Kulturë
Fitim Çaushi: Një lektorium për Ministren Margariti
E hene, 29.05.2023, 06:55 PM
Një lektorium për Ministren Margariti
Nga
Fitim Çaushi
Po
kalojnë mbi dy muaj, që Shoqata “Labëria” Nderi i Kombit, i ka dërguar
Ministres së Kulturës Elva Margariti, Rezolutën e Simpoziumit “Polifonia
shqiptare, vlerë e krijimtarisë shpirtërore të popullit shqiptar” dhe ende nuk
ka marrë përgjigje, ndonse problemi është fare i qartë: Vasil Tole, depoziton
individualisht në UNESCO dosjen për “isopolifoninë” shqiptare, motivuar me
prejardhje nga sirenat, mbështetur teorikisht edhe prej studimit “Odisea dhe
sirenat grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit”. (Vasil. S. Tole,
Enciklopedia e isopolifonisë, UEGEN 2007, f. 129)
Në
esencë shqetësimi i Shoqatës “Labëria” dhe shumë intelektualëve, muzikantëve,
studiuesve është: “deformimi i emërtesës së Polifonisë shqiptare në
“isopolifoni” me prejardhje nga sirenat, të cilat Vasil Tole i vendos në Epirin
e Jugut me etnitet grek dhe shtrirje deri në Shkumbin”. Për Ministrinë e
Kulturës, duhet të sjellë shqetësimin, se; kultura polifonike e popullit
shqiptar, është e prejardhur prej kulturës së lashtë greke, e cila ka lulëzuar
në trojet e Epirit, ku sot banojnë shqiptarët!
Këtë
e dëshmon edhe libri i Vasil Toles, në UNESCO: “Festat
për nder të Dionisit shënonin fillimin e sezionit të shfaqeve teatrore në
Athinë. Pjesëmarrësit në to, dashje pa dashje shndroheshin në bartësit e
parë të trashëgimisë folklorike që po lindte në një truall shumë të begat
etnografik, siç ishte në fakt Greqia e lashtë”.(Vasil S. Tole, Odisea
dhe sirenat... f 59) Vasil Tole e ka futur
librin e sirenave në dosjen e UNESCO-s, për të dëshmuar, se bartësit e parë
të trashëgimisë folklorike në truallin Ballkanik, kanë qenë grekët e lashtë
të Athinës, jo ilirët e lashtë! Tole për studimin e trashëgimisë shpirtërore të
popullit shqiptar, hulumton jo në territorin shqiptar, por në Greqinë
politike, në Epir! Çduan festat dionisjake në Epir, ndërkohë që në epokën
antike s’ka patur grek? Atje kanë banuar Thesprotët!
Pasi u ekspozua keq nga simpoziumi i Shoqatës “Labëria”, Tole, tek
emisioni i Mustafa Nanos, mashtroi opinionin shoqëror, se gjoja në UNESCO
kishte futur “polifoninë me iso”, jo “isopolifoni”, por nga “përkthimi
anglisht”, fjala “iso” ka dalë përpara emrit”! Kjo manovër e prezanton Vasil
Tolen si karakter të degraduar, sepse në librat shqip: “Odisea dhe sirenat...”,
“Enciklopedia e isopolifonisë” dhe “Pse qajnë kuajt e Akilit”, në mënyrë
konstatante ka stampuar qindra herë termin “isopolifoni” dhe jo “polifoni me
iso”, çka provon, se në UNESCO, nuk ka influencuar anglishtja për emërtesën
“isopolifoni”.
