E hene, 09.09.2024, 05:19 PM (GMT+1)

Editorial

Fadil Sahiti: Baza e teknologjisë industriale si premisë e zhvillimit ekonomik

E enjte, 13.06.2024, 07:56 PM


BAZA E TEKNOLOGJISË INDUSTRIALE SI PREMISË E ZHVILLIMIT EKONOMIK

Nga Fadil Sahiti

Vendet në zhvillim si Kosova dhe Shqipëria nuk njihen si 'novatorë teknologjikë'. Shqetësimi kryesor i firmave tona prodhuese nuk është zhvillimi i produkteve ose shërbimeve të reja, apo shtyrja e kufijve teknologjikë. Edhe shteti edhe firmat prodhuese ndajnë pak para për aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit (R&D). Kosova dhe Shqipëria ndajnë 0.1% respektivisht 0.15% nga PBB e tyre, ndryshe nga Sllovenia që ndan 2.15%. Pothuajse e gjithë teknologjia industriale e aplikuar në vendet tona importohet nga bota e zhvilluar. Prandaj është e pritshme që kapaciteti inovativ, veçanërisht baza teknologjike industriale, si shtytës i zhvillimit industrial, të jetë e ulët.

Ndërtimi i bazës teknologjike industriale nuk është një proces i lehtë. Qeveritë tona shpesh lavdërohen se kanë bërë mjaft për zhvillimin industrial të vendit, kanë përmirësuar infrastrukturën ligjore, përmirësuar kushtet për importin e teknologjisë - hequr barrierat tregtare, ulur tarifat doganore, etj. Përvoja sugjeron se kjo nuk mund të jetë kurrë e mjaftueshme, ngase me bazë teknologjike nuk nënkuptohet vetëm blerja e aseteve fikse bashkë me instruksione përcjellëse, qofshin ato edhe fjala e fundit e teknologjisë. Thelbi i bazës teknologjike qëndron në zhvillimin e aseteve tjera jo-fikse, aseteve të buta. Thelbi qëndron në krijimin e dijes ‘tacite’, e cila nuk blihen në treg. Fjala është për asetet organizative (aftësitë teknike të fuqisë punëtore, krijimi i proceseve dhe procedurave moderne të punës, hartimi i strategjive të biznesit, krijimi i kulturës organizative, etj.); asetet e jashtme (krijimi i rrjetit të biznesit, aleancat me partnerët, me furnitorët, me klientët, me aktorët politikë, etj.); dhe aseteve të brendshme, që nënkuptojnë aftësitë dinamike për të përdorur dhe veçanërisht për të transformuar asetet fikse, organizative dhe të jashtme. Për shkak të dështimeve të ndryshme që ndodhin në treg, mbështetja e shtetit në zhvillimin e këtyre aseteve është thelbësore.

Ndodh që një firmë prodhuese në Kosovë dhe në Korenë e Jugut të blejë teknologji industriale nga i njëjti burim, por efikasiteti i prodhimit ndërmjet tyre ndryshon shumë. Një fabrikë çeliku në Korenë e Jugut është tre herë më efikase se një e ngjashme në Kosovë. Ky ndryshim mund të lidhet me politika të ndryshme industriale të aplikuara në vendet përkatëse, pasi ato të aplikuara në Korenë e Jugut u mundësojnë firmave të përgjigjen më mirë ndaj sinjaleve të tregut. Megjithatë, përvoja sugjeron se faktori kryesor në efiçencat e ndryshme të prodhimit qëndron në aftësitë teknologjike.

Aftësia teknologjike përbëhet nga aftësitë menaxheriale, teknike dhe institucionale që zotëron një firmë prodhuese në përdorimin e pajisjeve dhe informacionit teknologjik. Po flasim për dije institucionale që krijohet duke ndërthurur aftësitë e fuqisë punëtore të fituara ndër vite. Këto dije nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht aftësinë për të inovuar, por për aftësi që mundësojnë përmirësimin e procesit të prodhimit. Dhe, kjo dije institucionale nuk krijohet me një akt, vendim apo veprim të vetëm. Zhvillimi i njohurive institucionale është një proces evolutiv që zhvillohet vetëm në faza, nëpërmjet reagimeve kritike dhe përmirësimeve të njëpasnjëshme. Çdo fazë i paraprin fazës tjetër, ose secila fazë ndërtohet mbi supet e asaj të mëparshme.

Si përfundim, zhvillimi i aftësive teknologjike kërkon investime të rregullta dhe afatgjata si nga ana e firmave prodhuese ashtu edhe nga ana e shtetit. Qeveritë tona shpesh përdorin termin 'shtet zhvillimor'. Megjithatë, një shtet zhvillimor e përqëndron veprimtarinë e politike në mbështetjen e projekteve afariste zhvëllimore. Në veçanti, shteti zhvillimor i mirëfilltë i përqendron investimet kapitale në ndërtimin e bazës teknologjike industriale, sepse e di se kjo është premisa e zhvillimit ekonomik dhe e rritjes së mirëqenies së qytetarëve, e jo investime në asfalt dhe beton.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora