Editorial
Ndue Dedaj: Pse u goditën intelektualët kosovarë, arratisur në Shqipëri
E enjte, 28.07.2022, 08:00 PM
PSE U GODITËN INTELEKTUALËT KOSOVARË, ARRATISUR NË SHQIPËRI
NGA
NDUE DEDAJ
1
Është
e habitshme sesi regjimi komunist asnjëherë nuk i kuptoi kosovarët që kaluan
kufirin për të gjetur lirinë në “Shqipninë nanë”, por herët a vonë i shpalli
njërin pas tjetrit armiq, kinse të dërguar të regjimit titist etj. Ata që nuk i
dënoi, i mbajti nën vëzhgim deri në fund. Nuk u kursye për asnjë, edhe kur
harxhoi lekë për shkollimin e tyre në universitete. Tek e fundit nuk ka pyetje
pa përgjigje. Ata erdhën si atdhetarë, duke shpresuar se do t’i shpëtonin
gjenocidit serb të Tito - Rankoviçit të viteve ’50 të shekullit të kaluar,
përballja me të cilin kishte krijuar një simbol qendrestari të paepur si
shkrimtari Adem Demaçi e deri te filozofi Ukshin Hoti në kohë të vona. Nuk
është se ikën nga Kosova, por nga Jugosllavia, që nuk ishte shteti i tyre. Kërkuan
parajsën amësore këtu, por gjetën ferrin, baltën dhe zgjyrën e diktaturës.
Atdhetarizmi i tyre i kulluar pak nga pak hasi në internacionalizmin tonë
proletar, ata duhej ta donin kombin në një tjetër “mënyrë”, duke dashur Partinë
e Punës dhe Komandantin, fitoret e socializmit etj. Por ata komunizmin e kishin
pasur atje, këtu kishin ardhur duke rrezikuar jetën në kufi për shqiptarinë dhe
jo për partinë. Këtu nis dhe konflikti që vjen e acarohet përherë e më shumë
ndërmjet shtetit shqiptar dhe kosovarëve të emigruar. Një temë për të cilën nuk
është folur asnjëherë dhe pse kanë kaluar tridhjetë vite që kanë rënë burgjet
politike. Secili nga ata meriton nderim më vete, aq sa ka vlerë dhe portreti i
tyre i përbashkët prej qendrestarësh të racës. Në Tiranë është vendosur një
memorial turk me emrat e viktimave që kundështuan përpjekjen për grusht shteti
në Turqi pak vite më parë, ndërkohë që mungon një memorial kushtuar vëllezërve
tanë kosovarë që u martirizuan. Jepën përditë tituj nga Presidenti i republikës,
por nuk dimë të jetë nderuar ndonjëri prej tyre. Kush më parë se martirët e
meriton titullin Nderi i Kombit? Ata janë harruar. Kujtohen vetëm nga
familjarët, miqtë e shokët, por jo nga institucionet e shtetit. Një pjesë e
mirë e tyre vinin nga letërsia, si shkrimtarët: Agim Gjakova, Kapllan Resuli,
Adem Istrefi, mësuesit e mirënjohur: Myrteza Bajraktari, Shefqet Kaçaniku, Ymer
Llugaliu, Selim Kelmendi, Gani Ratkoceri, Idriz Zeqiraj, Hysen Bukoshi, Ibish
Kelmendi, piktori Sadri Ahmeti, diplomati Esat Myftari, mjekët Jetullah Gashi e
Arben Çeta (vëllai i Anton Çetës), inxhinieri kimist Namik Luci, agronomi Kol
Nikçi etj., procese gjyqësore që u zhvilluan në Tiranë, Durrës, Berat, Fier,
Lezhë, Mirditë etj. Është një listë e gjatë shqiptarësh nga Kosova të dënuar
këtu, shumë më e gjatë se mund të mendohet, edhe pse askush nuk ka marrë
mundimin ta përpilojë atë të plotë. (Historiani Hasan Bello shkruan për 70 të
burgosur kosovarë me akuza të sajuara përgjatë viteve ‘80). Disa venin nga
burgu në burg, kishin lënë burgjet e Titos, me shpresën se këndej ishte “Toka e
Premtuar”, por këtu i priti sërish burgu dhe internimi, edhe pse jo pak prej
tyre qenë lejuar të vazhdonin arsimin e lartë në Universitetin e Tiranës, mbase
me synimin që të përqafonin vijën e Partisë, çka nuk mund ndodhi. Studimet e
larta do t’i dituronin më shumë, por nuk do t’i bënin komunistë. Agim Gjakova,
më i njohuri ndër ta, siç lexojmë në shënimet rreth biografisë së tij, ishte
arratisur në 60-n se kishte qenë një zë i fortë i të drejtave të shqiptarëve të
përsekutuar atje dhe kjo ishte një kartë e fortë për të qenë këtu i mirëpritur,
mirëpo nuk do të vononte edhe në Tiranë të ngjallte pakënaqësi te regjimi me
veprën e tij letrare jokonformiste, çka tregon se shtetet totalitare reagojnë
njësoj ndaj intelektualëve të pavarur.
