Mendime
Idriz Zeqiraj: Limaj dyshohet për 6 raste vrastare e korruptive
E merkure, 06.07.2022, 06:54 PM
LIMAJ DYSHOHET PËR 6 RASTE VRASTARE E KORRUPTIVE
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
"Ka pasur vrasje të aktivistëve të LDK-së, nuk ka dilemë. Por
dikush qëllimsht nuk ka dashur t`i hetojë ato raste, në mënyrë që ajo të mbetet
temë qendrore", - e pranon, më në fund, Fatmir Limaj. Deklarimet e Limaj janë të
sakta. Vrasjet politike numerike në Kosovë janë faktike. Dëshmi janë varret,
shumë syrësh me pllaka përkujtimore, buste dhe shtatore, anekënd Kosovës,
mjerisht! Të gjithë janë viktima të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale.
Për të qenë rrëfimi i plotë, Limaj duhet të sjell arsyen, pra,
qëllimet e mirëfillta të vrasjeve politike; autorësinë dhe të dhënat tjera, për
ta ndihmuar drejtësinë. Pamëdyshje, Limaj di shumë, ka informacion të bollshëm
dhe të dorës së parë. Sepse ai ishte menaxher i njërit nga 40 burgjet të
improvizuara, madje, më të përgjakshmit - Kleçka tmerruese!
Kleçka u bë varri i sekretarit organizativ të LPK-së për Kosovën,
Behajdin Hallaçit; komandantit markant Ismet Jashari - Kumanova; Shaban Shalës
dhe të tjerëve. Aty u dajakosën, me rrjedhje gjaku, deri në fund të shpinës,
kryetari i LDK-së për Malishevën, Jakup Kastrati, veprimtari i shquar Cen Desku
dhe shumë të tjerë, që provuan kalvarin e komandantëve banditër e mizorë. Dhe,
në qendër të kësaj ploje, ishte, pikërisht, shefi i burgut të vdekjes, Fatmir
Limaj. Por, ai nuk ishte i vetmi. Vizitat ogurëzeza, ndjella keqe e ndjella
vdekje, të zëvendës-drejtorit të SHIK-ut, Elmi Reçica, me vartësit e tij, nuk
mungonin, qoftë edhe në errësirën e natës.
Fatmir Limaj është levizak i hershëm, me "kruzhokët",
rrethet staliniste e hoxhiste. Për këtë ka folur bashkëmendimtari i tij,
Hajredin Kuqi, i cili garon me Limaj në panegjerizmin përlavdërues të shefave
të tyre, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e kompani. Madje Limaj e tepëron, deri në
banalizim, me marrëzinë e tij se, "pa Hashim Thaçin e Kadri Veselin, nuk
do të kishim as Kosovë të lirë"!?
Gënjeshtra dezinformuese demantohet, lehtësisht, kur dihe se
asnjëri syrësh nuk ishin pjesë e luftës. Sepse ata ishin banorë rezidentë
të hotel "Rogner" dhe merreshin me listime vrastare dhe komunikata
morbide!
Në deklaratën rishtare të tij, Fatmir Limaj , shquhet për
sinqeritet kur thotë se "qëllimi ka qenë të krijohen ndarje, përçarje,
paragjykime, e për të akuzuar njerëz faj e pafaj".
Në një takim të hapur, në Dukagjin, në vitin 1998, Fatmir
Limaj i shërbente,
pikërisht,
ndarjes dhe përçarjes: "Kush donë të hyjë në Evropë përmes Tirane, lë të vjen
me neve, ndërkaq kush donë të hynë përmes Beogradit, lë të shkojë me
Rugovën"! Më qartë nuk ka se si t´i shërbehet ndarjes dhe
përçaqrjes të popullit, madje, në vlugun e luftës! Por, dukagjinasit, të
zhgënjyer, e injoruan me mosbebim.
