Kulturë
Anton Nikë Berisha: Poezia si ballafaqim dhe zbulim i vetvetes
E premte, 03.01.2025, 07:51 PM
POEZIA SI BALLAFAQIM DHE ZBULIM I VETVETES
Parathënie
Nga
Anton Nikë Berisha
Rritemi
të qetë, veçuar e në rehati,
por
befas rrugëve të botës na lëshojnë;
sipër
nesh përplasen prore dallgët mizëri,
gjithçka
na tundon, shumë gjëra na gazmojnë,
mjaft
të tjera zemrën na brengosin, dhe paprerë
shpirti
ynë drithërohet paksa i trazuar;
ndjenja
tepër të forta na pushtojnë, por përherë
të
tëra i fshin e jetës vorbull e harbuar.
GËTE
Veçantia
dhe ndërliqësia e aktit krijues
Akti
i krijimit në artet në përgjithësi, brenda tyre dhe në artin e fjalës, në
letërsi, mbetet ndër fshehtësitë e mëdha. Janë një varg autorësh të shquar që
kanë shfaqur mendimin e tyre për aktin krijues, duke u nisur nga përvoja
vetjake. Natyrisht se këto mendime janë të ndryshme nga se tek secili shkrimtar
akti i krijimit shfaqet dhe përjetohet ndryshe. Madje ai ngjet ndryshe edhe tek
i njëjti krijues në kohë të ndryshme. Ndodh kështu për shkak se akti i krijimit
lidhet para së gjithash me natyrën e vetë artit. Asnjë vepër arti nuk krijohet
në të njëjtën mënyrë, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtat rrethana nga se ajo
lind nga ndjesi, gjendje shpirtërore dhe shije të ndryshme të autorit. Edhe në
botën e brendshme të njeriut ndodh ajo që thoshte Herakliti (540-480 para
Krishtit ) Panta rhei (çdo gjë rrjedh, lëviz).
Akti
i krijimit në qenësinë e vet shëmbëllen me natyrën dhe me mënyrën e përftimit
të veprës së artit, që ndodh dhe me veprën letrare poetike: ajo është e
papërsëritshme, edhe pse përftohet nga teksti – nga strukturimi gjuhësor shprehës,
pra ka një varg përbërësish që përkojnë ose janë të ngjashëm me ata të veprës
së krijuar më parë ose të veprës që krijohet më vonë.
Në
këtë rrjedhë diçka është e pamëdyshtë: edhe akti krijues, edhe vetë vepra
letrare poetike që përftohet, janë një lloj ballafaqimi dhe zbulimi i vetë
subjektit që krijon.
E
parë në këtë dritë, poezia e Ragip Sylajt e botuar në përmbledhje të
veçanta[1], po dhe në këtë vëllim me poezi të zgjedhura “Shakullinë
përpëlitjesh”[2], është ballafaqim dhe zbulim i vetvetes, është zëri dramatik i
botës së tij të brendshme, që shpërfaqet përmes strukturës gjuhësore, përmes
tekstit poetik.\
Ragipi,
ashtu si ishte në jetë, skajshmërisht i sinqertë dhe fisnik, ashtu është edhe
në poezi: e thotë atë që e ndien dhe e mendon. Përmes poezisë ai përballet,
para së gjithash, me vetveten, me shqetësimet, me brengat, me mirësinë e me
fisnikërinë e tij. Gjithçka niset nga ai dhe shprehet përmes tekstit dhe
kumteve që dalin prej tij dhe fillimisht kthehen tek ai. Mirëpo, gjithçka e tij
mund te jetë dhe të bëhet njëherazi edhe e tjetrit, qoftë i afërt i tij, qoftë
dhe më i largët, ashtu siç thoshte Viktor Hugo për poezinë e Shekspirit:
“Poezia e tij është ai vetë (Shekspiri – v. ime), e në të njëjtën kohë jeni dhe
ju vetë”[3].