2
Bash
në kohën kur nacionalistët e rinj idealistë dyndeshin nga Kosova për këndej, në
Tiranë po venitej ylli i një bashkëvëllau të tyre nga Mitrovica, Ramadan
Çitakut, pjesëmarrës në themelimin e PKSH-së (1941), në ngjarjet dhe
formacionet kryesore politike e ushtarake të Luftës, mbas çlirimit 6 muaj
ministër i Financave në vitin 1946 dhe ambasador i Shqipërisë në Beograd deri
në vitin 1948, për të vuajtur më pas harresën e gjatë për shkak të përplasjes
politike me Enver Hoxhën, që tash e quante “njeri të jugosllavëve”. Si miqësia
politike shqiptaro-jugosllave, si armiqësia më vonë me Jugosllavinë, sollën
përsekutim e gjer viktima në radhët e inteligjencës. Kështu në vitin 1945 u
arrestua profesori prizrenas Kol Margjini, diplomuar në Vjenë, mbas tridhjetë e
ca vitesh shërbesë në shkollat e mesme të vendit dhe iu dorëzua autoriteteve
serbe, ku ndërroi jetë në burg mbas pesë vitesh. Nuk i shpëtoi burgut
“dypalësh” as gjuhëtari Selman Riza, sot me shtatoren në Gjakovë. Studiuesi Aleksander
Meksi shkruan se për shkak të veprimtarisë politike thellësisht atdhetare, ai
burgoset në vitin 1945 në Tiranë, vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, ku
kishte ardhur për t’i shpëtuar gjenocidit serb. Shpëtoi atë rast pa u
ekstraduar në Jugosllavi, po kjo nuk u shmang në vitin 1948, ku pasi qëndroi
tre muaj në burgun e Tiranës, komunistët shqiptarë e ekstraduan “si kosovar
antijugosllav” për t’u gjykuar prej jugosllavëve. Riza qëndroi tre vite e
gjysmë në burgjet jugosllave dhe vetëm në dhjetor të vitit 1953 ai mundi të
rikthehet në Shqipëri ku bashkohet me familjen e tij në Tiranë.
Ndër
të parët që ka kaluar kufirin për në Shqipëri, në tetor të vitit 1951, ka qenë
“Mësuesi i Popullit” Gani Ratkoceri (Demiri), lindur në një fshat afër
Prishtinës, dënuar për agjitacion e propagandë më 1978 me dhjetë vite burg,
duke fituar pafajësinë pasi kishte vuajtur gjysmën e dënimit. Kujtimet e tij
nga kalvari politik në Shqipëri ai i ka bërë publike në librat që ka shkruar
dhe në intervista, ku flet për marrëveshje mes UDB-së dhe Sigurimit të Shtetit
për dënimin e kosovarëve etj. Ymer Llugaliu më 1958 kishte lënë Kosovën dhe
kishte kërkuar strehim politik në Shqipëri, ku pas kryerjes së studimeve të
larta në fakultetin Histori-Filologji në Tiranë ishte emëruar mësues letërsie
në gjimnazin e Rrëshenit e më pas trensferuar në Kurbnesh, ku arrestohet për
agjitacion e propagandë më 1976. Shkrimtari Agim Gjakova e përcolli me këto
fjalë ndarjen e tij nga jeta, me 13 qershor në Podujevë: “Ymer Llugaliu ka qenë
një ndër figurat më të pastra dhe më të dinjitetshme në Shqipëri, në liri apo
në burg, që e mbajti lart qenien e tij kosovar”. Shefqet Kaçaniku nga Prizreni,
gjithashtu mësues letërsie, erdhi në Shqipëri për t’i shpëtuar shtypjes së
regjimit jugosllav dhe përfundoi në burgjet politike të Shqipërisë. Në tetorin
e vitit 1975 gjykata e Lezhës e dënon për “agjitacion e propagandë kundër
pushtetit popullor” me dhjetë vite burg. Ishte akuza më e lehtë për t’u
“vërtetuar”, mjaftonin tre dëshmitarë në rrenë dhe fati yt nuk ishte më në