Jemi të detyruar t’u sjellim specialistëve të Ministrisë së
Kulturës dhe Akademisë së Shkencave, disa spekulime të Vasil Toles: ”Në
lidhje me këtë veçori tingullore të sirenave, na vjen mirë të pohojmë,
se ka një përqasje me mendimet më të përhapura mbi veçoritë e zërave këngëtorë të
iso-polifonisë së shqiptarëve“ (Odisea dhe sirenat...f. 15) Për Vasil
Tolen, ekzistojnë dy “isopolifoni” të ndryshme; “isopolifonia” e sirenve në
Greqi dhe “isopolifonia” shqiptare, të cilat kanë përqasje mes tyre,
pavarësisht se ndodhen në vende të ndryshme; sirenat në Epirin e jugut dhe
shqiptarët në Epirin e veriut. Kjo dinakëri e Vasil Toles e kushtëzon polifoninë
shqiptare në djepin e sirenave greke: “Lidhja e udhëtimit të Uliksti...se ai
do të ballafaqohej me sirenat, është tjetër dëshmi e lidhjes që kanë Sirenat
dhe kënga e tyre, me prejardhjen dhe shtratin e vërtetë të dukurisë së
jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë”.( Odiseu dhe sirenat ...f.14)
Sipas Vasil Toles, dukuria e “isopolifonisë”, e ka shtratin e
vërtetë te kënga e sirenave! Për ta vulosur “shpikjen” anormale, akademiku Tole
e njeson këtë gjenezë edhe me polifoninë labe: ”Zëri i Sirenave ishte i
veçantë për shkak të teksturës vajtimore iso-polifonike të tyre, veçori të
cilën ende sot e gjejmë tek iso-polifonia labe, në ish trojet e Epirit
të dikurshëm antik. Mjaft tipike është borobitja labe (mbartëse e
isopolifonisë së fshehur) si dhe i kënduari i njohur si dy dhe tre vetçja
isopolifonike e Dukatit.”(Odisea dhe Sirenat... f.24-25) Vetëm Vasil Tole
mund të dëgjojë te polifonia e sotme labe, ende zërin e sirenave
greke! Këtë pseudoargument të librit, Vasil Tole e ka futur edhe në
videofilm dërguar UNESCO-s: “Ne besojmë se zëri i Sirenave ishte
karakteristik, jo vetëm për shkak të bukurisë së tyre në vetvete, por çka ishte
më e rëndësishme, për shkak të tekstit iso-polifonik vajtues, një veçori që e
gjejmë akoma në Iso-polifoninë Labe të sotme në territoret e ish Epirit të
lashtë”. (videofilmi në linkun: “archives/multimedia/document-610”) shih titrat në minutazhin 1.41- 1.53 të videofilmit).
Vasil Tole përpiqet të imponojë tezën, se polifonia labe e ka
prejardhjen e largët nga sirenat greke! Si e dëgjoi Vasil Tole zërin e
sirenave, tek kënga polifonike Labe, ndërkohë që sirenat si qenie ireale nuk
kanë kënduar kurrë? Edhe për strukturën e polifonisë katërzërëshe të Shqipërisë
së Jugut, Tole i referohet sirenave: “Nga vëzhgimi etimologjik i emrave të
Sirenave, rezulton se Ligea është mbartëse e të qarit me dënesë, (me
ligje, siç e themi ne e që lidhet aq ngushtë me vajtimin), Thelxipea është
magjiplotë, Aglaopea e veçantë dhe Peisinoe e bindur. Mbështetur
në një përqasje të këtyre veçorive etimologjike, duket se gjejmë në tiparet e
tyre, tashmë si këngëtare, edhe një rreshtim strukturor të ngjajshëm me
strukturën e vendosjes së zërave në iso-polifoninë popullore shqiptare. Më
konkretisht të zërit të parë Marrësit si magjiplotë, II, Kthyesit si të veçantë
dhe të zërit të III, Isos, e cila s’është gjë tjetër veçse zëri i së
bindurës Peisione.”(Odiseu dhe sirenat...f. 37)
Më të qartë se kaq Ministria e Kulturës dhe Akadamia e Shkencave,
nuk do ta gjenin spekulimin e Vasil Toles për prejardhjen e “isopolifonisë”
shqiptare prej sirenave mitologjike greke, madje mund edhe ta shikojnë në faqen
zyrtare të UNESCO-s: Formulari “UNESCO ENTRY FORM” (videofilmi në linkun: “archives/multimedia/document-610”) është pikërisht “Dosja për Regjistrim në UNESCO” që kanë
paraqitur, në vitin 2005, me nënshkrimin Vasil Tole.