Gama
e dukurive që bëhen objekt poetik në poezinë e Ragip Sylajt është e gjerë:
përpëlitjet dhe tundimet shpirtërore, dhuna e jetës, rrënjët kulturore dhe
etnike, poezia si art i fjalës, dashuria etj.
Siç
janë të ndryshme dukuritë që autori i shqyrton, të tilla janë edhe qasjet dhe
mënyrat e shtjellimit dhe të shprehurit poetik, të hartimit të tekstit.
Poezia
e Ragipit është zëri i shpirtit dhe i ndërgjegjes së tij; fryt i mendjes dhe i
dijes. Sipas T. S. Eliotit zëri i brendshëm, tek ata që e kanë, që varen nga ky
zë “[…] ushqen mesazhin e amshueshëm të kotësisë, të frikës dhe të epshit”[4].
Poeti
ynë nuk krijon struktura gjuhësore të ndërliqshme (komplekse) poetike, po e
përfton atë tekst që i fle në shpirt, që e përligj botën e tij. Poezia për të
ishte herë tundim, vetmi e prushtë, përkundje ose shkundullimë pikëllimi,
gërmim për zbulimin e rrënjëve dhe shenjtërimin e dhembjes; sa psherëtimë, po
aq çerdhe vetëtimash dhe gurëzim i qeshjes. Ai i shpreh dukuritë pa i
zbukuruar; të bardhës i thotë e bardhë dhe të zezës e zezë. Përdor një gjuhë të
pasur, dukuri që u mungon shumë poetëve tanë. E dihet se gjuha është mjeti
kryesor dhe i vetmi me të cilin krijohet çdo vepër letrare poetike.
Ragipi
i kushton kujdes të barabartë mënyrës se si i thotë, si i shpreh dukuritë, dhe
rëndësisë që ato kanë për të e për njerëzit e botës së tij. Në poezi ai derdh
(dëshmon) një dashuri të madhe për arsye se vetëm me një dashuri të tillë mund
të krijohen vepra të rëndësishme arti, që mund të jenë të përfillshme dhe të
dobishme edhe për të tjerët, pra të ndikojnë estetikisht në ta[5].
Në
poezinë e Ragipit rëndom dukuritë shprehen në mënyrën e ballafaqimit e të
kundërvënies, ku veçantitë e tyre shpalosen më mirëfilli; dalin në një dritë sa
të veçantë aq dhe funksionale. Kjo dëshmohet edhe nga mendimi i tij për poezinë
e Borges-it ku thotë se ajo është botë e parajsës përbri botës së ferrit[6].
Poeti
ynë ka besim në poezinë që e krijon; ajo është gëzimi dhe ankthi i tij;
realiteti i rëndomtë dhe përfytyrimi, është gjakim. Ai e çmon poezinë
jashtëzakonisht, prandaj e kujton mendimin e Albert Kamysë “Të krijosh
domethënë të jetosh dy herë”[7].
Sipas
poetit tonë jeta është vetëm një shtegtim nëpër psherëtima, nëpër lifqere të
ankthit, të brengave e të pësimeve, për këtë arsye e quan veten i siziftë[8]:
Në trup po më digjet rëra e durimit (Sa larg vetvetes paskam mërguar); Se bota
qenka teatër trishtimi (Udhëpërshkrimi i zbrazëtisë). Ai i përngjet njeriut të
etur në shkretëtirë, ku brenda shpirtit rritët xhungla, po edhe shtohet
ballafaqimi me të papriturat e me të padëshiruarat:
Sonte
jam terri im dhembja ime jam
Përveç
flakës së trupit s’di tjetër ç’kam
Pos
shpirtit vullkan të dehur në bukuri
E
në zemër s’di ç’kam helm a dashuri
(Rrëfim
katartik)
ose
Ç’avullon
ky gur, ç’gurëzon kjo heshtje
E
lulja po fishket sall për një buzëqeshje
(Kur
s’jam poet)
Në
shtjellën e shqetësimeve dhe të tundimeve
Ajo
që bie në sy në pjesën kryesore të poezive të Ragip Sylajt, brenda tyre dhe në
ato që i kam zgjedhur për këtë vëllim, janë shqetësimet, tundimet dhe pësimet
që e cilësuan shtegtimin e tij jetësor. Ato ishin vijimisht të pranishme dhe si
të tilla i peshonin në shpirt. Meqenëse nuk ia dilte t’i përballte dhe të
ngadhënjente mbi to, ai mbyllet në vete dhe çdo gjë e përjeton në heshtje, që
shndërrohet në trazim dhe në lëngatë shpirtërore të ndjeshme.
