Mendime
Llesh Ndoj: Ekuilibër po, por vetëm sipas ligjit
E diele, 16.02.2025, 07:55 PM
EKUILIBËR PO, POR VETËM SIPAS LIGJIT
Nga
Llesh NDOJ
Reformimi
i sistemit të drejtësisë, që ka nisur tash disa vjet e që sapo ka dhënë
shkëndijat e para duke rizgjuar shpresën e shqiptarëve për një të ardhme
premtuese në vendin e tyre, nuk ka kaluar pa mallkime e anatemime, as në kulmin
e punës për ngritjen e institucioneve të reja, ku po të mos ishte faktori
ndërkombëtar, zor se do të siguroheshin votat e duhura në Kuvend. Skenat e
mbledhjes së deputetëve të Kuvendit me “apel” nga Ambasada Amerikane në vendin
tonë, bash si ata fëmijët e vegjël të shkollës që i ftonin dikur të
rreshtoheshinn në oborr me një të rënë të ziles, nuk mund të harrohen lehtë,
pavarësisht se tash produktit të saj, herë i thonë “bir” e herë i thonë
“kopil”, në vartësi të prekjes së interesave të tyre meskine, herë e quajnë
produktin e tyre, e herë pjellë sorosioane, në vartësi të “erës” që frynë në
hapësirat brenda vendit, apo ato gjeopolitike jashtë tij.
Kur
ka patur veprime konkrete prej organeve të reja të drejtësisë, ndonëse akoma
ato janë me pikatore, reagimi ka qenë i fuqishëm e shpesh dispropocional. Deri
tek ngjarja e fundit, ajo e arrestimit të Erion Veliajt, Kryetar i Bashkisë së
Tiranës e një nga njerzit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste në pushtet
pas Edi Ramës, ishte Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Sali Berisha, bashkë
me ish-presidentin Meta, ata që e mallkonin dhe etiketonin SPAK - un e GJKKO -
n me lloj – lloj fjalësh nga më monstruozet, deri me sharje të ulta e fjalor
rrugaçëror e përmendjen e familjeve e familjarëve të gjyqtarëve e prokurorëve,
duke i vendosur ata në një gijotinë morale e politike krejt të pashembullt.
Rasti i fundit, i “zgjoi djajt” edhe tek shumica qeverisëse e Edi Rama,
natyrisht jo me fjalë të pista e denigruese si kampi i Berishës, por me një
gjuhë të ashpër e me ndërhyrje të hapura në proces, duke rivendosur “ekulibrin”
e munguar të dualitetit politik e publik me Partinë Demokratike edhe në këtë
fushë. Dy palët akuzojnë e mallkojnë organet e drejtësisë për anshmëri në hetim
e në veprim, për ndikime politike nga njëra apo tjetra palë, e për dizekuilibër
të tyre. SKAP - i i partisë, i thotë Berisha “enblock” strukturës së posaçme,
ndërsa Rama së fundmi “zbuloi” aty një “bërthamë antiparti”, me lidhje e
shtrirje bashkëpunuese në Kuvend e tek opozita më e madhe shqiptare. Munguan,
falë kulturës personale besoj unë, vetëm fjalët “puç shteti”, “lavire
bulevardi” e të tjera atavizma që datojnë kryesisht nga viti 2011 - të e që
njohin si autor të vetëm Sali Berishën. - Hetohet Veliaj e burgoset me
urgjencë, ndërkohë që s’ka kohë për të hetuar 21 janarin, - thotë Rama. Kurse
Berisha kërcënon disa punonjës të bashkisë që paqësisht kishin dalë të
përcillnin kryetarin e tyre gjatë paraqitjes në SPAK,(gjithsesi edhe kjo një
shfaqje aspak demokratike!) pa parulla e thirrje, duke u kujtuar atyre se të
paktën për 25 vitet e ardhshme s’do të shihnin më punë shteti, e harron se
ç’bën ai me militantët e vet sa herë i duhet të paraqitet vetë, apo përfaqësues
të lartë politik të partisë së tij, në SPAK apo GJKKO. Tash Berisha praktikisht
po e amniston SPAK - un, kur thotë se Veliaj u arrestua se kështu e deshi Rama,
me shpresën e përqarjes së Partisë Socialiste, herë tjetër thotë se ishte
populli e PD - ja që ia caktuan fatin atij përmes protestash e denoncimesh të
përditshme etj.
