Mendime
Enver Bytyçi: Nuk ka emër vetëm liria, kanë emër dhe Nuredinlushtakët!
E marte, 05.07.2022, 07:44 PM
Nuk ka emër vetëm liria, kanë emër dhe Nuredinlushtakët!
Nga
Enver Bytyçi
Nuredin
Lushtaku nuk është fytyra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk është nderi i
kësaj ushtrie. Nuk është as modeli i shtetësisë së Kosovës! Fytyra, nderi dhe
modeli i UÇK-së janë drejtësia, korrektësia në zbatimin e ligjit, barazia dhe
përgjegjësia për fatin e shtetit! Të tillë ish-luftëtarë të UÇK-së ka me
mijëra. Por Nuredin Lushtaku është fytyra dhe modeli i jo pak komandantëve të
luftës që në emër të kësaj lufte e plaçkitën Kosovën. E në vend që ta ndërtonin
shtetësinë e saj, e rrënuan atë me padrejtësi dhe kriminalitet të pandërprerë.
Dëmi
më i madh që ka shoqëria kosovare nga Nurdeinlushtakët lidhet me krijimin e
konceptit të pandëshkueshmërisë. Kjo më pas prodhon sistemin e skllavërisë në
vend. Dhe skllavëria ishte tipar i shtetit në skllavopronari. Deri diku ajo u
përdor si mjet tregtie deri në pjesën e dytë të shekullit XIX. Nëse NATO,
SHBA-të, Bashkimi Europian do ta dinin se shtetësinë e Kosovës do ta ndërtonin
në modelin e Nuredin Lushtakut, atëherë ata do t'i kishin lënë shqiptarët
rrugëve të botës dhe Kosova do të ishte harruar prej tyre!
Nuk
ndodhi kështu, sepse bota e qytetëruar besoi se Kosova do të ndërtojë një rend
demokratik të shtetit të së drejtës. E bindi për këtë presidenti historik
Ibrahim Rugova. Në Uashington, në Londër, në Berlin e ndoshta edhe në Paris e
Romë besuan se shqiptarët e Kosovës i ngjanin Rugovës. Ata nuk e dinin se
kishte gjithashtu Nuredinlushtakë. Nuk e dinin se ky Lushtaku që plagos policë
dhe ngre dorën kundër shtetit nuk do pranonte ta dërgonte Gardën për ta nderuar
vetë historinë, Ibrahimin e Madh (apo Abrahamin e Kosovës). Nuk e dinin se
pushteti pas vdekjes së Rugovës do të uzurpohej nga të tillë banditë!
Nëse
bota e Perendimit do të dinte se në qeverisje do të vinin banditët, atëherë
shqiptarët do ta vuanin tmerrrësisht dhunën e Milosheviçit e të Serbisë. Askush
nuk do të kthente kokën nga ne shqiptarët. Por Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk
ishte ushtri banditësh. Ajo ishte dhe mbetet ushtri e idealit të lirisë së
Kosovës. Kundërshtari më i madh i luftës dhe UÇK-së e njëkohësisht miku më i
madh i komandantëve grabitqarë, Baton Haxhiu, shpiku pas arrestimit të Thaçit
logon "Liria ka emër - UÇK"! Në fakt ajo logo u përdor për të nxit
lushtakët për dhunë në Kosovë. Në emër të asaj se "po na e përdhosni
nderin e lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës"! Ndërkaq përdhosësi më
i madh i saj ishte njeriu i Stanishiqit, që me atë logo mori në mbrojtje
komandantët e modelit Lushtak, grabitësist dhe shkelësit e ligjit të shtetit në
Kosovë.
Thjesht
UÇK u përdor kështu si maskë. Po përdoret gjithashtu si maskë. Sepse
Nuredinlushtakët nuk janë UÇK. Ata janë turpi i UÇK-së. Ata janë anti-shteti!
Anti-drejtësia! Anti-barazia! Anti-Liria! Lirinë e kuptojnë si "e
drejtë" për të dhunuar gjithçka në Kosovë, për ta grabit e vjedh atë, për
ta dhunuar edhe policinë. Nuk kanë bërë gjatë vitit të fundit diçka më shumë se
Nuredin Lushtaku serbët e instrumentalizuar të Zubin Potokut! Edhe ata kanë
qëlluar kundër policisë së Kosovës! Njësoj si Nurdin Lushtaku!
Dhe
më e keqja është se Partia Demokratike e Kosovës, AAK e Nisma, të vetëquajtura
si parti të luftës, nuk kanë marrë qëndrim të prerë e bindës kundër
Nuredinlushtakëve. Përkundrazi, përpiqen të atakojnë policinë e institucionet e
Kosovës. Vetëm Vlora Çitaku u distancua, por në emrin e saj personal. Jo në
emër të partisë ku bën pjesë. Unë nuk dua të besoj se fenomeni Lushtak është
edhe fenomen i këtyre partive. Por në Kosovë e dinë se janë këto parti që e
kanë toleruar krimin në dëm të shtetit dhe institucioneve të tij, në dëm të
drejtësisë dhe barazisë së qytetarëve. Nëse PDK, AAK dhe Nisma, që thuajse nuk
ekziston, nuk distancohen prerë dhe hapur kundër abuzimit me luftën e me
pushtetin nga ana e lushtakëve jo të paktë në Kosovë, atëherë këto parti, edhe
nëse VV punon keq, nuk do të fitojnë besimin e qytetarëve.
Kosova
priti që pas çlirimit nga Serbia të kishte një rend demokratik e të lirë, të
aftë që të prangoste cilindo që shkelte ligjin. Pra të mos kishte
Nuredinlushtakë. Kosova nuk priti të çlirohej nga Serbia e bijtë e saj t'i
vriteshin nga vetë shqiptarët! Prandaj dhe rasti i Skënderajt dhe plagosja e
policëve është një moment reflektimi! Hiq dorë nga privilegjjet në emër të
luftës dhe nënshtroju drejtësisë, shtetit ligjor e ligjit të së drejtës! Vetëm
në këtë mënyrë Kosova mund të bëhet shtet funksional dhe të admirohet në botën
e qytetëruar, botë e cila është sponsori i shtetësisë së saj!