| E premte, 01.03.2024, 08:59 PM |
PESË PARADOKSE, APO SI T’I KUPTOSH?
(Në
vend të fejtonit)
NGA
NDUE DEDAJ
Si
fillim iu drejtuam Fjalorit të Shqipes, pasi nuk dimë një fjalë fikse për
paradoks. Sipas tij paradoksi është një mendim që bie në kundërshtim me atë që
dihet a që është pranuar përgjithësisht si e vërtetë, ide pak e çuditshme që
duket se nuk përputhet me arsyen e shëndoshë... Ne do t’i lejonim vetes të
shtonim krahas fjalës mendim dhe fjalën veprim.
Njëherë “burra shteti”,
pastaj “non-grata”!...
Zoti
Blinken tha në Tiranë, gjatë vizitës së tij me 14 shkurt, se shqiptarët kishin
fatin të udhëhiqeshin nga një lider i shquar, në mos i jashtëzakonshëm, duke e
pasur fjalën për Kryeministrin tonë, i cili është në vitin e 11- të në pushtet,
ndërkohë që në SHBA udhëheqësit, sado të shquar të jenë, mund të qendrojnë në
Shtëpinë e Bardhe vetëm 8 vjet dhe asnjë ditë më shumë, përfshi dhe vetë
zotërinë e tij si Sekretar i Shtetit.
Nuk
di njeriu si t’i marrë, seriozisht apo jo, deklarata të tilla të miqve
ndërkombëtarë që udhëheqësit tanë njëherë i quajnë “burra shteti”, pastaj i
shpallin non-grata!...
Dikur,
ndërkombëtarët, udhëheqësit e Kosovës i brohorisnin si heronj të Luftës dhe
nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, kurse kohë më pas i nisnin me pranga në
duar për në Hagë!?
Qeveria: poston viedo
arritjesh, por jo edhe dështimesh!...
Qeveritarët
tanë postojnë përditë video panoramike rrugësh të reja, shkollash të
rikonstruktuara, kompleksesh turistike bregdetare, parqesh arkeologjike të
vizitueshme, duke na uruar “Mirëmëngjes” dhe unë shpesh atyre iu bëj like, edhe
pse më shëmbëllejnë pikë për pikë me propagandën e djeshme. Është e drejtë e
gjithkujt të paraqesë punët e veta të kryera, por jo në formën e reklamës
paraelektorale. Vetëm nëse qeveria do të postojë dhe video nga... 100 fshatrat
e dështuar të Shqipërisë dhe projekte të tjera të parealizuara, atëherë do t’i
kishim mirëkuptuar dhe ato vodeot ku shpaloset vetëm e mira. Personalisht i kam
dhënë pëlqim postimit të Kryeministrit për rrugën e Lurës para një viti a më
shumë, por tash ajo rrugë ka një tjetër “video”, atë të ngecjes në vend!?...
Vendimet e Gjykatave nuk
diskutohen, gjykatësit nuk kalojnë vettingun!...
Thuhet
vazhdimisht për konsum publik se vendimet e Gjykatave nuk diskutohen, pasi
vendimet jepen në emër të ligjit, ndërkohë që vetë Gjykata - gjykatësit, jo
vetëm kontestohen herë pas here nga ata që kanë çështje, duke kërkuar gjykatës
tjetër, por shpesh nuk kalojnë as vettingun për shkak të korrupsionit, ndonjëri
duke përfunduar dhe vetë para drejtësisë. Çfarë mund të thuhet për drejtësinë e
vendimeve, dhënë nga gjykatës të tillë? Apo, gjykatësi vetë mund të mos jetë i
drejtë, kurse vendimi i dhënë prej tij nuk ka shans të mos jetë i tillë!?...
Pavarësisht
drejtësisë së ligjit, thoni po të doni dhe shenjtërisë së tij, shprehja
“vendimet e gjykatës nuk diskutohen, por vetëm zbatohen”, nuk mund të mos na
kujtojë një si anekdotë nga e kaluara, ku i njëjti përson që kishte sharë
Titon, kur ishim në kulmin e miqësisë me të, vazhdonte të vuante dënimin dhe
kur ai u shpall revisionist… sepse “shenjtëria” e ligjit, pra. Vijmë në kohën
tonë me një ngasje hipotetike. Ç’do të ndodhte me trafikantët e drogës, nëse
miratohet ligji për legalizimin e saj?... Do të jenë kriminelë si sot, apo
heronj?...
Deputetët: jo amnistisë
penale, po pagave të veta!...
Amnistia
penale nuk po miratohet, pasi nuk po bëhen dot 84 vota në Kuvend. Kuptohet, për
shkak të mosmarrveshjeve të vazhdueshme për ligjet mes pozitës dhe opozitës.
Veçse në këtë rast, a nuk mohohet një e drejtë e ligjshme e të dënuarve, që nuk
ka kuptim të shpërfillet, dhe për faktin se amnistitë janë aq të rralla. Por
dhe se do të lehtësoheshin nga barra familjarët e tyre, që nuk janë të
dënuar!?...
Nuk
mund të bësh politike opozitare aty ku nuk ka vend për politikë. Për mendimin
tonë një vendim i tillë e tejkalon mazhorancën, pavarësisht kinse argumenteve
që jepen. Ata që përfitojnë pak muaj nga dënimi nuk kanë tesëra të asnjë
partie, për sa kohë janë aty!...
Ah,
deputetët historikisht kanë qenë krejtësisht dakord vetëm për një gjë, rritjen
e rrogave dhe të privilegjeve të veta. Edhe nëse në sallë do të ishin duke u
hedhur shashka, për pagat e tyre të majme do të ngriheshin 140 kartonat
njëherësh, me të dyja duart, paçka ngjyrave partiake, sipas motos: një për të
gjithë e të gjithë për një...
Më 28 apo 29 shkurt, iku
“gjermani i fundit”?
Janë
shkruar më dhjetëra faqe nëse gjërmani i fundit nga Shkodra u largua me 28 apo
më 29 nëntor 1944, a thua se kjo është data e parë dhe e fundit e historisë së
Shqipërisë. Problemi do të kishte qenë i zgjidhur nëse muaj Nëntori i atij viti
do të kishte qenë muaj Shkurt, pasi zor se do të qëllonte data 29, thjeshtë se
ajo bie njëherë në katër vjet. Ama dhe e kundërta, nëse do të kishte qenë 29-a
data e ikjes së gjermanit të fundit, prapë do të ishte mbajtur mend, për këtë
shkak!...
Krijohen
ndonjëherë asociacione mendore të çuditshme. Ja, nga kjo 28 apo 29, kalohet te
një “dilemë” tjetër shumë më madhështore se kjo e gjermanit, do të thosha
epokale, shqipja jonë mahnitëse është ilire apo pellazge?...