Asnjë
ekulibër nuk mbahet aktualisht në qëndrimet e respektin ndaj një pushteti shumë
të rëndësishëm e të pavarur, siç është pushteti gjyqësorë, ndërkohë që
teorikisht pretendohet e qirret me të madhe nga të dyja palët që struktura e
drejtësisë nuk po e ruan ekulibrin në aktivitetin e saj. Edhe unë, shpesh kam
menduar dhe mendoj se Drejtësia e Re anon dukshëm drejt ndjekjes së çdo
shkeljeje të mundshme të kryer nga administrata dhe eksponentë të majtë, duke i
hetuar e burgosur ata si “me ngut”, ndërsa dosjet e skandaleve të qeverisjes së
djathtë i “ka mbuluar pluhuri” prej vitesh. Edhe unë mendoj, se Velijaj
s’kishte pse të arrestohej me urgjencë, ashtu siç mendoj se as Meta s’kishte
pse arrestohej si kriminel ordiner, apo vazhdoj të mendoj akoma se zvarritja e
gjyqit të Berishës është e qëllimshme, e se me veprimin e lirimit të tij e
arrestimin e Veliajt, SPAK - u po tenton të bëhet aktor politik aktiv në
fushatën elektorale që ka trokitur, por… Mendimet e mija mbeten thjesht
mendimet e një qytetari, që ka vetëm një votë e asgjë më shumë, kurse mendimet
e veprimet e liderëve politikë, në pushtet e në opozitë, por sidomos në
pushtet, duke pretenduar ekulibrin, në fakt e trysnojnë, intimidojnë dhe e
dezekulibrojnë më tej Drejtësinë e Re.
Ekulibri
i pretenduar nga të gjithë nuk vendoset me fjalime, as me protesta e presione
popullore, as duke i ftuar këto organe në arenën e ndeshjeve politike si në
skena gladiatorësh, tipike shqiptare. Këtë ekulibër e ka parashikuar ligji dhe
vetëm përmes ligjit duhet kërkuar rivendosja e tij sa herë pretendohet se ai
është prishur përmes veprimeve apo të mosveprimeve të organeve të drejtësisë.
Vërtetë mund të ketë (edhe ka) ende në këto organe kamikazeë politikë, vërtetë
jepen prej tyre edhe vendime të pa arsyetuara e të pa mbështetura në ligj,
prova e fakte, disproporcionale me ligjin dhe shkeljen e bërë, vërtetë ka
subjektivitet në shumë raste e korrupsioni depërton akoma lirisht drejt tyre
duke “deformuar” vullnetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të caktuar, por sistemi
i drejtësisë nuk është një person, sado i fuqishëm qoftë ai, as vetë Dumani,
pasi ai ka shkallë gjykimi dhe administrimi të cilat, në se je i duruar, i qetë
e i ekulibruar në kërkesën tënde, nuk shterojnë kurrë. Mundet që prokurori
special e ka “shkelur” me Veliajn, mundet që gjyqtari i posaçëm të jetë
“përzgjedhur” si “kamikaz” për t’a dhënë këtë vendim, por Veliaj ka mundësi të
dëgjohet në gjykatë, ai ka mundësi të mbrohet me avokat mbrojtës, vendimi mund
të apelohet në Apelin e Posaçëm, mund t’i bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë,
mund të gjenden elemente ankimimi për në Gjykatën Kushtetuese, apo edhe për në
Strasburg, por asgjë nuk e legjitimon mbivendosjen politike ndaj një situate
juridike, qoftë edhe formale. Shembulli i një familjeje të njërit prej
viktimave të 21 janarit 2011, që në pamundësi reale e pa mjete financiare,
arriti t’a rikthejë çeshtjen për rihetim edhe një here pas kaq shumë vitesh,
rasti i nënës së 7 - vjeçarit Durda të vrarë nga makutëria shtetërore në Gërdec
me 26 mars 2009, që nuk u ndal në kërkesën e saj ligjore për drejtësi dhe
arriti t’a rikthejë atë në vemendje pas 15 vitesh, flet për atë që duhet bërë,
e për të kundërtën e asaj që bëhet praktikisht e politikisht në mënyrë brutale.
