Kulturë
Gani Pllana: Humbëtirë meridiane
E marte, 21.01.2025, 07:50 PM
Gani S. Pllana
HUMBËTIRË MERIDIANE
Një sy gjumë, jashtë Atdheut,
Nuk të qetëson kurrë!
Ky eksod fatkeq,
Ikje e të gjithë grupmoshave,
Nga njëmijë çdo natë,
Nëpër trojet e armikut,
Natën pa hënë e ditën pa diell,
Me valixhe mbi krahë,
Me djepa nën sqetulla,
Udhëtojnë nënat e gjora
Të humbura pa shpresë,
Nëpër rrugica të Evropës
Pa adresë.
Me
bileta njëdrejtimëshe,
Në humbëtira
Të pashpresa...! Pse ?
Pleqtë me bastunë
Fëmijë të rraskapitur,
Nëna akademike
E bija magjetore...
Nxënës pa libra e fletore,
Udhëtojnë natën e ditën struken
Në tokë të huaj, pa shpresë.
Për bukën e gojës,
Me legjendë në krahë të Nojës,
Për një jetë më të mirë...
Në meridianë të tjerë,
Turma- turma, turbull-këllirë!
Bredhje pa fund...
Ylli i fatit, askund!
EVROPA
NË PARAKALIM
Kur Evropa në parakalim
Do të ngopet me Ilirët e rinj,
Nuk do të ketë më mirëkuptim
Dikur, do fillojë kthimi
Me imponim, me dhunë,
Do krijohen pakënaqësi.
E, ku të kthehen të gjorët tanë,
Kanë shitur bagëti e shtëpi?!
SHPRESIM
Shpresoj te dita me diell,
Do ndryshojnë gjërat
E ato të vallëzojnë
Në degët e blirit.
Që merr fund e keqja,
Do të ndalet eksodi,
Do ndalet e stërkeqja.
Çdo gjë do bjerë në vendin e vet,
Kosova të gjithë i mirëpret.
Mbase, e liga, shkulja
Dhe tragjedia të tretë!