Mendime
Andon Dede: “Main Kampf-i” në Shqip
E diele, 10.03.2024, 08:51 PM
“Main
Kampf-i” në Shqip
-
Para, gjatë dhe pas leximit të librit
Nga
Andon Dede, Nju York
Po
e nis këtë koment me një rrëfim të shkurtër personal.
Për
këtë libër, edhe unë, si gjithë brezi im, kishim dëgjuar qysh të vegjël, në
bangot e shkollës, kur bënim historinë botërore. Të jem i sinqertë me lexuesit,
mua më qe ngjallur një kureshtje e madhe për ta lexuar këtë libër, duke u nisur
nga autori dhe gjëmat që i shkaktoi ai njerëzimit. Por, në kushtet e sistemit
që lamë pas, kur qenë të ndaluara jo më libra të këtij kalibri, por edhe shumë
më të pa “rrezikëshme”, as që bëhej fjalë për ta poseduar e lexuar atë .
Me
ardhjen këtu, në Amerikë, m’u ringjall edhe njëherë kjo dëshirë e vjetër për ta
lexuar, për më tepër që tashmë i kisha edhe mundësitë që ta kënaqja edhe këtë
kuriozitet. Dhe ja, një ditë prej ditësh, e gjej në bibliotekë dhe ia nisa
leximit. Për hir të së vërtetës, duhet ta pranoj se nuk qe aq i lehtë në të
përtypur, por dhe unë nuk dorëzohesha. Por, një përkitje e bukur, ma lehtësoi
ndërmarrjen që kisha nisur. Marr vesh se libri i famshëm sapo qe botuar edhe në
shqip, madje nga dy shtëpi botuese njëherësh. I porosita dhe m’i dërguan të dy
vëllimet. Kjo, jo vetëm ma lehtësoi leximin por dhe më ndihmoi që ta asimiloj
sa më mirë përmbajtjen e tij.
Ndërkohë,
përmes medias, shoh se në Shqipëri kishte nisur një polemikë e madhe nëse duhej
botuar apo jo ky libër. E them këtë se që edhe në Gjermani, si në shumë shtete
të tjera, më të emancipuara e me një demokraci shumë më të konsoliduar se ne,
botimi i tij ishte ndaluar. Botuesit përpiqeshin ta përligjnin veprimin e tyre,
nisur nga koncepti se tashmë, jemi në demokraci e të lirë të botojmë e të
lexojmë gjithçka, pa asnjë dallim, ndryshe, thoshin ata, po përdorëm filtra e
pengesa, as më pak e as më shumë do të ktheheshim atje ku ishim, në një censurë
të re, pra, më kot do të pretendonim se ishim plotësisht të lirë.
Sado
e habitëshme apo dhe e pabesueshme, pse jo dhe kontradiktore të duket, unë, pa
e lexuar librin, në parim, isha kundër botimit të tij. Pse e them këtë dhe a
mos tingëllon kjo si hipokrizi apo dyfytyrësi me që, nga një anë pohova më lart
se isha shumë kurioz ta lexoja dhe, nga ana tjetër, isha kundër botimit të tij
në Shqipëri?! Në këto vlerësime, edhe pse ka diçka të vërtetë, them se gjithçka
mund të përligjet, siç do të përgjigjem ta shtjelloj më poshtë. Ky ishte dhe
qëllimi i këtj shkrimi. Për këtë, le të bëj një kapërcim në kohë, duke shtruar
një pyetje tjetër: a e kam këtë mendim edhe pasi lexova librin? Po e them me
plot gojën se i përmbahem po atij qëndrimi: mendimi im ishte dhe mbetet se ai
nuk duhej botuar në Shqipëri(!).
Dikush,
me të drejtë, do të kërcejë përpjetë e do të më thotë: “More, s’po të marrim
vesh ty: nga një anë thua se ishe kurreshtar ta lexoje dhe, sa t’u dha rasti,
fillove ta lexosh dhe, nga ana tjetër, thua se nuk duhej botuar në shqip?” Mos
u mërzit, lexues i dashur, se do ta sqaroj dhe këtë problem.
Ideja
për të shkruar këto rreshta më lindi që gjatë leximit të librit. Gjithënjë e më
shumë më godiste si çekan në tru mendimi se si qe e mundur që Bota ta lejonte
kasaphanën e Luftës së dytë Botërore, kur Hitleri, përmes këtij libri, veç
fjalimeve të shumta, para e pas marrjes së pushtetit, e kishte shpalosur hapur
platformën e tij për pastërtinë e racës ariane, pse jo edhe për të sunduar
botën?! Si ka mundësi, thoshja me vete, që u lejua ai t’i shkojë aventurës së
tij të çmëndur deri në fund, pa ndeshur paraprakisht ndonjë pengesë, qoftë
brenda në Gjermani, ashtu dhe në Europë e mbarë Botën?!