Mbyllem
në vetvete posi në varr
Gropoj
në këtë natë në këtë pus harrimi
(Libri
i mos durimit)
ose
Ç’imazh
i ngrysur dielli zhytur në mjegull
I
tmerruar i trishtuar shpend pa krahë në qerthull
(Tërbimi
i detit)
Ragipi
poet thotë se në jetë ka përjetuar, siç thuhet, të zitë e ullirit, ashtu siç përjetuan
shumë njerëz të gjakut e të gjuhës së tij:
Krejt
gëzimet e jetës i volla
Krejt
helmet e jetës i përpiva
Për
të mbetur njeri
(Antihimn
zemërimi)
dhe
U
zgjove nga makthi
Nga
vetmia si murgu
Pa
ditur saktësisht në të presin
Dritë
lirie apo terr burgu
(Ndërdyshje
të fshehta)
Kjo
gjendje rrënuese shpirtërore sikur bëhet e pa rrugëdalje: Gur varri gur Sizifi
vetvetja në shpinë; Zogjtë e Hyjit pëgëjnë mbi çerdhen e djallit; Po bëhem
vetmia e Hyjit n’kryq flijimi; Jam mbret i madh n’vetminë e tymit; Një mace e
zezë në kokë më mjaullin; Fatkobi ynë në trupin tonë ushqehet.
Gjithë
kjo nuk është pasojë e botës së brendshme të poetit, të kushtëzuar nga ai vetë,
po rrjedhojë e rrethanave dhe e kushteve të jashtme, e vetëdijes së njeriut të
kohës kur ai jetoi. Kjo vetëdije e fjetur është shtrirë tek secili dhe secili
në mënyrën e vet i jep jetë. Pasojat e këtij veprimi janë të përmasave të
jashtëzakonshme.
Arsyeja
njerëzore kur bie në gjumë
Mollë
të kalbura yjet bien në baltë
Gjak
rrjedh një përrua e trishtim një lumë
Diellin
e zënë retë dita bëhet natë
(Laokoont
në zinxhirë)
Në
rrethana të këtilla të rënda, frymëmarrja e poetit është në zgrip të rrënimit;
ai zhytet në një oqean zhgënjimi dhe shtegton nëpër vetveten si i dehur:
Shtegtoj vetvetes posi një i dehur (Libri i mos durimit) dhe Në oqean zhgënjimi
zhytesh në pafundësi (Retiçenca).
Kjo
gjendje bëhet objekt vështrimi poetik në një varg poezish të tij:
Pelë
e pafre kjo kohë e tërbuar
Sa
larg vetvetes paskam mërguar
(Sa
larg vetvetes paskam mërguar)
ose
Kujtimi
im sonte kullon gjak
Kënga
ime sonte pikon vrer
Koha
shpresën e vë në lak
Në
myjë dimri trilloj pranverë
(Trishtim)
Brenda
gjendjes që e përjeton, poeti e shqipton edhe vetminë; ajo e përcjell në çdo
hap dhe është pasojë para së gjithash e pësimeve të jetës, e asaj që ndodh në
mjedisin ku jeton dhe vepron: Në detin e vetmisë jam kredhur (Vetmia); Në këtë
dhomë vetmie po e shtrydh vetveten (Me lypësit e Migjenit); Drita të trilluara
ndriçojnë vetminë time (Me lypësit e Migjenit).
