhësit komunist, ideologjinë e praktikën e të cilëve e
adhuronte dhe e zbatonte në mënyrën më fanatike të mundshme, tashmë nën maskën
e antikomunistit, vuri në jetë parullën e njohur staliniane: “S’ka rëndësi kush
e si voton, rëndësi ka kush e si numëron”. Komisionerët e PD - s, në pozicionin
e kryetarit ose zv/kryetarit të QV - ve, ishin të armatosur me armë zjarri e me
urrejtje patologjike ndaj kundërshtarit, të vendosur për fitore me çdo kusht,
fitore që do të rezultonte si ajo e Pirros. Fati e zgjuarsia e socialistëve e
shmangën gjakderdhjen masive e i qorrën makën Saliut e pushtetit të tij, përmes
veprimeve të zgjuara e ndërkombëtarizimit të çështjes. Vetë Saliu dhe organet e
SHIK - ut (më të egër se ish - Sigurimi komunist i Shtetit) udhëhoqi përgjakjen
e opozitës në sheshin “Skënderbej” me datën 28 maj të vitit 1996, duke mos i
lënë vend asnjë dyshimi se i përkiste dhe mbronte me fanatizëm ideologjinë
komuniste e metodat e tij autoritare – diktatoriale në qeverisje.
I
tmerruar nga ngjarjet vijuese e nga humbja e popullaritetit brenda e jashtë
vendit dhe me synmimin për t’ua mbush mendjen shqiptarëve se po bënte realitet
ëndërrën e tyre e premtimin e tij fillestar se nën udhëheqjen e PD - s do të
“ushqeheshin me lugë floriri”, Sali Berisha lejoi dhe stimuloi firmat
piramidale, me sloganin e njohur: “Paratë e shqiptarëve janë paratë më të
ndershme në botë” dhe kur populli u ngrit kundër tyre e rrënimit ekonomik që i
pasoi ato, nxori nga sirtarët e presidencës ku qeveriste si monark, termin
“rebelim komunist”, si pararendje e veprimeve të mëtejshme që çuan në hapjen e
depove të armatimit, mobilizoi, për herë të parë shtetërisht, Veriun kundër
Jugut, duke rrezikuar seriozisht ekzistencën dhe unitetin tonë si popull. U vranë
shumë djem nënash, e u shkrumbua i gjithë vendi. Ndërkombëtarët zbritën këtu,
për herë të parë në histori, me misione paqëruajtëse. Në mes të terrorit që
mbisundonte kudo e zyrtarisht në situatën e gjendjes së jashtëzakonshme që e
shpalli për t’i patur duart e lira të vepronte sipas botëkuptimit të vet
komunist e tekave të një monarku që s’mund të shihte “grigjën” e tij të
rebelohej për asnjë shkak, ai u vetdekorua në mes duartrokitjeve e thirrjeve
frenetike të deputetëve, mbështetësve e shikasve të kohës, edhe me një mandat
të dytë presidencial, nderkohë që ushtrinë e vuri nën komandën e sherbimit
sekret dhe e nisi drejt Jugut ku u vranë, u dogjën të gjallë e u masakruan
shumë djem nënash. Vendit, pas kësaj mënxyre diktatoriale, iu deshën më shumë se
pesë vite për të riparuar imazhin e vrarë dhe tharë sadopak plagët e asaj lufte
pa kundërshtar, veç egos mbretërore të Sali Berishës që ndezi flakët e një
lufte të vërtetë civile. Kaq do ishte mjaftueshëm për t’a hedhur atë
përgjithmonë në koshin e historisë, por përgjumja e socialistëve që e
konsideruan si një të shkuar, dhe makiazhi i ndryshimit që ia rekomanduan të
tjerët, falë edhe skizmës së parë e të vetme serioze të së majtës, e risollën
atë në pushtet në vitin 2005. Ishte i njëjti Sali, me të njëjtat mendësi prej
patriarku e vrasësi të çdo gjëje që “s’ishte e bahçes” së tij, por tashmë i
këshilluar nga të bijtë e i ndërgjegjësuar se pushteti s’mund të jetë i
përhershëm, ai rierdhi edhe me mendësinë e pasurimit të shpejtë. Kjo mendësi,
apo babëzi, solli marsin e përgjakur 2009, janarin vrastar të 2011 - tës,
flakjen e çdo maske demokratike edhe formale e nënshtrimin prej tij të çdo
hallke të pushtetit. Mungonte vetëm formalisht shpallja e mbretërisë shqiptare
për herë të dytë dhe e Saliut monark fuqiplotë. Hajdari, Pashko, Haklajt, Remzi
Hoxha e shumë të tjerë u vranë mizorisht prej regjimit e për egon e tij, ndërsa
të tjerë si Selami, Basha e ndonjë tjetër u flakën si të padëshiruar për
“kopshtin e tij”, por nuk patën të njejtin fat, falë edhe “parrezikshmërisë” së
tyre.
