Kulturë
Llesh Ndoj: Lundrim përmes dallgëve, në damarët e jetës
E shtune, 18.01.2025, 07:55 PM
LUNDRIM PËRMES DALLGËVE, NË DAMARËT E JETËS…
-
Rreth krijimtarisë së shkrimtarit Hasan Hasani - Përkola, me rastin e 78 -
vjetorit të lindjes -
Nga
Llesh Ndoj*
Poeti,
romancieri, publicisti e studjuesi kosovar me origjinë mirditore, Hasan Hasani
- Përkola, me 16 janar 2025 do të festonte 78 vjetorin e lindjes e në bindjen
time të palëkundur, kjo datëlindje do të vinte edhe me shumë vepra të reja, pse
jo kryevepra të tij, por sëmundja e mallkuar covid - 19 e largoi prej nesh në
mënyrën më të beftë, duke ndërprerë jetën dhe aktivitetin e tij të dendur
letrarë më 1 dhjetor të vitit 2020, akoma pa i mbushur 74 vite jetë, por edhe
duke i ndërprerë punën më shumë se pesëdhjetëvjeçare në udhën e bukur, por edhe
të vështirë të krijimtarisë, studimit e publicistikës. Ai, për perudhën që
jetoi, ishte njëri nga shkrimtarët shqipfolës ndër më prodhimtarët, i njohur
kryesisht për poezitë e tij të bukura dhe me nivel të admirueshëm artistik, por
mjaft i suksesshëm edhe në prozë, sidomos në gjininë e romanit, si dhe në
studime e publicistikë. Në 74 vite jetë shkrimtari i shquar i dha publikut, që
e deshi dhe e deshtën, plot 74 vepra të shkruara, dhe i la të nisura e të
papërfunduara edhe disa vepra të tjera si “Mirditiada”, dhe “Autorë e vepra
mirditorësh” që u botuan, edhe pse jo të plota, pas ndarjes së tij nga jeta,
ashtu siç la edhe shumë projekte e dorëshkrime të tjera, akoma të paeksploruara
në arkivin e tij dhe revistën “Pionieri” që e drejtonte prej shumë vitesh.
E
quaj veten me fat që e njoha nga afër, bisedova shpesh me të rreth krijimtarisë
në përgjithësi e veprave të veçanta në mënyrë specifike në veçanti, që në të
ashtuquajturin cikli i dytë i krijimtarisë së tij, ardhur kryesisht pas moshës shtatëdhjetëvjeçare e derisa u nda nga
jeta, dhe që ia kushtoi origjinës së tij të para tre shekujve, Mirditës e
mirditorëve. Nëkëtë periudhë, unë u përzgjodha prej tij herë si konsulent, herë
si recensent e herë si redaktor, gjë që më dha mundësinë t’a njoh shkrimtarin e
shquar edhe jashtë librave të shkruar, në thelbin e qënies së vet si shkrimtar
dhe si njeri. Si shkrimtar, në tërë aktivitetin e tij krijues, studjues e
botues, Hasan Hasani - Përkola, e them me bindje se lindi e mbeti lundërtar i
palëkundur dhe i paepur i kërkimit të frymëzimit, motivit e narrativës
artistike, në damarët e jetës së tij krijuese dhe hulumtuese, ndërsa si njeri,
mbeti tipik malësorë e mirditorë i palëkundur, që si trofta e Valbonës, Cemit e
Rrugovës, i pëlqente të udhëtonte kundra rrjedhës, drejt burimit primar, aty ku
mund të gjente ujin e kulluar e të pastër, që ia mbushte shpirtin me frymëzime
jete, ashtu siç ishte edhe vepra e tij letrare plot lëvizje, zhvillim dhe jetë.
Në
këto linja logjike, që rrjedhin nga studimi i veprës së tij të shkruar, bazuar
edhe në reagimet e mosreagimet, jo gjithnjë dashamirëse ndaj saj prej
eksponentëve të kritikës, nga heshtja e pajustifikueshme e Lidhjes së
Shkrimtarëve të Kosovës edhe pas vdekjes së tij, por sidomos nga shtrati i
ngrohtë që ajo gjeti e vazhdon të gjejë tek kolegët e tij dhe lexuesi,
fatmirësisht i shumtë, por edhe nga njohja e tipit të tij si njeri, mendoj se
pikërisht aty qëndron edhe “sekreti” i bollëkut sasiorë e cilësorë që
trashëgojmë prej shkrimtarit, por edhe përkushtimi i tij ndaj vendlindjes,
Dushkajës, dhe vendorigjinës, Domgjonit e Mirditës. Si personalitet lindi në
Dushkajë, jetoi me Dushkajën dhe aty cakton edhe vendprehjen e përjetshme, por
këtë nuk mund “t’a bënte” pa kapërcyer treqind vite histori, kurrë të harruara,
e pa gjetur Domgjonin e origjinës e Mirditën e traditës, si shkrimtarë e nis me
vëllimin e bukur poetik “Krojet e Bardha” në vitet ‘70 dhe e mbyll me
“Mirditiada” e pambyllur, duke dëshmuar lidhjen me rrjedhat e jetës si askush më
shumë se ai. Hasani i përkiste rrymës realiste në krijimtarinë e tij. Aty nuk
zinte vend hermetizmi, abstraktja, surrealistja, gjë që vihet re lehtësisht që
nga vepra e parë e tij “Krojet e Bardha” (1968), me të dytën “Dallgët e
vrrinit” e deri tek ajo më e fundit e botuar në të gjallë të tij, “Monolog me
Malin”, apo “Mirditiada”, që mbeti “jetime” dhe u botua pas ndarjes së
shkrimtarit nga jeta, ashtu siç edhe ishte paracaktuar fati i saj, e paplotë!