Duhet
theksuar se situata si më sipër nuk i shkon për shtat mazhorancës as si “kalë
beteje” në luftën politike për një madat të katërt historik.. Tani, ose je
forca reformuese e drejtësisë, mbështetësja e saj dhe ajo që beson në
rezultatin e një pune më shumë se dhjetë vjeçare, siç e pretendon e propogandon
ndoshta me të drejtë çdo ditë, ose nuk i beson asaj, për rrjedhojë, puna jote
dhe fjalët për arritje janë thjesht propogandë vijuese elektorale. Opozita
është “më morale” në qëndrimet e saj të pamoralshme, por thellësisht politike,
ndaj Drejtësisë së Re. Ajo nuk i beson reformës, e quan atë sorosiane dhe
shpall haptazi zhbërjen e saj, sapo të vije në pushtet, duke e patur edhe “kalë
beteje” të fushatës elektorale. Për shijet e nevojat e saj duhen përsërit
“Plepat” e duhen “rikthyer” organizatat e partisë në prokurori e gjykata. Ajo
dihet se e ka votuar me pahir çdo ligj të kësaj reforne, që me konsistencë të
admirueshme ka shfrytëzuar çdo shteg të mundshëm, që njerëzit e saj të
depërtojnë e të jenë në vendin e duhur e kudo, dhe të veprojnë sa herë u
paraqitet rasti në përputhje me “vijën e partisë”. Ku ka më paradoksale të
dëgjosh Berishën sot të flasë në mbrojtje të SPAK - ut nga Rama e Partia
Socialiste?! Fatkeqësisht rasti “Velijaj” shërbeu si një kurth i rrezikshëm që
e tërhoqi Ramën e mazhorancën në “vallen e ujkut” dhe se fundi i saj nuk besoj
të “dalë për hajr!”.
Në
një artikull të mëparshëm kam shkruar në esencë për rrezikun e një “Republikë
prokurorësh”, por dhe për prokurorë “pa republikë”, duke shprehur në esencë
njëllojë shqetësimi për tejkalime autoritare të kompetencave në ushtrimin e detyrës
nga prokurorët, sidomos ata të posaçëm, por edhe për akuzën si lojë dite e
“kalamjëve” me mjekërr të thinjur në kanalet televizive, gjatë emisioneve të
përnatshme dhe e politikanëve të tribunave politike, të cilët synojnë të
ndërsejnë turmat në mosbindje. Mendoj seriozisht se trajtimi kaq prioritar,
pagesat e stërmëdha e privilegjet e tjera që i ka dhënë ligji strukturës
speciale, e sidomos pritshmëria e lartë dhe besueshmëria e ndërkombëtarëve dhe
e publikut ndaj tyre, ka bërë që aty të shfaqen simptoma të sëmundjes së rëndë
të “Republikës së prokurorëve”, si dalja e dosjeve në publik, shfaqjet e
pazakonta publike të tyre, gafat në dosjet hetimore të justifikuara si lapsuse
etj, por ne jemi në fazën që duhet t’a rritim e mbështetim këtë strukturë, jo
t’a “denigrojmë”, natyrisht duke parë e shqyrtuar kujdesshëm edhe mekanizmat
ligjore që simptomat e vogla e të veçanta të mos trashen e t’i marrin asaj
shtatin dhe e gjitha kjo, vetëm përmes mekanizmave që vetë ligji i ka
parashikuar, jo duke i anatemuar, presionuar e intimiduar.
Situata
duket sa paradoksale, po aq edhe e rrezikshme. Nuk është fantazi gazetareske as
politike, që e përzier me ethet elektorale në prag dhe me situata hipotetike
postzgjedhore, ku formimi i qeverisë së re mund të mos jetë dhe aq e lehtë, ku
treguesit ekonomikë mund të përkeqësohen në muajt në vijim e situata kriminale
të agravohet edhe për shkak se shumë grupe kriminale janë vënë në shenjestër të
drejtësisë, e “çakejve” u është prishur strofka, muajt në vijim të jenë “të
nxehtë” e sistemi ynë i dëmtuar e i brishtë, të “vetinjorojë” e “vetrepresojë”
mekanizmat ligjore vetekulibruese, duke rrezikuar gjithë ekulibrat e brishtë që
kemi si shtet e si shoqëri. Çdo rrëshqitje në këtë kahje, sidomos nga
mazhoranca socialiste qeverisëse, është e rrezikshme e mund të barazojë me zero
gjithë arritjet e derisotme, që nuk janë pak. Pushteti e vijimësia kanë e duhet
të kenë rëndësi për socialistët, por pushteti pa një Shqipëri të shëndoshë e pa
hapa të sigurt drejt destinacionit tonë strategjik, Bashkimit Evropian, nuk mund
të jetë dekoratë, veçse një njollë e faqe e zezë e tyre në historinë e pasur
qeverisëse dhe opozitare. Mendjet e ftohta, si ajo e Agollit në 1990 apo
Meidanit me shokë më vonë, nuk mungojnë, e ato duhen thirrur në skenë sot, më
shumë se kurrë!
Lezhë, më 12 shkurt 2025