Mendime
Enver Bytyçi: Serbia, Gjeorgjia dhe Moldavia – mësime që Perëndimi duhet t’i ketë në vëmendje!
E shtune, 02.11.2024, 07:52 PM
Serbia, Gjeorgjia dhe Moldavia – mësime që Perëndimi duhet t’i ketë në vëmendje!
Nga
Enver Bytyçi
Dikur
Gjeorgjia, në vitin 2008, ishte në luftë me Rusinë. Ish-kryeministri i asaj
kohe, Vladimir Putin, urdhëroi aneksimin e Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugor,
në të cilat shumica e popullsisë ishte rusisht folëse, dhe ky agresion rus u bë
shkak i një konflikti midis të të dy vendeve. Kur ndodhën këto ngjarje
Gjeorgjia kishte etje të bëhej anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Popullsia
gjeorgjiane në mbi 2/3 ishte properëndimore. Por Angela Merkel në samitin e
radhës të NATO-s vuri veton që Gjeorgjia të bëhej anëtare e kësaj organizate të
fuqishme. Merkel kishte frikë nga Rusia. Georg W. Bush u tërhoq nga këmbëngulja
e tij për pranimin e Gjeorgjisë në Aleancën Atlantike.
Për
pasojë, sot Gjeorgjia ka ndërruar kahje. Në votimet e fundit parlamentare
qytetarët e saj votuan partitë pro-ruse të këtij vendi. Shkaku: - Frika se
Rusia do të hakmerret me agresion kundër këtij vendi, nëse do të votonte
subjektet politike pro-perëndimore. U tha se kishte manipulime nga ana e
Rusisë. Dhe kjo është e natyrshme të ketë ndodhur në një terren konfliktual
midis Lindjes dhe Perëndimit. Por është i pakontestueshëm fakti se numri i
gjeorgjianëve që votojnë partitë pro-ruse është dy ose trefishuar krahasuar me
vitin 2008. Kjo nuk do të kishte ndodhur sot, nëse atëherë Gjeorgjia do të
bëhej pjesë e NATO-s dhe nëse ajo do të kishte hapur kapitujt e anëtarësimit në
BE.
Moldavia
gjithashtu është në ankth të madh që prej 24 shkurtit 2022, kur Rusia sulmoi
Ukrainën. Frikë se një ditë forcat ushtarake ruse do të mbërrijnë në këtë vend
dhe do ta pushtojnë atë. Frika ruse çoi që në një referendum të kohëve të
fundit moldavët të votojnë thuajse 50:50 përqind në një referendum, nëse ata
duan integrimet euro-atlantike, apo duan të heqin dorë prej këtyre integrimeve.
Një vend, ku para disa vitesh rreth 70 përqind e popullsisë përkrahte fuqishëm
integrimet euro-atlantike, po ve në diskutim rrugën e zhvillimit demokratik në
modelin perëndimor. Madje po duket se shkon drejt asaj që sigurinë e vendit
t’ia besojë Rusisë.
Ndërkohë
euro deputetja Cramon shkroi në llogarinë e saj se në Gjeorgji “përsëriten tani
pikërisht ato që ndodhën në Serbi në vitin 2023, d.m.th. se u përdorën të
njëjtat metoda dhe e njëjta gjuhë mashtrimi”. Por, shkruante Cramon, Aleksandër
Vuçiq e bëri manipulimin e tij të zgjedhjeve në mënyrë më elegante”! Kundër
kësaj deklarate ka reaguar kryetarja e parlamentit të Serbisë, Anna Brnabiq,
duke marrë në mbrojtje shefin e saj, presidentin Vuçiq.
Po
pse reagoi Brnabiq? Sepse Viola von Cramon zbuloi një të vërtetë, të cilën nuk
duan ta pranojnë në Bruksel e madje as në Uashington. Atë se Serbia është dhe
mbetet në linjën ruse. Pra se shtirja e saj si aleate e BE-së dhe SHBA-ve është
thjesht në funksion të përfitimeve territoriale e politike në konfliktin serb
me Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Se Serbia nuk do të jetë
asnjëherë politikisht e ushtarakisht në anën e Perëndimit, kjo është tashmë
shumë e ditur dhe e njohur. Se ajo do të bëhet pjesë e Brics në momentin e
përshtatshëm për të, kjo nuk ka asnjë dilemë. Se në zgjedhjet serbe do të
votohen gjithmonë e pandërprerë politikanët pro-rusë, as kjo nuk vihet në
dyshim, derisa shumica dërmuese e serbëve janë pro Rusisë.
Por,
Gjeorgjia dhe Moldavia na japin edhe një mesazh, të cilin Serbia e ka dhënë
prej kohësh, mesazh të cilin diplomatët perëndimorë nuk duan ta lexojnë me
realizëm. Gjorgjianët dhe moldavët po kthehen në shumicë pro Rusisë, pasi ata
besojnë se aleanca me Moskën parandalon pushtimin ushtarak të saj. Vonesa në
integrime është shkaku i kësaj situate. Megjithatë Serbia nuk e ka këtë dilemë.
Rusia nuk e ka pushtuar ndonjëherë Serbinë, nëse nuk e quajmë pushtim kalimin e
forcave të Ushtrisë së Kuqe të Stalinit në përfundim të Luftës së Dytë
Botërore. Por serbët dhe Serbia frymëzohen nga ndryshimi radikal i Gjeorgjisë
dhe Moldavisë. Në Serbi tani thuhet “Kur këto vende e popuj pro-euro-atlantikë,
ndryshuan kahjen e aleancës së tyre pro Rusisë, pse duhet të tërhiqemi ne nga
kjo aleancë historike dhe e dobishme”?! Ata shtojnë kështu simpatinë për Rusinë
dhe presidentin e saj Vladimir Putin. Manovrat politike të Aleksandër Vuçiq nuk
mund ta fshehin të vërtetën e forcimit të lidhjeve të gjithanshme Serbi-Rusi.
Dhe
kjo që po ndodh vjen gjithashtu për shkak se Bashkimi Europian dhe SHBA, pra
Perëndimi, kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë llogari të gabuara. Atëherë kur ishte
koha e presioneve ndaj Beogradit, aleatët perëndimorë e adresuan presionin te
viktimat e serbeve, te Kosova, Mali I Zi dhe BH. Në të tri këto vende përkrahën
më shumë forcat pro-serbe, sesa forcat pro-sovranitetit të këtyre shteteve.
Madje të njëjtën gjë bënë edhe në Shqipëri. Në kryeqytetet evropianë pati
entuziazëm të jashtëzakonshëm kur shihnin përqafimet Rama-Vuçiq. Harruan se
këto përqafime ishin thikë pas shpine për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e
Ballkanit Perëndimor dhe interes i Rusisë.