Limaj vazhdon deklaratën e tij, krejt të virgjër, të padëgjuar nga
soji i tij lëpëkeist: "Unë nuk kam asnjë dilemë që ato vrasje
kanë motive anti-shqiptare, anti-shtet dhe për të krijuar përçarje", -
ngulmon, njëmendësisht e bindshëm, Limaj, në vazhdim të deklaratës së tij.
Por, Limaj, me deklarimet e tij, të cilat janë absolutisht të
sakta, veçsa konstaton, se seria e vrasjeve politike numerike, tashmë, ka
ndodhur. Veçse mjaftohet me kaq, duke anashkaluar autorësinë e këtyre vrasjeve,
sepse edhe -krimi ka emër -. Dhe, nuk ka asnjë dyshim se Limaj është njeriu i
duhur për të rrëfyer, për opinionin shqiptar, për shumë nga krimet vrastare,
gjatë dhe pasluftës, në Kosovën tonë, rrast të inkriminuar.
Emri i Fatmir Limaj lakohet, të paktën, në 6 (gjashtë)
raste vrastare e korruptive:
1) Burgu rural i Kleçkës, i cili u bë emër i kobshëm, për
ushtarakët e FARK-ut të Ibrahim Rugovës; kuadro e veprimtarë të LDK-së; si dhe
kuadro të hershëm të LPK-së. Të gjithë luftëtarë dhe veprimtarë, për çlirimin e
Kosovës;
2) Rasti i vasjes të Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, të rrëmbyer
dhunshëm dhe të ekzekutuar si tradhtarë! Komandant Limaj dyshohet se ka
urdhëruar dhe përcjellur kidnapimin dhe ekzekutimin. Personalisht, ai, ka
çarmatosur djalin e Ramiz Hoxhës, ushtar i UÇK-së. Akuza ndaj Limaj për vrasje,
konvertohet në "pakujdesi komandimi"! Kësaj i thonë - vrajë nëpër
Kosovë dhe merr pafajësinë në Gjakovë -! Sikur nuk mjaftoi ky skandal, Limaj
festoi "pafajësinë", me komandantët e sojit të tij, me krisma
kallashi, të cilat u dëgjuan edhe në Familjen Hoxha në Bellanicë dhe të
Binishit në Banjë. Ishte një rivrasje e viktimave dhe lëndim i skajshëm i
familjeve të tyre dhe i shqiptarëve njerëzorë të kudondodhur.
Në vitet `60-a kam qenë mësues në Banjë të Malishevës, kam njohur
Ramiz Hoxhën. Kur Dr. Ibrahim Rugova themeloi partinë e parë plurale, Hoxhajt e
Bellanicës, ishin me Rugovën dhe LDK-në e Tij. Ata ndihmuan Kosovën dhe luftën
nga Mërgata dhe Kosova. Një familje fisnike, e dëshmuar në paqe dhe në luftë.
Andaj, assesi nuk e meritonin gjëmën e skajshme, të shkaktuar nga Limaj, me
bandën e tij.
3) Operacioni "Shigjeta", me kryeshef Fatmir Limaj, u
organizua një muaj para çlirimit. "Komandantët" e Pashtrikut po
grindëshin ke ta zgjidhnin - komandant të parë-! Hafijet e SHISH-it të Klosit,
donin të ishte nga Shqipëria, ndërsa SHIK-u e donte komandantin nga torishta e
tij. Komandantët profanë në artin ushtarak, i futën 148 ushtarë në Lugështajën
e Gorozhubit. Ata u spiunuan qysh para nisjes për në kufi. Forcat serbe kishin
zënë pritën në të dy shpatët e Lugështajës. Me breshëri plumbash i vranë 23
ushtarë të UÇK-së, shumë të tjerë u plagosën, të tjerët i zunë robër.
Tani, dezinformohet, falsifikohet, vrazhdësisht, gjoja se "u
bë një luftë e rreptë" me forcat armike. Ndërkohë që nuk ekzistonte asnjë
mundësi as sulmi dhe as mbrojtjeje. Cinikisht, masakrat po festohen si fitore!
