Mendime
Enver Bytyçi: Ukraina zgjoi Europën nga gjumi i rehatisë për të parë rrezikun rus!
E hene, 26.02.2024, 08:54 PM
Ukraina zgjoi Europën nga gjumi i rehatisë për të parë rrezikun rus!
Nga
Enver Bytyçi
Sot
u bënë dy vite nga dita kur Rusia e Vladimir Putin nisi agresionin ushtarak
kundër Ukrainës. Jo pak thonin asokohe se Moska do ta pushtonte vendin në disa
ditë. Më optimistët përmendnin javët. Madje ky mosbesim ishte i përhapur edhe
në qarqe të larta politike e diplomatike në Perendim, saqë ndonjë prej tyre u
thoshte diplomatëve ukrainas “Çfarë ndihme kërkoni? Ju nuk do të rezistoni më
shumë se tri ditë ose një javë”! Kjo psikozë u ngiz atë kohë për shkak të
mbivlerësimit të potencialit ushtarak rus. Frika ruse ishte shkaku i refuzimit
të ndihmës për Ukrainën. Madje në fillim kishte gojëdhana të një kërcënimi
bërthamor që Putin i kishte bërë presidentit francez, Emmanuel Macron.
Por
Ukraina rezistoi. Pranoi sfidën dhe madje u bë faktori kryesor për të ndryshuar
jo vetëm përceptimet, por edhe angazhimet amerikane dhe europiane në ndihmë të
Kievit. Thyerja e ushtrisë ruse në Kiev dhe disa qytete të tjera të mëdha
krijoi atmosferën e solidaritetit euro-atlantik me Ukrainën dhe presidentin e
saj, Volodymyr Zelensky. Zelensky pati në ditët e para ofertën e largimit nga
Ukraina. SHBA-të i ofruan ndihmë për këtë. Por ai e refuzoi kategorikisht këtë
ofertë. Ndaj u bë ylli i rezistencës ukrainase. Kliçko gjithashtu nga ana e tij
demonstroi shembullin e tij në Kiev. Qëndresa e liderëve i bindi qytetarët e
vendit që të luftojnë, madje me optimizëm.
Sot,
pas dy vitesh, lufta vazhdon. Në fundin e shkurtit 2022 askush nuk e kishte
menduar se kjo luftë do të zgjaste kaq gjatë. Megjithatë ja ku jemi. Ushtria
ruse ka pësuar dëme të mëdha dhe është stacionuar në një rajon të ngushtë në
lindje. Sulmon me dronë e raketa ndonjëherë Odesën dhe Dnjeprin, sepse dëshiron
që në rastin e bisedimeve për paqe të ketë sa me shumë territore të pushtuara.
Por presidenti Zelensky është ende optimist. Ai paralajmëroi në dy vjetorin e
sulmeve ushtarake ruse se do ta fitojë luftën dhe se Rusia do të mundet në
fushën e betejës.
Në
fakt Rusia nuk ka plotësuar asnjë nga kërkesat e saj të para dy viteve. Nuk ka
mundur ta “denazifikojë” Ukrainën, duke e zevendësuar qeverinë e Zelensky-t me
një qeveri tjetër proruse. Nuk ka mundur ta ndalojë integrimin e Ukrainës në
strukturat euro-atlantike. Përkundrazi ky integrim është përshpejtuar. Nuk ka
mundur pra ta neutralizojë këtë vend nga pikëpamja gjeopolitike. Kremlini
gjithashtu nuk mundi as të përçajë faktorin auroatlantik e sidomos atë
europian. Agresioni ushtarak i Moskës kundër Kievit ndikoi që Europa e Amerika
të homogjenizohen më shumë.
Vladimir
Putin nuk mundi njëkohësisht të tërheqë ushtarakisht as Republikën Popullore të
Kinës në krah të vetin kundër Perendimit.
Por
Vladimir Putin pati një përparësi në luftën e tij për sulmin ushtarak kundër
Ukrainës. Kjo përparësi ishte toleranca e Europës për ngjarjet e vitit 2004 në
revlucionin portokalli ukrainas, të ngjarjeve 2008 me pushtimin e Abkhazisë dhe
Osetisë së Jugut dhe 2014 me aneksimin e Krimesë. Ish-ministri i Jashtëm gjerman,
Steinmeier, dhe presidenti francez, Sarkozy, e toleruan Rusinë në aventurat e
kohës dhe madje njohën de facto pushtimin e Krimesë. Nëse nuk do të tolerohej
Putin në tri rastet e mëparshme, zor se ai do të guxonte të niste një sulm të
tillë më 24 shkurt 2022.
Ndërkohë
që në vitin 2004 Putin ishte aleati kryesor i Gerhard Schroeder dhe Zhak Shirak
kundër presidentit amerikan, George W. Bush, në sulmet amerikano-britanike
kundër Irakut.
U
desh që lufta të kërcënojë seriozisht Europën, që ajo më pas të bashkohet
kundër rrezikut rus. Megjithatë forcat politike të financuara nga Rusia janë
ende të forta në Europë, veçanërisht ekstremi i djathtë, por edhe ai i majtë.
Zgjedhjet e majit për Parlamentin Europian do të dëshmojnë se sa Bashkimi
Europian do të jetë kompakt e homogjen për të përballuar rrezikun e shtuar rus
në kontinent. Ndërsa liderë autokratë si Orban, Aleksandër Vuçiq dhe homologu i
tyre në Shqipëri drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë janë ndihmës të
agresionit të Vladimir Putin në Ukrainë.
Pas
tri ditësh në Tiranë do të organiyohet një samit Ballkani Perendimor-Ukrainë me
pjesmarrjen e Volodymyr Zelensky-t.
Sigurisht
që ky samit do të shitet si mbështetje për Ukrainën dhe nuk ka si të ndodhë
ndryshe. Por metodat putiniste të qeverisjes në thelb e ndihëmojnë presidentin
e Rusisë në aventurën e tij anti-Perendimore, anti BE dhe anti-NATO. Ndërkohë
që pjesë e këtij samiti do të jetë gjithashtu Serbia, e cila është e vetmja në
konntinentit europian krahas Bjellorusisë që nuk ka pranuar të vendosë
sanksione kundër Kremlinit.