Editorial
Jusuf Buxhovi: Institucionalizimi i klerofashizmit serb
E diele, 09.06.2024, 07:58 PM
INSTITUCIONALIZIMI I KLEROFASHIZMIT SERB
-Themelimi
i djeshëm i Këshillit Kombëtar të
Popullit Serb në Beograd nga ana e Këshillit Gjithëserb paraqet zyrtarizimin e
platformës së hegjemonizmit të njohur serb nga “Naçertanja” e Garashaninit si
dhe tri memorandumet e akademikëve serbë nga ai Çubrilloviqit e deri te i
Qosiqit. Me këtë platformë Serbia i shpall luftë politike dhe kulturore shtetit
të Kosovës.
Nga
Jusuf BUXHOVI
Dje
në Beograd, siç pritej, u mbajt Kuvendi i Gjithëserb, i përbërë nga
përfaqësuesit më të lartë të shtetit serb, të Republikjës serbe në Bosnje dhe
Hercegovinë, nga anëtarët e Akademisë Serbe së Arteve dhe të Shkencave, Kishës
Ortodokse Serbe dhe përfaqësuesve të shoqatave serbe nga diasporë.
Atmosfera
folklorike-klerikale gjatë kuvendit si dhe ecuria përkujtoi atë nga fundvitet e
tetëdhjeta të shekullit të kaluar, kur Millosheviqi me anën e të ashquajturit
“jogurt-revolucion” ,me puçe antikushtetuese, rrëzoi qeveritë e Vojvodinës dhe të Malit të Zi
për të vazhduar me rrënimin me
dhunë të autonomisë së Kosovës, prej nga ai
mori timonin politik dhe shtetëror të Serbisë po edhe të Jugosllavisë me
ç’rast filloi edhe procesi i përgjakshëm i shpërbërjes së federatës jugosllave
me pasoja tragjike (me gjenocide në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe
Kosovës).
Një
çerek shekulli pas disfatës ushtarake nga dy ndërhyrjet të NATO-s (në vitin 1995 në Kroaci dhe 1999
në Kosovë), që mori politika
luftënxitëse e Millosheviqit, i cili për krimet kundër njerëzimit
përfundoi në Gjakatën e Hagës, si dhe krijimit të realiteteve të reja politike
në hapësirat e ish Jugosllavis - shteteve të pavarura: Sllovenisë, Kroacisë,
Maqedonisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe së fundi të Kosovës, po
del se shteti i Serbisë, i trimëruar nga agresioni rus në Ukrainë dhe pasojat
që do të ketë për gjeopolitikën rajonale, me
sloganin e “botës serbe”, po i rikthehet platformës së “Naçertanjes” për krijimin e Serbisë së
Madhe, me fokus tek Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, po ku nuk përjashtohen
as Mali i Zi dhe Maqedonia.
Bazuar
në konkluzionet e aprovuara në Kuvendin e djeshëm gjithëserb, nga 47 pika,
njëmbëdhjetë prej tyre, me nyansa
politike dhe kulturore, i referohen
Bosnjes dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Përndryshim nga Bosnja dhe Hercegovina,
që formalisht akceptohet në përputhje me marrëveshjet e Dejtonit, por si
entitet i pavarur në pikëpamje intitucionale dhe kulturore gjithnjë i
ndërlidhur me Serbinë, Kosova shihet si pjesë e pandashme e Serbisë. Në pikën
11 thuhet : “Kuvendi gjithëserb
konstaton se Kosova dhe Metohija është pjesë e pandashme e Republikës së
Serbisë, pjesë qendrore e identietit nacional serb, themel shpirtëror serb në
frymën e Shën Savës. Kuvendi gjithëserb insiston përdorimin e emërtimit të
krahinës jugores serbe : Kosova dhe Metohia, të cilën secesionistët shqiptarë e
anashkalojnë”.
Edhe
në tri pikat tjera në vijim, “pronësia shpirtërore, etnike dhe shtetërore” e
Serbisë në Kosovë, mbështetet mbi
“tapitë historike” dhe veçmas ato kishtare, ku theksohet se Kisha
ortodokse ka autoqefali nga mesjeta. Me këtë rast, thuhet se objektet e kultit në Kosovë (manastiret)
janë pasuri kulturore identitate e shtetit serb që duhet të mbrohen me të
gjitha mjetetet.
Mbajtja
e këtij kuvendi si dhe porositë që vinë prej andej, tregojnë qartë se Serbia është në rrugë të pandalshme
të institucionalizimit të hegjemonizmi
klerikofashist serb edhe në rrethanat kur faktori ndërkombëtar po përpiqet
që realitetet e reja shtetërore në
hapësirat e ish Jugosllavisë t’i shfrytëzojë që ato të bëhen pjesë e
integrimeve europiane dhe atyre veriatlantike.
Mesazhet
nga Beogradi, veçmas ato që kanë të bëjnë me atë që theksohet “identitet kulturor dhe shpirtëror serb”,
duhet të merren seriozisht, kur kihet parasysh se me dokumentet e Ahtisarit,
kishës ortodokse serbe i janë dhënë tapitë e krishterimit ortodoks, me çka
hegjemonizmi klerikofashist serb do të ketë vazhdimisht “alibi” për ndërhyrje
në emër të mbrojtjes së “tapive historike”!