Atëherë, pse prisni të ndëshkohet sodateska serbo-sllave, për krimet në Kosovë,
kur UÇK-ja i paska fituar betejat, duke vrarë shumë armiq pushtues?!
Ekrem Rexha - komandant "Drini", me ushtarët e tij, edhe
pse veproi në zonën e Pashtrikut, ai i mbeti besnik emërtesës FARK, duke mos
njohur si epror Fatmir Limaj. Dhe, hakmarrja ishte fatale, duke u ekzekutuar
para shtëpisë së tij, në Prizren, nga saliveselat e Limajt. Komandant
"Drini" ishte i pakonkurueshëm, për pushtetin lokal të pritshëm. Edhe
me këtë shembull, po ndihmojmë Limaj, që ai të prononcohet për arsyet dhe
autorësinë e vrasjeve me motive, tërësisht, politike.
Hashim presidenti u mburr, tre vjet më parë, për "angazhimin
dhe lavdinë e operacionit "Shigjeta", në Luftën e Kosharës"!
Por, komandanti i kësaj lufte, Kolonel Rrustem Berisha, e demantoi atë, duke
thënë se "për operacionin "Shigjeta" kemi mësuar vetëm pas
çlirimit"! Në largim e sipër nga Kompleksi Memorial i Kosharës, Hashimi i
tha Kolonel Berishës: "Më fute thikën pas shpinës". Koloneli gjegjet:
"Unë thashë vetëm të vërtetën". Gënjeshtrën e përsëritë, madje
dendur, edhe Gjenerali matrapaz, Kudusi Lame.
Është skandaloze, pse nuk u jipet grada "Gjeneral", të
paktën, dy kolonelëve markantë, të shquar në komandën e Luftës të Kosharës:
Rrustem Berishës dhe Anton Qunit?!!
4) Heroi i gjallë Fetah Rudi, ishte kuadër i devotshëm i LDK-së
dhe Presidentit Ibrahim Rugova e vlerësonte si organizator të mirë dhe mik të
sinqertë. Disa komandantë, me Qeverinë e tyre të Përkohëshme, të kompozuar nga
krerët social-komunistë të Tiranës zyrtare, vepronin me skemëm e diktatorit
fashist, Enver Hoxha. Gjatë luftës ai i vriste, pas shpine, kundërshtarët
politikë.
Pas luftës, në të gjitha rrethet, siç quheshin komunat,
përzgjidhte atdhetarët më të zëshëm, i dënonte dhe ekzekutonte, me akuza të
stisura, të shpifura, për të mbjellur frikë, terror dhe nënshtrim në popull.
Për afro gjysmë shekulli, banda byroiste e Hoxhës, ushtroi fashizëm tipik, ndaj
popullit shqiptar. Në atë rrugë po shkonte edhe Qeveria e Përkohëshme e
"komandantëve". Vetëm ndërkombëtarët e stopuan, në një masë.
Me atë që kemi mësuar deri me tani, rezulton se Limaj ka bërë
përzgjedhjen, se kush duhet shënjestruar në Malishevë, për frikë e terror. Dhe,
Fetah Rudi ishte kuadër i LDK-së, bashkëpunëtori i zellshëm dhe miku personal i
Presidentit Rugova. Ndërsa ekipi i SHIK-ut, zyrtarisht, ka bërë atentatin, të
cilit Rudi i mbijetoi, por, i plagosur rëndë, për të mbetur në karrikën
invalidore - përjetësisht.
Për të fshehur gjurmët e krimit, po atë ditë, komandantët,
eksponentë të SHIK-ut, eksponentë të krimit, urdhëruan shtypjen, si minjtë, të
tre atentatorëve në veturën e kuqe! U zhduk edhe kamioni vetëshkarkues, bashkë
me shoferin, që shkaktoi "aksidentin" e porositur! Krejt kjo brenda
ditës, si në filmat horror! Për atentatorët, komandantët kanë bërë edhe një
kompleks memorial dhe kriminelët trajtohen si dëshmorë!
LDK-ja ishte në koalicion për qeverisjen e komunës të Malishevës.
