Mendime
Enver Bytyçi: Heshtje para furtunës!
E hene, 25.07.2022, 07:31 PM
Heshtje para furtunës!
Nga
Enver Bytyçi
Vjosa
Osmani dhe Albin Kurti janë nisur për në Uashington për të nënshkruar një
marrëveshje ekonomike të mijëvjeçarit! Sigurisht që kjo është ngjarje e
rëndësishme për Kosovën. Nga ana tjetër Edi Rama shkarkoi sot zëvendësin e tij
tamahqar në korrupsion, Arben Ahmetajn. Sigurisht që me urdhër të dikujt, një
të madhi në Europë ose me shumë gjasa përtej Adriatikut!
Osmani
dhe Kurti do të përpiqen të kurojnë perceptimin e tyre në raportet me SHBA-të,
të cilat për hir të së vërtetës nuk kanë qenë aq të ngrohta sa i kishte Hashimi
e madje edhe Abdullah Hoti në ditët e mjaltit në bisedimet me Serbinë. Dialogu
duket se është bërë shkak i një lloj ftohtësie. Më saktë këmbëngulja për të mos
pranuar çfarëdo lloj zgjidhje që shkon vetëm e thjesht në dobi të Serbisë. Por,
që po bëhen përpjekje për të imponuar zgjidhje në dëm të Kosovës, kjo gjë është
thënë edhe nga Borrell e Lajçak dhe është kërkuar gjithashtu nga diplomatë
amerikanë.
Një
nga konfliktet prezente është qëndrimi ndaj “Open Balkan”. Nëse amerikanët
kërkojnë kyçjen e Kosovës në këtë iniciativë serbe, atëherë duket qartë se
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të duhet të vihen nën kontrollin e Edi Ramës
dhe Aleksandër Vuçiqit! Ky është qëllimi e më pas shkohet lehtas te marrëveshja
Kosovë-Serbi me ndryshimin e kufijve ose me Zajednicën, për t'ia lënë
shkëmbimin e territoreve një kohe tjetër të afërt. Këtë e mundëson Zajednica.
Pra, ndarjen e Kosovës në një kohë tjetër. Asociacioni i Komunave Serbe nuk ka
asnjë qëllim tjetër. Nuk synon të drejta më të mëdha të këtyre komunave, sepse
ato tashmë kanë çdo të drejtë madje me diskriminim pozitiv për ta, e negativ
për komunat ku banojnë shqiptarët!
Shumica
e kundërshtarëve në pushtet po joshen me vizita e takime informale në SHBA.
Ndërsa, ndonjë prej tyre, si Sali Berisha, po izolohet me qëndrime e vendime
për "non-grata"! Ndërkaq servilët e gatshëm ta shesin atdheun e
territorin e tij, si Edi Rama, vazhdojnë të provokojnë dhe kërcënojnë me
destabilizimin e rajonit, nëse "kokëfortët" nuk dorëzohen e nuk
munden. Kryeministri i Shqipërisë ka premtuar stabilitet me lëshime të çfarëdo
lloji në gjeopolitikën rajonale, nëse ai mbahet në pushtet! Madje ka garantuar
Perëndimin se Serbia do të bëhet pjesë e NATO-s nëse asaj i jepen disa
territore nga Kosova e Bosnjë-Hercegovina.
Nëse
në Uashington e në Bruksel binden për pragmatizmin serb të integrimit në
strukturat Euro-atlantike, ata do të jenë të gatshëm të sakrifikojnë tri
shtetet ballkanike, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën për të kënaqur
orekset e Serbisë së Madhe. Në këtë lojë ndihma ndaj Serbisë e Edi Ramës është
vendimtare. Garancia e Edi Ramës për marrëdhënie të mira me Beogradin me
objektiv dhënien e Trepçës Serbisë, është valiumi që ve në gjumë Perëndimin. Me
këtë rast "armiku" NATO i Serbisë bëhet aleati i saj, edhe pse
qytetarët serbë dhe kisha serbe kurrë nuk do të pajtoheshin me këtë. Nga kjo
skemë Rama dhe Vuçiqi e zgjasin jetën e tyre në pushtet. Kjo është arsyeja pse
ata i shtyjnë zgjidhjet e dialogut me Kosovën.
Por,
zgjatja nuk mund të shkojë pa limit. Vjeshta që vjen do të jetë e nxehtë në
dialogun Kosovë-Serbi. Nuk ka më asnjë alibi për bllokimin e këtij dialogu.
Tani duket se ka pak heshtje! Por, edhe një parapërgatitje ofensive kundër
atyre që nuk pajtohen me zgjidhjen. E natyrisht që me zgjidhjen çfarë
konsideroj se do të vihet në tavolinë nuk pajtohen patriotët shqiptarë. Sepse
ata do të duhet të lëshojnë territore! Ndërkohë kundër tyre do të vazhdojnë të
jenë jo patriotët shqiptarë me Edi Ramën si shef të sektit anti-kombëtar! Lufta
do të precipitojë brenda dy vendeve e shteteve tona, në Shqipëri e në Kosovë.
Kush do ta ketë mbështetjen e publikut, ai do ta fitojë këtë luftë. Është
vullneti i qytetarëve dhe vota e tyre ajo që përcakton vendimmarrjen!
Shanset
janë që anti-kombëtarët ta kenë mbështetjen e disa Fuqive Perëndimore,
përfshirë SHBA-të dhe Britaninë e Madhe. Parashikoj se edhe Franca do të vihet
në krah tyre. Por, publiku do të homogjenizohet përkrah patriotëve. Do të ishte
një mrekulli sikur këta patriotë të dilnin nga radhët e rinisë shqiptare, por
duket se edhe kësaj radhe këtë rol lidershipi do të kenë Sali Berisha, Vjosa
Osmani, Ilir Meta dhe Albin Kurti! Ka shumë mundësi që këtij skalioni t'i
bashkohet edhe Ramush Haradinaj. Por jo edhe Fatmir Limaj! As Ali Ahmeti apo
Abazoviç!
Besoj
fort se mbështetja e fuqishme e qytetarëve shqiptarë kudo në rajon do të bëjë
që në këtë sfidë të fitojnë patriotët, të fitojë Kosova, Shqipëria dhe
shqiptarët në rajon e kudo që ata janë! Furtuna po vjen, edhe pse për pak javë
duket sikur ka heshtje! Kjo furtunë duhet të fshijë nga politika ata që e
dëmtojnë interesin tonë kombëtar!