(
Këtë pyetje, kohët e fundit, unë ia kam bërë vetes edhe për krijimin e Shtetit
Islamik, ISIS: ç’bëjnë tërë ato shërbime inteligjente, jo vetëm këtu në SHBA
por në tërë botën: nuk kemi të bëjmë thjesht me një akt terrorist apo me një
grup njerëzish por me një shtet të tërë, që u krijua për ditën me diell në mes
Sirisë e Irakut?! Por, kjo është një temë tjetër që del jashtë caqeve të këtij
shkrimi).
Mirëpo,
edhe pse nisa shënimet qysh gjatë leximit, po nguroja ta hidhja në letër e ta
botoja, nga mëdyshja që kisha dhe vetë për gjithë sa thashë më lart. Këto ditë
mora vesh se qe ribotuar edhe në Gjermani, pas 75 vjetësh që ishte ndaluar.
Edhe aty ka ngjallur shumë diskutime e polemika të shumta. Mendimet e shprehura
nga analistë e historianë, janë nga më të ndryshmet e shpesh kundërshtojnë
njeri tjetrin. Jo vetëm kaq, por i njëjti person, si fjala vjen Magnus
Brechtken, nga një institut studimesh, edhe e pranon se shumë njerëz do të
ndihen në siklet që ky libër që ka pasur një rol tepër dramatik në histori, po
vihet përsëri në dispozicion të publikut dhe, nga ana tjetër, shprehet se kjo
është e dobishme për të njohur të kaluarën dhe për të parandaluar që ngjarje të atilla traumatike të mos
ndodhin më. Por ajo që më dha shtysën përfundimtare për t’u ulur e shkruar këto
rreshta, qe historiani i Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë, i cili i tha po në
“Uashington Post”-it se: ‘ky libër është shumë i rrezikshëm nëse bie në duart e
publikut të gjerë”. Tek këto fjalë të tij gjeta dhe unë përgjigjen apo
përligjien e asaj që pohova në fillim të shkrimit e që besoj se më lehtëson
“mëkatin” që bëra që nisa ta lexoj, edhe pse isha kundër botimit të tij. Duhet
të bëjmë dallimin midis katëgorive të lexuesve: tjetër është ta lexojë një
specialist i shkencave shoqërore, një historian apo dhe një analist apo gazetar
dhe, tjetër është ta botosh e ta hedhësh në treg për masën e gjerë të lexuesve,
kur ke parasysh jo vetëm moshën por mbi të gjitha dhe formimin e tyre. Besoj se
për të gjithë është e qartë dhe e pranueshme, nisur edhe nga përvojat tona
vetjake, se ndikimi i leximeve është në raport të drejtpërdrejtë me formimin
tonë. Kur kemi qënë të vegjël ne lexonim e pranonim mbase gjithçka, gjë që nuk
ndodhte më vonë kur na u hapën sytë e nisëm të mbajmë qëndrim kritik ndaj çdo
leximi.
27 shkurt 2015
=========
Post Scriptum:
Këto
shënime i hodha në letër menjëherë mbas leximit të dy vëllimeve të “Main
Kamp”-it, pra, më shumë se dhjetë vjet më parë. Nuk do të më vinte keq sikur të
mos i prekja fare. Nuk e di: urim apo mallkim, profesioni im as që mund të
mendohet pa skedat, gazetat dhe mali i librave, dosjeve, blloqeve e burimeve të
tjera të Informacionit. Por sot, ka ndryshuar me themel çdo gjë: në vend të
rrëmujës që më ka shoqëruar tërë jetën, kemi lumej, dete e oqeane, ku çdo gjë, përmes një butoni, arrin absolutisht çdo
informacioni të mundshëm, mjafton të dish të “lundërosh”. Ndaj dhe unë, nuk
ngurrova ta botoj. Ka ndryshuar Bota, Teknollogjia por, në radhë të parë, kemi
ndryshuar ne vetë, na pëlqen apo nuk ka pëlqen kjo!
Lexova
me shumë vëmendje e respekt pedagogen
e Universitetit, Pranvera Skana, madje jua rekomandoj që ta lexojnë
dhe të tjerët. Megjithëse në një moshë jo fort për tu pasur zili, përulem për mendimet që keni shprehur ato pak
rreshta-koncetrat. Po citoj vetëm paragrafin e parë:
“Studentët e sotëm meritojnë një metodologji të re të orës mësimore. -
theksoni ju, me të drejtë. - Ata janë gjeneratë tjetër dhe ne na duhet të
shkojmë sipas ligjësive të tyre e jo ata të përshtaten në format klasike të
mësimdhënies. Për këtë arsye nuk mund të pretendojmë që ata të na ndjekin në
leksion. Duhen forma interaktive. Për të na ndjekur dhe për ta na kuptuar”.
Nuk më mbetet gjë tjerër, veç ju falenderoj!
Nju York, 9 mars 2024