Realitetin
e rëndë, për shumëçka rrënues jo vetëm për të, poeti nuk mund ta ndryshojë,
prandaj gjakon që përmes tekstit poetik të përftojë një realitet tjetër, të
përfillshëm, njerëzor dhe fisnik, që i duhet si ngushëllim shpirtëror, për të
mos thënë si vetëmashtrim. Si i tillë ky realitet i përftuar përmes të
shprehurit gjuhësor, bën ndikim estetik më të fuqishëm në marrësin.
Ta
pimë dashurinë si verën
Të
shtiremi të pabrenga krenarë
Të
mos ia varim varfërisë
(Edhe)
kur na kafshon në shpirt
Të
shpikim në vetvete diç më të artë
Që
përtej kohës bën dritë
(Përtej
kohës)
ose
Po
të isha ujë i gjallë
Do
ta bleroja shkretëtirën
Do
të shuaja zjarre
Do
të shuaja çdo etje
(Letër
një miku në Grac)
ose
E
aty me mijëra vjet çerdhe ngreh liria
Këto
maja iliriane puthen me rrufe
Mbi
themele virtyti kulm ngreh dashuria
(Llanishti)
Poeti
Ragip Sylaj e dinte mirëfilli se asgjë e madhe nuk mund të krijohet pa dashuri
dhe përkushtim të veçantë nga se, siç thotë ai vetë, gjatë përftimit të një
krijese letrare “[…] zë fill ballafaqimi i ëndërrimtarit dhe i krijuesit, që
është një përballje a përplasje me realitetin, me realitetin plot dhembje, te i
cili duhet kërkuar edhe magjinë e krijimit dhe të transformimit të vetvetes e
të të tjerëve”[9]. Pra:
Kur
u gurëzua qeshja
Vetveten
e fotografoi vdekja
Pikëllimi
u bë oazë lotësh
E
shkretëtira fytyrë e blertë
(Hartë
e rrudhur shpirti)
Nga
pamundësia që ta ndryshojë realitetin përkatës dhe të dalë nga shtjella e
dyshimeve dhe e brengave të pazakonshme, e bën poetin t’i drejtohet engjëllit
të tij mbrojtës:
Më
shëro nga verbëria e mëkatit engjëlli im
Më
mëko me dashurinë e pabërë engjëllushja ime
Se
nuk e di në është mallkimi im bekim
Apo
bekimi është mallkim
Më
ruaj Zot![10]
(Lutje
I)
I
vetëdijshëm për pamundësinë të ngadhënjejë mbi vështirësitë dhe të ligat, qoftë
ato që i krijon vetë, qoftë ato që ia krijojnë të tjerët, i drejtohet edhe
Hyjit:
Zoti
im m’i jep shpirtit flatra
T’i
kapërcej humnerat e brendshme
Më
bëj ura n’udhët e s’ardhmes
T’i
kaloj honet e jashtme
(Lutje
II)
Poezia
si pasuri dhe si ngushëllim shpirtëror
Përmes
tekstit të poezive Sylaj shpreh dhe mendime për poezinë si art i fjalës, për
rëndësinë e saj dhe atë që ai ndjen për të. Ai, siç shprehet Edgar Allan Poe,
“[…] e kupton poezinë si një udhëtim gjurmues, si një përpjekje për ta joshur e
përjetuar, për ta dramatizuar dhe zbuluar këtë botë që ekziston përtej
vdekjes[11]”.
Mirëpo,
misioni i Ragip Sylajt është më i rëndësishëm, sidomos në rrafshin e ndikimit
estetik dhe të pasurimit shpirtëror të njeriut, pra të krijojë art: “[…] detyra
e poetit është të endë e të qëndisë bukur një qëllim me shenja e tinguj
hajmalikë, për të grishur e mbarur lexuesin që të ndajë bashkë me të
eksplorimin e një bote të shtrirë përtej eksperiencave të fenomeneve të
saj”[12].
Ragip
Sylaj ishte i lidhur ngushtë me poezinë. Ai e ka ëndërruar atë edhe para se ta
njihte e të merrej me të; është në natyrën e njeriut se ai lind me pritje për
të bashkëjetuar me artin, me të bukurën, në rastin konkret me artin e fjalës.