duart tua. Selim Kelmendi, një tjetër emër i spikatur, mësues i letërsisë në
gjimnazin e Fushë-Krujës, më 1983 dënohet nga Gjykata e Lartë me akuzën se
ishte përfshirë në një grup armiqësor që kinse do t’i bënte atentat Hoxhës kur
ai të vinte për të përuruar muzeun historik të Krujës. Pak vite pas dënimit ai
do të shuhej në burgun e Burrelit, në rrethana të paqarta, pa iu dhënë ndihma
spitalore. Ata qenë atdhetarë të kulluar, profesionistë të zot, të papërkulur
para burokracisë dhe si të tillë bënin diferencën me vetë kohën e “përkulur”
para partisë - shtet, që u mori lirinë për të cilën kishte qenë arratisur nga
vendlindja. Pati dhe nga ata që nuk hynë në burg, por mbetën gjithë jetën në
hije e të vëzhguar, si Haki Osdautaj, mësues historie dhe gjeografie në
gjimnazin e “Bajram Currit”, shkruan studiuesi Ismet Balaj. Mbasi kemi shkuar
në shkollat e Kosovës pas vitit 2000 dhe jemi takuar me mësues e nxënës atje, i
kemi kuptuar dhe më mirë martirët kosovarë këtu, pse ata ishin jo vetëm
mësimdhënës të pasionuar, por kryekrejet misionarë të gjuhës shqipe. Atje
mësuesit kishin vuajtur në burgjet e Millosheviçit për “mbrothësinë”
(mbarësinë) e gjuhës shqipe. Nga Kosova nuk arratiseshin vetëm intelektualë, po
dhe plot njerëz të thjeshtë, që dërgoheshin në kampin e emigrantëve në Seman
(Fier), ku u nënshtroheshin “formave të edukimit” bolshevik. Mund të thuhet se
kishin rënë nga shiu në breshër. Por nuk ishin vetëm kosovarët që vinin këndej,
kishte dhe plot që arratiseshin në Kosovë, kryesisht për të shkuar drejt
Perëndimit. Poeti Martin Camaj në vitin 1948, mësuesi shkodran Xhevdet Hoxha,
që la klasën ku jepte mësim në Rrëshen dhe u arratis në Jugosllavi kah mesi i
viteve ’60 etj. Sipas një raporti të CIA-s rreth 10 mijë shqiptarë qenë
arratisur në Jugosllavi pas Luftës II Botërore, ngaqë nuk e donin qeverisjen e
Enver Hoxhës.
3
Kosovarët
me diploma universitare i përpiu një nga një Burreli, Spaçi, Qafë - Bari e të
tjera kampe të burgosurish politikë. Shumë prej tyre mbeten pa familje.
Propaganda partipunase ishte marramendëse, në njërën anë bënte filma për
mësuesit si “komisarë të dritës”, në anën tjetër çonte në burgje ajkën e
inteligjencës së vendit, priftërinj, mësues, shkrimtarë, përkthyes, regjisorë,
piktorë, gazetarë, inxhinierë etj. Ekranet mbusheshin me imazhet heroike të të
parëve, kurse qelitë me vetë padashësit e kundërshtarët e regjimit, larg syve
të publikut, mediave vendase e të huaja. Gjyqet e armiqve të popullit që kishin
ardhur si vëllezër ishin ndër më “shëmbulloret”, siç thuhej në zhargonin e
kohës, që të vinin mend të tjerët. Është për t’u theksuar se të gjithë ata
ishin njerëz të ditur, çka ngjallte zilinë e mediokërve rreth tyre, që bënin të
vetmin “zanat” që dinin, t’i spiunonin. Ata që kanë marrë pjesë në gjyqet e
tyre, ndonëse shpesh me dyer të mbyllura, tregojnë për forcën e argumentuese,
kulturën e të shprehurit të të akuzuarve, duke sfiduar haptaz ata që kishin
përballë; aty në të vërtetë vetëm sa luhej farsa gjyqësore, pasi vendimi ishte
marrë më parë në zyrat e KQ të Partisë.