Asgjë
nga këto nuk është fantazi e imja, por vjen tek ju si një “udhëtim” i shkurtër
kronologjik, vetëm majave të bëmave të pushtetit absolut, të korruptuar e
gjakatar të Sali Berishës. Ngjarjet e mëvonshme e rishfaqën edhe më të plotë
karakterin e tij prej monarku. Ai nuk e kurseu as pjellën e vet Partinë
Demokratike, të cilën e shkallmoi edhe me sulme fizike, përveçse verbale, për
të rikthyer ëndërrën e nusërimit për herë të tretë. Nuk la gjë pa bërë, nuk la
njeri pa anatemuar, pështyurë e lepirë mbi çdo princip demokratik e njerëzor,
për t’u rishfaqur si Shpresa e Madhe e shqiptarëve, në fund të këtij
çerekshekulli të parë të shekullit XXI - të. Një vrasës i dëshmuar, që me shumë
krenari deklaron se do t’a ribënte të njejtin veprim sa herë t’i paraqitej
situata, një dhunues i sistemit të drejtësisë që edhe sot e komandon atë përmes
fijeve të padukshme e bashkëpunëtorëve të tij të fshehtë, një njeri që s’njeh
asnjë institucion demokratik shtetëror veç urdhërit të njëshit e shndërrimit të
tyre në lecka për të pastruar udhën e mbretërimit të vet, s’mund të jetë e
nesërme, për më tepër asnjëherë shpresë! Në se Shpresa ka këtë emër e këtë
fytyrë, të njejtën e tridhjetë e pesë viteve pluralizëm, me më shumë dështime
serioze se sa arritje qenësore, me të njejtin ekip e të njejtën mendësi të
pareformuar e pa asnjë ndryshim, më mirë mos ardht kurrë! Sali Berisha e Partia
Demokratike kurrë nuk kaluan në filtrat e “purgatorit”, nga ku mund të
pastroheshin prej mëkateve, duke flakur në Ferr mëkatarët e duke shpresuar
rikthimin e shejtnueshëm të të tjerëve nga Parajsa.
Por
Sali Berisha, për t’i dhënë hakun e për të qenë i ndershëm deri në fund me të,
e ka një aleat. E ky s’është as Trump - i, as programi, as përvoja e tij e
dëshmuar shtetvarrosëse. Është vetëm “berishizmi”, imazhet e të cilit
pasqyrohen fatkeqësisht edhe tek Kryeministri aktual, por që tek ky i fundit,
si një gjë e kopjuar, për njëmijë e një arësye objektive dhe subjektive, nuk
mund të sjellë dëmet e bëmat, që sjell kur ai bartet prej origjinalit të
fuqizuar me pushtet, e të armatosur me urrejtje patologjike ndaj gjithçkaje që
s’mban markën e tij…
Lezhë, më 16 shkurt 2025
_________
Lexoni edhe: