Kulturë
Feti Tunuzliu: Mësuesi
E shtune, 10.09.2022, 06:30 PM
MËSUESI
Nga
Feti Tunuzliu
Sapo
hyra brenda të blej ndonjë roman i përshëndeta të pranishmit me: “Mirëdita”,
n’dyqan, mirëseardhje më uroi menjëherë shitësi dhe i moshuari që aty rastisi.
Strukur
në karrigë me kapel në kokë, mbështetur për bastuni me dy duar fortë, pos nga
fytyra - tashmë e rudhur dhe trupi i lodhët, e njoha menjëherë mësuesin Istref
dhe nga zëri i ngrohtë.
Ndërsa
heshturazi më vështronte me kureshtje, m’doli para syve figura e tij nga
shkolla fillore, ku veç mbledhje, zbritje, shumëzim e pjestim, na mësonte me
zell edhe ushtrime fizike, kulturë e edukim.
Për
habinë time, mësuesi më njohu nga mbiemri vrik, ndërsa një karrigë ma ofroi
pronari simpatik: “Uluni, bashkëbisedoni - ish-mësuesi dhe nxënësi”, ai tha dhe
vazhdoi: “e unë do dëgjoj me kënaqësi të gjitha”.
Mësuesi
rikujtoi me mallëngjim ngritjen arsimore të tij, historikun e mësuesisë me
shkollarë të rinj, mësim-edukimin e brezave ndër vite e dekada, n’shkolla katër
e tetëvjeçare, nëpër qytete e fshatra.
Ulur
ballëpërballë njëri-tjetrit pas pesëdhjetë viteve, shumë pyetje mi bëri mësuesi
im referuar kujtimeve, me përgjigjet e dhëna jetën time e shpalosa, por s’e dij
me çfarë note nga ai u “vlerësova” !?
Përtej
dy orëve të këtij bashkëbisedimi për mësuesin e dashur doli një obligim imi:
t’ia siguroj foton me mësimdhënës në shkollë, që armiku ia kishte djegur gjatë
luftës n’Kosovë.
Ky
takim i rastësishëm me mësuesin e dashur, ndonëse rodhi vetëtimthi - por qe i
mirëseardhur, pasi qafë për qafe u përshëndetëm – tani dy pensionerë, mësuesi
ngeli në dyqan - unë dola me librin e blerë.
Posa
u gjenda në rrugë fare, i pushtuar thellësisht nga ndjenjat emocionale, m’u
kujtua fjala e urtë që s’harrohet: “Mali me mal s’takohet, njeriu me njeriun
takohet” !