Kulturë
Albert Vataj: Rok Gera dhe Julieta Shkreli, në një foto në ditën e martesës së tyre, më 25 shkurt 1935
E merkure, 26.02.2025, 07:51 PM
Rok
Gera dhe Julieta Shkreli, në një foto në ditën e martesës së tyre, më 25 shkurt
1935
Nga
Albert Vataj
Ndërsa
e sheh foton e këtij çifti të 90 viteve më parë, përpiqesh të kuptosh se për
cilin qytet të Evropës është fjala, dhe cilët janë këta njerëz të famshëm në
këtë foto, në këtë foto ku gjithçka tregon një nivel të lartë të asaj që
përfaqëson. Çdo detaj që tregon stolisjen e tyre në këtë ditë solemne, për kohën
duket sikur ata kanë dalë nga një shtëpi të famshme mode.
Jo,
ky çift kanë dalë nga një shtëpi shkodrane, dhe ata janë zonjë dhe zotëri të
vërtetë shkodranë. Ky imazh tregon qasjet e kahershme të këtij qyteti për të
qenë, jo vetëm qendër e konsullatave dhe përfaqësive të huaja, por edhe një
kryeqendër e traditave të të gjitha fushave, duke shenjuar në pjesën dërrmuese
të tyre si fillesë shqiptare në këtë qytet, por edhe një përkatësi qytetarie
dhe klasi, të denja për çdo vend tjetër të Evropës.
Kjo
foto është më shumë se si e tillë, është historia e një çifti unik, është
ceremoniali i një martese e mbetur në imazh, si një faqe e shkëlqimtë e atyre
shembujve që identifikojnë Shkodrën si një qytet të madh dhe shkodranët si
shënjim i qytetarisë dhe klasit të lartë.
Rok
Gera (1901-1969) ishte një nga mendjet më brilante që ka nxjerrë Shkodra. Një
ekonomist i formuar në Vjenë, i cili la gjurmë të thella në administratën
shtetërore shqiptare. Ai shërbeu si ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe ministër
i Financave në vitet ’30, duke dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme në menaxhimin
e financave publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Më
25 shkurt 1935, ai u martua me Julieta Shkrelin, vajzën e tregtarit të njohur
Lec Shkreli. Julieta, e edukuar në një kolegj prestigjioz në Dubrovnik,
spikaste për inteligjencën e saj të jashtëzakonshme dhe kulturën e gjerë. Ajo
ishte një grua e një elegance të rrallë, e rrethuar nga luksi, por e mbushur me
finesë intelektuale dhe shpirt artistik. Njohëse e përsosur e letërsisë botërore,
zotëronte serbo-kroatishten, gjermanishten dhe italishten me një elokuencë të
pashoqe. Përveç kësaj, ishte piktore e talentuar, luante në piano, notonte në
distanca të gjata në liqen, kalëronte me hijeshi dhe kishte një shpirt të madh
bamirësie.
Rok
Gera, i njohur për integritetin e tij të lartë dhe virtytet që mishëronte, u bë
viktimë e egërsisë komuniste, e cila e burgosi dy herë, pikërisht për aftësitë,
ndershmërinë dhe parimet që ai përfaqësonte. Për sistemin që synonte
mediokritetin dhe nënshtrimin, një mendje e tillë ishte e rrezikshme. Ai mbeti
një simbol i elitës së zhdukur shqiptare, një figurë që meriton të kujtohet dhe
vlerësohet.
(Foton dhe detaje për bashkëshortët, i kam huazuar)