E shtune, 27.04.2024, 11:12 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Pesë paradokse, apo si t'i kuptosh?

E premte, 01.03.2024, 08:59 PM


PESË PARADOKSE, APO SI T’I KUPTOSH?

(Në vend të fejtonit)

NGA NDUE DEDAJ

Si fillim iu drejtuam Fjalorit të Shqipes, pasi nuk dimë një fjalë fikse për paradoks. Sipas tij paradoksi është një mendim që bie në kundërshtim me atë që dihet a që është pranuar përgjithësisht si e vërtetë, ide pak e çuditshme që duket se nuk përputhet me arsyen e shëndoshë... Ne do t’i lejonim vetes të shtonim krahas fjalës mendim dhe fjalën veprim.

Njëherë “burra shteti”, pastaj “non-grata”!...

Zoti Blinken tha në Tiranë, gjatë vizitës së tij me 14 shkurt, se shqiptarët kishin fatin të udhëhiqeshin nga një lider i shquar, në mos i jashtëzakonshëm, duke e pasur fjalën për Kryeministrin tonë, i cili është në vitin e 11- të në pushtet, ndërkohë që në SHBA udhëheqësit, sado të shquar të jenë, mund të qendrojnë në Shtëpinë e Bardhe vetëm 8 vjet dhe asnjë ditë më shumë, përfshi dhe vetë zotërinë e tij si Sekretar i Shtetit.

Nuk di njeriu si t’i marrë, seriozisht apo jo, deklarata të tilla të miqve ndërkombëtarë që udhëheqësit tanë njëherë i quajnë “burra shteti”, pastaj i shpallin non-grata!...

Dikur, ndërkombëtarët, udhëheqësit e Kosovës i brohorisnin si heronj të Luftës dhe nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, kurse kohë më pas i nisnin me pranga në duar për në Hagë!?

Qeveria: poston viedo arritjesh, por jo edhe dështimesh!...

Qeveritarët tanë postojnë përditë video panoramike rrugësh të reja, shkollash të rikonstruktuara, kompleksesh turistike bregdetare, parqesh arkeologjike të vizitueshme, duke na uruar “Mirëmëngjes” dhe unë shpesh atyre iu bëj like, edhe pse më shëmbëllejnë pikë për pikë me propagandën e djeshme. Është e drejtë e gjithkujt të paraqesë punët e veta të kryera, por jo në formën e reklamës paraelektorale. Vetëm nëse qeveria do të postojë dhe video nga... 100 fshatrat e dështuar të Shqipërisë dhe projekte të tjera të parealizuara, atëherë do t’i kishim mirëkuptuar dhe ato vodeot ku shpaloset vetëm e mira. Personalisht i kam dhënë pëlqim postimit të Kryeministrit për rrugën e Lurës para një viti a më shumë, por tash ajo rrugë ka një tjetër “video”, atë të ngecjes në vend!?...

Vendimet e Gjykatave nuk diskutohen, gjykatësit nuk kalojnë vettingun!...

Thuhet vazhdimisht për konsum publik se vendimet e Gjykatave nuk diskutohen, pasi vendimet jepen në emër të ligjit, ndërkohë që vetë Gjykata - gjykatësit, jo vetëm kontestohen herë pas here nga ata që kanë çështje, duke kërkuar gjykatës tjetër, por shpesh nuk kalojnë as vettingun për shkak të korrupsionit, ndonjëri duke përfunduar dhe vetë para drejtësisë. Çfarë mund të thuhet për drejtësinë e vendimeve, dhënë nga gjykatës të tillë? Apo, gjykatësi vetë mund të mos jetë i drejtë, kurse vendimi i dhënë prej tij nuk ka shans të mos jetë i tillë!?...

Pavarësisht drejtësisë së ligjit, thoni po të doni dhe shenjtërisë së tij, shprehja “vendimet e gjykatës nuk diskutohen, por vetëm zbatohen”, nuk mund të mos na kujtojë një si anekdotë nga e kaluara, ku i njëjti përson që kishte sharë Titon, kur ishim në kulmin e miqësisë me të, vazhdonte të vuante dënimin dhe kur ai u shpall revisionist… sepse “shenjtëria” e ligjit, pra. Vijmë në kohën tonë me një ngasje hipotetike. Ç’do të ndodhte me trafikantët e drogës, nëse miratohet ligji për legalizimin e saj?... Do të jenë kriminelë si sot, apo heronj?...

Deputetët: jo amnistisë penale, po pagave të veta!...

Amnistia penale nuk po miratohet, pasi nuk po bëhen dot 84 vota në Kuvend. Kuptohet, për shkak të mosmarrveshjeve të vazhdueshme për ligjet mes pozitës dhe opozitës. Veçse në këtë rast, a nuk mohohet një e drejtë e ligjshme e të dënuarve, që nuk ka kuptim të shpërfillet, dhe për faktin se amnistitë janë aq të rralla. Por dhe se do të lehtësoheshin nga barra familjarët e tyre, që nuk janë të dënuar!?...

Nuk mund të bësh politike opozitare aty ku nuk ka vend për politikë. Për mendimin tonë një vendim i tillë e tejkalon mazhorancën, pavarësisht kinse argumenteve që jepen. Ata që përfitojnë pak muaj nga dënimi nuk kanë tesëra të asnjë partie, për sa kohë janë aty!...

Ah, deputetët historikisht kanë qenë krejtësisht dakord vetëm për një gjë, rritjen e rrogave dhe të privilegjeve të veta. Edhe nëse në sallë do të ishin duke u hedhur shashka, për pagat e tyre të majme do të ngriheshin 140 kartonat njëherësh, me të dyja duart, paçka ngjyrave partiake, sipas motos: një për të gjithë e të gjithë për një...

Më 28 apo 29 shkurt, iku “gjermani i fundit”?

Janë shkruar më dhjetëra faqe nëse gjërmani i fundit nga Shkodra u largua me 28 apo më 29 nëntor 1944, a thua se kjo është data e parë dhe e fundit e historisë së Shqipërisë. Problemi do të kishte qenë i zgjidhur nëse muaj Nëntori i atij viti do të kishte qenë muaj Shkurt, pasi zor se do të qëllonte data 29, thjeshtë se ajo bie njëherë në katër vjet. Ama dhe e kundërta, nëse do të kishte qenë 29-a data e ikjes së gjermanit të fundit, prapë do të ishte mbajtur mend, për këtë shkak!...

Krijohen ndonjëherë asociacione mendore të çuditshme. Ja, nga kjo 28 apo 29, kalohet te një “dilemë” tjetër shumë më madhështore se kjo e gjermanit, do të thosha epokale, shqipja jonë mahnitëse është ilire apo pellazge?...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora