Kerko: a
Florim Zeqa: Të votohet për një legjislaturë të re politike!
E merkure, 04.12.2024, 07:27 PM
Të votohet për një legjislaturë të re politike!
Shkruan: Florim Zeqa
Elektorati
kosovar kërkon ndryshime në të gjitha partitë pa dallim, për nxjerrjen e
figurave të reja dhe të pastra politike, ngase janë lodhur nga politikanët e
korruptuar, që punuan dhe vazhdojnë të punojnë vetëm për interesa të tyre
personale dhe të oligarkëve të inkriminuar.
Humbja
e anës njerëzore, humbje e besimit
Gara
e ashpër e politikanëve për të ardhur në pushtet dhe vrapimi pas privilegjeve
të pushtetit, i ka joshur edhe qytetarët e varfër të ngarendin pas politikanëve
të korruptuar me shpresën për grabituar diçka nga gjahu i pushtetarëve, të
cilët vardisën pas politikanëve milionerë duke i harruar shokët dhe miqtë e
deridjeshëm, duke i harruar veprimtarët dhe aktivistët e ndershëm, duke i
harruar kontributdhënësit dhe luftëtarët e vërtetë të lirisë sonë.
Ambiciet për pushtet dhe pasurim të
paligjshëm, kanë bërë që të largohemi aq shumë nga vlerat tona, saqë gjithnjë e
më pak po u ngjajmë atyre shqiptarëve të viteve të '90-ta, të atyre që e ndanin
çdo gjë që kishin më njëri-tjetrin.
Kush
e futi djallin mes shqiptarëve
Në
të kaluarën nuk kishim shumë, por e kishim zemrën e madhe, ishim më human dhe
më solidarë seqë jemi sot. Ishim të shtypur nga regjimi gjenocidial i
Millosheviqit, por ishim më të bashkuar më njëri-tjetrin, e donim dhe
respektonim njëri-tjetrin sikur të ishim vëllëzër të të njëjtëve prindër.
Nërsa, sot në Kosovën e lirë, në vend të
dashurisë vëllazërore ka hyrë interesi si djallë mes nesh, egoja dhe xholozia
si thika pas shpinës së njëri-tjetrit.
Derisa në të kaluarën jo shumë të largët
(viteve të '90-ta) e ndanim kafshatën e gojës me njëri-tjetrin, sot mundohemi
t'ia nxjerrim nga goja kafshatën tjetrit!
Një degëdisje dhe katandisje e tillë mes
shqiptarëve nuk ka ndodhur asnjëher gjatë historisë.
Fajet për këtë katandisje të shoqërisë
kosovare përgjatë këtyre viteve të lirisë dhe pas pavarësisë nuk i kanë
pushtuesit, por partitë politike dhe politkanët e të gjitha llojeve dhe
ngjyrave, të shndërruar në kusarë të pangopshëm të plaçkitjes së çdo pasurie
publike dhe shtetërore nga djersa dhe mundi i qytetarëve dhe mërgimtarëve që
nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre për lirinë e Kosovës.
Nepotizmi
sëmundje kronike e partive politike
Nepotizmin,
klientelizmin dhe punësimet familjare nëpër institucione shtetërore janë
produkt i kësaj klase politike dhe jo meritë e Serbisë. Kjo e fundit (Serbia)
ka qëllime grabitçare ndaj Kosovës dhe kjo nuk është befasi për qytetarët e
Kosovës. Por, befasi e papritur ishte dhe është trajtimi i Kosovës si plaçkë
lufte nga të gjithë politikanët e pasluftës pa përjashtim.
Të tillë i bëri egoja për pushtet dhe
pasurim të pakufishëm kundrejt një popullate të varfër, për të cilën nuk bënë
asgjë të mirë nga pas lufta e këndej.
Qytetarët
vetëm numra për vota të kusarëve politikë
Moskujdesja
e politikanëve në krye të shtetit (nuk bëhet fjalë vetëm pushtetarët aktualë)
për të moshuarit dhe të sëmuarit është dhunim i të drejtave të njeriut, është
fyerje dhe nënçmim ndaj shumicës së popullatës në Kosovë. Politikanët e sotëm,
qytetarët e këtij vendi nuk i trajtojnë si njerëz por vetëm si numra gjatë
fushatave zgjedhore.
Pensionet dhe ndihmat sociale tepër të
ulëta dhe diskriminuese janë të pamjaftueshme për nevojat e përditshme e të
moshuarëve dhe sëmuarëve të cilët burim të vetëm ekzistencial i kanë të
ardhurat nga shteti.
Të privilegjuar për shërim në sistemin
publik dhe privat shëndetësorë janë të afërmit dhe të përshtatshmit e
pushtetit, gjegjësisht ata që kanë lidhje familjare me njerëzit e veshur me
petkun e pushtetit dhe familjarët e militantëve partiak, përmes lidhjeve
nepotike dhe korruptive.
Në të kundërtën, ata që nuk u përkasin
këtyre kategorive, sorrollaten poshtë e lartë korridoreve të spitaleve duke
bredhur nga njëri spital në tjetrin derisa t'i "shpëtojë" vdekja nga
trajtimi ç'njerëzorë që ju bëhet në institucionet tona publike shëndetësore,
ngase tek ato private nuk e kanë guximin as t'iu afrohen objekteve shkaku i
gjëndjes së rënduar ekonomike.
Për
habi, intelektualët kanë mbetur vetëm vrojtues të kësaj situate, pa e thënë
asnjë fjalë dhe pa e bërë asnjë veprim në përmirësimin e gjendjes paradoksale
të krijuar në vendin tonë. Heshtja është pajtim me të keqën dhe largim nga
vlerat njerëzore. Në këtë situatë, vetëvetiu vjen pyetja logjike; "A do të
kthehemi ndonjëherë kah e mbara?!"
Florim Zeqa, 26.11.2024