Caktoi për nënkryetar të komunës kuadrin e saj, Fetah Rudin. Ishte ndërhyrja e
Limajt të mos pranohej kjo kandidaturë. Për rrjedhojë, LDK-ja u tërhoq nga bashkëqeverisja.
Veç kësaj, PAN-istët, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, kandidimin për
deputet të heroit Rudi, e konsideruan si provokim. Pra, Limaj, me
PAN-istët e tij, e pranuan, natyrshëm, krimin e bërë ndaj rugovistit Fetah
Rudi.
5) Rasti tragjik i dëshmitarit Agim Zogaj, ka lidhje të
drejtëpërdrejtë me eprorin e tij, Fatmir Limaj, i cili iku kësaj bote, në
rrethana misterioze! Rasti Zogaj do të kujtohet, si rast unik, në drejtësinë
botërore, për heshtjen e turpshme të drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.
Dëshmitë e tij, për krimet e Limajt, me shokë, në burgun e vdekjes, në Kleçkë,
të shkruara në - Ditar -; i intervistuar nga Policia e UNMIK-ut; i intervistuar
nga mediat e shkruara qendrore dhe ato vizive; dëshmitë zënore në televizione.
Dëshmitarin potencial, kundër Limajt, në Gjykatën e Hagës, Agim
Zogaj, e morën në mbrojtje ndërkombëtarët. Por, nuk e mbrojtën dot, sepse krimi
në Kosovë, është më i fortë se ligji, më i fortë se drejtësia! Kur kuadri i
"Nisma", Jakup Krasniqi, mësoi vdekjen e dëshmitarit Zogaj, i gëzuar,
deri në ekstazë, deklaroi botërisht: "Tani, Fatmiri shpëtoi, pasi
dëshmitari u shua kësaj bote dhe dëshmia e tij, në mungesë, nuk vlenë
më"!? E turpshme dhe kriminale!
Edhe pas eliminimit të dëshmitarit okular, syjas, i akuzuari
Limaj, nuk u mjaftua. Ai kërcënoi Familjen e Zogajt, se "tani janë rritur
fëmijtë e tij dhe keni kujdes, t`i pushoni akuzat"! Ndodhi çudia e madhe!
Familja Zogaj paguante avokatin Çelaj, për ta shpallur Agim Zogaj hafije të Serbisë,
qoftë edhe pas vrasjes!! Ky skenar ishte i Fatmir Limajt. Gjëra të tilla
ndodhin vetëm në Kosovën e çudirave!!!
6) Si ministër i PDK-së, ekziston dyshimi i bazuar, se është
përfshirë në 20 makro-tenderime korruptive, hajni zyrtare. Kuotën përfituese e
kishte fikse: 200 mijë dollarë apo marka, për një tender të majmë. Bisnesmeni
nga Gjilani, me guximin e mjaftueshëm qytetar, e denoncoi Limajn, për
ofërtën e dhënë, nëse don tender nga Qeveria e PDK-së"! Dhe, ndërkohë që
Limaj ishte nën akuzë, bëri një pazar me një biznsmen tjetër, me të njëjtën
kuotë çmimi! Prandaj, Limaj njihet në opinionin shqiptar si "hajni
trim"!
E veçanta në rastin Limaj është se ai ka fat në fatkeqësi:
Dëshmitarët e tij i merr Zoti, para se të ballafaqohen në Gjykatë, me të akuzuarin
Fatmir Limaj! Kështu ndodhi me Agim Zogaj. Dhe, si me porosi, edhe biznismeni
nga Gjilani, vdiq në një aksident në Vjenë!