Në librin, futur në UNESCO, Tole e ka theksuar prejardhjen e
sirenave si qenie mitologjike greke: “Në mitologjinë e lashtë greke
sirenat paraqiteshin gjysmë gra, gjësmë zogj.” (Vasil S.
Tole, Odiseja dhe sirenat... f. 10) Këtë konstatim, e kanë legjitimuar dhjetra
botime në Greqi, veçanërisht Fjalori i Mitologjisë Greke. Përderisa sirenat
janë qënie mitologjike greke, përse të konsiderohet e prerjardhur prej saj
“isopolifonia” shqiptare! Në “Dosjen për Regjistrim në UNESCO”, shkruhet:
Etnomuzikologjia ka vërejtur ekzistencën e Sirenave në mitologjinë e
stërgjyshërve tanë”. (Shih titrat në minutazhin 1.12-1.19 të videofilmit).
Nuk e kuptojmë, se si Ministria e Kulturës pranon ekzistencën e sirenave në
mitologjinë e stërgjyshërve të tyre? Ndoshta Vasil Tole rrjedh nga stërgjyshër
grekë, po nuk ndodh që të parët e Mnistrisë së Kulturës të kenë qenë grekë? Si
mundet të vazhdojë Ministria e Kulturës Shqiptare, të miratojë prejardhjen e
polifonisë shqiptare prej sirenave greke? Pavarësisht se çfarë soji janë
punonjësit e Ministrisë së Kulturës, këngën polifonike e kanë krijuar
stërgjyshërit e shqiptarëve jo të grekërve!
Vasil Tole, duke futur në UNESCO sirenat e Epirit, si djepi i
polifonisë shqiptare, operon me terma antike dhe jo politike. Në linkun “archives/multimedia/document-610”, domethënë në Formularin “Dosja për Regjistrim në
UNESCO”, shkruhet: “Muzika iso-polifonike është përhapur në një territor
gjeografik ku përfshihet shumica e Shqipërisë Jugore. Dy zona të mëdha
gjeografike dallohen në këtë territor gjeografik: Toskëria dhe Labëria. Gjysma
jugore e këtij vendi ka qenë quajtur Epir dhe ajo veriore është quajtur
Iliria (Shih titrat në minutazhin 0.22-0.31 të videofilmit).
Me
këtë ndarje, Tole e shkëput Shqipërinë e Jugut si Greqi, ndërsa Shqipërinë e
Veriut e legjitimon si Iliri! E gjithë bota e qytetëruar komunikon zyrtarish me
gjeografinë politike: Shteti i Turqisë, Shteti i Qipros, Shteti i Greqisë,
Shteti i Shqipërisë, Shteti i Italisë, Shteti i Bullgarisë etj, ndërsa Vasil
Tole shpie në UNESCO shtetin e Epirit (!) i cili nuk ekziston asgjëkundi!
UNESCO, si institucion i OKB, nuk i njeh komunikimet antike dhe etnike,
respekton institucionet shtetërore politike. Duke depozituar në dosjen e
UNESKO-s Epirin, të cilin Tole e konsideron grek, me “isopolifoninë” e
sirenave, depoziton në UNESCO kulturën e popullit grek:
“Me të drejtë thuhet se arti i Greqisë së lashtë kaloi nga idea e kaosit tek
ideja e botës harmonike ... Iliada dhe Odisea përbëjnë burimin e parë historik,
monumentin e parë të shkruar, i cili përshkruan aktet e trimërisë së
parahelenëve në këtë epokë”. (Odisea dhe sirenat....f. 65-66)
Me këtë deklarim, Tole dëshmon se poemat epike Iliada dhe Odisea
na përbëkan burimin e parë historik për aktet e trimërisë së parahelenëve!