“Ende
pa të njohur të ëndërrova. Si një grua hyjnore të paarritshme. Kur të njoha, e
pashë që ishe: ëndrra, malli, shpresa, toka, qielli, pavdekësia dhe vdekja. E
dija se je e ishe kudo, si jeta, si dashuria, perëndia dhe se kudo e kurdo mund
të të takoja. Po më vinte marre prej teje si prej nënës, motrës e gruas, ndaj
të nisa letër. Letër.
Ti
ishe peizazhi më i bukur që mund të ëndërrojnë krijesat e natyrës”.
(Nga
Letër poezisë)
Kjo
përsiatje e Ragipit për poezinë dhe puna krijuese shumëvjeçare e tij në fushën
e letërsisë, të kujton mendimin e shkrimtarit të shquar, Stefan Cvajgut: “[…]
hovi intelektual, fuqia e brendshme asimiluese e shpirtit ushtrohen vetëm në
ato vite vendimtare të formimit të njeriut, dhe vetëm kush ka mësuar qysh herët
ta pasurojë shpirtin sa më shumë, mund të përfshijë në të më pas mbarë
botën”[13].
Ragipi
ishte i bindur se poezia, ka fuqi magjike; ajo të njëson me bukurinë dhe si e
tillë ndikon në prehjen e shpirtit të njeriut, i shkakton kënaqësi dhe lumturi.
Është natyra e fjalës, e tekstit poetik që e bën këtë mrekulli:
Për
fjalën, për mendimin, për urtakët
Një
etje që s’shuhet një etje që djeg
(Urtakët)
dhe
Kur
kotesh përbri Muzës
Përbri
bukurisë
Zgjohesh
përballë artit
N’zemër
t’lumturisë
(Përbri
Muzës)
Mirëpo,
poezia i shkakton poetit njëherit edhe brenga dhe vuajtje shpirtërore:.
Zog
kënge pa mëshirë e shtrydh atë vetvete
Të
kjasojë poezi-gjak poezi-vrer poezi-jete…
(Retiçenca)
ose
Ti
je flamur zemërimi mbi mëshirën tokësore
Ti
je shqiponjë flijimi që sfidon perënditë
(Brerore
e shenjtërisë)
Nga
nevoja që gjërat te thuhen me emrin e vet, që të jetë i qartë dhe kritik ndaj
dukurive që i bën objekt vështrimi poetik, që e trazojnë shpirtin e tij, po
shtrihen edhe në jetën e njeriut të botës së tij, teksti bëhet herë – herë i
kufizuar kuptimisht, pra nuk e cilëson shumësia kuptimore poetike. Kështu, në
ndonjë pjesë ose varg të poezisë vërehet pohimi ose porosia: Mos u bëj dele aty
ku ka ujq; Kërkoje vetveten brenda vetvetes; Mundi kurrë nuk t’u shpërblye; Dikush
ka dashur të ma ndalë frymën; Mos lejo ta nëpërkëmbë e liga; Ti përherë i
lartë, përherë madhështor; Të dëshmoj për frikën time […] Të dëshmoj për
vuajtjen time.
Qasjen
dhe vëzhgimin që në këtë parathënie i bëra poezisë së Ragip Sylajt duhet marrë
vetëm si një mundësi – mënyrë timen të leximit për arsye se teksti poetik i tij
i “flet” secilit lexues në mënyrën e vet dhe do të ndikojë estetikisht në të
nga se poezia e tij, sidomos kjo e përfshirë në vëllimin “Shakullinë
përpëlitjesh”, ngërthen vlera të shumta dhe si e tillë bëhet natyrshëm pjesë e
trashëgimisë sonë poetike.