- V i j o n -
KOMANDANTËT
PRANOJNË FAJËSINË PËR VRASJET POLITIKE!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Janë, të paktën, tri raste faktike të pranimit të krimeve,
kryesisht, të vrasjeve të kundërshtarëve politikë nga disa komandantë banditër:
I. Kur Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, po diskutonte
afatin e mandatimit të saj, për hetimin e krimeve të luftës dhe të pas luftës,
komandantët që "e kishin mizën pas veshit", reaguan ashpër, të mos
kalohej tej vitit 2000! Pse? Sepse, luftën e konsideronin si "kohë të
rrëmujshme" dhe mund t`ia faturonin vrasjet pushtuesit. Dhe, arritën ta
kufizojnë deri në fund-vitin 2000. Kjo është amnistim i krimeve të mëvonshme
serike, nga e njëjta strukturë kriminale, e përkufizuar, mençurisht e
profesionalisht, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, nga prokurori amerikan
Xhack Smith.
II. Reagimi kundërshtues i disa komandantëve kriminelë të PAN-it,
për emërimin në poste drejtuese dhe garimin për deputetë, të fëmijëve të të
vrarëve për motive politike, e quajnë provokim! Kandidatura simpatike e Fetah
Rudit, u mirëprit nga populli, por i irritoi fort komandantët. Kjo tregon se
kriminelët e PAN-it, nuk janë penduar për krimet e tyre. Dhe, duke e ndjerë
vetën, të implikuar në vrasjet polititike, nuk e duan ballafaqimin me viktimat,
përkatësisht, trashëgimtarët e tyre.
III. TV "Dukagjini" ka një reprizë të gjithmonshme:
"A është e vërtetë se Hashim Thaçi ju ka kërkuar, qoftë edhe përmes të
tjerëve, të mbroheni në heshtje",- i bënë pyetjen publike moderatori Ermal
Panduri, ish-ministrit të Brendshëm, në Qeverinë e Përkohëshme, Rexhep Selimit?
"- Po, si nuk është e vërtetë", - përgjgjet, prerazi,
ministri në fjalë.
Praktikimi i heshtjes nga komandantët e akuzuar për krimet
vrastare, të kundërshtarëve politikë, është bërë e zakonshme. Sepse, sipas një
utrësie rumune: "Ata që gënjejnë, duhet të kenë memorie të fortë".
Pra, përsëritja e gënjeshtrës, rrezikon t`i tradhtojë memorja!
Pra, fajësia e pranuar për krimet, tashmë, të bëra, nga disa
komandantë, me bandat e tyre, është evidente. Janë të tepërta dhe bjerrje kohe
hetimet të stërzgjatura. Elementet e krimit janë konsumuar katërcipërisht.
"Më mirë vonë se kurrë", - thotë urtësia. Limaj ka bërë
hapin e parë, duke pranuar se vrasjet politike kanë ndodhur, realisht. Dhe, jo
si disa kolegë të tij kriminelë, të cilët mohojnë motivet, madje, i quajnë edhe
"të vjetëruara, që duhet harruar"! Nuk është vetëm Baton Haxhiu, i
cili apelon për pajtim të brendshëm dhe të jashtëm, duke i amnistuar
kriminelët! Janë edhe disa "gjeneralë", eksponentë të krimit, të
haraçit dhe të korrupsionit, që duan të harrojnë të kaluarën e zezë të tyre,
duke i mbuluar me "tam-temet" e "betejave" të tyre
imagjinare.
Vërtet, nuk është hera e parë, që Limaj reflekton drejtë, në
raport me kolegët e tij: "98 % të ushtarëve na vinin nga radhët e
LDK-së", - deklaron, përsëritshëm, Limaj. Por, kur shtrohet pyetja: A
duhet të japë përgjegjësi Fatmir Limaj? Mendoj, gjithësesi po, sepse ai ka qenë
dhe vazhdon të jetë njëri ndër të akuzuarit kryesor.
Mendësia se "kam kaluar në filtrin e drejtësisë vendore dhe
ndërkobëtare dhe jam dëshmuar i pafajshëm", siç pretendon Limaj, me sojin
e tij, është një "përrallë dimri"! Të gjithë të akuzuarit dhe të
arrestuarit, për krime vrastare apo hajnore, përgjatë tej dy dekadave, kanë
qenë dhe mbetën të fajshëm. Për disa vrasje faktike, dënimet kanë qenë
simbolike, sikur të kenë vjedhur ca pula!