“…Poezia
e Hasanit është e thjeshtë, e bukur, emocionale, ritmike, por ndonjëherë edhe e
egër…”, - konstaton studjuesi Vlash Prendi, në analizën që i bën krijimtarisë
së autorit nën titullin “Degë e Blertë”, botuar në librin monografik të autorit
Llesh Ndoji, të titulluar “Hasan Hasani - Përkola: “Dushkaja emër, Mirdita
mbiemër”, botimet “Emal”, Tiranë 2020, për të konkluduar: “…Dashuria për
vendlindjen është shprehja më tipike e gjithë krijimtarisë dhe sjelljes së
poetit… “(po aty). Jo vetëm në poezi, por edhe në prozë, shkrimtari ynë mbetet
i njëjti, me sytë nga vendlindja, një zonë ku vlon tradita e ku shqiptaria gjen
shprehjen e vet më të plotë, besnik i traditave të mrekullueshme shqiptare,
frymëzues i veprave të mira njerëzore. Romanet “Ulërima”, “Kohë të egra” dhe
triologjia “Kodi i gjakut” (“Shamitë e vdekjes”, “Pikëllim në Pikëllimë” dhe
“Foshnja në prag”), mbeten krejt të veçanta në letërsinë shqipe, në në aspektin
e sipërpërmendur dhe sa herë t’i lexosh, aq herë do të lotosh nga shtjellimi i
bukur i ngjarjeve nga autori, e do t’a konsiderosh veten me fat që je shqiptar,
nisur nga lartësia ku shkrimtari i ngrë me të drejtë traditat tona. Jo vetëm
këto, por edhe “Qafëtuli i Shavarinës”, madje dhe “E mashtruara”, që largohen
disi nga tema e fshatit, gjithnjë duke mbetur në ballafaqim të traditës, duke
kritikuar me forcë disa nga shëmtitë e kohëve të reja, e ku lartësohen deri në
qiell familja shqiptare, krenaria, besa e besnikëria, janë vepra që flasin për
lidhjen unikale të njeriut Hasan ne Trojet dhe të krijimtarisë së tij me
Traditën Shqiptare. E kjo arrihet duke u njesuar mes tyre aq natyrshëm e
harmonishëm sa kur përmend Dushkajën, nuk mund të mos kujtosh Hasanin, e kur
flet për traditat, nuk mund të mos sjellësh në vëmendje veprën e tij krijuese
shumëplanëshe. Jo vetëm jetën reale e traditën shqiptare shkrimtari e vinte në
qendër të krijimtarisë së vet, duke e patur frymëzim të pashtershëm dhe
sekretin e papërsëritshmërisë së vetvetes në aktivitetin e shumtë dhe të
larmishëm krijues, por ai pati edhe fatin, që i detyruar nga dashakeqësitë e
kohës dhe sidomos për t’iu shmangur disi dënimit të padiskutueshëm dhe
përfundimtar që i vinte nga dy linja të ndryshme që bashkoheshin në personin e
veprimtarinë e tij, shpesh u përball me
dashakeqësit kolegë, që nën dritën e modernizmit e përbuzën jetën dhe veprimtarinë
e tij letrare dhe artistike, nga njëra anë dhe regjimit represiv dhe armiqësorë
serb, që e verbonte gjithshka shqiptare. I ndodhur në këto kushte, shkrimtari i
madh shpërtheu furishëm në letërsinë për fëmijë. Dihet se fëmijët janë motivi e
frymëzimi i jetës, ndaj Hasani nuk u ndal derisa dha frymën e fundit edhe në
këtë krijimtari, ku botoi disa vepra të arrira si “Ajkuna e Rugovës”, “Shqipet
e Shqiponjës”, “Ylberi i shkronjave”, “Princesha e Shalës”, “Kur fle Mali” e
plot të tjera, dhe botoi e drejtoi revistën periodike “Pionieri”, e vetmja në
print në rajonin tonë, derisa u nda nga jeta.