*
* *
Po
e mbyll këtë parathënie me mendimin e Ragipit, të shkëputur nga libri i tij
“Estetika e misterit”, ku ai bën fjalë për poezinë e Borges-it, që i përgjigjet
mirëfilli veçantisë dhe rëndësisë së poezisë që krijoi: “Mbase askush nuk është
më i çiltër se ai që i drejtohet tjetrit me fjalët që ia thotë në intimitet
vetvetes. Së këndejmi, askush nuk është më i besueshëm dhe më i pranueshëm se
ai që e nyjëton dhembjen e shpirtit, të zemrës e të trupit të vet, në të cilat
tjetri do ta lexojë dhembjen dhe do ta gjejë terapinë për t’i shëruar plagët e
kohës efemere traumatike. Qoftë edhe si ëndërr, qoftë vetëm si meditim që ka
buruar nga ama e ndërdijes, qoftë si klithje spontane, ose nevojë për t’u
rrëfyer”[14].
Prishtinë,
prill 2024
[1]
Nga këto përmbledhje të Ragip Sylaj i zgjodha poezitë: Hije e gjallë (poezi),
Rilindja 1986; Anatomia e rrënjës (poezi), Rilindja 1989; Lisi i shenjtë
(poezi), Fjala 1993; Mëngjes qumështor me akull (poezi), Rozafa 2000; Eliksir
(poezi), Rozafa 2007; Ma jep dorën (poezi për fëmijë), Rozafa 2010; Hiri i
fjalës (poezi), Klubi Letrar De Rada, Ferizaj 2014; Letër engjëllit tim të
mbrojtjes. Armagedoni. Prishtinë 2019.
[2]
Përveç nga përmbledhjet e botuara, disa poezi i mora dhe nga dorëshkrimi. I
shpreh mirënjohje familjes së Ragipit që më mundësoi shfrytëzimin e këtij
dorëshkrimi.
[3]
Victor Hugo, William Shakespeare. Përktheu nga origjinali frëngjisht. Abdulla
Rami& Emira Xhomaqi – Godo, Onufi, Tiranë 2022, f. 90.
[4]
T. S. Eliot, Ese të zgjedhura. Zgjodhi dhe përktheu nga origjinali Isa Zymberi.
Rilindja, Prishtinë 1982, f. 15.
[5]
Për çështje të estetikës dhe të ndikimit estetik në marrësin shih veprën time
Estetika dhe estetika e letërsisë. Tekst për studentë. Bashkë me Labinot
Berishën. Faik Konica, Prishtinë 2018.
[6]
Ragip Sylaj, Estetika e misterit (Ese). Elena Gjika – Dora d’lstria, Therandë
(Suharekë) 2008, f. 14.
[7]
Ragip Sylaj, Estetika e misterit (Ese). Elena Gjika – Dora d’lstria, Therandë
(Suharekë) 2008, f. 5.
[8]
Për këtë gjendje Cvajgu shkruante: “Ne që kemi mësuar në shekullin e ri të mos
çuditemi më nga asnjë shpërthim mizorie kolektive, ne që me agimin e çdo dite
të re presim të shohim poshtërsi akoma më të mëdha se të një dite më parë…”.
Shih Stefan Cvajg, Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani. E përktheu nga
origjinali gjermanisht Aristidhi Ristani, Botimet “Santori”, Tiranë 2012, f.
14.
[9]
Ragip Sylaj, Estetika e misterit (Ese). Elena Gjika – Dora d’lstria, Therandë
(Suharekë) 2008, f. 5.
[10]
Për poezitë e Ragip Sylajt me tematikë të përshpirtshme shih veprën time
Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 – 2019. Faik Konica, Prishtinë
2020, f. 398 – 403.
[11]
Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari.
Plejada, Tiranë 2004, f. 15.
[12]
Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari.
Plejada, Tiranë 2004, f. 16.
[13]
Stefan Cvajg, Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani. E përktheu nga
origjinali gjermanisht Aristidhi Ristani, Botimet “Santori”, Tiranë 2012, f.
68.
[14]
Ragip Sylaj, Estetika e misterit (Ese). Elena Gjika – Dora d’lstria, Therandë
(Suharekë) 2008, f. 12.