Avokati i njohur Ben Emerson thotë se "liria e një komandanti
ka kushtuar 11 milionë euro", prej tyre ai pranon se ka marrë 5 (pesë)
milionë euro. Por, kurrë nuk përmend fjalën "pafajësi"!? Haga ka
arrestuar gabimisht vetëm një person dhe brenda 24 orësh e ka liruar, me kërkim
falje, e ka kthyer të lirë në Kosovë, me dëmshpërblimin përkatës, ligjor.
Gjykata e Hagës kurrë nuk i ka dënuar të pafajshmit, por, ka
liruar të fajshmit. Prandaj, është themeluar Gjykata Speciale e Kosovës, me
seli në Hagë, për ta korrigjuar, tashmë, fajësinë e bërë nga Gjykata e Hagës, e
cila, me vendime arbitrare politike, shkeli mbi gjakun e shumë qindra viktimave
të pafajshme, kryesisht, shqiptarë, luftëtarë dhe atdhetarë, të përkushtuar për
çlirimin e Kosovës.
Fatmir Limaj, më në fund, duhet të flasë, sepse ai ka qenë pjesë e
vendimmarrjes, përkrah Hashimit, me shokë. Janë pazarët tenderuese, që kanë
prishur miqësinë e tyre. Përndryshe, ata i lidhin të bëmat e luftës dhe pas
saj, madje, pazgjidhshëm, të cilat janë tmerruese. Limaj është bërë yll i
mediave vizive. Flet "për Shkup dhe për Shkodër"! Por, tani është
radha dhe rasti të flasë për vrasjet politike, rast unik, kur bota demokratike
luftonte për shpëtimin e popullit të Kosovës, ndërkohë, disa komandantë
bastardë e hafije të Serbisë, vrisnin FARK-istët luftëbërës të Ibrahim Rugovës;
luftëtarët dhe veprimtarët e LDK-së; si dhe veprimtarët e hershëm të LPK-së!
E përsërisim, Fatmir Limaj di shumë për vrasjet e kundërshtarëve
politikë, sidomos në domenin e sundimit të tij, që përfshinë koxha hapësirë.
Nëse nuk i njeh ekzekutorët, urdhërdhënësit i di. Përtej dy dekadave u heshtën,
nuk u hetuan, sepse krimi në pushtet dhe shtet, kishte kapur sistemin e
drejtësisë. Përmendja e vrasjeve politike, konsiderohej blasfemi! As Limaj
kurrë nuk e ngriti zërin për hetimin e tyre. Madje, e bëri namin, për mbojtjen
e imunitetit të deputetit, ndërkohë që, sipas shërbimeve informative
prestigjioze ndërkombëtare, Parlamenti i Kosovës kishte 27 deputetë kriminelë!
Që vrasjet politike, me listimin dhe ekzekutimin e kundërshtarëve
politikë kanë ndodhur, realisht. Sikur nuk mjaftuan jetimët numerikë të
Kosovës, me prindër të vrarë nga soldateka e Millosheviçit! Numrin e jetimërve
e shtuan "komandantët" shqipfolës, që thirreshin në emër të luftës.
Kjo nuk ndodhi as në Kroaci dhe as në Bosnje.
Por, ka ndodhur dekada më parë në Shqipërinë hoxhiste! Ishte
Sigurimi Shqiptar, ai që instruktoi kriminelët e Kosovës, për ta marrë
pushtetin me dhunë. Dhe, hetimi i vrasjeve politike, duhej të nismonte,
pikërisht në Shqipëri, atje ku është bërë ekzekutimi zyrar i Ministrit të
Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, në vlugun e luftës. Rast unik!
Pra, vrasjet politike u bënë për pushtet dhe para. Kjo, tashmë,
është dëshmuar bindshëm. Edhe Fatmir Limaj duhet ta pranojë dhe ta pohojë zëshëm,
motivin vrastar të disa komandantëve, si pjesë e Ndërmarrjes të Përbashkët
Kriminale.