Ndonse pretendon se ka futur në UNESGO polifoninë shqiptare, Vasil Tole mohon
kategorikisht ekzistencën e parailirëve tek Iliada dhe Odisea, në të cilat ka
ngjarje, beteja dhe heronj me origjinë Dardane dhe Epiriote. Dr Hahn, gati 200
vjet përpara, ka shkruar: “Ne kemi arritur në përfundimin se maqedonasit dhe
ilirët, të cilët ishin farefis midis tyre, formojnë një degë të madhe të
mëvehtësishme të trungut ilir...si popuj më të vjetër se grekët në Ballkan”.
(Hahn Georg von ”Albanessche Studien. Jena”, f.224)
Madje ish sekretari i Akademisë së Shkencave të Francës,
shkrimtari i madh Moris Drynon, ka deklaruar: “Shqiptarët i përkasin
popujve më të vjetër se vet historia dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë
në Luftën e Trojës të udhëhequr nga Akili në njërën anë dhe Hektori në anën
tjetër”( Horoskop, nr 4, 1999) Sigurisht ne nuk mund të jemi kategorik në këto
argumente, sepse ka edhe teza të kundërta, ky privilegj i takon historianëve
dhe gjuhëtarëve, por të deklarosh se poemat epike të Homerit janë me origjinë
parahelene del qartësisht, se edhe të katër elementët e librit: Odiseja,
sirenat, isopolifonia dhe Epiri, janë etnitete greke, për rrjedhojë edhe
“isopolifonia” shqiptare që “buron” nga sirenat e “Odisesë”, na qenkërka greke!
Vasil Tole “studion” polifoninë shqiptare në antikitet dhe shkruan
vetëm për artin grek: “Me të drejtë Homeri konsiderohet si përfaqësuesi më i
spikatur i artit Apolonian, si pasqyrë e epokës dhe e njerëzve që e kanë
kristalizuar panteonin e famshëm Olimpik”. (Odisesa dhe sirenat....f.
65-66) Të tilla vlerësime për artin grek në botën Homerike të poemave Iliada
dhe Odisea. janë me shumicë në dosjen për polifoninë shqiptare në UNESCO! Këtë produkt të popullit shqiptar, Vasil Tole e ka precizuar: “kulturë
polifonike te grekët e Epirit”.
Akademiku Demiraj e hedh poshtë këtë tezë: “Emri Epir me burim nga
greqishta Eperios, është përdorur kryesisht nga grekët për të emërtuar vise në
veriperëndim të trevave të mirëfillta greke...viset e të ashtuquajturit Epir,
nga pozicioni i tyre gjeografik, duhet të kenë banuar qysh herët. Ndër të tjera
atje duhet të ketë banuar edhe një popullsi më e lashtë, që zakonisht njihet me
emrin pellazg. Banorët e kësaj zone, në lashtësi konsideroheshin nga grekët
“barbarë”, flisnin një gjuhë ndryshe nga greqishtja. Mendimi i disa dijetarëve,
sidomos grekë, që ata flisnin një dialekt të greqishtes nuk del i mbështetur.
Përndryshe do të duhej pranuar që stëgjyshërit e banorëve shqipfolës të kësaj
zone, kanë zëvëndësuar një popullsi të mëparëshme greqishtfolëse, çka nuk
mbështetet as historikisht dhe as nga rrethanat e njohura. Mund të pohohet, se
gjuha amtare në të ashtuquajturin Epir gjatë shekujve, duke përshirë edhe
periudhën e lashtësisë, nuk ka qenë e ndryshme nga ajo e stërgjyshërve a
shqiptarëve në përgjithësi.” (Sh. Demiraj, ”Epiri, Pellazgët...” f. 93-94)
Vasil Tole, për t’i dhënë Epirit përkatësi greke, me inisiativën
private, apo urdhëra padronësh, i ka pasaportizuar sirenat në Epir: “Ne i
përmbahemi idesë, se vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve
të sotme shqiptare...” (V. S.Tole, Odisea dhe Sirenat...
