Kulturë
Cikël me poezi nga Shyqyri Fejzo
E marte, 21.01.2025, 07:00 PM
Shyqyri Fejzo
Thërrime
nën sofrën time
Janë
disa grimca e thërrime
Që ndën sofër i bien kujtdo
I mblodha ndën sofrën time
Të lehta për lexim janë ato
Refren
i këngës të një pijetari.
Kam
besuar se e shenjta, rakia
Në fillim i fërkon dhe i gudulis
Më pas i mbyt vuajtjet e mia
Pija shpresoja i hedh e i gremis
Doja ti mbysja me meze e urime
Por mundimi im duket shkoi kot
Ishin dinake ato për kokën time
Nuk mbyteshin se mësuan not.
Dimë të hamë...!
Doktor,
të ushqyerit qënka gallatë
Barishte ha delja ndaj rron shtat vjet
Ke parë ndonjë ujk të hajë sallatë
Do hamë ç' duam e mendojmë vet
Unë s'kam parë kurrë në jetën time
Që ujku të hajë bar, bostan a perime
Si ujku ne s'jemi budall e pa mendë
Të heqim dorë nga qingjat e dhentë
Dialog bashkëkohor me nipin
Gjysh,a do merremi vesh ne të dy?
Gjithnjë më ke rrahur "me pambuk"
Kyçe derën e banjës kur je aty
Do të nxjerr në foto në fecbuk
Rastësia
dhe letërsia
Mbreti i botës është rastësia
Forma, brendia kush ka merakun
Çfarë faji ka fjala e letërsia
Kur ka gjetur tenxherja kapakun.
Një mikeshë e adhuruar
Një ditë dituria dhe injoranca
Njëra tjetrës i kishin marrë drunë
Pranë meje kishte ardh distanca
Si më tha mikesha bëra dhe unë.
Sa bukur dhe mirë do të ishte
Të futej me nisiativë e mend
Distanca këmbë e zell të kishte
Të rrinte gjithnjë në Parlament.
Shyqyri Fejzo Hamburg-Gjermani; Janar 2025.