Kur
them se Hasani ishte një shkrimtar realist e që në veprën e tij frymëzohej
jeta, kam parasyshë jo vetëm burimin e pashtershëm të krijimtarisë së tij në
aspektin sasiorë, por edhe anën cilësore të saj. Ai punoi dhe krijoji në kohë
të vështira, krahas princërve të shquar të poezisë shqipe që po lulëzonin aso
kohe në trojet dardane. Hasani u radhit shumë shpejt në armatën e madhe të
poetëve kosovarë si Esad Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ali podrimja,
Rrahman Dedaj, Enver Gjergjeku, Jakup Ceraja e ndonjë tjetër, që përmes veprave
të tyre pasqyronin virtytet më të mira të kombit tonë. Kështu, edhe veprat e
Hasanit, duke ndjekur damarët e jetës e të traditës, e ruajnë bukur
drejtpeshimin. Anija e tij krijuese nuk rrezikon “të mbytet” nga vulgarizmat,
as nga baltërat, përkundrazi qëndron lart e sjell për lexuesin një vepër plot
metafora të pasura, e orienton atë kah pozitivja e rrjedha e jetës me njeriun
në qendër edhe pse në dukje u këndon krojeve, livadheve, dallgëve të vërrinit,
bjeshkëve kësulbardha apo gurëve të kalave. Hasani me veprën e tij nuk e ul
artin në nivelet e përditshmërisë së jetës, por ngre në art ngjarjet jetësore,
duke e bërë atë dinamik e të kuptueshëm si vetë jetën e duke i dhënë jetës
bukuritë e kënaqësitë e shijeve që dhuron arti. Duke qënë një shkrimtar dhe
poet i skalitur, krijimtarinë e tij e përshkojnë tre problem kyçe, që
shqetësojnë atdheun dhe poetin, Dashuria e zjarrtë për Kosovën martire,
urrejtja e pakufishme për pushtuesit shovinistë serbë dhe forcimi i unitetit të
popullit në luftë për liri dhe pavarësi.
Jo
vetëm jetën, por as vdekjen, shkrimtari nuk e “pranon” jashtë Dushkajës e
Mirditës. Ai, në librin “Monolog me Malin”, që është edhe testamenti i tij
poetik e kryevepra e tij e plotë, kujdeset të caktojë edhe vendprehjen e
përjetshme, aty “tek Lisi” ku shkroi vjershat e para, me sytë drejtuar nga
kullat e Përkoljave fisnikë: “…Me këngë në buzë, një ditë, jo larg, do të vdes,
/ Unë copë tokë Dushkaje, n’qepalla me një gur, / Me sy hapur për dushkajasit e
mi do të mbes,…”, por nuk mungoi t’i transmetonte nipit të vet Malit, edhe
mesazhin që ai kurrë mos të harrojë se është mirditoré: “…Mal, nuk e di a e di
historinë e vogël të Hasanajve, /… / Je ende i vogël të zhytesh në lashtësinë e
Përkoljave,/Të ardhur nga Domgjoni i Fanit para treqind vjetësh…/, për të
konkluduar: “…Nga ti Mal e deri te Preni i Kolës rrëshqitën treqind vjet, / Ky
është trungu ynë n’Jabllanicë e Domgjon, ky është! / Këtë nuk duhet t’a harrosh
kurrë, kurrë s’duhet t’a harrosh!”
Poeti
i shquar Hasan Hasani, jo vetëm i këndoi me vargje të bukura dhe plot kolorit
vendlindjes, vendorigjinës dhe traditës, por edhe u kushtoi atyre vëmendje të
posaçme në studimet e tij. Ai, siç e thekson shkrimtari e studjuesi mirditorë,
Ndue Dedaj, është “…autori i të parit Leksikon të Shkrimtarëve Shqiptarë…”, që
i përbashkoi ata në një libër (Sonetet e muzës së origjinës, “Eksplorim poetik
për Mirditën”, SHB “Faik Konica”, Prishtinë 2021), por edhe i të parit libër ku
përbashkon në një krijuesit mirditorë të të gjitha kohërave, mbetur në
dorëshkrim, e botuar pas vdekjes së tij. (“Autorë dhe vepra mirditorësh”, SHB
“Faik Konica”, Prishtinë, 2021)
Vargjet
dhe veprat e tij, edhe kur venë në qendër luftën e vdekjen, ashpërsinë e
traditës, gjithnjë në ballafaqimet jetësore evidentojnë të mirën, jetiken,
frymëzuesen, dashurinë. Se jeta kështu është, një rrjedhë e pandalshme, herë e
vrullshme e herë më e qetë, herë në “ujëra” të kjarta e herë në të turbullta,
gjithnjë mes dallgëve, që po nuk dite t’i mposhtësh, rrezikon të mbytesh. E
vepra e Hasanit kurrë nuk u baltos, as nuk do të baltoset. Jam i bindur se me
të do të ngjasë si me horizontet: Sa më shumë largohemi prej tyre, aq më madhështore
bëhen ato në sytë tanë!
------------------------------------------
* poet e studjues, Lezhë