f. 41) Sikundër
shihet, Tole i vendos sirenat pranë brigjeve të sotme të Shqipërisë politike,
jo pranë brigjeve të Shqipërisë antike, ku fltet për sirenat. Në brigjet e
Shqipërisë së sotme, Vasil Tole ka vendosur edhe kufirin greko-shqiptar: “Ende sot pika e
kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, mbart togfjalëshin kuptimplotë “Qafa e
Botës”, ku shtrihet Shqipëria e Jugut.”(
Pse qajnë kuajt e Akilit, f. 54)
Ndryshe ka pretenduar Tole: “Studimi “Odiseja dhe Sirenat...”
niset nga shqetësimi i kahershëm për të zbuluar prejardhjen e tejlashtë të
iso-polifonisë shqiptare... ekzistencën e iso-polifonisë qysh në kohrat e
qytetërimeve antike.”(Vasil. S. Tole, Odisea dhe Sirenat, f.
7)
Ndonse pranon hershmërinë antike të studimit “isopolifonik”, Tole i vendos sirenat në kufirin shtetëror me Shqipërinë
politike, por kufiri antik shqiptaro-grek, nuk shtrihet në “Qafë Botë”,
shtrihet në Gjirin e Ambrakisë, Prevezë, sikurse e ka theksuar edhe akademiku
Shaban Demiraj. (Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët, Tiranë 2008, f.52)
Atje duhet t’i kishte vendosur Vasil Tole sirenat, jo pranë Qafë Botës në
Konispol.
Për ta prezantuar territorin matanë “Qafë Botës” si Greqi, Vasil Tole përdor si mbështetje krahinën e Sulit: “...ky
territor i nëntokës, ku gjenden sipas Homerit kori i sirenave vajtore...
mbitoka e tij e ruan ende sot, një ndër të vetmet tradita shumëzërëshe më
origjinale të trashëgimisë shpirtërore botërore: vajtimin iso-polifonik dhe
iso-polifoninë në tërësi”. (V.S. Tole, Pse qajnë kuajt e Akilit...f. 53)
Shihet qartë tentativa diversioniste e Vasil Toles
për ta konsideruar krahinën e Sulit dhe tërë Çamërinë si territor grek, e
bashkë me këtë tërë Epirin deri në Shkumbin, ku Vasil Tole ka shtrirë hartën e
“isopolifonisë”. Përderisa sirenat kanë pasaportën greke, përse Vasil Tole i
pashaportizon ato si banore të Sulit dhe Çamërisë, të cilat etnikisht i
përkasin arbërit? Shqyrtimi i çështjeve jashtë-etnomuzikologjike,
sidomos kur shprehen mendime me karakter historik mbi Epirin dhe Çamërinë, mbi
kufijtë jugorë të Shqipërisë, duhet të ishte objekt i veprimtarisë
kërkimoro-shkencore të studiuesve të profesionit. Në rastin konkret, si objekt
kryesor i etnomuzikologjisë, është kultura muzikore e banorëve të lashtë ilirë
dhe ska pse Tole të vihet në rolin e historianit, etnologut, gjeografit.
Martin Liku, 220 përpra, do të shkruante: “Suliotët janë një
farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të popullsisë shqiptare”. Edhe
Pukëvili ka shkruar për këtë realitet: “Republika e Sulit rreth vitit 1660
përbëhej nga katër fshatra: Suli ose Kakosuli, Qafa, Avariko, Samoniva, fshatra
këto me regjime të veçanta që ndiqnin traditat e lashta të shqiptarëve. Gjatë
40 vjetëve popullsia u shtua në shtatë fshatra të rinj...Tukididi thotë se
epiriotët e mësuan gjuhën greke nga ambrasiotët që ishin fqinjë të tyre, provë
kjo që dikur këta jetonin në Epir...” (F. Pouqueville, Voyage de la Grece,
Paris, 1826, v. 3, f. 82)
Dr.
