Mendime
Fadil Sahiti: KM-së sonë s'ka pse t'i vijë turp
E enjte, 24.11.2022, 08:16 PM
KM-SË SONË S’KA PSE T'I VIJË TURP
Nga
Fadil Sahiti
Jo
rrallë herë më kanë thënë miq e të tjerë se shkarravinat e mia kritike për
politikën dhe politikanët janë të mbushura me inat, me smirë, me atë smirën e
shqiptarit që sheh zi dhe terr aty ku nuk është vetë. Nuk i fajësoj, ngase edhe
vet besoj se inati është atributi themelor i etosit shqiptar. Sa herë shkoj në
Turqi, miqtë e mi turq më thonë hapur: “arnavut inadi öldürdü” - shqiptari edhe
të vret nga inati.
Megjithatë,
motivi i shkarravitjeve të mia kritike kundër këtyre që ne i quajmë të mëdhenj,
nuk buron nga dëshira ime për t'i nënçmuar ata/ato. Më tepër buron nga bindja
ime se, nëse duam që ky shtet i krijuar me shumë sakrificë të mbijetojë dhe të
zhvillohet, duhet të heqim dorë nga zakoni i adhurimit në përmasa tribale për
politikanët. Edhe burrat e mëdhenj mund të bëjnë gabime të mëdha; dhe siç e
dimë nga historia, disa nga udhëheqësit më të mëdhenj të së kaluarës kanë bërë
gabime të mëdha duke menduar se po bëjnë mirë.
Në
këto kohë të vështira, kur pëcaktohet fati ynë si shtet dhe si komb, përgjegjësia
nuk është vetëm e KM-së dhe e qeverisë, por e të gjithë neve. Ngurrimi ynë për
të kritikuar vendimet dhe veprimet e këqija të politikanëve tanë mund të
ndihmojë vetëm në shkatërrimin e të gjithëve.
KM
dhe qeveria e Kosovës nuk kanë pse të turpërohen kur përmirësojnë atë që kanë
bërë gabim, edhe nëse gabimi përmirësohet brenda afatit kohor prej 48 orësh.
Gjëja më e rëndësishme është të shmangim vendimet autoritare, të cilat mund të
dëmtojnë seriozisht të ardhmen tonë.
Besoj
se situata nuk është aq e ndërlikuar sa e bëjnë komentuesit politik që i shohim
çdo natë në televizionet tona. Pa pasur ndërmend t'i jap leksione KM-së dhe
qeverisë se çfarë duhet bërë, qeveria duhet ta krijoj asociacionin, s'duhet të
ketë frikë nga kjo krijesë me shumicë serbe. Kjo tashmë duket të jetë një e “e
keqe e domosdoshme”. Është shumë fat që në marrëveshjet paraprake, në një nga
pikat kryesore për këtë çështje thuhet shprehimisht se përmbajtja e statutit të
kësaj krijese duhet të miratohet nga gjykata kushtetuese. Me sa kam informacion,
nuk pretendoj të jem super i informuar, këtë kërkojnë edhe amerikanët dhe
BE-ja.
Kosova
duhet të dialogojë për këtë me amerikanët dhe BE-në. Prandaj, në këtë kontekst
të situatës politike në botë, duket jo e mençur të kërkohet nga Serbia që të mos
e pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Me luftën në Ukrainë, kjo organizatë
ndërkombëtare duket krejtësisht jofunksionale. Kosova duhet të kërkojë dy gjëra
nga miqtë e saj perëndimorë: anëtarësimin në NATO dhe hapjen e perspektivës për
anëtarësim në BE – kjo nënkupton pranim nga 5 shtetet e BE-së.
Nëse
bëhen këto dy gjëra, atëherë, përmes kësaj, Kosova do të adresojë në mënyrë të
fuqishme dy aspekte themelore të ekzistencës së saj, atë të sigurisë (NATO) dhe
atë të zhvillimit ekonomik (BE).
https://www.facebook.com/profile.php?id=828092747