Mund
të pyetet pse kaq shumë gjyqe e dënime të intelektualëve kosovarë e të tjerë
kaq “vonë”? Për regjimin nuk ishin të rrezikshëm vetëm liberalët në letërsi e
arte, puçistët (e ashtuquajtur) në ushtri dhe kinse sabotatorët në ekononi, por
dhe mësuesit e poetët, qeniet më të brishta të kësaj bote. Për diktaturën ata
ishin po aq komplotistë sa gjeneralët madhorë. Ndaj në vitin 1977 dënohen me
pushkatim Vilson Blloshmi dhe Genc Leka që mësonin fëmijët e Librazhdit dhe
shkruanin poezi si “Saharaja” etj. Më 1979 dënohen me vdekje dy gazetarë të
Radio - Tiranës Fadil Kokomani e Vangjel Lozha, bashkë me Xhelal Koprenckën,
për t’u mbyllur ploja me Havzi Nelën më 1989. Kurse disidentët shqiptarë në
Jugosllavi dërgoheshin në “Spaçin” e tyre me emrin Goli Otok, në brigjet e
thata kroate, mallkuar dhe në poezinë e poetëve kosovarë. Sistemi socialist
ndihej në krizë në krejt Lindjen, prandaj nuk rreshtte së vrari elitat, mjaft
që pushteti të mos binte. E megjithatë, asnjë fjalë, përkujtimore, dokumentar,
monografi, përpos disa shkrimeve, intervistave apo librave të atyre që
mbijetuan. Ndoshta një minutë heshtje në ndonjërën nga mbledhjet e dy qeverive,
të Shqipërisë dhe të Kosovës, do të ishte shenja e parë e një nderimi
ndërqeveritar për emigrantët e salvuar në vendin e vet.
Në
rastin arsimtarëve nga Kosova që vepruan në Shqipëri në kohën e krizës dhe
shthurjes së kampit socialist, roli i tyre do të kuptohej më mirë, po të kihej
parasysh se arsimtaria kishte qenë një traditë mes shqiptarëve në të dy anët e
kufirit, qysh në fillimet e shekullit XX, shpesh duke mos i përfillur kufijtë.
Në Krumë të Hasit, në vitin 1928 u çel internati “Kosova”, ku mësonin fëmijë
nga Gjakova, Prizreni, Kukësi etj. Në Tiranë një shkollë mban emrin “Ahmet
Gashi”, në nderim të profesorit të shquar - gjeografit të mirënjohur Ahmet
Gashi, që kishte dhënë mësim në Prishtinë, “Normalen” e Elbasanit (drejtor i
saj) dhe Tiranë, autori i të parës hartë të Shqipërisë etnike. Është e
mirënjohur nisma e Ernest Koliqit për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, duke
dërguar në Tokat e Lirueme në vitin 1941 mbi 200 arsimtarë. Ishte kohë pushtimi
dhe do të kryqëzoheshin fate komunistësh dhe nacionalistësh shqiptarë. Fadil
Hoxha, lindur në Gjakovë e arsimuar në Elbasan, së bashku me arsimtarë të tjerë
kosovarë kthehet në Kosovë (mësues në Hogosht të Gjilanit), nga ku përfshihet
në organizimin e Luftës antifashiste dhe mbas saj zgjidhet kryetar i Kuvendit
të Kosovës. Kurse mësuesi nacionalist mirditas Zef Vorf Nekaj, që kishte
shërbyer dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, do të bëhej profesor në Amerikë. Në
vitet ’70 profesorë të Tiranës, që nga Eqerem Çabej e Aleks Buda, do të jepnin
mësim në Universitetin e Prishtinës. Por dhe sa e sa tregues të tjerë kulturorë
- arsimorë, që dëshmojnë se shkolla shpesh ia kishte arritur me qenë “bashkë”
dhe kur nuk ishte politika. Mbi të gjitha se ishte e përbashkët gjuha shqipe,
flamuri kombëtar dhe vetë Atdheu.