Zeno Jahaj në gazetën Panorama, nga faqia zyrtare e UNESCOS, ekspozon këtë
dokument: “Polifonia greke “Carevan” ruhet vetëm në zonën e Epirit në
Greqinë Veriperëndimore, e regjistruar në UNESCO në Listën përfaqësuese të
Trashëgimisë Kulturore jomateriale të njerëzimit”. (Panorama 17 maj 2023)
Sikundër shihet, polifonia greke e Epirit ka hyrë në UNESCO para polifonisë
shqiptare; prandaj Vasil Toles nuk i mbetej veçse ta
prezantonte polifoninë shqiptare si derivat të polifonisë greke, me origjinë
prej saj! Për polifoninë epiriote, të regjistruar në UNESCO si Kryevepër
e Njerëzimit, studiuesi grek Nikos Dionisopulos më 6
tetor 1989, kumtoi në simpoziumin ballkanik të polifonisë organizuar në Tiranë:
“Kushdo që studion këngën tradicionale greke, menjëherë e vërteton praninë e dy
sistemeve të ndryshme muzikore. Të parin e hasim në Greqinë Kontinentale, në
Steria, Epirius dhe Thesali...Për mendimin tim kjo është një polifoni
primitive dhe rudimentale, një rast unik në një shumëllojshmëri të madhe
melodish në këtë rajon. Në fund do të formulonim dy pyetje: A është rastësore
që këto dy raste të polifonisë rudimentare në Karpathos, të lidhen me
praninë e gajdes dhe ceremonisë së dasmës, dhe a janë këto, fenomene
polifonike, apo janë dy raste pa implikime të mëtejshme si përjashtime më
interesante të rregullës së monofonisë në muzikën lindore? (Kultura Popullore,
nr 1, 1990, f. 94-96)
Një polifoni dyzërëshe rudimentare, primitive në kufi me
Shqipërinë politike, ka hyrë në UNESCO, ndërsa polifonia shqiptare, e
pangjajshme me një tjetër për nga pasuria melodike, strukturat dhe fakturat
katërzërëshe, futetn në UNESCO nga Vasil Tole si “isopolifoni” me prejardhje
nga sirenat greke! Ku e mori këtë guxim Vasil Tole, që e tjetërsoi krijimtarinë
shpirtërore të popullit shqiptar, duke ia përcjellë një populli tjetër? Tole
nuk ka sjellë qoftë
edhe një sirenë për demostrim folklorik, apo e ka çuar në Ministrinë e Kulturës
për festivalin folklorik? Ose Sirena të vijë në Ministrinë e Kulturës dhe
Akademinë e Shkencave, ose ndryshimi në UNESCO, rrugë tjetër nuk ka. Vetëm
kështu zgjidhet problemi. Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë, se trashëgima e
tyre shpirtërore është e prejardhur prej sirenave greke dhe një populli tjetër.
Këtu do të mbyllej diskutimi dhe thesi i thashethemeve të Vasil Toles dhe
mercenatëve të tij.
Qysh në vitin 2004, etnomuzikologu Sokol Shupo, ka shkruar: “Të dy
“tezat” e mësipërme të Z. Tole, fshehin poshtë tyre një të tretë – tezën që termi
iso Shqipëri vjen e përdoret i filtruar përmes kulturës dhe gjuhës greke”.
(Panorama, 4-5 maj 2023)
Përkundër Vasil Toles, që e prezanton Uliksin si etnitet grek,
Prof. Çabej sqaron: “Në artikullin e tij “Gjendja e sotme e studimeve ilire”,
Karl Keren, shënon se prehistoriani gjerman Carl Schuchardt shikon te Odiseu
“Ilirinë e vërtetë”, sepse ky mbretëron mbi ishuj që janë të sferës ilire dhe
dallohet “me urtësinë dhe e me gjakun e ftohët të tij” prej heronjve të tjerë
të Iliadës: Gjithçka te Odiseu është detari, gjithçka lot në Mesdheun
perëndimor, gjithçka është mënyrë jetese dhe legjendë ilire”.(Eqrem Çabej,
Studime gjuhësore, Rilindja 1975, f. 100)
Me siguri Ministria e Kulturës nuk duhet ta dijë konfuzitetin e
Vasil Toles në UNESCO: “Iso-Polifonia shqiptare rrjedh nga muzika kishtare
bizantine”, linku- “albanian-folk-iso-polyphony-00155” Studiuesi italian Lorenco Tardo, ka pohuar traditën e
lashtë tek arbëreshët: “Meloditë liturgjike në kompleksin e tyre të
përgjithshëm i përkasin mbarimit të shek XIV dhe fillimit të shek XV, sepse
shqiptarët morën me vete... një traditë provinciale dhe arkaike, një traditë,
që duke qenë ruajtur në 400-tën dhe 500–ën, rrjedh nga koha e bazilejve e
ndofta nga një kohë edhe më e lashtë”( Lorenco Tardo, “L’antica melurgia
bizantina” Grotta-ferrata, 1938 f. 111) Duke e çuar djepin e polifonisë në
kohën e bazilejve shek IV-V të erës sonë, e ndofta edhe në një kohë më të
lashtë, studiuesi italian i etnomuzikologjisë, e ka përjashtuar ngjajshmërinë
me isonin e korit kishtar bizantin, spse isoni bizantin ka lindur disa shekuj
pas këngës shqiptare. Përse duhet ta fuste
Vasil Tole këtë element kompromentues për polifoninë shqiptare në UNESKO? A nuk
kanë të drejtën studiues, muzikantë dhe qytetarë të thjeshtë t’i kontenstojnë
këto veprime diversioniste të Vasil Toles?
Prof. Ramadan Sokoli qysh në Konferencën parë të Studimeve
Albanologjike në nëntor 1962, e ka saktësuar: “Meqënëse në muzikologji
mbizotëron mendimi se grekët dhe romakët e lashtë nuk këndonin këngë
polifonike, është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës ballkanike
është me prejardhje të lashtë, e mbijetuar deri në kohën tonë, apo kemi të
bëjmë me diçka të ardhur! Disa hulumtues e kanë kundruar polifoninë
popullore të kësaj siujdhese, si rrjedhojë e ndikimit të liturgjisë
bizantine, por ky hamendësim as është vërtetuar as është miratuar, madje është
pohuar e kundërta: huazimet e liturgjisë kishtare nga traditat popullore...Polifonia
popullore shqiptare, e cila shtjellohet në shkallë të gjymta pentatonike,
nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me literarurën bizantine, e cila
shtjellohet në shkallë modale heptatonike. Vetë tiparet origjinale të
polifonisë sonë dëshmojnë se është trashëgimi e një tradite të lashtë
që ka lindur këtu në vend.”(Konferenca e parë Albanologjike, Tiranë 1965,
f. 334)
Profesor Sokoli e ka sqaruar përfundimisht problemin për
prejardhjen e këngës polifonike nga muzika bizantine, pa qenë nevoja që Tole ta
shtrinte këtë problem deri në UNESCO. Kush ia kërkoi këtë ngjajshmëri të isos
shqiptare me isonin bizantin, Vasil Toles? Prof. Beniamin Kruta ka theksuar:
“Një fakt i rendësishëm që e bën kompleks problemin e gjenezës së burdonit dhe
në të njëjtën kohë i vë një pikëpyetje ekzistencës së tij herët në këngën
bizantine, është kënga polifonike e kishës ortodokse të arbëreshve të Italisë,
e cila me gjithë lashtësinë e saj, nuk e njeh ison. Melurgjia liturgjike
bizantine deri në shek. e XIV, kohë në të cilën nisin emigrimet arbëresheve për
në Itali, ne truallin jugor të Shqipërisë zhvillohet pa iso-n”. (B. Kruta
“Kultura Popullore”, 1991, nr. 1) Vasil Tole e kishte këtë pasuri shkencore nga
profesorët e tij, sepse Beniam Kruta ka dhënë lëndën e etnomuzikologjisë në
Institutin e Lartë të Arteve.
Etnomuzokologu Spiro Shituni, ka shkruar: “Vasil Tole u shfaq si mohues i
tërë veprimtarisë kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike të kryer nga studiuesit
etnomuzikologë shqiptarë të mëparshëm, të vdekur ose të gjallë” Polifonia shqiptare është pasuri shpirtërore e tërë
popullit shqipar dhe si e tillë ka fituar anonimatin. Askush nuk mund ta
përvehtësojë dhe ta falsifikojë atë. Askush nuk e ka caktuar Vasil Tolen për ta
falsifikuar dhe përvehtësuar këtë pasuri të shenjtë, sikur ta kishte pronë
private, pavarësisht, se ai diti ta fshihte diversionin e tij kundër kulturës
popullore shqiptare me bujën marramendëse të “Kryeveprës botërore”! Populli
shqiptar donte ta gëzonte kulturën e tij, si kryevepër botërore, në vlerën e
saj origjinale, si produkt i popullit shqiptar, jo si produkt i sirenave greke.
Të
ushqyer me urrejtje ndaj Shoqatës “Labëria”, ndonjë mercenar
i Vasil Toles, pyet: “Cili studiues shqiptar ka propoganduar, se
polifonia shqiptare e ka origjinë në Labëri”? Këtë duhet t’i jipte përgjigje
sektori i muzikës në Ministrinë e Kulturës, por kemi rastin t’i kujtojmë
babain e etnomuzikologjisë shqiptare prof. Ramadan Sokolin: “Polifonia jonë
popullore në djepin e saj dhe në shtresimet e saj më të hershme, mund të duket
si më e zhvilluar se në rrezatimet anësore. Nga kjo pikëpamje mund të mendohet
se qendra e rrezatimeve të polifonisë sonë popullore është Labëria, aty ku kemi
fakturat katërzërëshe, të cilat vijnë duke u pakësuar sa më shumë largohemi së
andejmi”. (“Amza Letrare, 20 mars 2004, f.14)
Megalomani
Tole ka patur kurajon ta poshtëronte kulturën popullore të zones veriore:
“Iso-polifonia jonë popullore duhet konsideruar ashtu siç është: një fenomen
elitar i të menduarit muzikor shqiptar e më gjerë ” Vaso Tole – Folklori muzikor -Polifonia shqiptare 1, Shtëpia
botuese e librit universitar Tiranë 1999 f.16) Të pranosh se muzika tradicionale
shumë-zërëshe e Shqipërisë së Jugut është elitare në krahasim me muzikën
tradicionale një-zërëshe të Shqipërisë së Veriut, s’është veçse një qëndrim i
njëanshëm estetik, një interpretim i gabuar i tipareve të tyre melodiko-modalë,
një paragjykim apo qëllim i fshehur. As një dialekt muzikor nuk është superior
ndaj një dialekti tjetër muzikor. Dialektet themelorë të muzikës tradicionale
shqiptare, geg, tosk, lab, sikurse edhe grupimet muzikorë strukturoro-formalë
bazë të saj, estetikisht, mbeten të barabartë.
Si mund të vazhdojë të pranojë Ministria e Kulturës, poshtërimin që Vasil Tole
i ka bërë trashëgmisë shpirtërore të popullit shqiptar, si produkt kulturor i
popullit grek?! Më i çmuar për Ministrinë e Kulturës dhe Akademinë e
Shkencave, na qenka një spekulator që poshtëron popullin shqiptar dhe
krijimtarinë e tij shpirtërore, se sa populli shqiptar dhe intelektualët e tij
muzikantë, kompozitorë dhe studiues?